Nënshkruhen marrëveshjet e huasë me BB për forcimin dhe modernizimin e financave publike
30 maj 2014
Të premten, u nënshkruan në Kryeministri marrëveshjet e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, të cilat synojnë zhvillimin e financave publike si dhe zhvillimin dhe modernizimin e sektorit financiar. Qëllimi i akordimit të këtyre huave është mbështetja e reformave për përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale të Shqipërisë nëpërmjet fuqizimit të menaxhimit të financave publike në trajtimin e detyrimeve të prapambetura, si dhe reformave në sektorin e taksave, pensioneve dhe energjisë. Huaja e parë e politikës së Zhvillimit për Financat Publike, me një fond prej 87,000,000 Euro, synon rritjen ekonomike në periudhë afat-mesëm dhe afat-gjatë, reduktimin e varfërisë dhe rritjen e mirëqenies së përbashkët. Huaja e Politikës së Zhvillimit për Modernizimin e Sektorit Financiar, me një fond prej 72,600,000 Euro, synon forcimin e rregullores dhe mbikëqyrjes së sektorit bankar dhe rrjetit të sigurisë financiare; përshpejtimin e zgjidhjes së kredive me probleme; dhe forcimin e rregullimit dhe mbikëqyrjes së Institucioneve Financiare jo-bankare.