E kush ka frikë nga modeli anglez në arsimin e lartë?!
Nga Endrit Shabani, universiteti i Oxfordit, botuar në Shqip, 18 maj 2014
Kam ndjekur këto ditë në media debatin për reformën në arsim, I ngritur mbi raportin e parë të komisionit për arsimin e lartë. Ky debat publik mendoj se duhet përshëndetur pasi po vendos një standard të ri të hartimit të politikave në Shqipëri, duke I diskutuar ato pikërisht me ata që do t’i zbatojnë në të ardhmen. Sigurisht ky vlerësim vlen në momentin që diskutimi do të shërbejë për të pasuruar këtë politikë, dhe jo vetëm për të legjitimuar atë që është vendosur paraprakisht. Gjithësesi debati publik aktual, duket se është përqëndruar shumë tek modeli që përfaqëson, ku megjithëse jo e pranuar zyrtarisht, ekziston një konsensus publik se ky raport synon ta reformojë arsimin e lartë në Shqipëri sipas modelit ‘anglosakson’. Për këtë çështje reagimet kanë qenë të shumta, por kryesisht është theksuar se pse ky model është I papërshtatshëm për Shqipërinë dhe gjithashtu janë dhënë sugjerime që Shqipëria duhet ose të bazohet tek një model Shqiptar ose të ndjekë modelin Gjerman apo mesdhetar. Pa dashur të komentoj mbi raportin, gjë e cila kërkon vëmendje të veçantë në një artikull të dytë, dua të fokusohem vetëm tek debati mbi modelin e ashtuquajtur `anglosakson’. Për të qenë korrekt, do të ishte disi e pasaktë përdorja e një termi që do të rrokte mënyrën e organizimit dhe drejtimit të universiteve në të gjitha shtetet e SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar, pasi është e njohur që këto dy shtete kanë diferenca të mëdha në këtë drejtim. Prandaj në këtë artikull unë do t’I referohem modelit Anglez të arsimit të lartë, pasi besoj që edhe ky raport pikërisht nga ky model është inspiruar.
Si fillim, nuk mund ta fsheh keqardhjen që diskutimi kalon menjëherë tek modeli arsimor që duhet të ndjek Shqipëria pa kaluar më parë tek një diskutim tepër thelbësor: diskutimi se për çfarë na shërben arsimi, dhe apo duam të na shërbejë ai. A kërkojmë ne që përmes arsimit të krijojmë identitetin kombëtar, të ndërtojmë një bosht moral (siç thoshte Durkheim dhe Dewey) apo të kualifikojmë forcën punëtore. Pasi të kishim një debat të gjerë mbi qëllimin e edukimit në Shqipëri, atëherë edhe diskutimi për objektivin, rrugën dhe modelin do të ishin edhe më të qartë, por edhe më të vlefshëm. Gjithashtu, ky diskutim sigurisht nuk mund të ishte I fokusuar vetëm në arsimin e lartë pa folur edhe për arsimin parauniversitar. E them këtë, pasi Shqipëria (ndryshe nga Anglia apo shtete të tjera) ende nuk ka arritur ta ndërkombëtarizoj universitetin e saj, e për pasojë pjësa më e madhe (për të mos thënë të gjithë) studentët aktual në arsimin e lartë, vijnë nga shkollat e mesme Shqiptare. Pra modeli I arsimit të lartë, duhet të jetë në harmoni me modelin e arsimit të mesëm. Por a po ndjekim ne Anglinë edhe në arsimin universitar edhe në atë parauniversitar? Sicc do e shpjegoj edhe pak më poshtë, unë mendoj se po.
Arsyet pse një vend hedh sytë nga një shtet tjetër për të huazuar politika janë studiuar gjerësisht dhe autorë si Bridge, Steiner dhe Khamsi kanë dhënë shpjegimet e tyre. Megjithatë, duke u bazuar në punimet e autorëve të ndryshëm si Ozga, Grek, Mundy, Martens dhe Veger, unë do të konstatoja se në debatet aktuale akademike në Evropë procesi I kopjimit të një modeli apo një politike arsimore nga një shtet në një tjetër, është një çështje paksa e dalë mode. Kjo pasi me fuqizimin e aktorëve ndërkombëtar që po marrin rol qeverisës në nivel ndërkombëtar, siç mund të jetë OECD apo Banka Botërore, gjithmonë e më shumë shtetet po shkojnë drejt një modeli të përbashkët në arsim, I cili jo për koincidencë është deri diku I inspiruar nga shkolla Angleze. E këtu flas si për arsimin parauniversitar, përmes testit PISA, ashtu edhe për arsimin e lartë, përmes procesit të Bolonjës. Këtu doja të ndalesha pak. Personalisht jam shumë kritik për vlerat që axhendat e reja globale të edukimit po induktojnë jo vetëm në sistemin arsimor, por në shoqëritë e sotme. Ku kritikat fillojnë me krijimn e pabarazisë mes shoqërive dhe shteteve, duke vazhduar me dobësimin e identitetit kombëtar, e duke e mbyllur me zhvdendosjen e vendimmarrjes nga sfera publike (studentë, prindër, akademikë) tek elitat politike botërore. Por pavarësisht kritikave të mia, Shqipëria i ka përqafuar prej vitesh edhe raportin PISA edhe procesin e Bolonjës, të cilat synojnë pikërisht që ta kthejnë arsimin e lartë shqiptar sipas modelit anglez (bachelor, master, doktoraturë) si dhe ta vendosin arsimin e mesëm dhe të lartë në funksion të kapitalit. Nëse Shqipëria duhet të shkëputet nga kjo rrjedhë botërore mund të kërkonte një diskutim të gjerë, por për sa kohë ne përmes procesit të Bolonjës jemi pjesë e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) dhe marrim pjesë në studimin PISA, ky diskutim do të ishte i pavend. E për pasojë unë, duke mirëkuptuar ata që argumentojnë se një model mesdhetar apo Gjerman do ishte më pranë realitetit Shqiptar (megjithëse edhe për këtë ngjashmëri të pretenduar nuk jam I sigurt) do të shtroja pyetjen: a do të ishte e arsyeshme që ne të ndiqnim një shtet I cili për vete po reformon sistemin arsimor për tju përshtatur asaj që sot përfaqësohet në modelin Anglez? Dua të sjell në vëmendje këtu se gjatë dekadës së fundit Gjermania po reformon edhe arsimin e parauniversitar edhe arsimin e lartë, duke ju larguar modelit të saj tradicional. Po ashtu i vështirë mbetet edhe referimi tek një model origjinal Shqiptar, sidomos po të kemi parasysh që ne universitetin e parë e kemi vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të XX. Madje edhe atëherë influenca e modelit arsimor sovjetik ka qenë kaq e lartë, sa fjala ‘origjinal’ do duhej përdorur me rezervë.
E kështu pra, duke mos e parë modelin Anglez thjesht si një rast të policy borrowing (huazimit të politikës nga një shtet tjetër) por si të ndjekurit të një axhende botërore, unë jam nga ata që nuk mendojnë se dilema është a duhet apo jo të ndiqet modeli Anglez I edukimit, por si duhet bërë kjo sa më mirë që të sjellë rezultate konkrete në arsimin Shqiptar. Për pasojë unë do të shqetësohesha në dy drejtime.
Së pari tek keqpërdorimi i modelit Anglez. Sikur shkollën Angleze të mund ta përthithnim tërësisht që nesër, unë besoj se nuk do na gjente asgjë e keqe, por kjo dihet që do ishte tërësisht e pamundur. Atëherë, e vetmja gjë që mund të bëhet është një ‘prerje si me bisturi’ e disa elementëve të caktuar në shkollën Angleze, të cilat shikohen si të përshtatshme për tu importuar në Shqipëri. Këtu qëndron pushteti I agjentëve që transferojnë politikat nga një vend në një tjetër. Për shembull mund të ndodhë që të përzgjidhen vetëm ato elementë që I përgjigjen disa axhendave dhe interesave lokal, të cilat do ishin kontestuar në rast të kundërt. Kështu, duke u fshehur pas modelit Anglez (dhe suksesit ndërkombëtar të tij) politikbërësit mund të evidentojnë tek ky model vetëm ato elementë që I përgjigjen axhendave të grupeve të caktuara dhe jo publikut të gjerë, por ndërkohë të mposhtin rezistencën vendase duke legjitimuar këto ndryshime me ‘stampën’ Angleze. Raste të tilla, të një politike bumerang, nuk janë të rralla në Evropë. Vetë procesi i Bolonjës është një prej tyre, ku 4 ministra arsimi krijuan një reformë Evropiane për të bërë në vendet e atyre atë që ata nuk e bënin dot ndryshe. Gjithashtu, risku ekziston edhe tek tejkalimi i modelit dhe në emër të tij të ndërmerren reforma që nuk kanë asnjë lidhje me të. Një gjë të tillë unë e kam vënë re në Shqipëri tek zbatimi i procesit të Bolonjës, ku mes një konfuzioni të përgjithshëm nisma të caktuara me karakter tipik lokal dhe pa asnjë lidhje me kërkesat e deklaratave të Bolonjës i janë faturuar këtij procesi. Sigurisht kjo bëhet edhe më e mundur në rastin kur opinioni publik nuk është I informuar gjerësisht mbi modelin e referencës. Ashtu si në rastin e Bolonjës do të duhej pak më shumë transparencë ka patur në ccka konsiston kjo reformë dhe çfarë angazhimesh ka marrë shtetit Shqiptar, ashtu edhe në këtë rast do të ishte me shumë vlerë të diskutojmë se çfarë kuptojmë me modelin Anglez dhe cilët elementë janë menduar të importohen në Shqipëri, pasi është afërmendsh që I gjithë sistemi nuk mund të merret, por vetëm disa pjesë të tij. E nëse ky shqetësim është I bazuar, atëherë i gjithë debati që është ngritur këto kohë për të kundërshtuar modelin Anglez, nuk bën asgjë më shumë se e konsolidon mundësinë e përdorjes së ‘logos’ Angleze. Sidomos, po të marrim parasysh që në disa sisteme reference të pranuara gjerësisht në Shqipëri (psh. Renditjes e universiteve të Times apo Shangai), universitetet Angleze gëzojnë reputacion të lartë, e për pasojë të paktë janë ata që nuk do të donin që Shqipëria të kishte një arsim të lartë si Anglia.
Së dyti, është shqetësimi që lidhet me zbatimin e kësaj reforme. Çdo politikë kur transferohet nga një vend në një tjetër kalon përmes filtrave të caktuar të perceptimit të agjentëve që ndihmojnë importimin e saj, si dhe filtrave të tjerë që aplikohen në përshtatje, zbatim dhe brendësim të reformës. Kjo do të thotë që reforma mund të mos zbatohet në tërësinë e vet, por vetëm ato elementë që i interesojnë grupeve më të fuqishme të interesit. Çka do të bënte që këta të fundit të zgjidhnin ‘hallet’ e tyre, por ndërkohë sistemi sërish të mos përfitonte nga reforma në tërësinë e saj. Po ashtu mund të ndodhë që kjo reformë të këtë efekt të izoluar vetëm në disa universitete të Tiranës dhe të mos shtrihet kudo, duke kontribuar kështu edhe më tepër pabarazinë brenda vendit. E po t’I referohemi të shkuarës sonë, jo pak reforma tepër premtuese në letër kur kanë kaluar përmes këtyre filtrave të mësipërm janë deformuar deri në prodhimin e diçkaje që nuk i përngjan as origjinalit, e nuk I hyjnë nëpunë as Dreqit. E për pasojë publiku zhgënjehet dhe e humbet besimin tek modelet e huaja, të cilat në vendet e tyre janë të suksesshme.
Unë besoj në konceptin e Sadler, I cili shprehej se një sistem arsimor është si një trup I gjallë, e nuk mundet që dikush të marrë një lule këtu, e ca gjethe aty, t’I ngjisë bashkë dhe të pretendoj se ka një lule të gjallë. Prandaj unë duke qenë sigurisht pro ndjekjes së modelit Anglez në reformimin e arsimit në Shqipëri, sërish mendoj se ky model vetëm nëse kuptohet tërësisht, përkthehet qartësisht, e përshtatet në mënyrën më harmonike të mundshme me realitetin Shqiptar, mundet të prodhojë rezultate pozitive jo vetëm për arsimin e lartë, por për shoqërinë tonë në përgjithësi. Për një përshtatje sa më të mirë të modelit Anglez do të ndihmonte besoj edhe një reflektim I gjerë mbi situatën aktuale të arsimit dhe shoqërisë Shqiptare. Skocia psh mund të paraqiste një shembull brilant në këtë drejtim. Një shtet I vogël për nga popullsia, pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, I cili ka arritur me sukses të akomodojë në sistemin e vet arsimor edhe axhendën ndërkombëtare edhe traditën e vet në arsim, duke mos hequr dorë në asnjë moment nga shfrytëzimi i sistemit arsimor si një hapësirë për krijimin e identitetit kombëtar.
E për të mbyllur, dua të shpreh bindjen time se në kohën ku jetojmë, me informacionin që kemi deri në këtë kohë, duke mbajtur në mend aspiratën Evropiane të shqiptarëve, si dhe angazhimet ndërkombëtare të marra aktualisht nga Shqipëria në fushën e arsimit, shqetësimi nëse velat duhet t’i drejtojmë apo jo nga Anglia, është një dilemë e zgjidhur.