Rrezja dhe forca e shtetit në menaxhimin e universiteteve

Nga Kosta Barjaba, botuar në Mapo Online, 14 maj 2014

Një ndër çështjet më të debatueshme të reformës universitare është menaxhimi i universiteteve. Projekti i paraqitur parashikon ndryshime rrënjësore në këtë proces, të cilat janë perceptuar në mënyra të ndryshme, nga grupe të ndryshme të interesit. Ndër modelet e reja të menaxhimit është rekomandimi që bëhet për drejtimin nëpërmjet bordeve. Duke qenë se kjo nuk është një praktikë e panjohur dhe as e shpikur, dëshiroj të përshkruaj modelet e menaxhimit të universiteteve amerikane. Ndër këto modele po fokusohem tek Universiteti i Harvardit, universiteti më prestigjioz në botë (universitet privat) dhe Universiteti i Miçiganit në Ann Arbor, një universitet prestigjioz publik. Këto modele si edhe modelin shqiptar që propozohet, po i analizoj në këndvështrimin e pikëpamjes së Fukuyamës mbi kufizimin e rrezes dhe forcës së shtetit, duke i referuar këto ide mbi zhvillimet në arsim.

  • Kufizimi i rrezes dhe rritja e forcës

Tendenca e kufizimit të rrezes dhe rritjes së forcës së shtetit vlerësohet si zhvillimi më i pranueshëm në shoqërinë bashkëkohore. Transformimi i universiteteve nga shtetërore dhe jopublike në institucione publike është në koherencë me këtë prirje. Ky proces pritet të forcojë sektorin publik në shoqëri, i cili shpeshherë gjendet si një sanduiç midis sektorit shtetëror dhe sektorit privat. Në këtë perspektivë të reformës, shteti bën një hap prapa në mbështetjen dhe kontrollin e universiteteve shtetërore. Mbështetja e privilegjuar e këtyre universiteteve ishte një nga prishësit e konkurrencës midis universiteteve publike dhe private. Tërheqja e shtetit ka dy anë: garantimin e autonomisë, por edhe kufizimin e financimeve. Por shteti ndryshon qasjen edhe ndaj universiteteve private, cilësia e ulët e mjaft prej të cilëve ishte gjithashtu një prishëse e konkurrencës. Shteti bën një hap para drejt tyre. Edhe kjo qasje ka dy anë: aksesin në financimet publike, sipas parimit paraja publike ndjek studentin, dhe kushtëzimin me shndërrimin në një status jofitimprurës.

  • Kush është pronari?

Pronar nuk do të ketë më. Ecuria e reformës do të shkojë drejt shmangies së pronarit të universiteteve. Publiku është mësuar që universitetet private i quan universiteti i X-it apo Y-it. Asociimi i universitetit me një pronar do të marrë fund. Universitetet do të kenë menaxherë të llojeve dhe niveleve të ndryshme, por nuk do të kenë pronarë. Shpirti i themeluesve të universiteteve të njohura amerikane ndrit atje ku ata janë prej 200-300 vjetësh, por universitetet që ata themeluan nuk janë më të trashëgimtarëve të tyre. Harvardi mban vetëm emrin e themeluesit të tij, misionarit fetar John Harvard. Stanford mban vetëm emrin e djalit të themeluesit të tij, Leland Stanford. Vetëm kaq. Zhdukja e pronarit do të zhdukë edhe ethet e fitimit dhe do ta vërë institucionin më shumë në shërbim të publikut.

  • Si drejtohen universitetet amerikane?

Praktika amerikane ofron modele të ndryshme drejtimi. Në thelb, drejtimi është kolegjial. Harvardi ka tri nivele qeverisjeje: i) Korporata; ii) Bordi i Mbikëqyrësve; iii) drejtuesit akademikë. Korporata e Harvardit është korporata më e vjetër në tërë hemisferën perëndimore. Përbëhet prej 13 vetësh, të drejtuar nga Presidenti. Në kompetencën e saj janë çështjet akademike, financiare, asetet, burimet, transaksionet, planifikimi strategjik, aprovimi i buxhetit, projektet, shpenzimet, tarifat etj. Por Korporata drejton bashkë me komunitetin. E-maili i parë që mbërriti në inbox-in tim kur fillova studimet në këtë universitet, vinte nga  Presidenti Summers. Ai pyeste komunitetin e studentëve dhe ish-studentëve: “Ç’të bëjmë me këta dy hektarë tokë që sapo blemë përgjatë bregut të lumit Charles?” Bordi i Mbikëqyrësve është një organizëm më i madh: përbëhet nga 35 vetë, të cilët zgjidhen për një mandat gjashtëvjeçar nga të gjithë të diplomuarit e Harvardit. Bordi vendos për çështje strategjike, prioritetet e zhvillimit, planifikimin afatgjatë, miraton vendime të rëndësishme të Presidentit dhe Korporatës, ndjek dhe vlerëson performancën e shkollave, departamenteve dhe programeve të universitetit. Dega e tretë e qeverisjes janë drejtuesit akademikë, të cilët as zgjidhen, as emërohen, por përzgjidhen.

Universiteti i Miçiganit në Ann Arbor është një nga universitetet më të mira në ShBA. E quajnë ndryshe edhe Harvardi i Miduestit. UM është një universitet publik. Duke qenë i tillë, ka dy degë qeverisjeje: Bordin e Regjentëve dhe drejtuesit akademikë. Bordi i Regjentëve është një ndër organizmat më interesantë të qeverisjes universitare. Përbëhet prej tetë vetësh, dy nga të cilët zgjidhen për një mandat dyvjeçar, dy për mandat katërvjeçar, dy për mandat gjashtëvjeçar dhe dy për mandat tetëvjeçar. Bordi është mbikëqyrësi kryesor i veprimtarisë së universitetit, vendos për çështjet akademike, financiare, planifikimin e burimeve, shpenzimet etj. Bordi zgjidhet nga të gjithë qytetarët e shtetit të Michiganit çdo dy vjet. Presidenti i universitetit shërben si një anëtar ex ufficio i Bordit. Dega  e dytë e qeverisjes janë drejtuesit akademikë, të cilët përzgjidhen.

Ajo që bie në sy në menaxhimin e universiteteve amerikane është baza e gjerë demokratike e zgjedhjes së trupave drejtuese të tyre. Në Harvard votojnë të gjithë të diplomuarit, në Miçigan të gjithë shtetasit. Kjo mënyrë zgjedhjeje u jep këtyre trupave drejtuese legjitimitet në menaxhim dhe përzgjedhjen e niveleve më të ulëta drejtuese dhe akademike të universiteteve.

  • Efikasiteti i modelit anglo-sakson

Nëse dëshirojmë të ndërtojmë një sistem eficient dhe të përballueshëm nga sa më shumë aplikantë, që bashkon efikasitetin, si parim neoliberal, me humanizmin dhe solidaritetin, si parime socio-liberale, nuk kemi pse të shpikim modele menaxhimi. Ato i kanë shpikur të tjerët. Inteligjenca jonë është të dimë të zgjedhim modelin më të suksesshëm dhe të arrijmë ta zbatojmë atë. Sot për sot, modeli më i suksesshëm është, pa asnjë dyshim, ai anglo-sakson, i konkretizuar në universitetet amerikane. Një studim i para pak kohëve krahasonte eficencën dhe produktivitetin e modelit anglo-sakson me atë euro-kontinental. Një nga treguesit ishte vlera dhe kosto e kërkimit shkencor. Një faqe e shkruar nga një profesor në universitetet eurokontinentale kushtonte dy herë më shumë dhe shitej me një çmim dy herë më të ulët sesa  një faqe e shkruajtur nga një profesor në universitetet anglo-saksone. Ky është një tjetër tregues se cilin model universiteti duhet të zgjedhim.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi