Auditimi – mjet për një qeverisje më të mirë
Nga Dr.Greta Angjeli. botuar në Telegraf, 16 maj 2014
Besimi ndaj qeverive varet nga tre faktorë: Integriteti, Kompetenca dhe Transparenca
“Një botë në globalizëm, e cila ecën e zhvillohet shumë shpejt, një botë në informacion që përsoset vazhdimisht e bën esencial auditimin për çdo qeveri, që të jetë e mirinformuar rreth rreziqeve potenciale dhe atyre që ndodhin, me qëllim marrjen e masave, në kohën më të shpejtë të mundshme, për përmirësimet e nevojshme në menaxhimin e financave publike”.
Ndryshimet e shpejta që ndodhin në qeverisje, sot vijnë edhe sepse, në prioritetet e qeverive sot,veç të tjerash, përdorimi sa më i mirë i fondeve publike dhe rritja e cilësisë së shërbimeve publike, zënë një vend të rëndësishëm. Kjo është e lidhur ngushtë me vete përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e besimit të qytetarëve në të, me luftën kundër korrupsionit, me rritjen e efikasitetit të përdorimit të fondeve publike, me qëllim garantimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike përmes rritjes së ritmeve të rritjes së saj dhe reduktimin e varfërisë. Ban Kii-Moon në Forumin Global të Qeverisjes së re në qershor 2007 ka theksuar se: “Besimi ndërmjet qytetarëve, ndërmjet shteteve , dhe në vetë konceptin e qeverisjes është një nga nevojat më vitale për paqen dhe prosperitetin e njerëzimit”. Zhvillimet e sotme ekonomike shoqërohen edhe me procese, zhvillime dhe operacione ”të sofistikuara” financiare, të cilat nuk i kanë shpëtuar dot ndikimit të një sërë sistemeve të sotme komplekse, të cilat krahas rritjes së shpejtësisë së veprimeve dhe operacioneve financiare, në shumë raste kanë stimuluar dhe fenomene abuzive deri në skandale të përmasave të mëdha në përdorimin e fondeve qofshin ato publike apo private, por jo vetëm, në institucione, tregje, kompani e korporata etj. Kësisoj këto fenomene kanë nxjerrë në pah edhe nevojën për më shumë vëmendje, kontroll e mbikëqyrje. Gjithashtu, rrjedhojë e krizës globale dhe e këtyre fenomeneve, sot në botë po vihet re një rënie e besimit ndaj qeverive, dhe në këtë kuadër një auditim i mirë, duke kontribuar në rritjen e transparencës ka potencialin të rrisë besimin e qytetarëve tek qeveria e tyre, çka sjell një qeverisje të mirë, me transparente e më të përgjegjshme. Kjo kërkon më shumë përkushtim e profesionalizëm, dhe përdorim sa më efektiv të burimeve njerëzore në shërbim të rritjes së efektivitetit në këtë drejtim, përmes minimizimit të rreziqeve, të parashikuara apo jo. Njëherësh, në funksion të këtij qëllimi, kërkohet që qeveritë të vlerësojnë dhe t`i japin vendin dhe rolin e duhur audituesit në procesin e mbikëqyrjes e kontrollit të menaxhimit të financave publike në veçanti dhe reformës tërësore të auditimit.
AUDITIMI DHE BESIMI NDAJ QEVERISJES
Besimi ndaj qeverive varet nga tre faktorë: Integriteti, Kompetenca dhe Transparenca. Një auditim cilësor që manifeston të tre këta tregues, ka potencialin të rrisë besimin e qytetarëve tek qeverisja. Promovimi i ndershmërisë dhe qeverisja kompetente, është shumë e rëndësishme, por ajo nuk mund të lihet vetëm në dorë të Audituesve, por duhet të jetë detyrë dhe angazhim i të gjithë, aktoreve dhe faktorëve, përfshi zyrtarët e zgjedhur, administratën publike, shoqërinë civile, median, përfaqësuesit e biznesit, etj.. Sot nevojiten institucione publike dhe agjenci auditimi që e bëjnë punën më mirë për të promovuar ndershmërinë dhe qeverisjen kompetente. Kjo bëhet me e domosdoshme për të mirën e çdo vendi, për popullsinë e tij, për individin, fëmijët tanë dhe nipërit tanë, për të ardhmen. Duke u nisur nga ky qëllim dhe ne funksion të tij është e rëndësishme rritja e vëmendjes për përmirësimin e eficiencës dhe efektivitetit të auditimit në sektorit publik me qëllim përmirësimin e qeverisjes duke u fokusuar më në veçanti në çështje që lidhen me matësit e eficiencës dhe efektivitetit të tij. Eshtë e një rëndësie të veçantë ndihma që mund të japë çdo institucion, profesionist e përfaqësues i opinionit publik për të përmirësuar funksionimin e qeverisjes. Koncepti tradicional që e perceptonte auditimin e sektorit publik kryesisht në rolin e supervizorit të rregullshmërisë së llogarive dhe legjitimitetit të shpenzimeve si perceptim dhe realitet ka ndryshuar e evoluar duke përfshirë në të konceptet e eficiencës, efektivitetit, performancës që sjell ky proces në përmirësimin e qeverisjes.
NEVOJA PËR REFORMA NË AUDITIM
Procesi i reformave dhe nevoja për përsosjen e mëtejshme të tyre në fushën e auditimit nuk mund të shihen të shkëputura nga reformat shumë dimensionale të zhvilluara në periudhën e tranzicionit shqiptar, reforma këto jo vetëm politike, institucionale, juridike, por edhe ekonomike e financiare. Kësisoj,reforma në fushën e auditimit ,aktualisht bëhet më e domosdoshme edhe sepse: 1-Transformimet që kanë ndodhur në vendin tonë në të gjitha fushat, veçanërisht në ato ekonomike e financiare janë të mëdha, të shpejta, dhe niveli sofistikimit të tyre, gjithashtu.
2-Standardet dhe niveli i auditimit në nivel ndërkombëtar janë rritur dhe kanë evoluar me shpejtësi.
3-Ligji aktual që rregullon veprimtarinë e auditit suprem në vendin tonë (KLSH),dhe mbi këtë bazë edhe veprimtarinë institucionale dhe praktike të auditimit ka mbi 15 vjet në zbatim. Përvoja e këtyre viteve padyshim duhet reflektuar.
4-Vënia e rezultateve të auditimit në shërbim të luftës kundër mashtrimit e korrupsionit, përmirësimit të qeverisjes dhe rritjes së transparencës e besimit të qytetarëve tek qeveria, janë faktorë të tjerë të rëndësishëm që e bëjnë të domosdoshme reformimin e auditimit.
PERSOSJA E FORMAVE TE AUDITIMIT DHE AUDITIMI I PERFORMANCES
Ndërmarrja e një reforme tërësore në fushën e auditimit nga pikëpamja ligjore dhe institucionale në tërësi dhe nisma për përmirësimet ligjore të organit suprem të auditimit në vendin tonë (Ligjit te KLSH) duhet mbështetur. Natyrisht kjo përmes një diskutimi e debati përmes institucioneve kompetente dhe faktorëve të interesit. Problematika është shumë dimensionale. Kështu, me interes është përmirësimi i objektit të auditimit, dhe veçanërisht i tipeve të auditimit duke i zgjeruar ato nga forma klasike (ajo thjesht financiare të deri tanishme) në forma bashkëkohore si auditimin e përputhshmërisë, auditimin financiar, auditimin e performancës, auditimin e IT, si dhe auditimin e kombinuar të tyre. (koncepti dhe përkufizimi, llojet dhe tipet e auditimit kanë pësuar evoluimin e vet edhe në vendin tone,kjo nga pikëpamja teorike, ligjore dhe e zbatimit ne praktike.)
Pa marë përsipër analizën e hollësishme të tipeve të auditimit po fokusohemi duke dhënë disa konsiderata për auditimin e Performancës.
“Auditimi i Performancës është një shqyrtim i pavarur i efiçiensës dhe efektivitetit të sipërmarrjeve qeveritare, programeve dhe organizmave të saj, me fokus të veçantë ekonomicitetin dhe me synim përmirësimin”. Në kuptim të këtij definicioni, më analitikisht auditimi i performancës nënkupton dhe përbëhet nga auditimi e ekonomicitetit, efiçiensës dhe efektivitetit dhe përfshin:
-Auditimin e ekonomicitetit, që nënkupton minimizimin e kostos së burimeve që përdoren në një veprimtari publike, duke mos cenuar cilësinë e saj.
-Auditimin e efiçencës, që nënkupton optimizmin e raportit burime-rezultate të veprimtarisë publike, duke modifikuar proceset, strukturat dhe gjithë zinxhirin ekonomik të vlerës, në përputhje me standardet kombëtare e ndërkombëtare dhe praktikat më të mira.
-Auditimin e efektivitetit, që nënkupton vlerësimin e rezultateve përfundimtare dhe objektivave të vendosura, në përputhje me politikat e subjektit të audituar”. Ky është,pra, përkufizimi i përgjithshëm që jep INTOSAI në standardet e veta 3000-3100, të cilat adresojnë pikërisht këtë lloj auditi në nivel institucionesh supreme të auditimit.
Auditimi i performancës është një nga mënyrat kryesore përmes të cilit taksapaguesit, financierët, vendim-marrësit, ekzekutuesit, media dhe shoqëria në përgjithësi “ushtrojnë kontroll” dhe penetrojnë në mënyrën se si kryhen punët dhe si arrihen rezultatet. Kriteret e këtij lloji auditimi janë të shumta dhe përmenden: vlera e shtuar, zinxhirët kompleksë të politikave, prania e risqeve, ndërhyrjet strukturore, obligimet ndërkombëtare, emergjenca sociale, materialiteti financiar, vizibiliteti i programit, mundësia për auditim, etj., etj..