Kontroll apo reformë në drejtësi?
Nga Sokol Hazizaj, botuar në Balkanweb, 23 maj 2014
A e dini vallë, që shpeshherë pothuajse në mënyrë dërrmuese, arritja është spekulimi me idiotësinë njerëzore? E nisa me këtë simbol të Cvajgut jo rastësisht, për të treguar se në grackën e padijes vijnë dhe rrëzohen të gjithë pa përjashtim, prandaj nuk ka vetëm ngritje.
Është më se normale që përdorimi i termave dhe metodave profesionale në politikë, dhe jo vetëm kaq, do të bënte të mundur të zgjidhen rrugët e duhura dhe të pakthyeshme të zhvillimit. Mosgjetja e mekanizmit të duhur në formë dhe përmbajtje do të sjellë në mënyra të domosdoshme anarki dhe mungesë të frymës për të trajtuar çdo reformë.
Në dialogun e përditshëm, sot më shumë se kurrë flitet për reformë në drejtësi, në ekonomi, në shëndetësi, në të gjitha fushat, pse jo, dhe në pjesë për të cilat dhe nuk na ka shkuar mendja më parë. Sot më shumë se kurrë ballafaqohemi me njerëz të fortë, të cilët virtualisht të duken më të fortë se më të fuqishmit e gjithë kohërave, kur mjafton që të ndahesh pak nga ajo çka thonë dhe deklarojnë, konstaton lehtë që këta qëndrimstarë janë në ajër.
Amorfizmi politik dhe ligjor gjithashtu shfaqet rëndom në deklaratat dhe veprimet e pamatura të personazheve dhe njerëzve që u bëjnë fresk atyre, të cilët “kënaqen” dhe “habiten” për zgjidhjen e paparë që sjell në vëmendje shefi i tyre, kushdo qoftë ai. Prandaj ndodh çuditshëm dhe jo rrallë që i “urti”, punonjësi i shtetit të sillet në kufijtë e arbitraritetit, duke kërkuar të tejkalojë edhe brutalitetin e rrugës.
Pasqyra e këtij përshkrimi do të ishte e pakuptimtë nëse nuk do të sillja në vëmendje metodën e arsyetimit mbi të kundërtën e ndodhive të deritanishme.
Mjafton të shohësh rezultatin e të gjitha verifikimeve të lejeve koncesionare të dhëna nga mazhoranca e kaluar; konstaton se nuk ka dalë ende në dritë ndonjë veprim manipulativ, që do të thotë se të gjitha deklarimet më tepër mediatike dhe butaforike, jo vetëm që nuk sollën ndonjë arsyetim dhe logjikë të re ligjore më pas, por mangësuan edhe ato pak arritje ligjore të mëparshme në fushën e lejeve koncesionare. Sot ditën me diell nuk ka ndryshuar asnjë posedues lejesh, por nuk ka dhe ndonjë përmirësim ligjor në këtë fushë. Përkundrazi, ekonomia koncesionare ballafaqohet me mungesë të theksuar financimi dhe thuajse ka ngelur në të njëjtat kushte financiare dhe ligjore të mëparshme, fakt i cili ka pamundësuar rritjen e interesit të qytetarit shqiptar për këto leje. Prandaj është e këshillueshme që, përpara se politika të deklarojë duke urryer çdo gjë të mëparshme, ndonëse me gjithë të vërtetat e saj të hidhura, mjafton që në arsyetimin e saj të përdorë logjikën e së kundërtës mbi konstatimin.
Në të gjitha vështrimet, kur kërkon të bësh analizën e një reforme, lehtësisht konstaton se lëvizjet formalo-ligjore janë, sa spontane, aq dhe të nxituara, pa arritur të konsolidohen, rrëzohen si logjikisht, edhe në mënyrë formale.
Pa dashur të bëj opozitarin e fjalës, mjafton t’i hedhësh një sy iniciativës së re ligjore mbi “reformën në Këshillin e Lartë të Drejtësisë” dhe rëra e fjalëve shkrihet që me erën e parë.
Sipas iniciatorit, kjo nismë do të reformojë dhe godasë korrupsionin në drejtësi, veçanërisht në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ndryshimet në nenin 6, i cili ka të bëjë me kohëzgjatjen në detyrë, në nenin 1 të projektligjit ku propozohet shtimi i pikës 1.1, pas pikës 1 të nenit 6, të ligjit nr. 8811, datë 18.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar, propozim i cili vjen si nevojë e frenimit të fenomenit të promovimit të vetvetes nga ana e anëtarëve të KLD-së, të zgjedhur nga KLD-ja, gjatë ushtrimit të mandatit të tyre”. Ky ndryshim i propozuar është kaq i nxituar, sa në vështrimin formal nuk shkon dhe nuk mund të shkruhet në këtë dispozitë, sepse vetëm më poshtë dispozitës që kërkohet të ndryshojë parashihen rastet kur mbaron mandati, midis të cilave parashihet dhe dorëheqja. Në këtë kuptim, formalisht ndryshimi duhet të jetë në nenin 7 dhe jo në nenin 6 të ligjit ekzistues.
Po sipas nismëtarit, ky ndryshim provokohet, për pasojë se në praktikë vihet re tendenca e anëtarëve të KLD-së, për të dhënë dorëheqjen përpara mbarimit të mandatit, duke u promovuar në sistemin gjyqësor, në sajë të shfrytëzimit të lidhjeve të krijuara me njëri-tjetrin, fakt i cili edhe mund të jetë i vërtetë. Por nuk mendoj se ndryshimi i propozuar ezauron pafundësisht fenomenin për të cilin propozohet ndryshimi, përkundrazi, thellon efektet negative të shkakut për të cilin merret iniciativa. Dhe në kuptimin e funksionimit të brendshëm të KLD-së, kështu siç është formuluar ky ndryshim, nuk garanton pasojën që kërkohet. Pa u nxituar do të ishte më mirë të ndërmerrej iniciativë e plotë ligjore mbi karrierën në gjyqësor dhe ezaurimin e rrugëve të sakta të vlerësimit të saj, duke parashikuar të gjithë elementët proceduralë. Kjo që sipërcitova i ka 1 milion vota, se është parashikuar në programin e fushatës së socialistëve; mjafton të shohësh faqen 19, ku zotohen se do të ndërmerrnin nisma për aplikimin e parimit të karrierës. Iniciatori në mënyrë qesharake, kur me fjalë të renditura ndryshe pranon të njëjtën gjë sa i përket konceptit të mbarimit të mandateve të anëtarëve të KLD-së, duke parashikuar që rastet e shkarkimit të tyre i ka hequr nga neni 10, pika 2, duke i çuar në nenin 7 të ligjit ekzistues. Shfuqizimi i kësaj pike e kthen autoritetin e KLD-së dhe komisionin e mandateve brenda saj në një autoritet pa mundësi pavarësie konceptuale dhe materiale gjithashtu. Mjafton të citosh apo të kërkosh se cili është ai autoritet që do të konstatojë dhe propozojë mbi defektet e veprimtarisë së anëtarit të KLD-së. Krijimi i vakuumit organizativ i funksionimit të një prej hallkave të KLD-së do ta rrokullisë shpejt dhe brutalisht gjithë funksionin e saj, duke e kthyer atë në një ngrehinë më të keqe seç është deri tani. Në këtë vështrim është i pakuptimtë shfuqizimi i pikës 2 të nenit 10 të ligjit ekzistues, sa kohë nuk ke caktuar apo plotësuar se cili është autoriteti kontrollues i KLD-së, për të garantuar parimin ‘chack and ballance’. Në fund të fundit, ajo çka ka ngelur pa u ezauruar deri sot ka qenë mungesa e përgjegjësisë së këtij institucioni në lidhje me mirëfunksionimin e gjyqësorit, parashikuar kjo në programin e socialistëve për drejtësinë (fq. 19) kur flitet për vlerësime periodike dhe shndërrimin e Gjykatës së Lartë në gjykatë karriere.
Sot ne ndodhemi në dilemën midis vullnetit për të reformuar dhe mungesës së rrugës së duhur dhe cilësore për të trajtuar apo kuruar gjendjen. Konstatojmë një raport dimensionesh që vijnë përpendikularisht me njëra-tjetrën, ku politika përdor arbitrarisht ambientet publike si skenë, ndërsa drejtësinë e përdor për kulisa.
Edhe ky projektligj i servirur nuk përjashtohet nga të qenurit të një modeli konfliktual, i cili do të sjellë për pasojë përdorimin e ligjit dhe drejtësisë si modelin më të keq të mungesës së bashkimit të vullneteve institucionale. Të gjitha ndryshimet e mëpastajme, pra pas nenit 4 të projektligjit që bën fjalë për organizimin e punës së inspektorëve të KLD-së deri në rrugën dhe afatet prekluzive të vendosura për ecjen e procedimit disiplinor të gjyqtarëve më tepër në kuptimin formal, i takon një rregulloreje që duhej miratuar në KLD sesa një formati ligjor. Mungesa e vullnetit të KLD-së për të ndryshuar dhe përsosur veprimtarinë e saj, nuk mund dhe nuk ka se si të rregullohet duke censuruar çdo hap të hedhur prej disa burrave dhe grave që janë anëtarë të saj, as duke arnuar një gjë së cilës nuk ka ngelur gjë pa u shqepur, fakt i cili kërkon një analizë tjetër, por thjesht duke detyruar këtë institucion të kryejë detyrat që i ka caktuar ligji dhe vetëm ligji. Më duket se ditët e sotme e kanë kthyer konfliktualitetin, nga politik, në konflikt human dhe më pas në atë ligjor, duke harruar dhe fluturuar me deklarime boshe mbi fytyra të ngrysura, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me gjetjen e solucionit të duhur, të premtuar dhe për më tepër në shërbim të qytetarit. Duhet të pranojmë se ka një lidhje shumë të ngushtë midis nevojës për ndryshim, me racionalitetin për ta kryer atë, dhe për këtë mjafton që të jemi realistë, si edhe Gjysh Ganioni kur iu drejtua Andi Bejlit: “I shëmtuar je, por ama e ke fytyrën tënde”.