Ekonomia e kërcënuar nga borxhet

Sipas Top Channel, 12 maj 2014

Ministria e Financave lëshon alarmin se Shqipëria është e kërcënuar nga risku i lartë i borxhit publik. Në programin ekonomik fiskal për periudhën 2014-2016, ekspertët e ministrisë evidentojnë se pikë së pari rreziqet lidhen me strukturën problematike të borxhit, ku një pjesë e madhe e tij përbëhet nga huamarrja e brendshme afatshkurtër. 
Kjo e vendos qeverinë përballë presionit të vazhdueshëm për të gjetur sasi të mëdha likuiditeti në treg për rifinancimin e borxhit, përkatësisht deri në 314 miliardë lekë në vit. Por ky nuk është rreziku i vetëm.
Sipas dokumentit, edhe borxhi i jashtëm ka një sërë risqesh, që lidhen jo vetëm me kursin e këmbimit por edhe me një arsye tjetër, atë të ripagesave.
Shumë nga borxhet e marra në vitet e para të tranzicionit tashmë janë maturuar dhe duhet të shlyen mbrapsht. Në vitin 2008, ripagesat ishin vetëm 0.39 për qind e prodhimit kombëtar.
Vitin e kaluar ato arritën në 0.94 për qind, ndërsa për dy vitet e ardhshme Ministria a Financave vlerëson se shlyerja e kredive të tranzicionit do të marrë nga buxheti deri në 1.6 për qind të prodhimit kombëtar.
“Në këtë mënyrë, vlerësimet e riskut tregojnë rëndësinë e uljes së borxhit, përndryshe efektet negative financiare do të jenë të mëdha duke shkaktuar pagesa të larta për buxhetin”, vlerësojnë ekspertët e Ministrisë së Financave.
Deri para vitit 2007, Shqipëria e kishte vendosur borxhin publik në një trajektore rënëse. Por pas 2007-s tendenca u përmbys dhe në 5 vjet borxhi u rrit me ritme shpërthyese mbi 15 për qind e prodhimit kombëtar, një pjesë e të cilit u mbajt e fshehtë. Për shkak të rritjes së fortë, në fund të vitit të kaluar borxhi total i vendit arriti në mbi 9.5 miliardë dollarë, ose 70.4 për qind e ekonomisë kombëtare.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi