Ja pikëpamjet e mia për Reformën në Arsimin e Lartë

Nga Romeo Gurakuqi, botuar në Mapo Online, 26 maj 2014

Raporti i Parë “Për Reformimin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”, mund të cilësohet pa mëdyshje një reformë liberale,modernizuese, që nxit konkurrencën e lirë dhe promovon cilësinë e performancën e IAL-ve. I gjithë ky proces është i shoqëruar me një kontrollcentral të gjithanshëm të disa organizmave governativë, jo qartësisht indipendentë, që do ndjekin reformimin, financimin, zhvillimin dhe stabilizimin e sistemit universitar shqiptar në dekadat e ardhshme. Në pikëpamje të impostimit ai projekt, pa droje, mund të konsiderohet një reformë neoliberale, por që ka pësuar ndërhyrje të lehtë shformuese, në boshtin e vet, nga  influenca e dy grupeve të interesave të përkundërta brenda bashkësisë universitare: a) burokracisë menaxheriale e pedagogjike të universiteteve shtetërore dhe b) bashkësisë së interesave të pronësisë së universiteteve private.

Të nisur nga qëllimi i përmbushjes se një reforme të përshtatshme, shëruese, në të mirë të interesave të publikut të gjerë, prindërve dhe nxënësve shqiptarë, të interesuar për arsim cilësor, jo masiv, që nxit studimin e pandërprerë, mendimin krijues dhe një nivel të krahasueshëm ndërtimor me universitetet perëndimore, nukli reformativ i Komisionit, nën kujdestarinë e përgëzueshme të zonjës ministre Nikolla, ka arritur t’i sjellë bashkësisë së gjerë universitare, një analizë, një diagnozë dhe një prognozë të plotë të të sotmes dhe të nesërmes së IAL-ve. Pranimi i parimeve, propozimeve të reformës, me korrigjimet e mundshme të aspektit të përshtatshmërisë modelare, besoj se është një vijë ndarjeje midis shpresës së publikut për korrigjim të vërtetë, të mishëruar në skemën e paraqitur nga quinteti reformativ i lartpërmendur nga njëra anë, dhe interesave afatshkurtra të kontrollorëve të stanjacionit, kaosit, tatëpjetës, nga ana tjetër, që gjenden njëkohësisht në të dy grupimet e universiteteve.

Është projekti i dytë i vërtetë i ndryshimit të sistemit universitar shqiptar, që nuk do të duhet të lejohet të dështojë, sikurse përfundoi me frenim dhe kaos reforma e viteve 2007-2008, nga ndërhyrjet në politikë të kastave universitare, shtetërore dhe private, që s’kishin asnjë lidhje me arsimin e shkencën. Në qoftë se reforma e viteve 2007-2008 do të zbatohej, siç e projektoi KALSH, në kornizën e vet maksimale të parashikuar në legjislacion dhe aktet nënligjore, projekti aktual do të konsiderohej rrjedhë logjike e rritjes së sistemit tonë universitar, do të përthithej më me lehtësi dhe nuk do të recensohej me kaq mungesë ekspertize. Masat e parashikuara nga green paper i Komisionit aktual do shiheshin, si një vijimësi dhe përsosje e një rruge të nisur ngahera në këtë vend, dhe projektuesve të sotëm, do u mundësohej ngritja e një projekt-arkitekture të sistemit të nesërm universitar dhe të institucioneve, deri ku do të shtrihej e zbatohej reforma dhe ku do alokoheshin fondet. Unë mendoj se shtatori 2014 duhet të jetë data e fundit e moratoriumit të mbijetesës dhe moszbatimit të plotë të ligjit të vitit 2008 e akteve nënligjore në fuqi për IAL, shtetërore dhe private. Në tetori 2014, MAS duhet ta kënaqë publikun me një projekt-arkitekturë të universiteteve mbijetuese të Republikës së Shqipërisë, në planin publik dhe atë privat. Pra MAS duhet të “kontrollojë territorin” në arsim me ligjin aktual, para se do të mund të aplikojë projektin e paraqitur.

Sistemi shqiptar i IAL nuk mund ta implementojë reformën kështu siç është në tërësi, përndryshe pas skanimit, MAS duhet të përcaktojë IAL-të që përputhen me ligjin aktual, pranojnë të kthehen në fondacione, pranojnë ta kthejnë pronësinë në publike, janë të gatshme të përfshihen në sistem si private, pranojnë transformimin e brendshëm dhe për rrjedhojë përfshihen në skemën e tutoriatit të plotë shtetëror.

Unë i përmbahem tezës se Reforma do të duhet të përfshijë gjithë sistemin nën një kontroll, garanci financiare, rregullim të rreptë dhe nën një programim makro të shpërndarjes ndërtimore, por shteti nuk do të financojë dhe mbështesë materialisht të gjithë bashkësinë kaotike të IAL në Shqipëri, por në radhë të parë Studentin Ekselent dhe Studentin nga Shtresat në Nevojë, brenda kriterit, së dyti, vetëm ato institucione publike që do të përputhen me parametrat bashkëkohorë të ekzistencës, që pranojnë procesin e konkurrencës dhe rinovimit të brendshëm të kuadrit me staf të ri të shkolluar vetëm nga një rrjet universitetesh të listuar nga MAS, që pranojnë një skemë financiare administrimi që mban paranë publike dhe private brenda procesit universitar, mësimor dhe shkencor, bazuar në një skemë përdoruese të përgatitur nga ekspertët financiarë shtetërore të MAS, ata universitete që mbrojnë profesoratin e afirmuar me sistemin e tenureship.

I. Vendimi i parë që do të duhet të bëjnë, mund të jetë shkurtimi i afateve zbatuese dhe ngushtimi i rrezes së konsulencës vetëm tek një rreth më i ngushtë i ekspertëve të arsimit të lartë. Zvogëlimi në kohë i afateve zbatuese është i diktuar, me rrethanat e një vendi me turbulencë politike permanente dhe me vështirësitë e konsensuseve të gjera politike për reformat strategjike afatgjatë në shërbim të interesave të publikut. Zgjatja në kohë e reformës do ta destinojë zbatimin e saj në arkivim historik. Ndërsa ngushtimi i bashkësisë së konsultimit, lidhet me madhësinë e elitës së mirëfilltë universitare dhe njohëse të aspekteve menaxheriale, që në Shqipëri është shumë e reduktuar në numër dhe me nevojën e operativitetit dhe eficencës vendimmarrëse. Duhet të kujtojmë se çdo sistem i kalbur publik ka nevojë për reformë të pilotuar nga lart, nga shteti, përndryshe pyetja e konsultimi aq populist i aktorëve që e kanë çuar situatën këtu, është një iluzion që do çojë në një dështim të sigurt, për shkak të potencialit regresist që mbajnë brenda universitetet. Duhet të kujtoj se shumica e bashkësisë universitare është mbërthyer nën mburojën hermetike të sistemit jokonkurrencial, arkaik dhe të dekompozuar shtetëror. Unë i kuptoj fare mirë disa nga profesorët më të spikatur të universiteteve publike në oponencën e tyre: ata janë një përjashtim; janë në ballë të përparimit dhe të dijes, kanë krijuar departamente shembullore dhe dinë krejt mirë synimet e pronësisë së një pjese të mirë të universiteteve private për përfitime vetjake dhe jo për publikun e profesoratin shërbenjës. Por, më duhet të kujtoj se skema e re, në qoftë se i jep përgjigje adekuate disa paqartësive menaxheriale, të pronësisë dhe skemës alokuese të fondeve në mënyrë të drejtë dhe largpamëse, nuk përbën kërcënim për ata e për sistemin e tyre, nuk çon në zhvendosje fondesh publike përtej interesave publike. Përkundrazi, u jep shtysë, hapësirë e liri më të madhe përpjekjeve të tyre ideale për progres pedagogjik dhe shkencor dhe hap mundësinë edhe për universitetet private të ndërtuara drejt për frekuentim të të gjithë spektrit të studentëve shqiptarë dhe rrit konkurrencën.

II. Korrigjimi i dytë ka të bëjë me mungesën e vëmendjes së projektuesve ndaj nevojës për rritjen e detyrimit qeveritar për shtimin e buxhetit të parashikuar për arsimin drejt standardeve të pranueshme. Qeveria duhet të angazhohet në rritjen e fondit për arsimin në përgjithësi dhe universitetet në veçanti, fonde që do të duhet të shkojnë tek pedagogu i kualifikuar me statusin e tenureship, tek studenti ekselent dhe tek ai i shtresave në nevojë, përmes një skeme strikte të programuar nga MAS të përdorimit të fondeve nga IAL shtetërore dhe ato private, që do të shndërrohen në publike përmes një skeme transformative ligjore, ndërtuar mbi parime të konkurrencës së ndershme dhe lirisë së zgjedhjes së studenteve. Unë mendoj se shpresa e projektuesve, për një angazhim të biznesit shqiptar në financimin vullnetar të universiteteve, është vetëm një iluzion, për shkak se vendi gjendet në një informalitet ekonomik të pangjashëm. Mbi të gjitha, boshti i biznesit shqiptar është i bazuar mbi një injorancë të ndritur dhe në një grykësi primitive, që nuk ngjall shumë shpresë. Kurse përfshirja e përfaqësuesve të biznesit në menaxhimin e strukturave financiare të universiteteve do ta fundosë qëllimin dhe misionin e IAL, sikurse ka shkatërruar njëlloj institucionin përfaqësues të Sovranit, në një institucion të kotësisë e injorancës sublime. Për rrjedhojë, përfshirja e biznesit në bordet universitare, do të duhet të shmanget plotësisht, së paku për aq kohë sa vendi të ketë një klasë të mesme të konsoliduar dhe sipërmarrësish të vërtetë, që respekton ligjin, lirinë e dinjitetin njerëzor.

II/1. Në piken nr. 6.4.5, që ka të bëjë me politikat publike të Shtetit, mendoj se ka një shpërndarje të panevojshme, pa fokus dhe për rrjedhojë edhe pa efikasitetin e kërkuar mbi paranë publike: Shteti duhet të financojë me bursë të plotë studentore  vetëm dy kategori studentësh: a)studentin nga shtresat e margjinalizuara të shoqërisë në kriter, nën një procedure strikte verifikimi; b) studentin e ekselencës. Këto dy kategori studentësh duhet të jenë të lirë ta përdorin çekun e studimeve të tyre, ose në një universitet shtetëror të shndërruar në publik, ose në një universitet privat të shndërruar në publik, ose në një universitet privat të akredituar nga një agjenci ndërkombëtare dhe të rankuar në sistem. Për ekselencën e ekselencës shqiptare, fituesit e olimpiadave të matematikë dhe fizikë, të cilët kalojnë një provim anglisht ndërkombëtar në nivelin C1, shteti shqiptar duhet të vendosë pa u menduar dy herë mbulimin e plotë (Bachelor + MA dhe me perspektive edhe PhD) të studimeve në një universitet të UK. Ata janë e ardhmja e Shqipërisë dhe shteti duhet të financojë, pa ngurrim pionierët e së ardhmes së shoqërisë. Në qoftë se ne nuk e hapim dritaren e konkurrencës së lirë në financimin e studenteve të këtyre dy kategorive, në qoftë se shteti  nuk stimulon privatin për progres, e lëmë sërish sistemin e fjetur dhe kastat shtetërore universitare plotësisht të hermetizueme.

III. Pronësia, është problema më e vështirë që kërkon elaborime të mëtejshme në projekt, por gjithsesi, për universitetet shtetërore, në procesin e shndërrimit të tyre në universitete publike, pronari nuk ndryshon. Ndryshon menaxhimi, shkatërrohen kastat e ngurtësueme, vendoset autonomia e liria nën kontroll dhe balancim, racionalizohet përdorimi i fondeve, kristalizohet dhe funksionalizohet më drejt interesi publik, skema ndërtimore e universiteteve, por nuk mund të ndryshojë në asnjë rast pronari që është vetëm Shteti Shqiptar. Ata janë dhe do mbeten pronësi të Respublica-s, dhe menaxherët ushtrojnë pushtete në emër të Respublica-s, në funksion të qëllimit strategjik të institucionit e misionit të arsimit të lartë. Ata janë nën një të drejtë pronësore të paracaktuar. Problemi më delikat mbetet zgjidhja e pronësisë së universiteteve private që pranojnë të shndërrohen në publike dhe do të futen në skemën e përftimit të fondeve publike. Para pranimit në sistemin publik, ato institucione do të duhet t’i nënshtrohen një skemë të shndërrimit në universitete të mirëfillta serioze,  të vetërregulluara, të hapura, transparente, me kontroll  të brendshëm të cilësisë së studimeve, staf akademik permanent me sistem të tenureship, dokumentacion të sigurtë, situatë financiare të qartë, organizim menaxherial të parashikuar njëlloj me universitetet shtetërore dhe pronësi të tërhequr plotësisht nga objektivi i biznesit, që mbetet në pozicioni honorifike, këshilluese dhe garantuese. Të pranosh të shndërrosh një institucion privat në institucion publik do të thotë të dhurosh pronësinë, për synime publike, në duart e Respublica-s. Pas këtij momenti, Respublika, në qoftë se e gjykon të arsyeshme, merr të gjitha përgjegjësitë juridike të rrjedhura nga ky transferim pronësie, përfshirë procesin stabilizues financiar e akademik, nën ligj. Por në kryerjen e këtij procesi transformativ ekziston një zbrazëtirë ligjore. Për rrjedhojë, ndër detyrat plotësuese të Komisionit mund të jetë përgatitja që në këtë draft, e projektligjit që do të mundësojë këtë transformim.

Çështja e universiteteve private që dëshirojnë t’i shërbejnë publikut zgjidhet me vendosjen e tyre nën garancitë e cilësisë, nën garancitë financiare, nën garancitë e stafeve dhe të seriozitetit të dokumentacionit dhe kalimit të procedurave akredituese ndërkombëtare. Pas këtij momenti ata janë në tregun e lirë të rekrutimit të studentëve edhe  nga ata që marrin çekun e studimeve për përdorim adekuat, dhe profesorët e publikut nuk ka pse t’i shqetësojë kjo përzgjedhje e lirë e studenteve, por do të duhet t’i bëjë të mendojnë më shumë.

IV. A është projekti i paraqitur në aspektin e konceptimit të strukturës së pronësisë, strukturës ndërtimore, organizimit shkollor dhe institucioneve governative një model anglez? Unë do të thosha, Jo Plotësisht. Projekti është një kombinim, mes një prirjeje për të kopjuar sistemin britanik, e fishkur në koncept e në skemë, nga presioni i përfaqësuesit të ekipit drejtues të UT, që priret për të ruajtur skemën aktuale menaxheriale, dhe nga ndërhyrjet e interesave private. Për rrjedhojë universiteti ideal i projektit të reformës, ka dalë një hibrid, për mua i pangjashëm me ndonjë prej modeleve më të njohura britanike, për shembull të Oxford University, apo University of London. Projekti do të duhet të kishte sendërtuar, së paku strukturën ose arkitekturën dy universiteteve më të vjetra të Shqipërisë, Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Shkodrës. Më duhet të theksoj se cilësimi i USh me universitetet regjionale të lindura rishtazi, ndërkohë që është i një moshe me UT, lindë në bashkësinë kulturore e arsimore të Pader Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit, Ernest Koliqit, Daut Boriçit, Karl Gurakuqit, Arshi Pipes, Kolë Ashtës, Kolë Kamsit, Jup Kastratit, etj., do të thotë të thellosh gropën ku e kanë çuar atë institucion dhe atë rajon, dikur bashkësi elitare e Shqipërisë, injoranca e gjithëpushtetshme regjionale, ndërhyrja dhunuese e politikanëve dritëshkurtër e meskinë dhe persekutimi afatgjatë. Komisioni duhet ta rikthejë në vëmendje këtë institucion, në të mirë të politikave rizhvillimore të epiqendrave, të saktësojë qëndrimet dhe të kuptojë që ndaj qyteteve elitare të Shqipërisë, pavarësisht dekadencës, kërkohet një vëmendje tjetër, kërkohet ndërhyrje me task force, edhe atëherë kur ato sot nuk dinë ta kërkojnë vetë.

Përsa i përket UT, në qoftë se do të kishim një model britanik ndërtimor institucional, do të kishim rimodelimin e Universitetit të Tiranës, përmes bashkimit të të gjitha institucioneve publike të kryeqytetit, nën një kupolë konfederative/federative, brenda së cilës konfederatë/federatë operojnë Shkolla (Fakultete). Le të themi: Shkolla e Ekonomisë, Shkolla e Shkencave Humane, Shkolla e Shkencave Mjekësore, Shkolla e Shkencave Sociale, Shkolla e Shkencave Inxhinierike dhe Politeknike, Shkolla e Shkencave Bujqësore, Shkolla e Drejtësisë, Shkolla e Veterinarisë, Akademia e  Sporteve dhe Akademia e Arteve të Bukura, Akademia e Studimeve Albanologjike, etj. Rimodelimi i Universitetit të Tiranës nënkupton, rivendosjen në një kupolë të të gjitha, ose një pjesë të rëndësishme të institucioneve shtetërore universitare në kryeqytet dhe se ai institucion i bashkuar tashmë do të përbëhet vetëm nga një kupolë konfederative/federative e kolegjeve (shkollave) të vetëqeverisura dhe institucioneve  të mirefillta kërkimore, divizioneve apo Departamenteve. Pronësia mbetet në Shtet ndërsa struktura drejtuese e Universitetit është vetëmowner acting. Në qoftë se do të merret modeli britanik i universiteteve atëherë, Universiteti, institucioni konfederativ/federativ mund të drejtohet nga një Shef Ekzekutiv, që mund të thirret Rektor ose Kancelar, përmes Bordit të Besimit dhe Këshillit Kolegjial, me ndihmën  zv/kancelarit dhe drejtuesve kontrollorë të aspekteve të aktivitetit universitar të kolegjeve përbërëse. Detyra kryesore e kupolës konfederative/federative është: të operojë në emër të interesit publik (respublica), të ruajë dhe të përmirësojë performancën akademike të federatës universitare; të ofrojë shërbime efektive mbikëqyrëse mbi anëtarët e federatës; të sigurojë qëndrueshmërinë financiare të të gjitha operacioneve të universitetit, të përmbushë rolet përfaqësuese kombëtare dhe ndërkombëtare të institucionit dhe të ndërtojë strategjitë e përgjithshme zhvillimore. Universiteti i modelit britanik është i ndarë në Kolegje, dhe kolegjet në departamente. Të gjitha kolegjet janë institucione të vetëqeverisura, si pjesë autonome. Të tilla do të duhet të konfigurohen dhe ndërlidhen fakultetet dhe universitetet e vogla nën kupolën e Universitetit të Tiranës. Secili prej këtyre institucioneve kontrollon anëtarësinë e vet, brenda UT, strukturën e vet të brendshme dhe aktivitetin.

Sipas kuptimit tim, skema që ka paraqitur, Komisioni i Reformës e titulluar: Koncepti i Ndarjes dhe Balancës së Pushteteve në IAL, është impostuar në mënyrë të gabuar në rang universiteti. Ajo quhet një skemë menaxheriale universitare, por në fakt, në qoftë se e shohim me kujdes, ka ngritur pasaktësisht, një skemë menaxheriale shkolle, kolegji universitar britanik, në rang universiteti. Kësisoj kemi të bëjmë me një përplasje konceptuale me modelin britanik që ka: a. një kupolë të thjeshtë drejtuese universitare, dhe b) një strukturë  qeverisëse të Shkollës autonome, më të artikuluar e detajuar me pushtete që ndahen dhe balancohen. Asnjëherë universitetet nuk mund të kulmojnë në  dy koka drejtuese, por në një të vetme: Drejtorin e Shkollës, me përgjegjësi të deleguara prej Këshillit, trupës qeverisëse të Shkollës, përgjegjëse për vendimmarrjen në fushën e edukimit, shkencës dhe misionit. Kjo kokë e vetme drejtuese ka përgjegjësi për organizmin, mbikëqyrjen dhe të gjithë punën e Shkollës.

Kësisoj, skema e paraqitur e drejtimit të universiteteve paraqitur nga Komisioni, e përbërë nga dy koka, Rektori dhe CEO, është shformimi i dytë konceptual i skemës britanike të menaxhimit, simbiozë e një kompromisi brenda grupit të punës, por jo rezultante efikase e një modeli të vërtetë. Institucionet britanike nuk kanë dy koka drejtuese, por vetëm një, që shpërndan detyra dhe realizon vendimmarrje operacionale. Për mua, skema e ndërtuar drejtuese e propozuar, është një sajesë artificiale që mund të prodhohet për shkak të kompromiseve të paparimta, vetëm në  vende si Shqipëria e tranzicionit. Ndaj, këshilla e vetme që do të dua të jap është ose kopjimi i një skeme të vërtetë britanike, ose lënia e gjërave kështu sikurse janë. Eksperimentimi i mësipërm do të mbartë në vetvete një seri të papriturash të pakëndshme, të shkaktuara nga kupolat stanjative të universiteteve shtetërore dhe nga interesat e pronësive private.

Mbetet që Komisioni të ndërtojë nga e para tri skema menaxheriale:

a)      atë të Universitetit si konfederatë

b) atë të shkollës si institucion i pavarur dhe autonom, duke kopjuar saktësisht modelin britanik. Një shkollë britanike e përfshirë nën kupolën e një universiteti përbëhet përgjithësisht nga këto institute drejtuese: 1. vetëm një drejtues: Drejtori i Shkollës, 2. Këshilli, me atributet e trupës qeverisëse, 3. Bordi Akademik, si trupa kryesore akademike e shkollës, në të cilën përfshihet i gjithë stafi akademik i Shkollës. Bordi Akademik (Senati) merr në shqyrtim çështje të politikave të përgjithshme që prekin jetën akademike të shkollës dhe proceset e zhvillimit të misionit institucional, 4. Njësia e qeverisëseve që emërohet nga Këshilli dhe merret me diskutimin e çështjeve që prekin zhvillimin e shkollës, pranon raportet nga Drejtori dhe Këshilli etj.  Nga drejtori i Shkollës varen me pas të gjithë drejtuesit institucional: kancelari për çështje financiare, drejtorët i shërbimit akademik, pro-drejtorët dhe zv/drejtori (Provosti), drejtori i zhvillimit dhe i Alumini etj.

c) atë të divizioneve ose departamenteve, mision ky më i lehtë, por që është më i rëndësishmi, që projektuesit e kanë bërë mirë, por që ka nevojë për një theksim të veçantë shtesë, mbi kontrollin e cilësisë së mësimdhënies, të programeve, nivelit e vëllimit  të studimit e leximit të pavarur studentor dhe mbi të gjitha mbi nevojën e gjetjes së një mekanizmi juridik për thyerjen e koracave klienteliste të departamenteve, që kanë ngrirë, frenuar dhe nxjerrë jashtë konkurrencën e mobilitetin e profesoratit, për të diplomuarit në universitetet perëndimore.

V. Skema operacionale për organizmin e AL, mendoj se do të duhet të mbetet kështu siç është projektuar, por lënia në paqartësi e institucionit nacional konsultativ të politikave qeveritare, është një hap prapa, që do të duhet të korrigjohet, mbasi fshin një institut të ngjashëm të të gjitha vendeve europiane dhe privon qeverinë dhe publikun nga ekspertiza në fushën në fjalë. Projekti do të duhet të parashikojë mënyrën e kompozimit të instituteve të  ASKAL, AKAU, AKKSH, AKF. Kështu vakët e ndërtuar, përbërja e nesërme e anëtarësisë së tyre nuk  është i mbrojtur ndaj ndërhyrjeve e politikës, klientelave dhe oligarkive. Gjithashtu nuk është parashikuar rruga që duhet të ndjekin MAS  në momentin tranzitiv ndaj institucioneve mbështetëse të saj. Sinjalet e para jo të mira në këtë drejtim janë për mua së paku dy:

a. amullia në situacionin e KALSH, që pa ligj dhe me mosveprim nuk mblidhet (praktikë edhe e qeverisë pararendëse), ose nuk rikompozohet, ndërkohë që mblidhet një bord profesorësh pensionistë të spektrit politik të majtë, me cilësinë e Bordit të të Urtëve, ndërtim krejtësisht i pabazuar në ligj; b. rikompozimi i KVTA mbi kritere jo transparente. Është koha që ekzekutivi të kthejë ligjshmërinë aktuale në institucionet e varësisë, ta rimendojë dhe riformatojë KVTA përmes konkurrimit publik, ose ta ri-emërojë mbi një listë aplikimesh, ose figurash të njohura të arsimit anëtarësinë, me një seri kushtesh të forta jopolitike, jo nepotike etj. Pra, rivitalizim i instituteve të vartësisë për IAL-të, bazuar në legjislacionin në fuqi

Në fund, më duhet të them se, Projekti nuk mund të jetë produkt i kompromiseve mes profesionistëve progresistë dhe përfaqësuesve të ekipeve drejtuese të IAL-ve shtetërore, por plotësuese e misionit dhe parimeve mbi të cilat është ngritur me të drejtë nga Kryeministri i vendit dhe MAS, dhe të parashtruara aq saktë në pjesë të mëdha të Raportit. Komisioni mund të ndërtojë kompromise të logjikshme me njerëz të dijes universitare dhe akademike, por jo me segmentet që e kanë vendosur, frenuar dhe mbajtur sistemin universitar në gjendjen aktuale, duke ndikuar për interesa parciale, mbi politikëbërjen dhe vendimmarrjen universitare.

*Romeo Gurakuqi është anëtar i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi