Reforma arsimore, domosdoshmëri objektive apo objektiv i politikës?! –

Nga Prof. Elmas Leci, botuar në Balkanweb, 26 maj 2014

Në Shqipëri të gjithë bien dakord mbi domosdoshmërinë e realizimit të një reforme të plotë në arsim. Çdo qeveri është përpjekur të tregojë se ka pasur arsimin prioritet dhe sfidë të programit të saj. Qeveria aktuale për këtë qëllim ngriti Komisionin për Hartimin e Platformës mbi Arsimin e Lartë. Kjo sepse reforma arsimore, siç e pranon pothuajse mbarë opinioni është bërë tashmë domosdoshmëri objektive. Situata në të cilën ndodhemi flet se reforma arsimore është bërë një domosdoshmëri objektive, që në këtë periudhë, le të mos e fshehim, është edhe objektiv i shprehur me kohë i politikës. Kjo nuk ka asgjë të keqe, sepse kur puqen të dyja edhe domosdoshmëria objektive, edhe prioriteti i politikës, pra kur çështja bëhet objekt i vetë politikës, është vlerë pozitive. Ajo që shtrohet sot është pyetja se përse reforma arsimore është bërë domosdoshmëri objektive? Për të dhënë përgjigje do të na duhet së pari të analizojmë se në ç’gjendje e kemi arsimin në Shqipëri? Ku kemi qenë dhe ku jemi me arsimimin e shqiptarëve të rinj? Mbi këtë bazë analitike, ku synojmë të shkojmë dhe si? A është vërtet domosdoshmëri objektive reforma arsimore, apo është më shumë objektiv politik?! Reforma arsimore do bëhet vërtet, apo do bëhet dhe pastaj ta ç‘bëjmë përsëri, sipas situatave politike?!
Reformë arsimore apo reformë universitare?!
Nga drafti i parë i Komisionit “Special”, por dhe diskutimet në botën akademike, më shumë rezulton se reforma arsimore po fokusohet vetëm në drejtimin universitar dhe për universitetet. Pa pretenduar se jap përgjigje shteruese, nëse vijon konceptimi i tillë i reformës arsimore, kjo do na çojë në thyerjen e ingranazheve të makinës?! Se arsimi funksionon si një makinë me shumë rrota të dhëmbëzuara. Reformimi arsimor i nivelit universitar, padyshim kërkon reformimin e tërë sistemit të shkollës sonë. Nëse ndodh vetëm në arsimin e lartë, ajo është e paplotë. Nëse flasim për profesionalizëm, ai nuk nis apo fillon në shkollën e lartë. Universitet nuk mund të konsiderohen si e keqja më e madhe e këtij vendi, përkundrazi me gjithë barrën e problematikave që kanë, ato kanë dëshmuar se janë krenari e këtij vendi. Dhe nëse ndodh ajo që thuhet në opinion se “do mbyllen” pasi “japin diploma e nuk sigurojnë punë”, pa dyshim që masivizimi do të mbetet në historinë e këtij vendi si periudha më e artë e arsimimit të shqiptarëve.
Historikisht populli ynë, në breza e ka dashur arsimimin e bijve të vet, madje këtë dëshirë siç dëshmojnë faktet, e ka paguar shtrenjtë në vitet e mbijetesës. Sot e shtrojnë problemin ndryshe. Masivizimin dhe gjithëpërfshirjen e të rinjve të këtij vendi në arsimin e lartë, segmente të caktuara të shoqërisë e cilësojnë pothuajse gabim. Ta zëmë për një çast se është kështu. Atëherë do kthehemi te mesatarja “hoxhiste” dhe tek arsimimi i një fëmije nga pesë që kishte fshatari?! Kjo është pa një pa dy kthim prapa, me pasoja personale, familjare e shoqërore. Si mundet t’u diktosh disa të rinjve të shkojnë në universitet, disa të tjerëve t’u thuash jo?! Si mund ta prekësh kështu edhe Kushtetutën për të drejtën e arsimimit të gjithsecilit, që edhe si është bërë kjo Kushtetuta “leckë” me diskutime e vendime absurde të ekzekutivit, të vijojë në pafundësi të nëpërkëmbet?! Si mundesh në një demokraci si jona, ende të pakonsoliduar, t’u heqësh të rinjve të drejtën e arsimimit të lartë dhe të kalosh pothuajse si në ish-sistemin e largqoftit, me mesatare?! Lërja këtë punë e vlerësim universiteteve. Moskontrolli mbi universitetet private nuk mund të “begajnë” gjithë nivelin arsimor në Shqipëri! Ta themi pa diplomaci, pa dorashka fare, troç, hapur: Masivizimi i arsimit në Shqipëri është vepra më e mirë, më e bukur, më e goditur, më progresivja e këtyre viteve të demokracisë sonë. Një popull masivisht i arsimuar është më mirë se gjithçka tjetër, mbi çdo pasuri.
Më mirë njerëz të arsimuar masivisht apo… ?!
Sa më i lartë arsimimi, aq më i madh zhvillimi. Kjo thënie nuk ka nevojë për komente. A sistemohen në punë pas mbarimit të shkollës së lartë të gjithë të rinjtë?! Pa dyshim që jo. Në asnjë vend nuk ndodh, që ata që mbarojnë shkollat e larta, menjëherë të shkojnë në vendin e punës sipas shkollës që kanë mbaruar. As në Gjermani, as në Amerike nuk ndodh kështu. Shoqëria hap shkolla. Në ke këllqe, ndiqi. Shkolla nuk jep fleta pune, pordiploma, që vërtetojnë aftësinë për të punuar në specialitetin që je shkolluar. Për nivelin po, duhet diskutuar! Në këtë pikë duhet punuar për rritjen e cilësisë së shkollave tona. Po a ka gjë më të mirë se të gjithë shqiptarët të jenë me shkollë të lartë psh. drejtësie? Shkollimi nuk do të thotë se të gjithë do të punojnë juristë. Në fushën e punësimit funksionon si në çdo fushë tjetër konkurrenca. Kjo është ligjësi e ekonomisë së tregut. Megjithatë, edhe në këtë nivel masivizimi të shkollës, ne si vend jemi larg mesatares europiane të ndjekjes së shkollave të larta për numrin mesatar të popullsisë së aftë për punë.
Profilizimi aktual dhe “profilomania” e kërkuar 
Dy probleme të mëdha. I pari i domosdoshëm, i dyti falsitet. Të ndajmë të parin nga i dyti, por për këtë duhet studim në nivel lokal e shtetëror. Pa këto nuk ke si ngre profilet e reja, se profilet e kota apo “profilomania” përsëri diploma pa funksion do prodhonin. Atëherë përse nuk pëlqehet ky masivizim? Përgjigja duhet kërkuar jo tek masivizimi, as tek numri i universiteteve. Ajo që e bën shkollën e lartë ta përshkojë ose më mirë ta tundë reforma, është programi, menaxhimi, planifikimi që na tremb ne në “demokracinë alla shqiptare”. E zbërthyer kjo, do të thotë që arsimi i lartë masiv është objektiv i kohës dhe ajo që meriton vëmendje është profesionalizimi i vërtetë i shkollave të larta, por mbi të gjitha kontrolli i rreptë e detyrues mbi arsimin privat. Si mund të realizohen këto? Gjithnjë pa pretenduar se evidentoj mendimet shteruese apo ekselente, them se mundësi e rrugë ka. Mjafton t’i studiosh grupet e interesit dhe të dalësh në përfundimin më optimal. Ne nuk ka nevojë të bëjmë shpikje e reforma revolucionarizuese, as eksperimente që jemi tejngopur. Të tjerët i kanë hapur rrugët, ne vetëm aplikojmë modelin që zgjedhim me mençuri për të marrë rendimentin, i cili nuk mbin më shoqata arsimore apo fondacione ku kërkojnë t’i çojnë universitetet.
A kemi ne universitete të profilizuara sipas kërkesave të kohës, pra që të na nxjerrin specialistë të lartë të profileve të ndryshme? Kemi, por më shumë duhen rikonceptuar. Ky është edhe shqetësimi në opinion. Të nxjerrim nga ato nivele që do ekonomia. Shqiptarët, në gjithë këto vite, e dinë se këta mijëra që mbarojnë shkollat e larta, nuk mund të punësohen sipas shkollës që kanë bërë, psh., për juristë. Megjithatë, ata i kanë ndjekur këto shkolla në shtet dhe madje edhe në privat, duke sakrifikuar për arsimimin e fëmijëve të tyre, që mbi të gjitha t’i kenë me shkollë e të ditur. A do bëhen edhe tornitorë? A i duhen shoqërisë edhe të tillë?! Domosdo që do bëhen edhe i duhen. Po e para, ku janë tornot?! Ç’programim apo planifikim ka kjo ekonomia jonë, nëse ekziston? A ka njeri në qeveri të na thotë se ku do shkojë ekonomia jonë?! Sa tornitorë i duhen? Sa bujq, teknikë lavatriçesh, mekanikë, etj., etj. Le të jepen këto shifra dhe pastaj të shikojmë se ku shkojnë djemtë apo vajzat shqiptare, në shkollë të lartë apo në shkollat profesionale e punë?! Por edhe në këtë drejtim duhet bërë “politikë”. Djali apo vajza, që të shkoje për axhustatore, duhet t’i sponsorizohen shpenzimet e shkollës, kurse atij që shkon në universitet psh., në degën drejtësi, vendosja tarifën e shkollimit 3000 euro. Vetëm kështu bëhet balancimi i gjërave.
Avokati’ e realitetit para “qendrave të sajuara” 
Të hedhësh tani idenë se universitet shtetërore, të ngritura në qytete të ndryshme “duhen mbyllur” apo duhen profilizuar me cilësitë rajonale, e duhen kthyer në “qendra shkollimi”, do të thotë të ligjërosh pabarazinë e studimeve dhe t’i ndash ato në universitete qyteti dhe “fshati”. Për ilustrim po jap një shembull që tregon se nivelet universitare edhe në këtë drejtim-profilizimin rajonal, e kanë pasur dhe e kanë diskutuar gjerësisht në ambientet e tyre akademike. Vitin e kaluar në sajë të kërkesave, u përgatiten kurrikulat dhe u hap te ne një degë të re, profili Histori. U diskutua gjatë si t’i hartonim kurrikulat Profil Histori apo Histori Rajonale. Si ta quanim? Tani i jemi kthyer edhe një herë këtij diskutimi akademik, jo në auditore se për profilin është marrë vendimi, por në takimet tona. Nëse do ta kishim bërë Histori Rajonale, që tingëllon bukur dhe duket se është në shërbim të komunitetit, sa historianë rajonalë i duhen Durrësit? Ja dy-tre i duhen Qendrës Arkeologjike e Muzeut, ja edhe 10 apo 15 për shoqërim turistësh. Ja edhe dhjetë të tjerë për ndonjë vend tjetër. Vetëm kaq dhe për kaq të ngresh profil universitar?! Jo. Nuk ia vlen se jemi vend i vogël. Profili Histori i përfshin brenda jo vetëm Historinë Rajonale tonën, por edhe në konceptin gjeografik si psh., rajoni i Ballkanit apo edhe më tej, rajonet e ndryshme të botës. Me këtë dua të them që të mos abuzohet me shfaqjen e mendimeve “të reja” për universitetet e profilizuara, për çështjet e rajoneve shqiptare. Universitet me eksperiencë perëndimore apo botërore nuk praktikojnë të tilla empirizma. Për profile epokash apo profile psh., militare etj. po, ato ngrihen e funksionojnë. Nga ana tjetër, trendi i zhvillimit të rajoneve në Shqipëri, ende nuk është i qartë. Atëherë, mbi ç’kritere do t’i orientojmë universitetet rajonale?
Në këtë kuadër po bëj avokatin e Universitetit Durrës, i cili në çështjet e profilizimit bën dallim. Kemi 6 fakultete dhe një filial, në një universitet jo më shumë se 7-vjeçar. Universitet i parapëlqyer dhe i kërkuar, që e tregon numri i studentëve që ka, 17.900 studentë. I pëlqyer, sepse këtu funksionon sistemi amerikan. I kërkuar? E thjeshtë. Ne nuk kemi dalë t’i mbledhim studentët, përkundrazi na kanë ardhur vetë. Atëherë kush janë këta që duan t’u heqin këtë të drejtë shqiptarëve për arsim masiv dhe të lartë?! Ne kemi studentë nga të gjitha trevat, jo vetëm nga rrethi Durrës apo qarku, por nga 12 qarqet e vendit. Pesë nga shtatë fakultetet e universitetit janë plotësisht të profilizuar. Studimet profesionale kanë nëntë profile të profilizuara nga Asistenti ligjor deri tek Menaxhim transporti detar e Menaxhim transporti tokësor. Fakulteti i Edukimit përgatit mësues për ciklet e ndryshme të shkollës shqiptare, ndërsa Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit me profilet e veta të veçanta përgatit që nga specialistët e Teknologjisë së Informacionit deri tek Shkencat Kompjuterike. Për të mos u zgjatur më, edhe Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën përfshin profilet e Menaxhimit të bankave e deri te Hoteleri-Turizmi.
Vërtet reformimi universitar drejt profilizimit është i rëndësishëm, por ai është e domosdoshme të shihet dhe veprohet jo për të gjithë uniformë, por i skalionuar, si ndryshe për Tiranën, ndryshe për qytetet e tjera. Ajo që është e rëndësishme në reformën universitare, është ruajtja e karakterit kombëtar, mosprekja e profileve shtetformuese dhe shtetndërtuese. Dhe mbi të gjitha, qëndron çështja e reformimit arsimor në përgjithësi, i tërë sistemit të shkollës sonë, i cili është mirë të bëhet pa yryshtje, sepse revolucionet në përgjithësi shkatërrojnë. Dhe ne vërtet nuk e kemi domosdoshmëri ta shkatërrojmë arsimimin tonë me eksperimente!
*Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave Politike Juridike, Durrës

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi