Shqiptarët kanë nevojë për Europën

Nga Zamira Çavo, botuar në Shqip 31 maj 2014

Sa më shumë afron data, aq më shumë “ethet” për marrjen e statusit kandidat kanë ngritur temperaturën politike në vend. Flitet për Statusin kudo, madje dhe mes të rinjve indiferentë ndaj politikës. Është e qartë se shqiptarët e çmojnë shumë këtë status. E çmojnë jo se e kuptojnë se me çfarë ka të bëjë, por më shumë e ndiejnë si nevojë të domosdoshme për ta. Është besimi i fundit që shqiptarët kanë ndaj një ideali politik, që megjithëse nuk është mirëfilli i tyre, sërish krijon kohezionin social. Unë nuk di popull tjetër ta ketë pasur kaq problem dhe anëtarësimin, e jo më një status paraprak sikundër pretendojmë ne. Pse ndodh kështu? Sigurisht ka arsyet e veta historike, por edhe politike.

Së pari, në gjenezën sociale, shqiptarët e kanë pasur të tejskajshëm vlerësimin dhe besimin ndaj të huajve. Trim dhe i lidhur ngushtë me tokën e tij, pa gjuhë të shkruar për një kohë të gjatë, e për rrjedhojë pa dituri, shqiptarët arritën të mbijetojnë në histori pa u asimiluar, por ta shohin të huajin si një njeri që i përket një bote që për ta ka qenë larg. Kjo ndjenjë gati inferiore ndaj të huajit që vinte nga Perëndimi, ka të bëjë me mungesën e kulturës, por edhe me dëshirën për të qenë të barabartë. Koncepti i barazisë te shqiptarët është tërësisht i ndryshëm nga koncepti i barazisë europiane. Për ta, barazia është në ekzistencë dhe jo në mundësi, është në gjithçka të qenies së tyre. Kjo barazi mes shqiptarëve as që diskutohej, ndaj dhe besimi te njëri-tjetri ka qenë dyshues e mosbesues në ekstrem. Kjo do të thotë se në historinë tonë postpavarësi grindjet mes krerëve të politikës kanë qenë kaq të dukshme sa e kanë fuqizuar mosbesimin e shqiptarëve në politikën vendase. Ndaj historikisht, shqiptarët kanë besuar në zgjidhjet politike të të huajve. Ndaj i kanë pasur sytë nga “bota”. Për shqiptarët, një fjalë e thënë nga të huajt, është shumë herë më e besueshme se e thënë edhe nga shqiptari më i mençur!

Së dyti, kjo trashëgesë historike, edhe pse në kohët postmoderne, ka lënë gjurmët e veta. Nga ana tjetër, të “huajt” që vijnë në Shqipëri e kuptojnë me nuhatje se çfarë vlerash iu japin atyre shqiptarët. Dhe e kanë shfrytëzuar maksimalisht për të demonstruar fuqinë e shtetit të tyre. Nuk ka vend tjetër ku dhe diplomati më i thjeshtë të hyjë “pa trokitur” në dyert e zyrtarëve më të lartë të shtetit! Sjellja diplomatike shpesh ka shërbyer si katalizator i dukurive të brendshme politike e sociale. Praktikisht përfaqësuesit diplomatikë në Shqipëri janë sjellë shpesh si të “zotët e shtëpisë” dhe kjo, jo për faj të tyre, por për mungesën tonë të kulturës dhe besimit ndaj njëri- tjetrit.

Së treti, politika shqiptare në 23 vjet ka prodhuar një ekstremitet sjelljesh politike të jashtëzakonshme që e kanë dëmtuar rëndë jo vetëm jetën tonë, por dhe imazhin e vendit. Çdo shqiptar është strukur kur ka parë z. Berisha që me fjalimet e tij qesharake në përmbajtje dhe mjerane në dorë, ka transmetuar politikën shqiptare në Europë! Dhe kur hymë në NATO, sërish shqiptarët e shekullit të 21-të e dinin mirë se ishin të tjera interesa që e mundësuan dhe jo qeverisja apo politika shqiptare. Në 23 vite, shqiptarët nuk arritën atë çka ëndërruan, nuk u bënë të barabartë me qytetarët e tjerë të Europës dhe nuk ndihen akoma të lirë! Pra, me pak fjalë, shqiptarët e shohin pamundësinë e politikës së tyre brenda vendit, si pamundësi për të gjeneruar pozitivitet. Ndaj i kanë sytë te Europa! Dhe kanë të drejtë:

-Klasa politike shqiptare, në tërësinë e saj, e ka shfrytëzuar politikën si mjetin e përfitimeve personale ndaj dhe nuk do të dëshironte kurrë t’i humbiste këto privilegje duke iu “nënshtruar” rregullave të BE-së. Është gati fatale sjellja e politikës sonë në Parlament, në greva e tritol e deri në mitingje të blera apo të detyruara. Unë jam e bindur se pas disa kohësh, asnjë shqiptar nuk do t’ia falë Berishës të keqen që i ka bërë dhe që vazhdon t’i bëjë Shqipërisë! Çdo gjë që shkon sot kundër statusit është padyshim në të keqen e vendit dhe të çdo shqiptari, por jo për shumicën e elitës sonë politike! Porkush i nxit sot grevat e urisë, kush e nxit përçarjen sociale me nxjerrjen në tryezë të shoqërisë të figurës së Enverit, kush kërkon t’i hedhë zjarr shoqërisë shqiptare, ai mund të jetë ç’të dojë, por JO shqiptar!

-Sërish janë të huajt që po e kërkojnë këtë gati me lutje. Përfaqësues të ambasadave të huaja kanë dalë në terren për të treguar mbështetjen e tyre dhe për të na “hapur sytë” se ky polaritet politik na dëmton të gjithëve. – Kryeministri Rama është natyrisht i interesuar për ta marrë këtë status, por aktiviteti i tij politik brenda vendit kërkon shumë punë. Sa më shumë ikën koha dhe sa më e pavendosur të tregohet qeveria në punët e saj dhe sidomos në ndëshkimin e fajtorëve, aq më shumë humbet besimi në ëndrrën e rilindjes. Dhe unë e kam thënë se ky është shansi ynë i fundit. Ndaj e mendoj se marrja e statusit të kandidatit, është për ne jetike. Jetik jo se do të na ndryshojë si me magji jetën tonë, jo se do të shpërthejmë sërish si dikur “ne bëjmë qejf e bota na ndihmon”, por sepse do të vërë disa standarde ku klasa jonë politike do të frenohet detyrimisht në babëzinë e saj dhe do të detyrohet të japë llogari!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi