Kush i trembet reformës së arsimit të lartë dhe pse? (II)

Nga Fatos Tarifa, botuar në Mapo Online, 13 maj 2014

Le ta trajtojmë çështjen e modelit nga pikëpamja historike dhe ajo aktuale. Në çdo epokë historike, roli dhe përgjegjësitë e universitetit janë vlerësuar e rishqyrtuar mbi bazën e natyrës e të nevojave të shoqërisë që e mbështetin atë. Idetë tradicionale mbi universitetin deri më sot, kanë qenë katër: (1) ideja e universitetit mesjetar, e mishëruar në prototipe të tilla si, Universiteti i Bolonjës, Universiteti i Salernos dhe Universiteti i Parisit; (2) ideja e universitetit modern, e lidhur me emrin e Kardinalit Newman dhe e mishëruar në Oksfordin e shekullit të 19-të; (3) ideja e universitetit kërkimor, e mishëruar në vizionin e Humboldtit dhe e institucionalizuar në Universitetin e Berlinit dhe (4) ideja e universiteteve skoceze të shekullit të 19-të dhe që, në shekullin e 20-të, u bë e njohur si modeli i universitetit anglo-amerikan (jo anglo-sakson, pasi ky është një term që përdoret gjerësisht në mënyrë të gabuar).

Grupi i pedagogëve kontestues e kundërshton modelin britanik, shumë pak të përhapur në “kontinent”, dhe evokon “modelin e universiteteve publike europiane”. Por, këtu, çështja vështirësohet, së paku për dy rrethana.

Së pari, universitetet europiane nuk i përkasin një modeli të vetëm. Ai që njihet si modeli kontinental, është krijuar së pari në Europën kontinentale, në Gjermani, në Itali dhe në vendet e Europës Qendrore. Pothuajse të gjithë universitetet e ndërtuara sipas këtij modeli janë publike dhe financohen nga buxheti i shtetit (kombëtar apo federal), ose provincial. Shumica e këtyre universiteteve drejtohen nga një Rektor. Senatet e tyre, të përbëra nga anëtarë të stafeve akademike, kanë një peshë më të madhe në drejtimin e universiteteve sesa senatet e universiteteve amerikane.

Në vendet që aplikojnë këtë model, është qeveria ajo që përcakton buxhetin për çdo universitet dhe fare pak përpjekje bëhen për të gjeneruar fonde ose donacione bamirëse për sektorin e arsimit. Në këto vende, studentëve u kërkohet të paguajnë fare pak, ose aspak për studimet e tyre të larta, çka do të thotë se mundësitë për të financuar sistemin e arsimit të lartë përmes të ardhurave nga regjistrimet e studentëve janë tepër minimale. Përveç kësaj, në shumë universitete europiane, theksi vihet jo në konkurrencën, por në egalitarizmin dhe në trajtimin e barabartë, gjë që ka çuar në politika të pranimeve falas të një numri shumë të madh studentësh në një institucion të vetëm (më shumë se 100,000 studentë në Universitetin La Sapienza të Romës; mbi 70,000 studentë në Universitetin e Vjenës), si edhe në një rënie të ndjeshme të kushteve e të standardeve të mësimdhënies. Në vendet e Europës kontinentale, kërkimi i kualifikuar shkencor realizohet, kryesisht, jashtë universiteteve, në qendra dhe institute kërkimore kombëtare si, p.sh. Centre National de la Recherche Scientifique (CNRS) në Francë, apo Instituti Max Planck në Gjermani, të cilat, edhe pse në më të shumtën e rasteve “ushqehen” nga sistemi universitar, nuk i japin këtij të fundit thuajse asgjë në shkëmbim. Edhe pse vitet e fundit kanë filluar të krijohen universitete private, ata janë përgjithësisht të vegjël dhe të marxhinalizuar në sistemin e arsimit të lartë.

Shembulli më tipik i modelit kontinental janë universitetet gjermane, të cilat, ndërsa në shekullin e 19-të dhe deri në vitet 1920 kryesonin listën e universiteteve më të mira të globit, sot janë shumë prapa universiteteve amerikane dhe atyre angleze, madje renditen edhe më poshtë se universitetet e disa vendeve të vogla europiane si, Holanda, Suedia apo Zvicra. Sipas një studimi krahasues nga më të rëndësishmit që është kryer deri më sot mbi sistemet e arsimit të lartë, nga revista The Economist (“The Brains Business: A Survey of Higher Education”, 10/9/2005; shttp://www.utsystem.edu/ipa/planning/Economist-TheBrainsBusiness-091005.pdf),“problemi më i madh” i universiteteve gjermane dhe, përgjithësisht, i universiteteve të modelit kontinental, është “dora e vdekur e shtetit”. Në këtë studim thuhet: “Problemet kryesore të universiteteve kudo në Europë janë të njëjtat: kontrolli shumë i madh i shtetit mbi to dhe fare pak liri për t’i menaxhuar vetë punët e tyre. Qeveritë i kanë detyruar universitetet të arsimojnë, me fare pak shpenzime, armata të mëdha studentësh dhe u kanë mohuar [universiteteve] ato dy liri, për të cilat ata kanë nevojë që të konkurrojnë në tregun ndërkombëtar: t’i zgjedhin vetë studentët e tyre dhe t’i shpërblejnë profesorët e tyre me pagën që përcakton tregu për punën që bëjnë”.

Po sipas atij studimi, mjafton të shohësh se në ç’nivel ka rënë Universiteti Humboldt në Berlin (universiteti ku studiuan Fihte, Hegeli, Shopenhauer, Shelling, Marksi, Engelsi, Bismarku, Ajnshatjni, Planku etj.), dhe institucioni që krijoi modelin e “universitetit kërkimor” që inspiroi zhvillimi e arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara, për të kuptuar sesa shumë kanë humbur universitetet gjermane pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Dikur një ndër universitetet më të famshme në botë, ky universitet renditet sot thuajse njëlloj me Universitetin e Utah-ut, i cili renditet i 121-ti në SHBA.

Nga ana tjetër, modeli francez, edhe pse i ngjashëm me modelin kontinental, dallon prej tij, ndër të tjera, edhe për faktin se në Francë, krahas me sistemin e universiteteve publike, shteti ka krijuar, qysh nga shekulli i 18-të, një sistem paralel të “shkollave të mëdha” (grandes écoles), në të cilat tradicionalisht është përgatitur elita ekonomike dhe politike franceze. Kjo elitë duket se është, në parim, meritokratike dhe pranimi në këto shkolla bëhet në bazë të konkurrimit. Megjithatë, aksesi në këto shkolla nuk është i njëjtë për të gjithë (çka do të thotë se ky sistem nuk është i hapur për këdo) dhe elita franceze, në tërësi, vazhdon të riprodhojë vetveten. Grandes écoles financohen përgjithësisht nga shteti. Cilësia e tyre më e lartë, krahas lehtësive që krijon për to CNRS dhe disa institucione të tjera kërkimore të klasit të parë, kanë bërë që elita shkencore dhe intelektuale franceze të ruajë prestigjin e saj edhe në kushtet e një rënieje të ndjeshme të sistemit të universiteteve publike në këtë vend. Sidoqoftë, kur bëhet fjalë për të zgjedhur e përshtatur një model universitar për Shqipërinë ndër modelet europiane, as që mund të imagjinohet se ky model do të ishte ai i “shkollave të mëdha”, çka janë gjëja më e mirë e sistemit universitar francez, por jo vetë sistemi.

Së dyti, “modeli europian” (lexo kontinental) i universitetit, është më shumë një model i së shkuarës, sesa një model i së ardhmes. “Universiteti i Napoleonit”, i cili përfaqëson sistemin e parë universitar europian modern, fjala vjen, lindi nga një kërkesë tipike e epokës së Iluminizmit për homogjenizimin e dijes profesionale dhe për monopolizimin e dijes shkencore. Funksioni i parë dhe më i rëndësishëm i universitetit europian modern kishte të bënte me përzgjedhjen e dijes të kontrolluar institucionalisht. Në pozitën e të ngarkuarit nga shteti dhe, shpesh herë, të interpretuesit në emër të interesave të shtetit, komuniteti akademik mori përsipër detyrimin për të futur një rregull të parevokueshëm në fushën e dijes. Sfera e universitetit europian modern u uzurpua qysh në fillim nga një pushtet i jashtëm, nga pushteti i shtetit, i cili, në një masë të konsiderueshme, mbetet edhe sot imun ndaj kërkesave të përsëritura të institucioneve akademike për autonomi të gjerë dhe për vetërregullim të aparatit të tyre arsimor. Në këtë mënyrë, universiteti europian modern u bë shprehës i interesave dhe i aspiratave për zhvillim të pavarur kombëtar dhe, si i tillë, ai ishte një institucion arsimor i një rëndësie të veçantë kombëtare. Ai u themelua nën paternalizmin e shtetit, pikërisht në kohën kur shteti mori përsipër detyrimin për të formuar kombin. Siç vinte në dukje Jean-François Lyotard, në raportin e tij “Gjendja postmoderne” (The Postmodern Condition, 1987, f. 31), “Masat e marra nga Napoleoni për arsimin e lartë u motivuan, përgjithësisht, nga nevoja për të prodhuar kapacitetet administrative dhe profesionale, të domosdoshme për stabilitetin e Shtetit.

Pothuajse në të njëjtën kohë, një program i maskuar politiko-ligjor i universitetit gjerman, që synonte legjitimimin e shtetit, gjeti mbrojtësin e vet kryesor te ministri prusian i arsimit, Wilhelm von Humboldt, dhe modelin i tij tek i ashtuquajturi“universitet idealist”, komuniteti akademik i të cilit përfaqësohej nga “subjekte të autorizuara të dijes”. Në modelin humboldtian të universitetit, klasës pedagogjike iu dha një rol i dyfishtë: ajo mbante monopolin mbi kërkimin e lirë të së vërtetës dhe, në të njëjtën kohë, mandatin për arsimimin ekskluziv të kombit. Mund të thuhet se ishte vetëm “idealizmi gjerman” ai që e zhvilloi plotësisht idenë e universitetit teorik, si një institucion i privilegjuar, ose si qendra e një metanarrative totalizuese. Siç shkruan Daniel Goldhagen, në  librin e tij “Vrasësit e vullnetshëm të Hitlerit”, “Detyra e universitetit prusian ishte të përgatiste subjektin për një përzierje unike dhe të përgjithshme të dijes, të së vërtetës dhe të kombit. Fryma ka nevojë për Liri Absolute, e cila, në sistemin teorik të filozofit më të madh të shtetit, Hegelit, aktualizohet si akademike dhe, njëkohësisht, si e vërtetë e shtetit (Hitler’s Willing Ex­ecutioners, 1996, f. 83).Në periudhën e “socializmit nacional” në Gjermani, modeli gjerman i universitetit, çoi në nacionalizimin nazist të dijes së universitetit dhe të jetës akademike në përgjithësi, në atë masë sa, siç shprehej vetë Martin Heideger, “rektori-fyhrer” famëkeq i Universitetit të Friburgut, më 1933, “nuk është më e mundur të flitet për një marrëdhënie [të universitetit] me shtetin, sepse vetë universiteti u bë shteti”.

Pas shkatërrimit të sistemeve post-totalitariste të arsimit të lartë, shumica e ish-regjimeve komuniste në Europën Lindore nuk e kanë lejuar deri më sot universitetin të emancipohet plotësisht, duke mos e ndarë atë nga themeluesi i tijShteti. Delegjitimimi burokratik i institucioneve universitare dhe dija e tyre akademike kanë mbetur, përgjithësisht, nën kontrollin e ministrive të arsimit të këtyre vendeve. Në periudhën e universiteteve socialiste, administrimi shtetëror i arsimit të lartë, siç e dimë, u zgjerua, u centralizua dhe u stabilizua. Burokracia e regjimit arriti të kontrollonte në mënyrë solide dhe tërësisht jetën akademike. I gjithë sistemi arsimor, përfshirë edhe atë universitar, u bë baza zyrtare e ushtrimit të ideologjisë. Për gati gjysmë shekulli, tiparet autoritariste të një marksizmi të kufizuar e shtrembëruan tërësisht formën standarde të diskursit akademik. Universiteti u bë, si të thuash, një “shkollë partie” për arsimimin e masave socialiste, të cilat duhet të çliroheshin nga mallkimet e traditës dhe nga demonët e së kaluarës, ndërsa shkenca sociale, siç shkruante Alvin Gouldner në atë kohë, u bë “sociologjia partiake e intelektualëve”.

Në dallim nga modelet e tjera europiane dhe nga universitetet amerikane,universitetet britanike nuk janë ekzaktësisht as institucione shtetërore, as private. Ato janë institucione publike, të cilat mbështeten dhe subvencionohen nga qeveria, por nuk financohen krejtësisht prej saj. Financimi i tyre bëhet nga British Exchequer, një agjenci e veçantë qeveritare (e krijuar qysh në shekullin e 12-të), përmes një procesi, i cili ruan një barrierë mes universiteteve dhe qeverisë, duke u dhënë universiteteve britanike më shumë autonomi nga ajo që gëzojnë universitetet publike në të gjitha vendet e Europës kontinentale. Pavarësisht nga kjo, sistemi universitar në Britaninë e Madhe ka, gjithashtu, problemet e veta. Gjatë dekadave të fundit, sidomos duke nisur nga qeveria e kryeministres Margaret Thatcher, një politikë esencialisht populiste e ndjekur nga konservatorët anglezë në vitet 1980 çoi në konvertimin e një numri të madh shkollash politeknike në universitete, gjë që, përveçse e rriti numrin e studentëve me diploma universitare, çoi pashmangësisht, nga njëra anë në rënien e standardeve dhe të prestigjit të universiteteve britanike në përgjithësi dhe, nga ana tjetër, në thellimin e hendekut midis universiteteve kërkimore angleze më të mira, sidomos dyshes Oxbridge (Oxford dhe Cambridge), dhe një grupi universitetesh të klasit të dytë, pothuaj njëlloj siç ka ndodhur në Francë. Sidoqoftë, universitetet britanike, në përgjithësi, kanë mundur të ruajnë një prestigj më të lartë sesa universitetet e tyre rivale në kontinentin europian, ndër të tjera edhe për shkak se ata kanë fituar një shkallë më të lartë lirie nga shteti në përcaktimin e tarifave të shkollimit, çka ka ndikuar drejtpërsëdrejti në fuqizimin financiar të tyre.

Nga kjo analizë e shkurtër krahasuese, mund të themi se reforma e sistemit të arsimit të lartë që po ndërmerr qeveria shqiptare, duke u mbështetur në sistemin britanik, merr një rëndësi edhe më të veçantë, sepse, në fund të fundit, modeli i propozuar ka më pak vend për shtetin dhe më shumë autonomi për universitetet. Dhe, nëse i përmbahemi vlerësimeve të studimit të sipërpërmendur të revistës The Economist, mund të themi se vizioni që ka orientuar projektin e propozuar të reformës së arsimit të lartë në Shqipëri është vizioni i duhur. Studimi në fjalë vjen në përfundimin se marrëveshjet e universiteteve europiane me shtetin u ngjajnë, në të vërtetë,“një pakti me djallin” dhe se, “sa më shumë që të reduktohet roli i shtetit, aq më shumë do të lulëzojë arsimi i lartë”.

Dy fjalë mbi moralitetin e“protestës”

Edhe pse projekti i propozuar për reformimin e arsimit të lartë ka shumë nevojë të përmirësohet e të detajohet më tej, mua më duket se një pjesë e argumenteve të grupit të pedagogëve që e kundërshtojnë atë dhe modelin e propozuar tingëllojnë si një apologji për sistemin etatist të arsimit të lartë, të cilin duhet ta lëmë pas. Për disa prej tyre, që autori i këtyre radhëve i njeh personalisht, shteti ka qenë mbrojtësi dhe ushqyesi i mediokritetit të tyre akademik, sepse shteti dhe sistemi i tij arsimor i kanë lejuar ata të vegjetojnë në universitete për dekada me radhë, tërësisht të patrazuar. Sidoqoftë, ka edhe një aspekt moral, shumë të rëndësishëm, që nuk mund të kalojë pa u vënë re në “panikun” që karakterizon prononcimin e një pjese të këtij grupi. Bëhet fjalë jo thjesht për të mbajtur në këmbë një sistem të arsimit të lartë (që në fakt, në gjendjen që është, duket një gjë krejt e pamundur), por për të ruajtur privilegje të pamerituara, të mundësuara pikërisht nga modeli shtetëror i universitetit, si edhe kushtet që e bëjnë të mundur vijimin e mëtejshëm të këtyre privilegjeve dhe të vetë sistemit që i krijon dhe i mbron ato.

22 vjet më parë, tre prej pedagogëve të këtij grupi, në një prej episodeve më të shëmtuara të historisë së arsimit të lartë në Shqipërinë postkomuniste, kërkuan mbylljen e Fakultetit atëherë të sapoformuar të Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Tiranës, për shkaqet më banale: njëri prej tyre për shkak se nuk u emërua ai dekan i atij fakulteti nga ministria e atëhershme e arsimit, por një kolegu i tij; ndërsa dy të tjerët me shpresë se një riorganizim i atij fakulteti do t’i “mbulonte” paaftësitë e tyre. Kur u mendua që ai fakultet të riorganizohej e të rihapej, dy nga këta pedagogë, që sot shprehen kundër reformimit të sistemit të arsimit të lartë, Aleksandër Kocani dhe Gjergj Sinani, u vlerësuan me shkrim, nga një komision ekspertësh të huaj që i testuan për njohuritë e tyre akademike në Tiranë, si “të paaftë për të dhënë mësim në shkollën e lartë”.

Nëse këta individë, për ironi të fatit dhe për fatin e keq të studentëve të tyre, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të japin mësim në Universitetin e Tiranës, madje me titullin “profesor”, kjo, ndër të tjera, dëshmon se sa negativ mund të jetë roli i shtetit në drejtimin e universitetit, kur edhe pedagogët më të paaftë i mban në punë, ndërkohë që vajza dhe djem të rinj, të mençur e të aftë, madje të shkolluar edhe në universitete shumë të mira perëndimore, nuk gjejnë dot vend në universitetet shtetërore, pikërisht për shkak të sistemit ekzistues (që nuk i ka bërë konkurrencën e ndershme të vlerave dhe meritokracinë parime të vetat), dhe pikërisht për shkak se pedagogë të paaftë si ata që përmenda më sipër, janë bërë dhe mbeten, me ndihmën e shtetit, barrierë thuajse e pakapërcyeshme për më të rinjtë.

Edhe më parë kam vënë në dukje se universitetet prodhojnë jo vetëm dije dhe njerëz të arsimuar, por edhe ata që nesër do të prodhojnë më shumë dije dhe të tjerë njerëz të arsimuar. Por, në kontekstin për të cilin shkruaj, dëshiroj të theksoj se, thelbi i reformës së arsimit të lartë në vendin tonë dhe sekreti i suksesit të saj qëndron jo vetëm në mënyrën sesi prodhohen dija dhe njerëzit e arsimuar por, sidomos, në mënyrën sesi “prodhohen” prodhuesit e dijes dhe të njerëzve të arsimuar, pra profesorati shqiptar. Por jo profesorë të llojit Kocani-Sinani. Çfarë thashë më sipër shpjegon frustrimin e madh të “profesorëve” të tillë për shkak të një reforme që, duke e vënë arsimin e lartë në kushte më të mira lirie dhe konkurrence akademike, ua minimizon, ose ua heq atyre mundësitë për të vegjetuar edhe më tej në universitete që do të jenë, këtej e tutje, publike. Është tërësisht e pandershme dhe e pafalshme që këta njerëz, të vlerësuar si“të paaftë” për t’u dhënë mësim studentëve të shkencave sociale 20 vjet më parë, vazhdojnë t’i japin mësim një gjenerate të re studentësh, që me diplomën e sotme universitare do të jenë në tregun e punës e të dijes për 50 vitet e ardhshme.

Konsideratave dhe kritikave të disa prej këtyre individëve u mungon tërësisht legjitimiteti moral. Përveç atyre që kanë marrë nga shteti pa i dhënë asgjë universitetit, ka edhe ndonjë prej tyre që e ka mjelë mirë sistemin ekzistues të arsimit të lartë, duke qenë part-time këtu, part-time diku tjetër. Po kështu, ka mes tyre edhe ndonjë që i ka mjelë financiarisht sa ka mundur edhe universitetet private, duke dhënë mësim part-time këtu, part-time atje, ose që ka bërë para sa kanë mundur nëpër borde institucionesh dhe, për më tepër, si anëtar komisionesh shtetërore ka bërë padrejtësi e dëme, tashmë publikisht të njohura, për shkak jo thjesht të sistemit, por edhe të natyrës së vet njerëzore.

Këto do të mjaftonin që njerëz të tillë, të ushqyer si shushunjëza nga një sistem universitar që nuk i vuri kurrë në provë njohuritë e tyre akademike dhe aftësitë e tyre profesionale, madje që nuk i vuri kurrë në kushtet e konkurrencës në tregun akademik e profesional jashtë vendit, të mos e hidhnin poshtë kaq “lehtësisht” një projekt që (me përmirësimet që eventualisht mund t’i bëhen) përveçse është i dobishëm, është edhe i vonuar për vendin tonë.

Një sistem universitar për shekullin e 21-të

Mendjet e njerëzve janë aseti më i madh i një shoqërie dhe universitetet që i kultivojnë këto mendje, janë institucione shumë të rëndësishme për begatinë ekonomike të një vendi, po aq të rëndësishme sa edhe bankat apo një treg i punës që funksionon mirë. Veçanërisht në periudhën postkomuniste, sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri përgjithësisht ka dështuar në misionin e tij për t’i zhvilluar, përgatitur, stimuluar dhe frymëzuar mendjet e brezit të ri. Përfytyroni, për një çast, potencialet e parealizuara të këtij brezi të ri të kombit tonë, në fillim të shekullit të 21-të! Sa ide kreative, sa shpikje dhe inovacione teknologjike, sa vlera dhe kontribute artistike, sa zhvillime të rëndësishme për krijimin e një sistemi shoqëror me të drejtë humbasin pikërisht sepse shumë nga institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë nuk ofrojnë atë që pritet prej tyre—arsimin e lartë—çka edhe përbën, në fakt, arsyen e ekzistencës dhe misionin e tyre

Unë besoj se reformimi i sistemit universitar në Shqipëri (duke e lënë domosdoshmërisht të lirë, edhe pse jo të pamonitoruar, sferën e veprimit në sektorin privat të arsimit të lartë, sepse, në fund të fundit, jetojmë në një shoqëri kapitaliste e demokratike), synon pikërisht konsolidimin e mëtejshëm të këtij sistemi dhe shndërrimin e tij në një sistem të tillë, që t’u përgjigjet kushteve dhe nevojave të sotme e të nesërme të shoqërisë shqiptare, në një botë gjithnjë e më shumë të globalizuar.

Globalizimi imponon ndryshime të shumta dhe të rëndësishme në jetën e secilit prej nesh. Varësia jonë ndaj zhvillimit shkencor dhe teknologjik është bërë më e madhe se kurrë. Lidhjet tona me individë të tjerë dhe me botën që na rrethon, gjithashtu, janë bërë shumë më komplekse. Një informacion gjithnjë e më i madh është sot i disponueshëm për këdo që ka disa njohuri minimale se si të përdorë një PC dhe si të navigojë në “infosferë”. Kulturat e ndryshme po deterritorializohen dhe konvergohen. Një masë gjithnjë e më madhe njerëzish udhëtojnë dhe zhvendosen nga një rajon i globit, në një tjetër, duke krijuar marrëdhënie të reja me shoqëri të tjera dhe, shpesh herë, edhe me vet kulturën e tyre. Rreth gjysmë miliard njerëz udhëtojnë çdo vit në “fshatin global” të sotëm, në një botë, e cila, siç shprehet Thomas Friedman, është reduktuar nga një “size small”, në një “size tiny”, dhe në të cilën, triliarda dollarë, ose aq pasuri sa prodhojnë Shtetet e Bashkuara në një vit, shkëmbehen në tregjet financiare rreth e qark globit në një ditë të vetme. Të gjitha këto zhvillime, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë ndryshuar tek çdonjëri nga ne—dhe tek të gjithë ne sëbashku—mënyrën e të kuptuarit të botës, si edhe marrëdhënien tonë me të. Këto ndryshime kanë bërë të domosdoshme transformimin thuajse të të gjitha institucioneve dhe sferave të jetës e të veprimtarisë njerëzore, në të cilat bën pjesë edhe arsimi i lartë.

Ka kohë që sistemi ynë universitar (dhe sistemi ynë arsimor, në përgjithësi) është në një krizë të thellë. Ky sistem duhet reformuar dhe sa më parë. Problemet dhe sfidat të cilat duhet të përballojë sistemi janë të mëdha, prandaj edhe zgjidhjet për to duhet të jenë të mëdha. Reforma e arsimit të lartë lipset të jetë thelbësore, që do të thotë përmbajtësore në radhë të parë, por edhe financiare dhe strukturore. Ajo duhet të pasqyrojë transformimet ekonomike e kulturore të shoqërisë shqiptare, ndryshimet në mënyrën e formimit dhe në interesat e brezit të ri dhe, sidomos, t’u paraprijë zhvillimeve të ardhshme në çdo sferë të aktivitetit ekonomik dhe shoqëror. Siç ka vënë në dukje Eric Ashby, një sistem universitar “duhet të jetë mjaftueshmërisht i qëndrueshëm për të ruajtur dhe vazhduar idealin për të cilin universiteti u krijua, si edhe mjaftueshmërisht reagues [ndaj zhvillimeve të shoqërisë] për të vazhduar së qeni i rëndësishëm për shoqërinë që e mbështet atë”.

Në përfundim dëshiroj të theksoj shkurtimisht tri gjëra:

Së pari, në një vështrim afatmesëm dhe afatgjatë, reformimi i sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri nuk mund të ketë sukses, madje as nuk mund të ndodhë, nëse ai nuk paraprihet, ose nuk shoqërohet nga reformimi i tërë sistemit piramidal të arsimit;

Së dyti, është një përgjegjësi historike e brezit të rritur që të krijojë dhe t’u lerë brezave të rinj një sistem arsimor dhe një sistem universitar modern, në të cilin ata të formohen me njohuritë dhe me shprehitë më të nevojshme për dekadat e ardhshme. Nëse e lëmë pasdore këtë detyrim ndaj brezave të rinj, ne jo vetëm që s’do të kemi përmbushur misionin tonë intelektual ndaj shoqërisë sonë, por edhe do të gjykohemi rëndë nga brezat qe do të vijnë. Molieri thoshte se, “ne jemi përgjegjës jo vetëm për atë çfarë bëjmë, por edhe për atë çfarë nuk bëjmë”.

Së treti, për sistemin arsimor (përfshirë edhe arsimin e lartë) dhe për politikat arsimore që do të përcaktojnë arsimimin dhe zhvillimin profesional të brezit tonë të ri, na duhet të mendojmë dhe të vendosim ne, brezi i rritur. Sado të mençur dhe të informuar që të jemi ne, madje edhe ata më të shquarit nga ne, përgjegjësia jonë ndaj arsimimit dhe edukimit të brezit te ri do të mund të përmbushet me sukses vetëm nëse i njohim mirë aftësitë, kërkesat dhe nevojat e tyre, çka mund të arrihet duke i dëgjuar këto më mirë dhe vazhdimisht prej tyre.

Kush i trembet reformës së arsimit të lartë dhe pse? (I)

*Fatos Tarifa ka qenë Ambasador i Shqipërisë në Holandë dhe Amerikë. Aktualisht është pedagog në Universitetin New York-Tirana dhe anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi