Retorika dhe beteja për idetë

Nga Agim Baçi, botuar në Panorama Online, 22 maj 2014

Në përditshmërinë tonë, sidomos përmes pranisë së komunikimit online, kemi një shtim të paparashikuar gjykimesh, kritikash, e si pasojë, edhe dhënie mendimesh ekstreme nga shumë qytetarë. Pavarësisht mosparashikimit të kësaj që po ndodh realisht me komunikimin nga shumë prej nesh, në thelb ajo që shohim në mënyrë të pamatë, përmes hapësirave të pafund të komunikimit, është e folura në mënyrë tragjike mbi të sotmen dhe të ardhmen tonë. Ky lloj komunikimi, në pamje i sinqertë, por thellësisht amator, e që zakonisht përfundon me shprehjet “duhet të ndryshojmë” apo “duhet bërë ndryshe”, por pa përfshirë kurrë mendimin “unë duhet të ndryshoj”, është pasojë e mungesës së aftësisë së njeriut të zakonshëm për të menduar realisht tragjiken.

Sipas një prej filozofëve më të rëndësishëm të kësaj mendësie, Ortega Y Gasset, zakonisht turmat as që e besojnë realitetin e tragjedisë, por janë amatorë të pandreqshëm për të luajtur pjesën tragjike, përmes marrjes së pozicionit të kritikës masive. Mirëpo, në thelb, askush prej tyre nuk mendon se ka faj vetë, se i takon atij më së pari të ndryshojë, se duhet të shohë çfarë nuk ka bërë ai në atë që i takonte të bënte, ose fundja të pranonte atë që nuk bënte dot.

Por përse kemi ardhur në këtë “gjithëdituri” ku gjithkush ndihet i aftë të japë zgjidhje?

Mjafton të kthejmë kokën pas për të parë se shumica e atyre që kanë qenë drejtues, në poste zyrtare, të emëruar për vite me radhë në drejtim të një institucioni, fill pas lënies së postit i janë dorëzuar banalitetit, duke dërguar në anonimat edhe miliona shpenzime nga ana e taksapaguesve për edukimin e tyre, për trajnimin e tyre profesional. Mjaft emra, pedantë ekstremë në drejtimin e institucioneve, janë dorëzuar duke e identifikuar jetën e tyre vetëm me kohën e postit, ndërkohë që dhjetëra profesorë apo akademikë të kohës së diktaturës, më së shumti të emëruar nga partia ashtu, kanë bërë dëmin më të pandreqshëm, atë të mosqëndrimit si një barrierë ndaj shtimit të së keqes. Por natyrisht që një gjë të tillë nuk mund ta bënin, pasi në jetën e tyre ata nuk kishin besuar kurrë se ishin ata për të cilën ishin paguar, emëruar, apo dekoruar.

Kjo mendësi turme e trashëguar prej diktaturës, e shtuar me shpejtësi në vitet e fundit nga inflacioni i fjalës, i titujve shkencorë, i guximit të kujtdo për të bërë gjithçka, tashmë është gërshetuar edhe me teknologjinë e komunikimit në çdo kohë, duke e futur debatin publik në një rrjedhë krejtësisht tragjike.

Dhe për pasojë të të gjithë kësaj katrahure vlerash, shumë nga bashkëqytetarët janë në një pikë kritike të komunikimit, sidomos me fëmijët, për të diskutuar të ardhmen e tyre. Sepse “e magjishmja” apo “prestigji” nuk kanë më të njëjtin kuptim, pasi nuk janë pjesë e tregut, nuk futen te mjetet që të japin shansin të ecësh. Të kërcënuar edhe nga “arma moderne” se “gjithçka është paracaktuar”, shumica e qytetarëve përfundojnë në artin e mbijetesës, por jo të kapërcimit të banales përmes vlerës.

Humbja e barrierave morale, e autoriteteve morale, nuk është në fakt një gjë tipike shqiptare. Por ndoshta për nga përmasat që ndodh, në Shqipëri, banalja tashmë është kthyer në një armike pa doreza ndaj komunikimit përmes dijes, e mos o Zot, të betejës në emër të ideve. Këto të fundit, Idetë, kanë qenë gjithnjë të kërcënuara. Por sot rrezikojnë të jenë të anatemuara, duke i bërë njerëzit që rrojnë për ide, si njerëz që mund të përfundojnë në muze, si diçka që “dikur ndodhte”.

Pikërisht këtu është edhe fillimbeteja e kujtdo. Jo të mendojë se mund të zëvendësojë lirisht “të mirat ekonomike” me “të mirat e idesë”. Por të bëjmë fëmijët të besojnë se vërtet përmes ideve nuk mund të sigurojmë ndoshta jetesën, por pa to nuk do të kemi jetë fare. E për këtë gjithkush duhet të nisë nga vetja, nga ajo që pranojmë në realitetin tonë tragjik, e jo në aktrimin tonë tragjik, e sidomos tragjizmin virtual.

Fundja, siç thonë të urtët, e keqja në një shoqëri vjen kur flasin ata që nuk dinë dhe kur heshtin ata që dinë!

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi