Zgjedhjet Evropiane: Çfarë do t’i sjellin Ballkanit Perëndimor?

Nga Cas Mudde, botuar në Dita, 23 maj 2014

Zgjedhjet Evropiane të 22-25 Majit 2014, kanë tërhequr një vëmendje të pashembullt mediatike brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian (BE). Pavarësisht faktit që në shumicën e shteteve anëtare të BE mungesa e fushatave elektorale serioze vërteton qëndrueshmërinë e argumentit të “rëndësisë dytësore” të zgjedhjeve Evropiane, -ç’ka do të thotë rëndësinë dytësore në krahasim me zgjedhjet parlamentare kombëtare-, vëmendja e mediave kombëtare dhe ndërkombëtare reflekton rolin në rritje të BE në jetët e njerëzve brenda dhe jashtë territorit të saj. Në Evropën Juglindore, ku numri më i madh i shteteve ndodhen në paradhomën pritëse të BE, kjo lidhje është më e fortë se kudo tjetër. Çfarë do t’u sjellin zgjedhjet Evropiane këtyre shteteve?

Në shikim të parë, duket se zgjedhjet Evropiane nuk do t’i sjellin atyre asnjë të mirë. Nëse u besojmë mediave ndërkombëtare së bashku me analistët e njohur e politikanët Evropianë, zgjedhjet do të sjellin një fitore të “populistëve anti-Evropianë” dhe si rrjedhojë do të prodhojnë një “Parlament Evropian vetë-mohues”. Fitore e konsiderueshme pritet veçanërisht nga partitë e së djathtës ekstreme. Ndërsa këto të fundit mund mos të pajtohen me pozicionet respektive përkundrejt BE-së, disa parti Euroskeptike kërkojnë reformim rrënjësor (p.sh. Partia e Lirisë Austriake dhe Interesi Belg Flaming), ndërsa të tjera duan që vendi i tyre të bëjë “dalje” nga BE (p.sh. Partia Holandeze për Liri dhe Fronti Kombëtar Francez), të gjitha partitë anti-Evropiane bien dakord se duhet të ketë më pak BE si nga pikëpamja e thellimit ashtu edhe nga ajo e zgjerimit. Ndërsa kjo kundërshti e ashpër është zakonisht më e përmbajtur për rastin e Turqisë, të cilën e djathta ekstreme e konsideron si një ‘Kalë Troje Musliman’, vendet e Evropës Juglindore nuk do të duhet të presin më shumë simpati. Ndonëse në të shkuarën disa parti të së djathtës ekstreme kanë mbajtur marrëdhënie relativisht të ngushta me parti të ngjashme në ish-Jugosllavi në vitet 90, veçanërisht Fronti Kombëtar Francez dhe Partia Radikale Serbe, lidershipi i ri partiak dhe pozicionet e mprehura anti-Evropiane i kanë kthyer këto lidhje në të vjetëruara ose të parëndësishme.

Për shumicën e populistëve anti-Evropian shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk janë gati për anëtarësim në BE në rastin më të mirë dhe konsiderohen si “fole grabitësish të korruptuar” të cilët nuk duhet të pranohen kurrsesi në rastin më të keq. Veç kësaj, popullsitë me dominancë të konsiderueshme muslimane në Shqipëri, Bosnje Hercegovinë, dhe Kosovë janë shënjestra të thjeshta për fushata islamofobike, të cilat ushqejnë pozicionet kundër zgjerimit. Pavarësisht nga sa më sipër, partitë anti-Evropiane nuk do të qeverisin BE-në në të ardhmen e shkurtër. Edhe në rastin e prognozave më të gjera, të cilat bazohen në spekulime të pastra sensacionale, partitë anti-Evropiane do të marrin një maksimum prej një të tretave të vendeve në Parlamentin e ardhshëm Evropian (PE)- dhe kjo përfshin të majtën ekstreme si edhe partitë Euroskeptike të djathta ‘soft’, të cilat kundërshtojnë me më pak fuqi zgjerimin e BE drejt Ballkanit Perëndimor. Duke ditur që vendimet e PE kërkojnë një mazhorancë të rregullt,të cilën grupet partiake të mirëvendosura si ato pro-Evropiane,  të qendrës së djathtë, grupi parlamentar i Partisë Popullore Evropiane dhe qendra e majtë, Social Demokratët, do të marrin me lehtësi- edhe pa mbështetjen e zakonshme të partisë liberale ALDE (Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve Evropian)- një të tretën e vendeve, gjë e cila do t’u japë pak fuqi politike. Në krye të së gjithë situatës, PE është vetëm një nga tri institucionet politike kryesore të BE, dhe i vetmi në të cilin grupet populiste anti-Evropiane do të jenë të përfaqësuar. Vetëm dy qeveri të BE kanë në përbërjen e tyre praninë e së djathtës ekstreme-Aleanca Kombëtare është një partner i ri në koalicionin qeveritar Leton dhe Attack mbështet qeverinë e minorancës në Bullgari- edhe në këto raste nuk do të ketë përfaqësues në Komisionin Evropian ose në Këshillin e Krerëve të Shteteve ose Qeverive të BE. Me fjalë të tjera, ndonëse partitë anti-Evropiane me shumë mundësi do të fitojnë rezultatet e tyre më të mira në zgjedhjet e ardhshme Evropiane, ato do të mbeten aktorë politikë të parëndësishëm brenda BE-së.

Kjo nuk do të thotë se suksesi i tyre i pritshëm elektoral nuk do të ketë asnjë ndikim mbi politikat e BE dhe shteteve të saj anëtare. Për sa kohë populistët anti-Evropianë fitojnë, të paktën, disa vende, shumica e mediave ndërkombëtare do të përqendrojnë një pjesë të shpërpjestuar të mbulimit të zgjedhjeve Evropiane mbi ta. Mesazhi do të jetë “Evropianët i kthyen kurrizin Evropës” dhe partitë tradicionale do të ndjejnë nevojën për t’ju mënjanuar humbjeve elektorale në (më të rëndësishmet) zgjedhjet kombëtare në të ardhmen- Suedia në Shtator 2014 dhe, veçanërisht, Mbretëria e Bashkuar në 2015. Ndërsa përgjigja kryesore do përkthehet më tepër në retorikë sesa në politika, kjo me siguri nuk do të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të vendeve të Evropës Juglindore. Në të njëjtën kohë, kjo gjithashtu nuk do të ndryshojë rrënjësisht statusin e tyre të anëtarësimit. Ndonëse zgjedhjet Evropiane nuk do të ndryshojnë rrënjësisht marrëdhëniet mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, është me rëndësi të theksohet se “Evropa” ka ndryshuar në thelb. Kriza ekonomike dhe përgjigjet e BE ndaj saj, veçanërisht gërshetimi i diskutueshëm i austeritetit dhe “bailouts”, jo vetëm ka prekur thellësisht ekonomitë e Evropës, por edhe popullsitë e saj. Mbështetja ndaj BE është në rënie, me një mori (dhe jo më një shumicë) Evropianësh të cilët ruajnë një vizion pozitiv mbi BE.

Euroskepticizmi ka arritur nivelet më të larta të të gjitha kohërave me pakica të konsiderueshme Evropianësh qe po humbin krejtësisht besimin e tyre në projektin Evropian, dhe mbështesin “daljen” e vendit të tyre nga BE. Ndërsa nuk kam parë ende ndonjë studim të besueshëm të qëndrimeve ndaj zgjerimit të mëtejshëm, duket i sigurt supozimi se “lodhja” e zgjerimit është më e përhapur ndër masat e Evropianëve sesa ndër elitat e BE. Në përfundim, megjithëse zgjedhjet Evropiane nuk do të ndryshojnë rrënjësisht politikat e BE dhe vendet e Evropës Juglindore ende mund të ruajnë pritshmëritë e hyrjes në BE në një moment të caktuar në të ardhmen, atyre do u duhet të njëmendësojnë se do të bëhen pjesë e një BE-je tepër të ndryshme nga ajo tek e cila aplikuan vite më parë. Sot, BE është e dobësuar ekonomikisht dhe politikisht dhe e udhëhequr nga një elitë pro-Evropiane në tkurrje e cila ka një mungesë vizioni ideologjik të qartë, dhe një mandat popullor, as për të thelluar dhe as për të zgjeruar Bashkimin Evropian.

*Origjinali i publikuar në “Balkans in Europe Policy Blog”, 20 Maj 2014) – Cas Mudde është asistent profesor në Shkollën për Studime Ndërkombëtare të Universitetit të Georgia në SHBA. Ai është bashkë autor i librit “Populizmi në Evropë dhe Amerikë: Demokraci Kërcënuese apo Korrektuese” (Cambridge University Press, 2012) dhe autor i “Partitë Populiste Radikale të Djathta Evropiane” (Cambridge University Press, 2007), i cili ka fituar çmimin “Stein Rokkan” në vitin 2008.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi