Europianizimi i Ballkanit

Nga Arben Malaj, botuar në Panorama Online, 16 maj 2014

Zgjedhjet e ardhshme të institucioneve të BE-së priten me interes jo vetëm nga europianët. Europa përfaqëson sot bllokun ekonomik më të madhe në botë, dhe modeli i saj, modeli i rritjes së bashkëpunimit dhe integrimit ekonomik si rruga e vetme për paqe dhe prosperitet, përfaqëson një model konkret inspirues edhe për rajone të tjera.

Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor i ndjekim me interes këto zhvillime, disa për shkak se ndihen më afër dhe duan të nxitojnë për të tejkaluar vonesat historike dhe disa sepse dështojnë në mënyrë të përsëritur dhe shpresojnë nga zhvillimet diku larg për të përshpejtuar integrimin e tyre këtu afër.

Fatkeqësisht akoma deri tani dëgjon të përsëritet togfjalëshi që n.q.s. nuk europianizohet (tolerohet) Ballkani, do të ballkanizohet (kërcënohet) Europa.

Ky është një debat që zgjohet ose gjallërohet sa herë që kujtohemi se jemi të vonuar në integrimin e vendeve tona në BE, ose sa herë që me këmbëngulje të përsëritur dështojmë disa herë.

Në fakt, projekti politik i BE-së është i papërfunduar, pa integrimin e vendeve të Ballkanit, në fakt, pa integrimin e Ballkanit, vetë BE do të vazhdojë të harxhojë shumë energji dhe fonde me rendiment dhe efikasitet të ulët.

Po ashtu është e vërtetë se vendet tona nuk mund ta arrijnë integrimin e tyre real dhe të dobishëm duke keqpërdorur direkt ose indirekt kërcënimin ballkanizues.

Kjo sepse kostot e dështimit të reformave ekonomike e politike të “fshehura” me sukseset integruese, së pari i paguajnë në mënyrë të drejtpërdrejtë vendet e Ballkanit. Kostot financiare që paguajnë taksapaguesit e BE-së janë shumë më të vogla se kostot sociale dhe ekonomike që paguajnë vendet tona. Shikoni vendet më të dobëta të BE-së, vendet e forta paguan faturat financiare, ndërsa ato vetë kaluan kriza të rënda sociale me rritje të papunësisë e varfërisë.

Keqpërdorimi i tezës së ballkanizimit të Europës në debatet për të ardhmen tonë jo vetëm që deformon thelbin e integrimit europian, por në jo pak raste ushqen dështimet e përsëritura të konkretizuara në institucione të dobëta, liri ekonomike e politike të cunguara, pushtete të përqendruara dhe të dështuara.

BE ka sfidat e saj të thellimit të integrimit, ka sfidat e saj të mirëfunksionimit si një union ekonomik dhe aq më tepër si një union politik. Ndaj fiksimi i saj te thellimi i integrimit ku bëjnë pjesë reformat e thellimit të integrimit monetar deri në krijimin e unionit bankar, ku kërkohet më shumë integrim në fushën e financave publike, duke u paraprirë krizave buxhetore të disa vendeve të cilat përhapin pasigurinë në eurozonë apo për projektin e BE në tërësi, e ndihmojnë suksesin e këtij projekti. Kjo e lehtëson zgjerimin e BE-së.

Ky vizion i liderëve të BE-së materializohet edhe në faktin që edhe pse në një situatë të vështirë ekonomike, edhe pse në një situatë ku eurozona kishte vështirësitë e saj për të vepruar shpejt dhe në mënyrë unike, BE nuk i mbylli dyert e saj për anëtaret e rinj. Në këtë periudhë të vështirë Kroacia u bë vendi i 28-të i BE-së dhe Latvia, pas një krize të rëndë ekonomike, arriti të ndërmerrte reforma të thella ekonomike duke synuar atë që arriti në vitin e kaluar, anëtarësimin në eurozonë.

BE ndodhet tani përballë zgjedhjeve të reja parlamentare, euroskeptikët shpresojnë shumë te zhgënjimi i votuesve, sidomos në vendet që kanë mbajtur peshën e paketave shpëtuese, apo të të rinjve e të varfërve në vendet ku kriza është ndier më shumë.

Në zgjedhjet parlamentare më shumë se sa për institucionet e BE-së, votuesit votojnë për institucionet politike të vendit të tyre, ku zhgënjimi gjithashtu është i lartë.

Zhgënjimet nga institucionet e BE-së dhe zhgënjimet nga qeveritë e vendeve të tyre kanë sjellë si pasojë uljen e pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet për institucionet e BE-së, kjo rënie është konstatuar si trend në çdo zgjedhje për Parlamentin e BE-së që nga viti 1979, kur ato u zgjodhën për herë të parë me votë të drejtpërdrejtë nga votuesit. Ndoshta një trend i tillë mund të vërtetohet edhe për zgjedhjet e ardhshme.

Pavarësisht zhgënjimeve, pavarësisht rritjes së “deficit demokratik”, gjithnjë e më shumë jo vetëm liderët politikë, por edhe pjesa progresiste e shoqërisë civile dhe komuniteti i biznesit janë ndërgjegjësuar se BE mbetet opsioni më i mirë përballë sfidave të reja të zhvillimeve globale.

BE do të jetë një projekt që do të ushqehet nga sukseset e saj. Ky projekt fisnik kishte si qëllim kryesor eliminimin e luftërave dhe konflikteve, mision plotësisht i realizuar në këto 70 vite. Ky projekt parashikonte solidaritetin midis grupeve sociale, vendeve dhe zonave me zhvillim disproporcional, parim i cili u konkretizua edhe në masat antikrizë.

BE nuk mund të kërcënohet nga rreziku i ballkanizimit, ndërsa europianizimi i Ballkanit, si një proces reformash dhe vetëpërgjegjësie nga vendet tona, mbetet opsioni i vetëm përballë së ardhmes.

Europianizimi nuk është term gjeografik, ne historikisht jemi pjesë e Europës, europianizimi nuk është unifikim i sforcuar i kulturave specifikeve, sepse vetë BE e mbështet diversifikimin kulturor të vendeve të saj.

Europainizimi i Ballkanit nënkupton zhdukjen, eliminimin e rrënjëve që i ushqyen dhe mund t’i mbajnë gjallë pengesat dhe krizat e së shkuarës jo të largët.

Europianizimi i Ballkanit duhet ballafaquar me kriteret e Mahstrihtit, ku standardet e demokracisë, zhvillimit të ekonomisë dhe respektimi i minoriteteve mbeten thelbësore jo për të merituar një anëtarësim në BE, por për të mbështetur më mirë sfidat tona nëpërmjet reformave të qarta, të thella dhe të plota që duhet të bëjmë.

Ballkanizimi i Europës si një argument për tolerimin apo përshpejtim të integrimit të vendeve tona, vetëm e dëmton këtë proces. Duke shpresuar më shumë te “kërcënimi” se sa te inspirimi pozitiv, ne rrezikohemi të vonojmë apo deformojmë reformat e nevojshme.

Kriza aktuale tregoi se BE nuk është magjia për të zgjidhur apo shëruar problemet tona të së shkuarës. Sipas studimeve për krizën aktuale globale, nga 28 vendet anëtare të saj, 22 ishin prekur nga kriza, por në 4 prej tyre, Greqi, Spanjë, Portugali dhe Irlandë, kriza rezultoi shumë më e rëndë për shkak se ata përfituar nga evropianizimi i përshpejtuar.

Në këtë kontekst, sidomos pas këtyre leksioneve konkrete dhe të dhimbshme të ardhura prej vendeve të BE-së, vendet tona duhet të jenë gjithnjë e më të ndërgjegjësuara se vetëm europianizimi i tyre është mundësia më e mirë jo thjesht për të ngritur një flamur në Bruksel, por për të qenë realisht europianë në parimet dhe standardet me të cilat i ndërtojmë dhe i respektojmë institucionet themelore ku mbështeten demokracitë europiane.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi