Arsimi i lartë – si e mirë publike

Nga Engjëll Pere, botuar në Mapo Online, 19 maj 2014

Në raportin e parë për “Për Reformimin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimin Shkencor”, përgatitur nga Komisioni për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, theksohet që në krye se arsimi i lartë në Shqipëri konsiderohet, është dhe duhet të jetë, një shërbim dhe e mirë publike. Një përcaktim i tillë ndoshta mund të shihet me dyshim nga të gjithë ata që kanë njohuri mbi ekonomiksin e sektorit publik, (apo ndryshe financat publike), ndërsa tek të tjerët, me siguri mund të krijojë keqkuptime.

Gjithsesi, këtu nuk bëhet fjalë, dhe ndoshta nuk është fare e rëndësishme të qartësojmë se çfarë kuptohet kur flasim për një të mirë publike. Ndoshta edhe në draftin e reformës, përcaktimi i arsimit si i tillë, mund të mos jetë parë aq i lidhur me vetë përmbajtjen reale të këtij koncepti. Sidoqoftë, nisur nga drafti i paraqitur, mendoj se në kontekstin e reformës, trajtimi do të ishte i dobishëm për të debatuar sa dhe si arsimi i lartë mund të jetë një e mirë publike. Më tej, si mund të “prodhohet” apo ofrohet kjo e mirë, dhe si mund të mendohet financimi i saj.

Në fakt, koncepti “e mirë publike” dhe arsimi i lartë si e tillë, është teorikisht i njohur. Pra në këtë shkrim nuk dua të them diçka të re, thjesht dua të paraqes disa aspekte të njohura në këndvështrimin e reformës që propozohet.

A është arsimi një e mirë publike?

Në çdo tekst të financave publike është e njohur, se një e mirë (mall apo shërbim), konsiderohet si e mirë publike nëse plotëson dy karakteristika, (ose të paktën njërën nga ato): ka karakter jo-rival dhe është jo-përjashtuese. Një e mirë konsiderohet jo-rivale nëse konsumi i saj nga një individ nuk ndikon në konsumin e po kësaj të mire nga një individ tjetër, ose ndryshe, kostot shtesë që kërkohen për konsumin e kësaj të mire nga një individ tjetër janë zero; ndërsa karakteri jo-përjashtues presupozon se, nëse e mira ofrohet, shpenzimet që kërkohen për të përjashtuar një individ tjetër nga konsumi i kësaj të mire janë mjaft të mëdha, ose ndryshe individi nuk mund të detyrohet të paguajë për konsumin e saj. Arsimi, (dhe jo vetëm ai i lartë), nuk plotëson asnjë nga këto karakteristika. Ai nuk është jo-rival: çdo student, shoqërohet me një kosto të caktuar dhe në një formë apo tjetër i zë “vendin” në universitet dikujt tjetër. Gjithashtu nuk është jo-përjashtues: p.sh. është shumë e thjeshtë të mos lejosh dikë të shkojë në fakultet (për shembull nëpërmjet pagesës). Pra arsimi është realisht një e mirë private, ashtu sikurse për shumë të mira të tjera, individët duhet të paguajnë për shkollimin e tyre, për të marrë më vonë një përfitim të caktuar, pagë më të lartë, punë më të mirë, pozicion më të rëndësishëm në shoqëri, etj. Përse atëherë arsimi konsiderohet si një e mirë publike, ndërsa ai duhet të ofrohet nga tregu?

Ndërhyrja e shtetit në një ekonomi tregu justifikohet në fakt vetëm në rastet kur ky mekanizëm dështon. Një rast i tillë është ai i eksternaliteteve. Arsimi konsiderohet pikërisht si një eksternalitet pozitiv, pra një e mirë nga e cila përfiton jo vetëm individi, por edhe shoqëria në tërësi. Këtu është fjala për atë se një individ i arsimuar është më i edukuar, më i civilizuar, ka një qasje më të mirë ndaj problemeve sociale etj., karakteristika të cilat konsiderohen si përfitime të shoqërisë dhe komunitetit në tërësi. Trajtimet në këtë pikë shkojnë bile deri aty, ku arsimi i lartë konsiderohet edhe si një scanner për evidentimin e individëve më të aftë, duke kontribuar kështu në një benefit të rëndësishëm shoqëror, sikurse është ai i përzgjedhjes së më të mirëve. Megjithatë, dhe argumenti se arsimi i lartë përbën një eksternalitet pozitiv, nuk e justifikon plotësisht idenë që kjo e mirë të konsiderohet si një e mirë publike. Kështu lind p.sh. pyetja: përderisa individi është vetë i interesuar për arsimin e tij, përse duhet të kontribuojë shoqëria?

Është në fakt një shkak tjetër, edhe më domethënës, që e bën arsimin si një të mirë (edhe) publike. Ky shkak është fakti se shoqëria duhet të ofrojë një barazi në shkollim për të gjithë anëtarët e saj, edhe nëse disa prej tyre nuk do të kenë mundësi financiare. Në aspektin social, nuk është e drejtë të përjashtohet askush, që megjithëse është i aftë, të mos ketë mundësi për shkollim, qoftë edhe për arsimin e lartë.

Kështu, në tërësi mund të pranohet se arsimi i lartë është e mirë publike vetëm në “pjesën” e eksternalitetit pozitiv që ai ofron për të gjithë shoqërinë, si dhe për domosdoshmërinë e ofrimit të tij për të gjithë, edhe për ata që nuk mund ta paguajnë financiarisht. Gjithsesi, arsimi i lartë nuk mund të konsiderohet vetëm si një e mirë e pastër publike, por si një e mirë publike dhe private njëkohësisht. A ka rëndësi ky përcaktim në kontekstin e reformës? Sigurisht që po. Arsimi i lartë vetëm pjesërisht mund të financohet nga shoqëria, vetëm për nevojat që thamë më sipër, ndërsa pjesa tjetër duhet “blerë” nga individi. Këtu duhet të nënvizojmë se, përmbajtja e arsimit të lartë, si një e mirë publike dhe private, nuk do të thotë aspak raport midis universiteteve publike dhe atyre private, por si raport midis shoqërisë në tërësi dhe individit në veçanti.

Çfarë kemi ne sot realisht në arsimin e lartë? Sipas raportit të paraqitur, buxheti i shtetit shpenzon rreth 38 milionë euro në vit për arsimin e lartë, ndërsa të ardhurat dytësore, të cilat realisht paguhen nga studentët, (individi), kapin rreth 20 milionë euro, ose ndryshe rreth 34% të shpenzimeve totale (për universitetet publike). Atëherë, a mund të quhet arsimi ynë i lartë aktualisht vetëm një e mirë private, kur ai në fakt, në një pjesë të caktuar paguhet nga individët? Dhe në të ardhmen, nëse do të kërkohet të rritet tarifa e shkollimit për studentët në tërësi, a nuk duhet të konsiderohet ai akoma më shumë si një e mirë private? Ose ndryshe, nëse e konsiderojmë arsimin e lartë një të mirë publike, a nuk duhet rritur kontributi i buxhetit të shtetit në ofrimin e kësaj të mire?

Ofrimi dhe financimi i arsimit të lartë

Mënyrat e ofrimit dhe sidomos ajo e financimit të arsimit të lartë, përbëjnë një debat tjetër të rëndësishëm. Ky debat në fakt nuk lidhet fare me atë se arsimi në tërësi, dhe në veçanti arsimi i lartë, është një e mirë publike dhe private, megjithëse shpeshherë konfondohet me këtë problem. Trajtimet teorike, por edhe eksperiencat praktike mbi “prodhimin” dhe financimin e kësaj të mire janë mjaft të debatueshme dhe secila mënyrë ka argumentet e saj “pro” dhe kundër.

Në aspektin e “prodhimit” apo të ofrimit të arsimit, nga sektori publik apo ai privat, teorikisht nuk ka shumë diskutime. Ashtu sikurse, mjaft të mira të tjera publike, edhe arsimi mund të ofrohet si nga institucione publike ashtu edhe ato private. Në rastin e arsimit të ciklit të parë (nëntëvjeçar) dhe ciklit të dytë, (të mesëm), moment i diskutueshëm është fakti se në këto nivele, shteti apo shoqëria, kërkon të realizojë një formim të caktuar të formimit të individëve. Nëse në këto cikle arsimi do të ofrohej nga subjektet private, mendohet se ndoshta do të kishim një formim më profesional të nxënësve, pasi shkollat ndoshta do të vlerësonin më shumë këtë curriculum, e cila realisht është më afër interesave për punësim të individëve; ndërsa shoqëria në tërësi nuk interesohet vetëm për formimin “profesional”. Ky problem nuk mund të shtrohet në rastin e arsimit të lartë, i cili duhet të përgatisë pikërisht profesionistë në fusha të caktuara. Kjo në rastin e përgjithshëm teorik, ndërsa në rastin tonë, ofrimi i arsimit edhe nga sektori privat do të duhej të shihej lidhur me një problem specifik dhe shumë të rëndësishëm. Ky problem do të kishte të bënte me cilësinë e diplomave të ofruara nga ky sektor. Shpeshherë kjo cilësi ka lënë për të dëshiruar. Dikush mund të thotë – kjo është përgjegjësi e shtetit, e kontrollit dhe monitorimit që ai duhet t’u bëjë institucioneve publike apo private. Sigurisht, por “kush është shteti”? Një koncept mjaft i gjerë, i njëjtë për shumë vende në aspektin e ligjeve apo rregullave të shkruara, por mjaft i ndryshëm në aspektin e formimit dhe ndjeshmërisë shoqërore.

Ana tjetër më e debatueshme është ajo e mënyrës së financimit të arsimit të lartë. A mund të financohet ai nga sektori publik edhe nëse ai ofrohet nga sektori privat? Megjithëse duket një përgjigje e vështirë, (sidomos në rastin e reformës sonë), përgjigja teorike këtu është e thjeshtë: po, mund të financohet. Format janë të shumta dhe eksperiencat praktike shpeshherë shoqërohen me argumente pro dhe kundër.

