Mblidhet Këshilli 6-te i Asocim-Stabilizimit
Sipas Gazetës Shqip, 13 maj 2014
Gjatë mbajtjes së Këshillit të gjashtë të Stabilizim Asocimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ministrat shqiptarë, ai i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe e Integrimit, Klajda Gjosha, u përballën dje në Bruksel me përfaqësuesin e Presidencës greke, Evangjelos Venizelos, dhe komisionerin për Zgjerim, Stefan Fyle, në lidhje me procesin e plotësimit të kushteve të KE-së. Gjithëpërfshirja në kuadër të reformave të rëndësishme që po ndërmerr vendi ishte fjala kyçe e ministrit të Jashtëm grek dhe po kështu komisionerit për Zgjerim gjatë mbajtjes së Këshillit të gjashtë të Stabilizim Asocimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Në prag të verdiktit të radhës së Këshillit të Ministrave europian për dhënien ose të statusit të vendit kandidat, ata kërkuan nga pala shqiptare vijimin e reformave, kryesisht në çështjet e drejtësisë dhe ato të krimit dhe të korrupsionit. Nga pala shqiptare, ministri i Jashtëm, Bushati theksoi se qeveria ishte e vendosur ta kërkonte në çdo moment konsensusin me opozitën për të kryer së bashku reformat e nevojshme që kërkoheshin të ndërmerreshin. Pjesë e delegacionit shqiptar ishte dhe ish-ministrja e Integrimit, deputetja demokrate, Majlinda Bregu.
Fyle dhe Venizelos
Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, i cili është duke hartuar dhe raportin e radhës së Shqipërisë theksoi se ishte e udhës që qeveria dhe opozita të bashkëpunonin së bashku për çështjet që shqetësonin vendin. Ai inkurajoi qeverinë që të vijonte reformat dhe po kështu t’i konsolidonte ato. “Qeveria dhe opozita duhet të bashkëpunojnë për çështjet e përbashkëta. Kemi mbajtur shënim hapat e ndërmarrë nga qeveria në një sërë fushash, veçanërisht sa i përket shtetit të së drejtës, reformën në gjyqësor dhe luftën kundër krimit të organizuar. Është në dorën e Shqipërisë që të vazhdojë të ndërtojë mbi progresin e bërë dhe të konsolidojë momentin e reformave”, theksoi Fyle. Ai shtoi se gjithmonë besonte se për të qenë i suksesshëm, procesi i integrimit duhet të ishte gjithëpërfshirës. Nga ana e tij, Venizelos theksoi se axhenda e reformave shqiptare duhet të ndiqet në frymën e kompromisit dhe gjithëpërfshirjes, të cilat do të sillnin rezultate konkrete. “Gjatë takimit të sotëm kemi theksuar nevojën për reforma, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Venizelos.
Bushati
Drejtuesi i takimit tëgjashtë të Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit BE-Shqipëri, njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, theksoi se qeveria është angazhuar për të pasur një dialog konstruktiv me opozitën dhe po kështu po vijon pa kompromis reformat që kërkohen. “Qeveria është e angazhuar për të pasur dialog politik konstruktiv, puna e përbashkët e qeverisë dhe opozitës, veçanërisht në Parlament është jetike për qëndrueshmërinë e procesit të reformave”, theksoi ministri i Jashtëm, Bushati në fjalën e tij. Ndërkaq, ministrat dorëzuan te përfaqësuesit e Komisionit Europian dhe faktet e reja të progresit të Shqipërisë gjatë javëve të fundit në kuadër të plotësimit të pesë prioriteteve të vendosura nga Komisioni Europian. I djeshmi ishte dhe takimi i fundit i palëve pas raportit që do të publikojë në fillim të muajit qershor komisioni, raport mbi të cilin do të vendosin më pas dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian mbi dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Kjo është hera e katërt e Shqipërisë që kërkon marrjen e këtij statusi.
Dokumenti i BE paraqitur në Këshillin e Asocim – Stabilizimit