Qytetarët ose humbësit e një reforme të devijuar
Nga Ylli Asllani, botuar në Balkanweb, 16 maj 2014
Stili i zgjidhjes nga “lart-poshtë” që maxhoranca ka vendosur ti japë procesit të ndarjes administrative të ngjall trishtim. Nën këtë frymë aktiviteti i komisionit jokonsesual po shkon sipas një kronike të parallogaritur. Një shfaqje kjo, e cila pritet të përfundojë pa lavdi, me gjithë larminë e publicitetit, pompozitetin dhe kronikat e takimeve gati festive që shoqërojnë atë.
Në këtë mënyrë nevoja e natyrshme për një reformë administrative po devijon. Ajo po shfrytëzohet para syve të të gjithë opinionit, për një homogjenizim politiktë krejt njësive vendore.
Një kohë e humbur kot, e cila mund të shfrytëzohej fare mirë për një punë më të vlefshme. Le të themi në përmbylljen e reformës së decentralizimit, përcaktimin e standarteve të shërbimeve komunitare apo piketimin e kompetencave të plota të njësive vendore.
Themi kohë e humbur, pasi nuk ka qytetar sot, i cili nuk e di se harta e re administrative është domosdoshmërisht fryt i dy kontratave.
Së pari ajo është produkt i mirëbesimit, dakordësisë dhe dialogut midis qeverisë dhe opozitës dhe së dyti e të dy krahëve bashkë me komunitetet vendore.
Natyrshëm lind pyetja, kur këtë e dinë të gjithë, atëherë pse maxhoranca i shmanget konsensusit parlamentar me opozitën?
Me sa duket qeveria ndjehet e penguar në qëllimet e saj nga demokracia lokale, dialogu, mirëkuptimi politik dhe rregullat e ligjet e pranuara bashkërisht. Për të kjo reformë shihet si një shans në tavolinë për të shtrirë edhe më tej dominimin e tyre në zgjedhjet e pritshme të vitit 2015.
Pra pikërisht, kjo mundësi e fitores pa djersë shpjegon njëherazi edhe këmbënguljen e qeverisë për të shmangur konsensusin parlamentar me opozitën dhe dialogun real me kolektivët lokalë.
Në këtë reformë ata kanë hyrë me një llogari paraprake. Kështu pas një verifikimi të thjeshte rezulton se socialistët dominojnë aktualisht qendrat e rretheve, dhe opozita komunat në tërësi. Në këto rrethana komisioni njëanshëm e ka më të lehtë të ofrojë pranë qendraveurbane ato komuna të cilat nuk ia kërcënojnë këtë dominim…
Por le të rikthehemi tek nevoja për modelin e ri të njësisë vendore. A ka mundësi ky komision ti japë të paktën një zgjidhje teknike reformës administrative? Përgjigja e kësaj pyetje është edhe ana tjetër e diskutimit.
Të gjithë biem dakord për faktin se numri i stërmadh i njësive po i merr frymën qeverisjes vendore. Po kështu pranojmë se njësia e re vendore do të duhet të jetë një model i cili të vetëgjenerojë kapacitete njerëzore, burime financiare dhe të ardhura të cilat do të mund të mbulojnë shërbimet bazë publike.
Pranë komisionit janë paraqitur disa grupe të nderuar nga shoqëria civile, të zgjedhur të majtë etj, të cilët kanë paraqitur opsionet e tyre. Mbi tavolinë janë hedhur edhe disa opsione të cilat nuk kam arsye ti paragjykoj, madje mund të them se ia shtojnë larminë procesit.
Por a e kanë tagrin ligjor këto grupe për të arritur në definicione pa ditur kriteret dhe standardet shtetërore që operohet në këto raste? A mund të zëvendësojnë ata dialogun me ekspertët e opozitës, të qeverisjes vendore dhe institutet studimore? Dhe a mund të japin ata garanci për një proces të ri pa u përmbyllur më parë procesi i decentralizimit?
Në një qeverisje vendore efektive nuk është modeli ai që përcakton efikasitetin, por është analiza e zhvillimit ekonomiko–social ajo që përcakton modelin. Kuptohet kjo nuk është një detyrë e lehtë aq më tepër vullnetare.
Analiza të kësaj natyre kërkojnë ekspertizë zyrtare nga institucione ligjore apo grupe ekspertësh të aprovuar sipas ligjit.
Kështu kur flasim për opsionin e të zgjedhurve vendorë kemi parasysh bashkitë e komunat pa dallim. Kuptohet se paraprakisht variantet e mbi 380 njësive do të kalojnë në filtër. Kyforum përzgjedhës ligjor mund të jetë vetëm Këshilli i Qarkut. Pasi ky i fundit e ka tagrën ligjore të harmonizojë strategjitë lokale të zhvillimit si dhe interesat rajonale të biznesit, shoqërisë civile etj. Spostimi i tij dhe shpërngulja e problemit në komisione të qeverisë dhe prefektura e shuan çdo konotacion të të zgjedhurve vendorë.
Situata ndërlikohet edhe më tepër kur mendon se në vendin tonë mungojnë standardet për realizimin e shërbimeve publike. Nuk është llogaritur kostoja e shërbimeve që të nxirren pas kësaj shpenzimet e duhura për çdo njësi. Dhe mbi bazën e tyre të shihet mundësia për të kapur territore dhe popullsi shtesë. Pra për të konfiguruar njësi lokale të unifikuara dhe eficente.
Në dijeni time, deri më tani askush nuk është marrë me këto “detaje” apo deduksione logjike. Komisioni deri më tani nuk ka përpara asnjë rekomandim zyrtar as nga Këshillat e Qarqeve as edhe nga ndonjë grup ekspertësh të miratuar paraprakisht.
Kështu i gjithë debati është zëvendësuar me retorikë politike. Në këtë kuptim caktimi paraprakisht i kufijve vendorë dhe vendosja pas kësaj e kritereve nga një komision, sado serioz të jetë ai, do të ngjante si të vije karrocën para kalit.
Futja në të njëjtin thes e gjithë problemeve lokale paralajmëron së pari një thellim të distancës së administratës së zgjedhur nga qytetari dhe hallet e tij…
“Teknika e re dhe emisarët e emërtuar nuk mund të zëvendësojnë produktet e demokracisë së drejtpërdrejtë, ato benefite që burojnë nga pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje, nga vetorganizimi komunitar, transparenca e drejtpërdrejtë e qeverisjes, apo llogaridhënia e të zgjedhurve vendorë, etj.
Së dyti bashkimi i sforcuar i prioriteteve të zhvillimit rural (Fshatit ) me qendrat urbane (Qytetet)do të prodhojë njësi pa kontinuitet zhvillimi dhe politika qeveritare të paqarta lokale.
Së treti shmangia e debatit nga këshillat e qarqeve dhe formulimi i propozimeve nga prefekturat do të anashkalojë të drejtën kushtetuese të komunave, për të formuluar propozime dhe shprehur zërin e banorëve përkatës për probleme që kanë të bëjnë me fatin e tyre.
Së katërti ndarja apriori nga një komision shtetëror përjashton mundësinë paraprake për bashkim vullnetar të komunave sipas interesave të bashkëpunimit real ekonomik dhe shoqëror të tyre.
Gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm për një veçanti. Shqipëria jonë nuk është një treg aq i madh sa të ketë luksin të krijojë në të gjithë sipërfaqen e saj aktivitete vendore apo investime publike ekonomikisht efikase. Kështu për zonat e thella pritet, si në të gjithë shoqëritë e emancipuara që qeveritë të parashikojnë subvencione dhe politika të veçanta, të cilat mundësojnë një zhvillim harmonik ekonomik e shpirtëror në të gjithë territorin. Kufijtë vendorë kanë së pari brenda komunitete me histori, etnos dhe frymëmarrje të njëjtë, të cilët nuk duhen braktisur.
Përdorimi i të njëjtit mekanizëm në konturimin e të gjitha krahinave do të eliminojë identitetin dhe mbijetesën e njësive vendore tradicionale si Frashëri, Dukagjini etj, të cilat u kanë mbijetuar kohërave dhe janë stoli historike, turistike dhe etnokulturore të vendit tonë…
Së fundmi nuk duhet harruar se shqiptarët i kanë paguar shtrenjtë zgjidhjet e pakonsultuara. Për ta ka qene mjaft therëse fatura e devijimit nga normat dhe parimet që shoqërojnë një qeverisje demokratike. Prandaj maxhoranca duhet të operojë larg butaforisë, protagonizmit të panevojshëm dhe pseudosupremacisë së momentit.
Harta e re duhet të jetë konsensuale, e moralshme, e balancuar, gjithëpërfshirëse dhe e mirëkuptuar.