Një formë e hershme në SHBA është p.sh., ajo e kuponave (“voucher”), një program i hartuar fillimisht për veteranët dhe ushtarakët e Luftës II Botërore. Një kupon të tillë studenti-zotërues mund ta “shpenzojë” në çdo universitet, i cili më pas e kthen atë në cash. Aktualisht, në SHBA sot njihen disa mënyra kryesore të financimit publik të arsimit të lartë. Një nga format e njohura është ajo e subvencionimit të drejtpërdrejtë të universiteteve publike (në kuptimin e gjerë të kësaj fjale).Një formë tjetër është ajo e kredive studentore. Kjo formë është e iniciuar fillimisht në 1957 në programin Federal Perkins Loan Program, ndërsa aktualisht sot njihen dy forma kryesore kredish, programi i kredive federale familjare (Federal Family Loan Program), nëpërmjet së cilës institucionet private iu japin hua studentëve, por ku qeveria merr përsipër riskun e moskthimit; si dhe ajo e kredive federale direkte William D. Ford, (William D. Ford Federal Direct Loan Program), nëpërmjet së cilës qeveria federale jep kredi direkte për studentët. Formë tjetër financimi është ajo e granteve, (Pell Grant), për studentët të cilët plotësojnë disa kritere të caktuara dhe kanë të ardhura të ulëta; ajo e programit të limituar “studim dhe punësim”, si dhe mënyra e reduktimit të taksave për studentët. Forma të tilla të ngjashme financimi janë të njohura edhe në vendet e tjera, si p.sh., Suedi, Angli etj., dhe janë të zbatueshme si për universitetet publike ashtu edhe ato private.

Duke qenë mënyra të mbështetjes publike, secila nga këto forma mund të jetë e debatueshme. Për shembull, subvencionimi i universiteteve mund të ngrejë problemin e pabarazisë, pasi normalisht studentët me të ardhura më të larta kanë një përqindje më të lartë në ndjekjen e arsimit të lartë, pra edhe do të mund të përfitojnë më shumë nga subvencionimi. Nga ana tjetër, edhe mbështetja financiare për studentë me të ardhura më të ulëta, mund të shihet përsëri si një mangësi në barazinë sociale, pasi studentët nga familjet me të ardhurat më të ulëta, gjatë ciklit të tyre të jetës, pas mbarimit të studimeve mund të kenë të ardhura më të larta se pjesa tjetër e popullsisë (pa pasur shumë lidhje me familjet e tyre). Po kështu, sistemi i kuponave (“voucher”) ka evidentuar dukurinë se studentët më të mirë përqendrohen në disa universitete (më të mirat), duke lënë studentët e tjerët në universitetet më të dobëta, duke krijuar kështu një shtresëzim social etj. Në këtë këndvështrim, nuk mund të kërkohet një mënyrë e vetme dhe perfekte financimi. Por thelbi i të gjitha këtyre formave është ai i gjenerimit të mundësive më të mëdha për financimin e arsimit të lartë. Nga ana tjetër, financimi publik edhe i institucioneve private, në vetvete shihet si synim për rritjen e cilësisë nëpërmjet konkurrencës që krijohet.

Në këtë këndvështrim, financimi publik i arsimit të lartë, i ofruar ky nga institucionet private, (sigurisht reforma e propozuar nuk shkon kaq larg), teorikisht është i pranuar dhe megjithëse i debatueshëm, mund të gjendeshin edhe format përkatëse. Problemi në fakt nuk shtrohet thjesht te financimi, por tek ajo çështje që diskutuam fillimisht: te cilësia e ofrimit të këtij “produkti” nga të dy sektorët. Kjo çështje teorikisht duket e thjeshtë, bile edhe praktikisht nëpërmjet çeljes së universiteteve private, ne kemi ecur në këtë rrugë. Arsimi i lartë te ne, në aspektin institucional apo formal, ofrohet sot si nga sektori publik, ashtu edhe ai privat. Por çështja themelore është ajo e cilësisë dhe e standardeve të kërkuara. A do të mundet reforma, nëpërmjet mënyrës së konkurrencës që propozohet, të ndikojë në përmirësimin cilësor të arsimit tonë të lartë, apo këtë zgjedhje do të vazhdojë ta bëjë mekanizmi i tregut të lirë nëpërmjet konkurrencës që ai njeh? A do të mundet reforma të krijojë një treg konkurrencial transparent, apo pa dashur, ajo do të krijojë premisa për një konkurrencë jotransparente? Përgjigjet sigurisht këtu nuk janë të thjeshta, pasi edhe produkti i arsimit të lartë është shumë specifik për t’u vlerësuar: ai konkretizohet në dijet e fituara, të cilat shpesh dhe gabimisht, konvertohen vetëm në një diplomë të fituar.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi