Arsimi që ne (s)duam

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 13 maj 2014

Platforma e prezantuar nga Komisioni për reformën në arsimin e lartë solli tashmë një dobi publike: për herë të parë të gjithë aktorët publike (me përjashtim të politikës) flasin, shkruajnë dhe mendojnë për arsimin. Nuk ka ndodhur një debat i tillë kaq intensiv në dy dekadat e fundit, ndaj vetë debati është risi, dëshmon një stad të ri të reagimit publik dhe me shpresë, një shenjë inkurajuese se më në fund elitat nuk po merren me peticione mitingjesh apo mizaskena politike të ditës, por me çështje madhore siç është dija, shkenca dhe perspektiva e saj në Shqipëri.

Zakonisht debatet e mëdha, nisen nga motive të mëdha dhe kanë qëllime të mëdha. Ky i fundit bën përjashtim. Reforma në arsimin e lartë përbën debat të madh, por motivet dhe qëllimet janë larg këtij përkufizimi. Kjo, për disa arsye. E para, vetë Komisioni është krijesë preferenciale e politikës me një nonsens të madh, – mazhorancë janë individë me konflikt interesi profesional, pronarë apo drejtues të universiteteve private ose nën-kontraktorë të tyre në projekte, ende të paligjëruara as nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit. Ata do të duhet të bënin transparent angazhimet dhe detyrimet e tyre, të ndalin publikisht interesat në mënyrë që më pas të fitojnë të drejtën të imponojnë rregulla për të tjerët, pra për rivalët e tyre në biznes.

E dyta, nevoja për reformë injoroi nevojën për kohë, konsultime të gjera dhe proces më përfshirës, duke lënë në dispozicion vetëm dy muaj dhe duke paralajmëruar ndryshime ligjore në periudhën e vetme të vitit kur vendimet më të mëdha merren me lehtësinë më të madhe, në periudhën e pushimeve të verës. E treta, reforma shkencore ka mënjanuar institucione me rëndësi shkencore, siç janë institutet, akademitë, etj, duke u përqendruar vetëm tek universitetet dhe shkollat e larta. Reforma të tilla duhet të jenë afatgjata, konsensuale dhe sa më përfshirëse, – ndryshe fati i tyre do lidhet me preferencat e titullarit politik të rastit, siç ndodhi deri dje me modelin kilian të masivizimit të universiteteve dhe mund të ndodhë sot me modelin e ri të iniciuar me urdhër “të shefit” të radhës, siç përmendet vend e pavend nga Komisioni!

E fundit, reforma shihet totalisht e shkëputur nga dy elementë thelbësorë: burimet financiare dhe vetë sistemi arsimor parauniversitar në Shqipëri. Ku do gjendet financimi? Cili biznes paguan për kërkimet shkencore? Cila qeveri e ka prioritet financimin universitar? Si do reflektojë reforma ndryshme edhe në sistemin parauniversitar? Njësoj vlen pyetja: a mund të kërkojmë një ekip kombëtar për në kampionatin botëror kur niveli i klubeve të reja, të mesme, etj, janë shumë më problematike në cilësi e produkt sesa vetë arsimi i lartë?

Komisioni për Reformën ka të drejtë kur konstaton gjendjen alarmante të sistemit të sotëm universitar, gjendjen kaotike të treguesve të cilësisë së tij, prurjet masive dhe pa kriter në universitete, fiktivitetin e diplomave dhe studimeve, modelet korruptive të ndjekura nga qeveri të ndryshme në favor të bizneseve të afërta me ta në arsim, rrethet vicioze dhe shpesh klienteliste të rekrutimeve të stafeve, mungesën e shkencës në institucionet e shkencës, treguesit formalë të konkurrueshmërisë, etj. Komisioni ka të drejtë kur rekomandon një reformë të thellë dhe cilësore, kur kërkon rivendosjen e kufirit minimal të notës për hyrjen në universitet, kur parasheh mbylljen e ciklit të studimeve part time, kur kërkon më shumë lidhje të studimeve me tregun, kur sugjeron një sistem të ri vlerësimi shkencor për trupat akademike, etj.

Për këto ide duhet mbështetur pa rezerva thelbësore. Ky është vizion realist për arsimin që ne duam. Më tej, kur Komisioni mendon për mekanizmat e jetësimit të këtyre angazhimeve, ai duket se bie viktimë e realpolitikës ditore, pra gjendjes aktuale dhe interesave që fshihen pas saj, dhe kërkon mekanizma e modele që më shumë sesa reformë cilësore premtojnë ndryshim formal e sasior të sistemit aktual të arsimit të lartë pa cenuar elementët abuzues, informalë dhe pengues që e mbajnë atë më këmbë.

Konkretisht, drafti megjithëse premton se e sheh arsimin si interes e përgjegjësi publike, në fakt, e trajton atë si mall biznesi me suport preferencial shtetëror. Drafti premton autonomi dhe decentralizim, kur në fakt, procesi i krijimit dhe funksionimit të institucioneve të tilla, si AKF, AKKSH, etj, i besohet më së shumti vullnetit politik të qeverisë, pra ndërsa premton autonomi të departamenteve gjithçka që bën të mundur jetësimin e tyre (rekrutimet në punë, projektet, promovimin, programin arsimor, etj) ua beson mekanizmave të tjerë kryesisht të emëruar (nga Bordi, nga menaxheri, nga AKF, nga Ministria, etj). Në përpjekjen për të lidhur më shumë arsimin me tregun, Komisioni vetë e keqkupton qëllimin dhe propozon që universitetet publike të bashkë-menaxhohen nga bizneset private, diçka e parakohshme dhe e dëmshme për Shqipërinë.

Biznesi është biznes, mendon për fitimin, biznesi shqiptar është kryesisht klientelist dhe për ironi jo vetëm simbolike, asnjë nga drejtuesit e dhomave të biznesit nuk ka qenë dhe nuk është pedagog në Universitet. Tani sugjerohet që ata të delegojnë dhe drejtojnë botën akademike, diçka pa sens, një përkthim i keq në formë e përmbajtje i modelit britanik në Shqipëri.

Projekti i ri premton konkurrencë universitare, por në fakt nuk ofron mekanizma për jetësimin e saj. Në disa elementë, madje bën të kundërtën, – mundëson krijimin e monopoleve në universitete. Për shembull, me logjikën që universitetet rajonale të merren me tokën, hekurudhat, bujqësinë, arkeologjinë, etj, njëherësh krijon monopole të dyfishta, shmang shanset e konkurrencës, dhe imponon vendimmarrje nga një grup i kufizuar personash në AKF, etj, duke centralizuar vendimmarrjen, politikat dhe perspektivat.

Fshehja pas “prioriteteve ekonomike” nuk duhet marrë seriozisht, në një vend, ku qeveria e sotme dhe as e djeshme ende nuk kanë një material të shkruar se cila do jetë perspektiva e zhvillimit të vendit dhe Shqipëria e pas 20-30-40-50 viteve. Në këto rrethana interpretimi i “prioriteteve” kur nuk ka dokument referues mbi prioritetet krijon hapësirë abuzimi, dhe prodhon një sistem arsimor eksperimental, pa asnjë garanci në produktivitetin e tij.

Reforma në arsimin e lartë kërkon arsimim cilësor, programe cilësore dhe produkt shkencor cilësor. Secili komponent kërkon financim shumëfish më të lartë sesa ai aktual.

Projekti i Komisionit e injoron këtë fakt, nuk merret fare me financimin strategjik dhe e kërkon zgjidhjen tek disa burime të pasigurta dhe spekuluese: rritja e pagesës nga vetë studentët, vullneti i bashkive për financim lokal të universiteteve, vendimet e centralizuara të tri agjencive qendrore mbi bazën e propozimeve që vijnë nga çdo drejtim. Një reformë serioze nuk e bazon financimin tek penalizimi financuar i studentëve dhe as tek fondet bashkiake, të cilat kanë qenë dhe janë të pamjaftueshme për vetë bashkitë. Komisioni tregohet kaq simplist në këtë pikë, sa p.sh, ndërsa kërkon rritje pagese nga studentët nuk i shkon në mendje ti kërkojë qeverisë rritje të fondit për arsimin dhe kërkimin shkencor. Fjala vjen, vetëm me shumën që qeveria harxhoi të kompensojë e rrëzojë me dinamit ca pallate elektorale do të mund të financohej universiteti i Tiranës për një vit akademik.

Në kushtet e papunësisë së lartë zgjidhja është gjetur tek universiteti: do ndalohet mësimdhënia në dy universitete dhe kështu, do sigurohen rreth 5 mijë vende të reja pune. Komisioni injoron një detaj të thjeshtë: pagesa e një profesori universiteti sot është më e vogël sesa e një bodigardi apo sekretarie të një ministri, dhe natyrisht shumë më e ulët sesa mijëra militantë që punësohen në zyrat e shtetit pas çdo fushate elektorale. Një masë e tillë, në emër të përkushtimit 100% në një punë, de facto do detyrojë pedagogët të braktisin rrogën minimale publike dhe të shkojnë në universitetet private ose në aktivitete të tjera më të paguara. Nga ana tjetër, ndërsa kërkohet imponimi full-time i pedagogut në një universitet, nuk jepet ndonjë ide konkrete sesi universiteti mund tu ofrojë atyre mekanizma, mbështetje financiare dhe hapësira për realizimin e kërkimit shkencor.

Në mënyrë paradoksale aty ku fiktiviteti është më i madh, aty parashikohen ndërhyrjet më minore. Për shembull, tek akreditimi i tanishëm i universiteteve publike e private. Nuk ka premtime dhe as afate  nëse do rivlerësohen dhe sesi do rivlerësohen. U premtua një Agjenci e huaj (britanike), por ajo ende nuk ka dhënë miratim, nuk është zyrtare, nuk ka garanci dhe nuk përmendet në projekt. Flitet për plagjiaturë dhe studime fiktive por projekti nuk krijon asnjë mekanizëm për të ri-parë procesin e deritanishëm dhe për të gjetur zgjidhje afatgjatë.

Ne trashëgojnë tituj fiktivë të marrë në regjimin e kaluar (punime ideologjike pa asnjë vlerë shkencore) dhe të marrë në tranzicion (plagjiatura ose punime tërësisht fiktike). Projekti i ri i merr të mirëqena ato, madje e bazon piramidën e re drejtuese tek këto kategori, ndërsa nuk jep përgjigje, p.sh, çfarë do bëhet me disa qindra doktoratura shqiptare, të cilat p.sh, shtete si Kosovë nuk i njohin, siç çfarë do të ndodhë me praktika, tituj e vlerësime të krijuara/dhëna nga vetë disa anëtarë të këtij Komisioni, dhe që nuk njihen as në Kosovë, as në Maqedoni, madje ndonjëherë as në Shqipëri, se çfarë do të ndodhë me diplomat fiktive që kanë të paktën 20 deputetë (dy ministra) nga ata që do të votojnë ligjin e ri të arsimit të lartë?

Ekzistojnë pika të tjera të shumta debati, të cilat meritojnë vëmendje dhe analizë të thelluar. Duke përfshirë vetë faktin përse imponohet apirori modeli britanik në një vend pa asgjë britanike, në traditë, në histori, në kulturë, në kapacitete, në synime, në financim!? Përse nuk e kërkojmë zgjidhjen në modele mesdhetare shumë më pranë nesh, apo në modele gjermane shumë më sociale dhe praktike? Modeli britanik bazohet në konkurrencën e lartë shkencore, a është në gjendje Shqipëria të prodhojë shkencë? A ka prodhuar ndonjëherë shkencë?

A është i gatshëm shteti ynë (ndryshe nga deri tani) të investojë për shkencën? A po krijojmë një sistem arsimor funksional që na duhet apo një model tjetër eksperimental pa garanci praktike? Dhe për ta mbyllur si studiues i shkencave politike, nuk e fsheh, jam shokuar nga deviza ultimative e Komisionit të Reformës, se “demokracia e gjerë nuk është zgjidhja e përsosur për vende që nuk kanë demokraci të stabilizuar” dhe ndaj na ofrohet një sistem miks emërimi-delegimi-zgjedhjeje, – një slogan as britanik, as shkencor, as demokratik dhe as reformator! Por që fatkeqësisht thotë shumë mbi atë se çfarë jemi dhe mbi të gjitha nga mentaliteti sesi vijojnë të mendohen dhe të propozohen zgjidhje mbi gjërat në Shqipëri,

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi