Ide të reja mbi zhvillimin ekonomik
Nga Epidamn Zeqo, botuar në Shqiptarja.com, 31 maj 2014
Situata ekonomike-sociale e Shqipërisë nga viti 2011 dhe deri sot vazhdon të jetë dramatike: nuk ka punë të reja cilësore dhe jo-cilësore; nuk ka investime të reja domethënëse dhe nuk ka rritje të lartë Prodhimi të Brëndshëm Bruto. Si e gjithë ekonomia, edhe tregu i banesave ka pushuar dhe mbijeton vetëm me klering dhe është në një gjëndje ‘zombi’ – asnjë nuk merr e jepë lekë, euro, dollarë, paund dhe të gjithë janë në pritje dhe në ankth, sepse kanë detyrime.
Vlera e çdo prone në Shqipëri, përveç se në disa zona të vogla kryesore, ka rënë ndjeshëm këto tre vite. Kjo situate është tragjike për një ekonomi në zhvillim që nuk është në luftë, pra për një ekonomi të pazhvilluar në kohë paqeje, me potencial zhvillimi shumë të lartë dhe realist, të mundshëm. Edhe pse Qeveria e Majtë, e kryesuar nga Edi Rama, po bën një punë të mire për të ruajtur stabilitetin makroekonomik në vënd, theksi ose politikat ekonomike në këtë situatë duhen orientuar më shumë drejt stimulit se sa drejt stabilitetit.
Eshtë e këshillueshme të krijohet një strategji afatmesme, stimuli fiskal dhe monetar (të përfshihet patjetër Banka Qendrore) me objektiv rikthimin e rritjes së lartë, 6% të PBB-së, në vitin 2015. Vetëm kështu do tëmund të çlirohet ankthi, të krijohet konfidenca, të rikthehet optimizmi dhe dinamizmi në çdo treg, sektor dhe industri. Statistikat janë gjithnjë relative dhe shpeshherë boshe, prandaj nuk preferoj t’i citoj, por 6%-shi ka vlerë sepse ka konotacion dhe memorie zhvillimi dhe mireqënieje në psiqikën shqiptare.
Krizat (në shumës) në ekonomi nuk po zgjidhen shpejt. Si mund të arrihet kjo? Borxhi me vlerë 400 milionë USD, marë nga FMN-ja, është nga njëra anë pozitiv dhe do të mund të çlirojë financat e bizneseve që ndërtuan infrastrukturën publike gjatë kohës së Demokratëve (2005-2013). Kjo mund të stimulojë sektorin e ndërtimit dhe të adresojë një pjesë të borxhit të keq. Përsa i përket tregut të banesave, kjo mund të rrisë shtëpi-ndërtimin, por jo shtëpi-blerjen.
Nga ana tjetër, është negative, sepse konditat e borxhit, si p.sh. rritja e taksave dhe ulja e shpenzimeve, dëmtojnë drejtpërdrejt ekonominë reale. Për më tepër, kushti themelor për këtë borxh ishte implementimi i sistemit progresiv për të ardhurat menjëherë, në janar 2014, vetëm pak ditë pasi kishte kaluar si paketë në Parlament. Pavarësisht se personalisht jam për taksën progresive, stabilizimi fiskal nëpërmjet ‘Terapisë së Shokut’ dhe jo gradual ka dëmtuar rimëkëmbjen e ekonomisë dhe nuk zgjidh krizat shpejt. Të mos harrojmë se ekonomia nuk është vetëm buxheti i Qeverisë, por buxheti i çdo familjeje dhe individi, që tashmë janë të varfëruar dhe të demoralizuar nga kohëzgjatja e krizave.
Ironikisht, debati në Shqipëri asnjëherë nuk qëndron tek ekonomia dhe zgjidhjet që ofron politika ekonomike. Besoj se ky abnormalitet, që është po aq universal sa dhe shqiptar, mund të justifikohet nga fakti që ne nuk kemi nevojë të humultojmë për ekonominë, politikat fiskale dhe monetare, instrumentat e ndryshme financiare, etj., sepse të tjerë vendosin politikat ekonomike në vend. Në rastin e Shqipërisë është Fondi Monetar Ndërkombëtar. Por çfarë është FMN-ja, Institucion? Po, një Institucion, që është shumë i rëndësishëm dhe me një eksperiencë të gjatë në Shqipërinë post-komuniste.
Historia e tranzicionit tregon që ky, si çdo ‘partneritet’, ka të mira dhe të këqija. Gjithësesi, atomi i këtij institucioni, si i çdo organizate, është individi – si unë dhe ti – që është qënie vepruese dhe, si rrjedhojë, edhe e gabueshme. Ishte gabim nga stafi i FMN-së në vënd dhe në rajon që të kërkonte ‘Terapi Shoku’ për stabilizimin fiskal në Shqipëri dhe është gabim që nuk propozojnë politika fiskale dhe monetare më domethënëse për stimulimin e ekonomisë. Që të kuptohemi, stabiliteti makroekonomik është domosdoshmëri, por mund të arrihet më lehtësisht për të gjithë në qoftë se strategjia afat-shkurtër dhe afat-mesme nuk është ’austerity’, por ’growth’.
Mitet krijohen nga plagjiatura e diskursit ekonomik në vëndet e zhvilluara dhe nga paaftësia e individëve përgjegjës për t’i përvetësuar dhe modifikuar idetë sipas realitetit. Si mund të konceptohet që tregu i banesave e mbaroi rolin zhvillues në një vënd të pazhvilluar, me një ekonomi të pa ‘maturuar’, që nuk po i gjen fundin as tranzicionit? Ç’do të thotë ‘maturim’ në këtë kontekst? Pse në vëndet më të zhvilluara, si p.sh. në Mbretërinë e Bashkuar, ky treg vazhdon të jetë përcaktues për rritjen ekonomike, edhe pse këto shtete kanë me qindra vite që ndërtojnë banesa?
Sot në Angli ekzistojnë skema kreditimi për nxitjen e shtëpi-blerjes për çiftet e reja, që quhet ‘Ndihmë për Blerje’. Skema stimulon dhe mbështet kërkesën për shtëpinë e parë. Pse mos të krijohet një skemë e tillë edhe në Shqipëri? Ndryshe nga çfarë mund të mendohet, nuk është kjo skema që po shkakton ‘flluskën’ e çmimeve të banesave në Angli, por është fakti që kërkesa ndërkombëtare për prona në Londër është rritur në këtë periudhë krize, sepse shihet si një investim i sigurtë. Prandaj, nuk është e vërtetë që këto skema shkaktojnë ‘flluskën’. Ky është një mit, po njësoj si miti tjetër, që kriza në Eurozonë u shkaktua nga kreditimi i lirë, sepse në fakt u shkatua nga mungesa e Unionit Bankar dhe Fiskal në Eurozonë.
Këto përfundime arrihen vetëm nëpërmjet përdorimit të logjikës arsyetuese dhe jo të intuitës provinciale. Por cilat janë metodat e logjikës? Metoda kryesore është arsyetimi dhe në këtë metodë ka forma të ndryshme si p.sh. analogjia, induksioni dhe deduksioni. Të trija format përdoren zakonisht në vëndet ide-formuese. Çelsi është që të evidentojmë përfundimet e duhura nga arsyetimi perëndimor si p.sh. instrumentat e ndryshme financiare (monetare apo fiskale) për ringjalljen e ekonomisë tonë – ‘zombie’.
Përfundimet nuk duhen marrë si të mirëqena, por të modifikohen sipas nevojës së brendshme. Logjikisht, ringjallja e tregut të banesave është nevojë parësore e ekonomisë shqiptare dhe mund të konsiderohet imperativi i rikthimit të rritjes së shpejtë, 6% PBB-së. Ky ishte roli i këtij tregu kyç përgjatë dekadës së parë të këtij shekulli (2000-2010). Prandaj, objektivi parësor për ringjallen e ekonomisë dhe rikthimin e rritjes së lartë duhet medoemos të jetë stimulimi i tij. Një politikë ekonomike dhe financiare e tillë duhet të ishte ndërmarë nga e Djathta që nga viti 2011 dhe shpresoj të implementohet nga e Majta tanimë në pushtet, sa më parë.
Pavarësisht se është pozitiv stimuli i Qeverisë Rama për sektorin fason, sepse forcon eksportet dhe mbështet punësimin jocilësor, ky sektor nuk ka po të njëtin efekt transformues dhe vlerë-ndërtues, që krijohet nga dinamizmi i tregut të banesave, që prek të gjithë ekonominë dhe agjentë e saj. Një zgjidhje e logjikshme për të stimuluar apo ndihmuar këtë treg kyç, që të ringjallë ekonominë shpejt, është krijimi i një skeme kreditimi për çiftet e reja, që të blejnë shtëpinë e parë, edhe në rastin kur vetëm njëri partner punon me kohë të plotë.
Është e turpshme të thuhet që nuk ka kërkesë për kredi shtëpie; kur shumica dërmuese e këtij segmenti kyç ekonomiko-shoqëror jeton akoma në shtëpinë e prindërve, edhe kur arrijnë moshë të thyer dhe kanë fëmijë. Edhe gjatë regjimit hoxhist ëndrra ishte një çift i ri – një shtëpi e re (dhuratë nga partia). Kurse në këtë regjim, quasi-liberal, kjo ëndërr nuk mund të ëndërrohet?! Ky është një paradoks i trishtë dhe tregon faktin që Shqipëria akoma nuk ka ndërtuar një sistem bankar dhe financiar, që krediton zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin e mirëqënies.
Një skemë tjetër, që ka vlerë për tregun e banesave në bregdetin shqiptar është që të krijohet një skemë kreditimi për çiftet ose familjet e reja, kur të dy partnerët punojnë me kohë të plotë, që t’u mundësojë blerjen e një apartamenti pushimi. Kjo skemë do të përmirësonte ndjeshëm edhe aktraktivitetin e pronave në bredget për blerësin dhe turistin e huaj. Një pjesë e riskut të mospagimit duhet të merret përsipër nga Qeveria dhe Banka Qëndrore dhe një pjesë tjetër nga Bankat tregtare si dhe kompanitë e ndërtimit që përfshihen në këto skema.
Çiftet që mund të përfitojnë nga skemat kredi-lehtësuese nuk duhen paragjykuarapriori. Normale që çiftet do të duhen të skanohen dhe këshilluar mirë përpara se sa të pranohen te skemat, shpresoj vetëm për momentin, imagjinare. Përpara, por sa më shpejt, është e domosdoshme që rishikohet marrëdhënia që politika fiskale dhe monetare duhet të kenë në ekonomi. Thënë shkurt, duhet të debatohen dhe krijuar politikat ekonomike (monetare dhe fiskale) alternative. Politikat ekonomike të deritanishme, të mësuara ose të imponuara nga institucione, si FMN-ja, kanë dështuar për të arritur objektivin parësor të tranzicionit post-komunist – ndërtimi i sistemit të mirëqënies.
Shëmbulli më i qartë është Banka Qëndrore. Ishte FMN-ja që imponoi në vitin 1998 rolin apo mandatin minimalist dhe konservator për ‘Tempullin e Lekut’. Gjithashtu, garantoi super-pavarësinë e këtij institucioni, që edhe nuk varet nga buxheti i shtetit. Por, pavarësisht se është parajsa e rrogëtarve, mbetet një institucion i paaftë. Është i paaftë, sepse ka dështuar me politikën e normës së interesit, që nuk e stimuloi ekonominë, si edhe ka dështuar për të adresuar në kohë dhe përfundimisht krizën e borxhit të keq dhe moskreditimin nga bankat tregtare.
Kjo nuk është një tezë nihiliste, sepse disa masa minimale janë marrë nga Banka dhe e vërteta është se ka një mandat, që tashmë ironikisht mund të konsiderohet i dëmshëm për ekonominë. Prandaj, ky institucion, që është kolona kryesore e ekonomisë, dëshpërimisht kërkon një mandat intervencionist, pro-aktiv dhe përgjegjës. Kjo tregon një të vërtetë të madhe dhe njëkohësisht hedh poshtë një tjetër mit: paraja jo detyrimisht përmirëson cilësinë e punës, produktivitetin dhe kreativitetin. Paraja nuk rrit konkurencën intelektuale dhe profesionale, njëherë që e ke.
Konkurenca zhvillohet atëhere kur kërkon me shpresë ta fitosh atë dhe atëherë kur meritokracia është kulturë që të lejon të synosh, të ëndërrosh, të humultosh. Vetëm kështu përhapen idetë dhe përvojat e ndryshme. Prandaj, idetë janë më përcaktuese në zhvillimin cilësor të një vëndi dhe të shoqërisë, janë më përcaktuese se sa paraja. Idetë alternative të lartpërmendura, si p.sh. stimulimi i tregut të banesave nëpërmjet skemave kredi-lehtësuese për çiftet e reja, adresojnë indirekt edhe gangrenën kryesore të ekonomisë: borxhin e keq.
Qëllimi nuk duhet të jetë që kolateralin (pronat) t’i marrin ose ekzekutojnë bankat tregtare, por që borxhi i keq të kthehet në një të mirë. Kështu fitojnë të gjithë. Ky konceptim ose politikë alternative nuk arrihet dot në vëndet mite-besuese, sepse lind nga liria e mendimit (kritika) dhe nga qarkullimi i ideve. Tani që e mësuam, a është koha për veprim?