Politika monetare rezulton inekzistente në Shqipëri

Nga Gjergj Erebara, botuar Shqip, 30 maj 2014

Dje në mëngjes, në një bankë, pashë diçka që nuk besoja që do të mund ta shihja. Te tabela e reklamave, qenë listuar interesat e depozitave të ofruara nga banka. Për depozitat me afat 12 mujor në lekë, interesi i ofruar qe 0.5 për qind. Mendovase mos kishte diçka gabim, por jo. Interesat e ofruara në euro qenë 0.15 për qind.

Kam parë statistikat e Bankës së Shqipërisë, të cilat sugjerojnë se gjatë muajve të fundit, interesat e depozitave janë më të ulëtat në historinë e vonë të Shqipërisë. Për muajin mars, interesi mesatar i depozitave 12 mujore në lekë qe vetëm 2.2 për qind. Për euron qe vetëm 1.2 për qind. Sërish, depozita me afat me interes 0.2 për qind apo 0.5 për qind qe diçka e pabesueshme. Kjo ngre pikëpyetje serioze mbi vetë ekzistencën e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, ose më saktë, me interesa të tilla, mund të themi se në fakt, e ashtuquajtura “normë interesi bazë” apo REPO, nuk duhet të konsiderohet më si një mekanizëm që i lejon Bankës së Shqipërisë të ndikojë në tregun e parasë.

Për këdo që e ka harruar, apo që nuk e di, gjatë periudhës së parë të ekzistencës së bankave tregtare në Shqipëri (1992-2002), Banka e Shqipërisë zbatonte politikën e interesit minimal të depozitave në lekë. Bankave thjesht nuk u lejohej të ofronin interes depozitash më të ulët sesa norma e inflacionit. Ky rregull qe i vlefshëm vetëm për bankat shtetërore. Ai shërbente që depozituesit të merrnin në çdo rast një interes real (interes më të lartë sesa inflacioni) për depozitat e tyre dhe ky parim qe i domosdoshëm për të garantuar ekzistencën e një tregu depozitash në lekë në Shqipëri.

Nga viti 2002, me shfaqjen e bankave private dhe privatizimin e atyre shtetërore,politika e interesit minimal të detyrueshëm u zëvendësua me “mekanizmin indirekt” të politikës monetare. Ky mekanizëm është i tillë ku Banka e Shqipërisë pranon depozita dhe jep kredi për bankat e nivelit të dytë. Duke qenë se bankat kanë të drejtë të vendosin paratë e tyre në depozitë pranë Bankës së Shqipërisë në çdo kohë dhe pa limit, interesi i pranimit të këtyre depozitave bëhet interes referues edhe për interesat e depozitave që qytetarët apo kompanitë vënë në banka.

Problemi qëndronte në faktin se përgjatë shumë viteve, politika e interesit minimal pati krijuar një situatë ku tregu i parasë nuk mund të quhej treg. Ekzistonin vetëm dy banka shtetërore për shumë vite. Banka e madhe e Kursimeve pati tërhequr 70 për qind të depozitave të shqiptarëve, por nuk jepte kredi. Qeveria nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër veçse t’i merrte këto depozitat e mbledhura nga Banka e Kursimeve në formën e borxhit publik (bonot e thesarit) si dhe të sigurohej që interesat e bonove të thesarit të qenë më të larta sesa ato të depozitave për t’i garantuar fitim bankës.

Këtu u krijua kjo situatë që ekzistoi për shumë dhe shumë vite. Qeveria i merrte paratë e depozitave për t’i përdorur sipas qejfit. Bankat kishin minierën e tyre të fitimeve nga bonot e thesarit. Interesat e borxhit publik qenë interesat referencë në treg dhe jo interesat e Bankës së Shqipërisë. Kur interesat ishin të larta, kjo gjë nuk vihej re shumë, tani që ato janë të ulëta, situata duket qartë. Interesat e bonove të thesarit janë aktualisht rreth 3 për qind, më të ulëtat në histori. Kjo rënie nuk është shkaktuar aq shumë nga ulja e interesave bazë nga Banka e Shqipërisë, sesa nga rritja e kërkesës së bankave për të blerë bono thesari. Rrjedhimisht, edhe interesat e depozitave nuk janë prekur aq shumë nga ulja e normës bazë të interesit nga BSH sesa nga ulja e interesave të borxhit publik. Në këtë situatë, është vështirë të thuash se Shqipëria ka një politikë monetare të vlefshme.

Ky mund të ngjajë një problem i vockël, por problemi tjetër është që duke mos pasur një mekanizëm të vlefshëm për të ndikuar interesin e depozitave, nuk ke as një mekanizëm të vlefshëm për të ndikuar interesin e kredive. Kështu, ndërsa bankat kanë ulur me disa herë normën e interesit të depozitave në lekë, interesat e kredive në lekë janë ulur shumë më pak. Nëse një vit më parë, bankat merrnin depozita me 5 për qind për të dhënë kredi me 10 për qind, aktualisht ato po marrin depozita me 2 për qind dhe po i japin kredi me 8 për qind. Në një situatë të tillë, për qytetarët është pa leverdi ekonomike të mbajnë depozita në banka dhe gjithashtu pa leverdi për të marrë kredi në banka.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi