FMN gati këstin e dytë, raport pozitiv për qeverinë
Konferencë për shtyp, 13 maj 2014
Miratohet kësti i dytë i huas së FMN-së për Shqipërinë prej 26 milionë dollarësh. Tashmë është vetëm formalitet vendimi i bordit ekzekutiv të drejtorëve të FMN-së, që do të miratojë në fund të qershorit dokumentin me konkluzionet e delegacionit të FMN-së, i cili gjendet në Tiranë prej dy javësh. Në përfundim të bisedimeve, Ministria e Financave, misioni i FMN-së në Shqipëri dhe Banka e Shqipërisë, kanë dalë mbrëmë së bashku në një konferencë shtypi për të raportuar përfundimet mbi realizimin e programit të miratuar me rastin e marrjes në fillim të vitit të kredisë nga FMN-ja.
“Sipas vlerësimit të FMN-së, programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit. Kemi bërë një vlerësim të reformave strukturore që do të plotësoheshin në pjesën e parë të programit. Sipas opinionit tonë, kriteret e vendosura për t’u arritur, sa i takon anës strukturore dhe performancës, janë përmbushur plotësisht. Sa i takon aspektit të rritjes ekonomike, në 2013-n shkalla e rritjes ekonomike ka qenë e ngadaltë, për këtë vit parashikohet të rritet në rreth 2%. Presim që kjo të arrihet përmes një rimëkëmbjeje modeste të kërkesës së brendshme dhe rritjes së eksporteve”, tha dje shefi i misionit të FMN-së në Tiranë, Nadeem Ilahi. Sipas tij, aktiviteti ekonomik vazhdon të jetë i dobët, përkundër arritjes së rritjes ekonomike në 2%, duke qenë nën potencialin e vet të zhvillimit. “Inflacioni vazhdon të mbetet i ulët. Ecuria fiskale në kuadër të programit ka qenë sipas planit të parashikuar në program për 2014-n”, tha Ilahi. Kreu i FMN-së vlerësoi se shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit duhet të vazhdojë me këto ritme. Ilahi konfirmoi se autoritetet biseduan edhe për buxhetin e qeverisë për 2015-n. “Këto do t’i diskutojmë në gusht-shtator të këtij viti. Autoritetet kanë konfirmuar se do të bëjnë përpjekje për të përmbushur objektivat afatmesme, përfshi ato që kanë të bëjnë me borxhet”, lajmëroi Ilahi për bisedimet e ardhshme. Duke folur për stabilitetin monetar, Ilahi tha se pritshmëritë për inflacionin pritet që të arrihen dhe politika monetare duhet të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike. Ky aktivitet duhet të jetë në përputhje me urat e stabilitetit ekonomik. Por Ilahi ka nënvizuar se “rritja e kreditimit vazhdon të mbetet negative dhe kjo ka lidhje me probleme të vazhduara në sistemin bankar”.
Rritja ekonomike
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se nga rishikimi i parë i performancës, del se kemi zbatuar objektivat e parashikuara. “Viti 2013 ka qenë një vit i vështirë në disa drejtime, si nga rritja e ulët ekonomike në çdo pritshmëri; patëm probleme të mëdha dhe me besimin e konsumatorit, borxhet e prapambetura ndaj biznesit, patëm rënie të kërkesës së brendshme dhe një sërë faktorësh të tjerë që e bënë 2013-n një vit më të vështirë se 1997-a”, tha Cani. Sipas tij, rritja ekonomike për vitin e kaluar ishte vetëm 0.4 për qind. Për të përmirësuar situatën për këtë periudhë dhe vitin tjetër, Cani theksoi se, mbetet prioritet shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit. Deri tani, sipas tij, janë shlyer rreth 200 milionë dollarë.
Duke folur për përmirësimin e punës së administratës fiskale dhe doganore, Cani u shpreh se, “vetëm nga Tatimet dhe Doganat kemi tejkalim të të ardhurave të tyre prej rreth 85 milionë dollarë më tepër se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Vazhdon mbështetja e doganave nga “Crown Agents”, dhe presim rezultate të mira në vijim. Vazhdojmë trajnimin e administratës dhe kemi përgatitur ndryshimet ligjore. Është dorëzuar në qeveri Kodi Doganor dhe pritet të kalojë më pas në Parlament për miratim.
Është përfunduar tashmë nga Ministria e Financave dhe projektligji i ri i TVSH-së, që për çështje ditësh do të marrë rrugën në qeveri për të vijuar më pas në Kuvend. Edhe ky ligj është në përputhje me direktivat e BE-së. Janë propozuar një sërë hapash për të ulur kostot tatimore për tatimpaguesit. Janë marrë masa për të shmangur vonesat në pagesat për rimbursimin e TVSH-së, duke paguar çdo rimbursim brenda dy muajve”, njoftoi ministri, duke bërë një përmbledhje të arritjeve që ishin raportuar nga FMN-ja. “Ishin ditë dhe net intensive bisedimesh”, kështu i përshkroi Cani kontaktet me delegacionin e FMN-së. Duke folur për rritjen ekonomike, Cani u shpreh se, “kemi shenja të mira nga eksportet, që janë rritur gjatë kësaj kohe. Përmirësim ka edhe tek importet. Këta tregues mbështesin atë që është projektuar bashkë me FMN-në. Kjo nuk është vetëm çka mendon Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, por është konkluzion edhe nga partnerët tanë e në rastin konkret nga FMN-ja. Rritja ekonomike premtuese është në nivelin 2.1%”. “Ne kemi vendosmërinë për përmirësim dhe kemi mirëkuptimin e plotë me FMN-në dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Të gjitha palët në këto bisedime kanë shprehur vullnetin dhe dëshirën për të pasur rezultate sa më të mira në rritje të qëndrueshme të ekonomisë dhe në funksion të krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së standardeve të mirëqenies së shqiptarëve”, deklaroi Cani. Ndërsa shefi i FMN-së ka folur edhe për reformat strukturore, si ajo e pensioneve, por edhe për rreziqet që duhen pasur kujdes, si situata financiare e sektorit energjetik, të cilat mund të bëhen barrë për buxhetin e shtetit.
Klima e biznesit
“Janë rritur importet dhe eksportet në vend dhe kjo është një shenjë pozitive”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Industrisë, Arben Ahmetaj. “Janë rritur eksportet 10,3% dhe importet me 10,7%. Sinjal pozitiv është rritja e eksporteve të manifakturës. Mendoj se programi është në rrugën e duhur, për shkak të reformave që ne kemi filluar dhe po i bëjmë me shumë seriozitet. Do të vazhdojmë me reforma në sektorët kyç, që janë sa sfidë edhe gjenerator i zhvillimit ekonomik. Do të vazhdojmë reformën me pensionet dhe do të garantojmë, jo vetëm pensionet për moshën e tretë. Reforma në energjinë elektrike është sfidë. Po punojmë me Bankën Botërore për të hartuar një reformë të thellë dhe të detajuar për ta kthyer sistemin në një gjenerator ekonomik”, u shpreh Ahmetaj.