Edukimi sipërmarrës dhe reforma në arsim
Nga Prof. Mira Qosja, botuar në Mapo Online
Raporti i parë i paraqitur nga Komisioni i Reformës në arsimin e lartë, i cili duket që po debatohet midis dhe brenda ambienteve universitare, në pjesën hyrëse të tij paraqet një sërë konstatimesh. Një nga konstatimet, që në mënyrë të përsëritur gjendet në raport, është ai i faqes 16, pika 3.3.2., i cili paraqet faktin që “nuk është kryer në rang kombëtar një analizë e mundësive reale që ka vendi për punësim, zhvillim dhe orientimin e arsimit të lartë drejt përmbushjes së këtyre nevojave aktuale, apo në të ardhmen sipas nevojave të tregut”.
Statistikat zyrtare të pranimeve në universitetet publike dhe private, dëshmojnë se brenda një harku kohor më pak se 10 vjet, është pothuaj dyfishuar numri i pranimeve në programet Bachelor, nga 16588 studentë në vitin akademik 2004-2005, në 34874 në vitin akademik 2011-2012 dhe në total, nga 63257 studentë në vitin akademik 2004-2005, në 174421 në vitin akademik 2012-2013 (Raporti për reformimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, fq 38).
Pa lënë mënjanë problematikën që buron nga kjo rritje e numrit të studentëve, pa vizion dhe studim tregu, pa lënë mënjanë gjithë problematikën e cilësisë së diplomave dhe të mësimdhënies, ky masivizim ka sjellë që të studiosh në universitet, është një e drejtë për këdo tashmë në Shqipëri, por marrja e diplomës nuk është më një privilegj që konvertohet në një vend pune.
Nëse do t’u referoheshim të dhënave zyrtare të INSTAT-it në vitet e fundit, do të vinim re që vetëm 12.8 % e të punësuarve janë me universitet, pra rreth 119.457 persona (Anketa e Forcës së Punës e zhvilluar, 2009), ndërkohë raportet mbi papunësinë flasin qartë që shanset e një të riu (mosha 15 – 24 vjeç) për të gjetur punë janë disa herë më të vogla se ato të një të rrituri (mosha 25 – 64 vjeç).
Të dhëna të tjera mbi strukturën e forcës së punës; migrimin e brendshëm të popullsisë nga zonat rurale në zonat interurbane (sipas INSTAT 2011, 53.7 % e popullsisë jeton në qytet dhe 46.3% në fshat); marrja përparësi e punësimit në sektorin privat (jo bujqësor dhe blegtoral) si dhe struktura e biznesit në Shqipëri, ku 99.8% e bizneseve të krijuara janë SME dhe 96 % e të gjitha bizneseve janë mikrobiznese (INSTAT, 2010), pra janë sipërmarrje me 1-4 persona, dëshmojnë se sipërmarrjet personale përbëjnë burimin më të madh të punësimit në vend.
Në këto kushte, shtrohet dhe nevoja e nxitjes së edukimit sipërmarrës në arsimin e lartë shqiptar, si një rrugë shumë e rëndësishme për të promovuar kreativitet, inovacion dhe vetëpunësim; nevoja që universitetet të transformohen gradualisht në universitete sipërmarrëse, pasi nevojitet të stimulohet mentaliteti sipërmarrës tek të rinjtë, të inkurajohet start-up i bizneseve inovative dhe të nxitet një kulturë që është miqësore ndaj sipërmarrjes.
Por natyrshëm vijnë një sërë pyetjesh: A e siguron arsimi ynë i lartë zhvillimin e aftësive dhe mentalitetit sipërmarrës?A janë studentët e bindur që vetëpunësimi është një nga rrugët për të hyrë në tregun e punës? A studiohet sipërmarrja në fakultete të tjera përveç biznesit, ekonomikut dhe inxhinierisë? A bëhet pengesë ligji mbi gradat dhe titujt akademikë për përfshirjen e sipërmarrësve dhe njerëzve të biznesit në universitete?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk janë dhe s’mund të jenë vetëm çështje perceptimi, përgjigjet do të kërkonin:
- përdorimin e metodave sasiore për të përcaktuar, sa cikli i studimeve Bachelor –Master krijon premisa për zhvillimin e mentalitetit sipërmarrës dhe të vetëbesimit tek studentët që vetëpunësimi është një rrugë për të hyrë në tregun e punës.
- një studim mbi kurrikulat e universiteteve, jo vetëm të fakulteteve të ekonomi-biznesit, sepse shkollat e biznesit nuk janë vendi i vetëm për të mësuar sipërmarrjen; idetë e biznesit dhe inovacioni me shumë gjasa vijnë më tepër nga studimet teknike, shkencore dhe kreative;
- statistikat e punësimit të studentëve, por nuk është akoma praktikë në universitetet tona gjurmimi i tyre në karrierë, pasi ata mbarojnë studimet;
- statistika mbi mësimdhënien e njerëzve me eksperiencë në sipërmarrje, workshop-e dhe konkurse reale mbi idetë e biznesit
Natyrisht, në kohë ka përpjekje dhe arritje të pjesshme, të cilat janë motivuar qysh më 2004 dhe nga Komisioni Europian, i cili identifikoi sipërmarrjen si një nga tetë kompetencat kryesore të domosdoshme për çdo individ në një shoqëri të mbështetur në dije.
Mjaft e rëndësishme në realizimin e edukimit sipërmarrës është që dhe pedagogët të kenë formim akademik dhe eksperiencë të mëparshme në biznes, në konsulencë apo iniciativa personale në sipërmarrje. Ideale do të ishte që ata të kishin lidhje personale me sektorin e biznesit. Profesorët më të mirë të sipërmarrjes janë pedagogë që kanë kompetencat e duhura në mësimdhënie si dhe eksperiencat profesionale në sektorin privat, por duhet theksuar që mungojnë incentivat që motivojnë pedagogët për t’u involvuar në mësimdhënien sipërmarrëse dhe aktivitetet me studentët, përsa kohë kërkimi dhe publikimet mbetet kriteri kryesor për promocion.
Fakti që jo të gjithë pedagogët vijnë nga eksperienca praktike, e bën të domosdoshëm pjesëmarrjen e sipërmarrësve të vërtetë, veçanërisht gjatë seminareve të planeve të biznesit ku ata mund të luajnë një rol të veçantë, por në përfshirjen e tyre, veçanërisht në nivelin master pengesë bëhet ligji për shkak të kufizimeve që vendos në lidhje me gradat e mësimdhënësve.
Nevoja që universitetet të transformohen gradualisht në universitete sipërmarrëse duket që duhet të reflektohet më shumë dhe në reformën që propozohet, universitetet më të mira ndërtojnë dhe mbajnë network shumë të mirë me sipërmarrjen, me alumni-t, të cilët mund të jenë nesër një rrugë për të sjellë më shumë bashkëveprim të ndërsjelltë, më shumë dije dhe fonde në universitet.
Në mbyllje të këtij shkrimi, por jo të diskutimit mbi edukimin sipërmarrës dhe universitetet sipërmarrëse, reforma në arsim është në vetvete një sipërmarrje e madhe dhe e vështirë, një sipërmarrje që do të kisha dashur të ishte në sinkron me strategjitë kombëtare të zhvillimit të vendit, strategji të cilat mbeten të paqarta në programin e qeverisë aktuale.