Qeveria përcakton procedurat për zgjidhjen e çështjes së pronave
Sipas Gazetes Dita, 10 maj 2014
Kthimi dhe kompensimi i pronës tek ish-pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist është përcaktuar si një nga 6 prioritetet e Qeverisë të përfshira në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim. Kjo përcaktohet në vendimin e Qeverisë, i cili është në zbatim të një vendimi pilot të Gjykatës së Strasburgut pas një padie të depozituar atje në lidhje me çështjen e pronave. Në vendim përcaktohet si objektiv krijimi i një mekanizmi të ri efikas për kompensimin e subjekteve të shpronësuara gjatë regjimit komunist që disponojnë vendime përfundimtare për njohjen e së drejtës së kompensimit për pronën. Ndër masat që përcaktohen se duhen marrë për realizimin e këtij objektivi janë reforma institucionale; identifikimi i faturës financiare; inventarizimi i pronave të disponueshme për kompensim në natyrë; ndryshime legjislative në fushën e pronave për krijimin e një mekanizmi efektiv kthimi/kompensimi; përfundimi i regjistrimit fillestar të pronave; koordinimi institucional.
Reforma institucionale e AKKP-së
Qeveria synon të reformojë Agjencinë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave (AKKP), e cila do të luajë rol kryesor në mekanizmin e ardhshëm të kthimit/kompensimit. Reformat priten të përfundojnë në vitin 2015. Qëllimi i kësaj reforme është përmirësimi dhe koordinimi i menaxhimit të pronave shtetërore që do të përdoren në procesin e kompensimit dhe për shmangien e mbivendosjes së burimeve të përfshira. AKKP-ja shndërrohet në Agjenci të Fondit të Tokës dhe do të menaxhojë fondin e tokës që do të shërbejë për kompensim. Për shkak të rolit të rëndësishëm të parashikuar për agjencinë e re në mekanizmin e ri të kthimit/kompensimit, propozimi është që strategjikisht të kalojë në varësi të Këshillit të Ministrave/Kryeministrit. Me qëllim kryerjen e reformës, u vendos shtyrja e mandatit të AKKP-së për 1 vit, pasi aktualisht ai zyrtarisht skadon në muajin maj 2014. Shtyrja njëvjeçare do të shërbejë si një periudhë e përkohshme për kryerjen e reformës ligjore dhe institucionale.
Sipas vendimit të Qeverisë, një nga çështjet prioritare në këtë reformë përcaktohet skanimi i gjendjes aktuale të AKKP-së dhe identifikimi i faturës të kompensimit. Në këtë kuadër përcaktohet krijimi i regjistrit elektronik i vendimmarrjes së AKKP-së, i cili përfundon në shtator 2014. Po kështu do të krijohet baza e saktë e të dhënave për çdo dosje në arkivin e AKKP-së. Po kështu përcaktohet identifikimi i institucioneve që tjetërsojnë pronën shtetërore dhe procedurat ligjore të ndjekura prej tyre. Gjithashtu duhet të përfundojë përpunimi i hartës së vlerës së tokës për vitin 2014, në mënyrë që të reflektojë vlerën aktuale të tregut të pronave.
Identifikimi i faturës financiare
Me qëllim krijimin e një mekanizmi efektiv kthimi/kompensimi, autoritetet duhet të kenë një faturë të saktë kompensimi që rrjedh nga shuma totale e dhënë nga vendimet ekzistuese të kthimit/kompensimit. Inventarizimi i këtyre vendimeve ka mbetur pezull për një kohë shumë të gjatë. Kohët e fundit, AKKP-ja ia ka arritur të luftojë këtë problem, duke përfunduar një projekt pilot për digjitalizimin. Projekti ka të bëjë me krijimin e databazes dhe pozicionimit hartografik të vendimeve për kthimin dhe kompensimin nga viti 1993 deri tani. Projekti kryen një inventar të të gjitha vendimeve për kthim dhe kompensim në rajonin e Vlorës. Projekti i ka dhënë AKKP-së informacion të saktë mbi faturën e kompensimit në këtë rajon. Në këtë kuadër projekti do të shtrihet në të gjithë vendin për të përftuar një faturë të saktë për kompensimin. Kjo do të realizohet njëkohësisht me inventarizimin dhe digjitalizimin e rreth 46,000 dosjeve të ruajtura në arkivin e AKKP-së që prej vitit 1993. Do të mundësohet llogaritja e faturës së kompensimit për të gjithë territorin e Shqipërisë në mënyrë efektive dhe të shpejtë. Për më tepër, do të lehtësojë përzgjedhjen e formave të kompensimit. Aplikimi mund të jetë i aksesueshëm online nga të gjitha institucionet e interesuara dhe publiku. Kjo krijon besimin publik dhe çon në një proces transparent vendimmarrjeje. Për realizimin e këtij projekti po zhvillohen bisedime me BE-në, me qëllim mundësimin e alokimit të një fondi prej 1 milion euro (fondet IPA) për zbatimin e këtij projekti. Ky fond pritet të jepet brenda muajit qershor 2014. Projekti i plotë do të finalizohet brenda 12 muajve nga momenti i alokimit të tij.
Inventarizimi i pronave të vëna në dispozicion për kompensimin në natyrë
Autoritetet shqyrtojnë inventarin e burimeve të disponueshme të tokës së bashku me përcaktimin e faturës financiare të kompensimit që do të jetë thelbësore për caktimin e nivelit të saktë dhe formave të kompensimit që do të jepen përfundimisht nëpërmjet mekanizmit të ri të kthimit/kompensimit. Autoritetet synojnë të përfundojnë inventarin e pronave të vëna në dispozicion për kompensimin në natyrë deri në muajin tetor 2014. Më konkretisht, dy grupe ndërministrore që janë krijuar pranë Kryeministrit në prill 2014, përkatësisht do të identifikojnë pronat shtetërore të vëna në dispozicion për kompensim në natyrë dhe do të verifikojnë statusin aktual ligjor të tokës që tashmë është shpërndarë për këtë qëllim tek AKKP-ja.
Ndryshimet legjislative në fushën e pronësisë
Kjo masë e favorshme për funksionimin e mekanizmit të ri efektiv të kthimit/kompensimit, synon të shmangë fragmentimin e ligjit, duke garantuar siguri juridike, mjete efektive apeli dhe lehtësim të procedurave të kompensimit. Procesi legjislativ duhet të përfundojë maksimumi në qershor 2015 dhe konsultimet publike do të zhvillohen në çdo hap kryesor të tij. Me qëllim arritjen e këtij objektivi, janë marrë hapat e mëposhtëm:
Analiza e legjislacionit për pronësinë
Me urdhër të Kryeministrit ngrihet një grup pune ndërinstitucional me ekspertë nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit (ALUIZNI), AKKP, ZRPP, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Financave. Grupi i punës do të koordinohet nga Ministria e Drejtësisë. Grupi do të marrë në analizë ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi për kthimin dhe kompensimin e pronave, për legalizimin, për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, si dhe për pronat e paluajtshme të shtetit dhe akteve ligjore për metodologjinë për hartën e vlerës së tokës. Analiza vlerëson ndërhyrjet konkrete në legjislacion. Ky proces përfundon në muajin qershor 2014.
Konsultim paraprak
Përfundimet e analizës së mësipërme i nënshtrohen një procesi konsultimi paraprak me grupet e interesit me qëllim grumbullimin e mendimeve të tyre për draftimin paraprak të ndërhyrjeve në legjislacion. Kjo rrit besimin e publikut dhe realizimin e një procesi transparent në vendimmarrje. Procesi i konsultimit paraprak përfundon në gusht 2014.
Draftimi i ndryshimeve ligjore
Mbas procesit të konsultimit paraprak draftohen ndryshimet e nevojshme. Përgjegjës për këtë proces janë institucionet e përmendura në pikën 5.1.a. Draftimi përfundon në tetor 2014.
Konsultim përfundimtar
Projektaktet i nënshtrohen një procesi konsultimi përfundimtar me grupet e interesit, si dhe institucionet shtetërore. Kjo rrit besimin e publikut dhe realizimin e një procesi transparent në vendimmarrje. Konsultimi përfundon në dhjetor 2014. Mbas konsultimit përfundimtar reflektohet mbi vërejtjet dhe sugjerimet e dala nga ky proces, si dhe përgatitet projekti përfundimtar. Projektaktet përfundimtare dërgohen për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e Ministrave në shkurt 2015.
Paraqitja dhe miratimi nga Parlamenti
Këshilli i Ministrave do të rishikojë, do të miratojë dhe do të dërgojë në Parlament projektligjet në mars 2015. Parlamenti do të fillojë procesin e konsultimit publik dhe do të zhvillojë sesionin plenar për miratimin e projektligjeve brenda periudhës prill – qershor 2015. Nëse mekanizmi i ri i kthimit/kompensimit parashikon kompensimin në natyrë si një prej formave të kompensimit, mirëfunksionimi i tij do të varet nga saktësia e sistemit të regjistrimit të pronave të paluajtshme. Për këtë qëllim, autoritetet janë caktuar të përfundojnë, deri në fund të vitit 2016, regjistrimin fillestar të pronave për pjesën e mbetur të zonave kadastrale të paregjistruara. Deri tani ka përfunduar regjistrimi i 2,584 nga një numër total prej 3,057 zonash kadastrale. Ky regjistrim është duke u kryer në 119 zona kadastrale të tjera me fondet e Bankës Botërore sipas projektit LAMP dhe pritet të përfundojë për 354 zonat kadastrale të tjera deri në fund të vitit 2016, financuar nga të ardhurat e ZRPP-së që, sipas llogaritjeve paraprake, arrijnë 1,570,000,000 lekë (rreth 11,000,000 euro).
Koordinimi institucional
Një prej problemeve të vërejtura gjatë 20 viteve të fundit ka qenë mungesa e bashkëpunimit efektiv ndërmjet institucioneve përkatëse në fushën e të drejtave të pronësisë. Kjo ka çuar në vonesa të pajustifikueshme për përfundimin e suksesshëm të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Për më tepër, mungesa e koordinimit ka kontribuar në pasigurinë juridike. Duke nxjerrë konkluzione nga kjo përvojë negative, qeveria shqiptare mori përsipër të garantojë koordinimin institucional me qëllim garantimin e zbatimit të suksesshëm të planit të veprimit.
Konkluzion
Qeveria çmon se masat e lartpërmendura janë një reagim i përshtatshëm dhe gjithëpërfshirës ndaj thirrjeve të Komitetit të Ministrave për një mekanizëm efektiv kthimi/kompensimi për pronat e konfiskuara gjatë regjimit komunist, të cilat duhet të vihen në funksionim në Shqipëri. Afatet e caktuara nga plani i veprimit për secilën prej këtyre masave dhe për hapat e ndërmjetëm do t’i japin mundësinë Komitetit të Ministrave të Këshilli të Europës të ushtrojë siç duhet misionin e tij të mbikëqyrjes së zbatimit të vendimeve të Gjykatës Europiane. Autoritetet besojnë se një shqyrtim i këtyre çështjeve në mbledhjen e CM DH-së të qershorit 2014 do t’i jepte mundësinë Komitetit të Ministrave të vlerësojë zbatimin e hapave të ndërmjetëm që duhet të përmbushen deri në atë kohë, në bazë të informacionit të përditësuar që do të transmetohet në kohën e duhur, dhe për autoritetet, për të demonstruar se vendosmëria e tyre për të arritur një zgjidhje përfundimtare të këtyre çështjeve është përkthyer në rezultate konkrete.
Vendimi pilot i Gjykatës së Strasburgut
Gjykata në vendimin pilot ka përcaktuar këto detyra për palën shqiptare:
– Hartimi i një liste të vendimeve përfundimtare gjyqësore dhe administrative që njohin, kthejnë dhe kompensojnë të drejtën e pronës ish-pronarëve. Kjo listë duhet të përmbajë të dhëna në lidhje me statusin e pronës, vendndodhjen, sipërfaqet që kthehen, kompensohen dhe format e kompensimit;
– Miratimi i hartës së vlerës së pronës me vlera sa më të arsyeshme dhe reale;
– Përgatitja e faturës financiare të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave;
– Krijimi i një mekanizmi efikas për ekzekutimin e të gjitha vendimeve përfundimtare, administrative dhe gjyqësore që njohin, kthejnë dhe kompensojnë pronën ish- pronarëve;
– Miratimi i një plan veprimi për ekzekutimin e vendimeve që njohin, kthejnë dhe kompensojnë pronën, me masa strategjike, strukturore, buxhetore dhe ligjore konkrete, me procedura të drejta dhe të menduara hap pas hapi, si dhe afate reale kohore.