Radikalizimi politik, një Deja Vu
Nga Roland Lami, botuar në Mapo Online, 30 maj 2014
Ngjarjet e fundit të japin të kuptosh se strategjitë e partive politike në thelb mbeten po ato, pavarësisht se konteksti dhe format emanifestimit të saj ndryshojnë. Mjafton të listojmë disa elemente tek e majta dhe e djathta, për t’u bindur për këtë fakt. Kujtojmë radikalizimin e sjelljes politike të opozitës në prag të marrjes së vendimit të Parlamentit Europian ose Këshillit të Europës për avancimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit. Kujtojmë periudhën e përpjekjeve të qeverisë së djathtë për të siguruar qoftëliberalizimin e vizave dhe më vonë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në krahun tjetër, radikalizmin e sjelljes së opozitës. E gjitha kjo,me strategjinë që qeveria e djathtë të mos ketë mundësi për një bilanc pozitiv në adresë të integrimit në zgjedhjet lokale të 2011 dhe ato të përgjithshme të 2013. Të njëjtën strategji po ndjek opozita e sotme, pavarësisht se krijon përshtypjen në publik se po lobon tek kancelaritë ndërkombëtare për të mos penalizuar vendin për shkak të një qeverie të papërgjegjshme, në thelb po kërkon të mos jepet ky status, pasi është i njohur fakti se vendimi i ndërkombëtarëve bazohet kryesisht tek kritere qëvaren nga klasa politike dhe jo nga pritshmëritë e opinionit publik. Pra, qeveria e djeshme që akuzonte opozitën për bllokimin e procesit të anëtarësimit për qëllime të ngushta politike, sot bën të njëjtën gjë.
Aspekt tjetër i ngjashëm në strategjinë e opozitës është radikalizimi i sjelljes së disa kategorive sociale. Më konkretisht, opozita e djeshme shtyu disa deputetë dhe mbështetës të saj të futen në grevë urie me synim tensionimin e mëtejshëm të klimës politike dhe jo vetëm kaq, por bojkotuan edhe parlamentin për një periudhë gjashtëmujore. Po sot, kemi opozitën që nxit mbështetësit e saj ish-punonjës të administratës publike të futen në greve urie, si dhe braktis disa komisione parlamentare për hartimin e reformave tërëndësishme. Ndryshimi në këtë rast është vetëm statusi i personave të ngujuar, por jo përkatësia partiake. E njëjta gjë mund të thuhet për ish të përndjekurit politikë. Dje, ishte opozita që në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 2013-ës nxiti disa përfaqësues të këtij komuniteti të futen në grevë urie, sot është mazhoranca që bën të njëjtën gjë, sigurisht, jo për llogari të zgjedhjeve të përgjithshme, por për ato lokale të 2015.
Aspekt tjetër i ngjashëm është organizimi i përsëritur i protestave. Opozita gjatë periudhës 2009 – 2011 organizoi disa protesta për të krijuar përshtypjen në publik dhe më gjerë kush ishte shumica reale politike. Ju kujtohen debatet për numrat, jo ishim dyqind mijë, jo dymijë etj. E njëjta gjë po ndodh edhe sot. Opozita e sotme ka organizuar disa protesta dhe planifikon të organizojë edhe të tjera në vazhdim, dhe analiza në shumicën e rasteve është më shumë tek numri – sa ishin – sesa tek përmbajtja e ligjërimit në protestë. Dje ishte Rama që pretendonte se kishte krijuar frymë dhe kjo do të manifestohej në zgjedhjet lokale të 2011, sot është opozita që po projekton të bëjë të njëjtën gjë me rastin e zgjedhjeve lokale të 2011, por, a do të marrë një rezultat të ndryshëm nga ai i Ramës në 2011? Në fakt, zgjedhjet lokale nuk e shpërblyen këtë sjellje të opozitës në 2011, mos ka gjasa të ndodhë e njëjta gjë me opozitën e sotme në zgjedhjet lokale të 2015?
Aspekt tjetër i ngjashëm është personalizimi i ligjërimit politik. Dje, kryetari i opozitës e përqendronte përmbajtjen e ligjërimit tek teza “Sali hap kutitë ose largohu”, sot është kreu i opozitës Basha që thotë “Rama ik, re bashkë me avionin”. Pra, të dy liderët e shikojnë zgjidhjen tek dorëheqja e kreut të ekzekutivit, pavarësisht se çfarë oferte kanë përgatitur ata. Për ta, ka më shumë rëndësi largimi i kundërshtarit sesa çfarë do të bëjnë nesër nëse vijnë në pushtet.
Aspekt tjetër i ngjashëm është bllokimi i buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Dje, ishte kryetari i Bashkisë njëkohësisht dhe kryetari i opozitës që i bllokohej buxheti nga shumica e këshilltarëve të koalicionit të djathtë, sot është mazhoranca që bllokon buxhetin e Bashkisë dhe njëkohësisht kreun e opozitës. Dje, me logjikën e mungesës së bilanceve të qeverisjes së majtë në pushtetin lokal, edhe sot me të njëjtin qëllim.
Shkurt, strategjia e aktorëve politikë kanalizohet në dy linja kryesore. E para, e keqja jote është e mira ime, e mira jote është e keqja ime, pak rëndësi ka se çfarë kostoje i shkakton publikut kjo qasje. Konkretisht, mosmarrja e statusit të vendit kandidat është një lajm i mirë për mua, pasi kam arsye për të radikalizuar më shumë situatën politike dhe për të pretenduar një rezultat pozitiv në zgjedhjet lokale. Po ashtu, bllokimi i buxhetit të Bashkisë së Tiranës është një lajm i mirë për mua dhe një lajm i keq për demokratët, pasi nuk i krijon mundësi kreut të këtij institucioni të ketë një bilanc pozitiv qeverisjeje në zgjedhjet lokale të 2015. Pra, strategjia blloko – fito.
E dyta, radikalizimi i situatës për të forcuar liderin dhe shmangur pakënaqësitë brenda partisë. Armiku jashtë nesh është më i rrezikshëm se armiku brenda nesh, prandaj të lëmë mënjanë qejfmbetjet dhe kritikat ndaj lidershipit dhe të mobilizohemi si një trup i vetëm rreth partisë për t’i bërë ballë kundërshtarit politik. Tipik mendësi puniste. Mirëpo, eksperienca ka treguar se problemet me këtë strategji vetëm shtyhen në kohë, por ato janë po aty. Është po Rama që nuk respekton të njëjtin statut ku dje e obligonte të jepte dorëheqje në rast humbjeje, sot të organizojë zgjedhjet për kreun e partisë. Po ashtu, është Basha që gjen motiv për të shtyrë ristrukturimin e drejtimit të partisë dhe shmangien e kokëçarjes me të pakënaqurit, por problemi është përsëri aty për sa kohë një proces i tillënuk ka ndodhur, por thjesht shtyhet në kohë.
Të tilla strategji të përsëritura në harkun kohor 2001–2003, 2009–2011, kanë treguar se mobilizojnë elektoratin fanatik apo besnik, por mbajnë larg elektoratin e paqëndrueshëm duke mos sjellë ndryshim rezultati zgjedhjesh. Mbajnë të karikuar mbështetësit duke siguruar një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish në protestaapo tubime të ndryshme, por nuk krijojnë dot frymën e nevojshme për të ndryshuar rezultatin. E kundërta ka ndodhur me strategjinë konstruktive dhe përmbajtësore. Kujtojmë strategjinë 2003–2005 të PD, 2011 të PD në zgjedhjet lokale dhe 2012–2013 të PS.