Një model anglosakson për Shqipërinë??!!

Nga Aleksander Kocani, botuar në Panorama Online, 10 maj 2014

Në raportin për reformimin e sistemit të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor në Republikën e Shqipërisë,  të hartuar nga një komision ad hoc për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor (të caktuar nga Kryeministri i vendit), nuk shtrohet hapur si një nga nevojat përparësore huazimi i një modeli anglosakson për këtë sistem. Por, te pjesa për financimin përmendet si model i avancuar financimi për arsimin e lartë ai anglosakson dhe në prononcime e komente që i bëhen këtij projekti të reformimit të arsimit dhe shkencës shqiptare theksohet se është fjala për të huazuar një model anglosakson. Këtu nuk do të përpiqemi të zbulojmë në se ai që propozohet është vërtet një model anglosakson dhe as të shtjellojmë idenë se nuk ka një, por shumë modele të tilla. Na intereson më shumë ideja e zbatimit të një modeli të huaj në realitetin shqiptar. Kjo sepse historikisht që nga fillimet e viteve ‘90 kemi vuajtur sistematikisht nga mania e praktika e marrjes dhe e zbatimit shabllon, mekanik të modeleve të huazuara nga vendet e tjera pa asnjë shqyrtim apo kriter racional. Në fakt, çdo zbatim i një modeli të huazuar në një vend tjetër, përbën nga pikëpamja epistemologjike një tip sjelljeje eksperimentale, e cila kërkon kushtet e veta. Vetëm nëse plotësohen këto kushte është e këshillueshme që të kryhet eksperimenti social i përsëritjes së zbatimit të këtij modeli në një vend dhe kohë tjetër. Përndryshe, nuk duhen pritur po ato rezultate pozitive që ka sjellë zbatimi i tij në vendin e origjinës nga ku është huazuar.

Duke e konsideruar tani si të mirëqenë se ka një model anglosakson për sistemin e arsimit të lartë dhe se modeli që na propozohet është i tillë, po përpiqemi të sjellim disa argumente përse një model i tillë nuk mund të zbatohet me sukses në arsimin e lartë shqiptar. Cilido që ka një kulturë të përgjithshme mbi nivelin modest nuk e ka të vështirë që të kuptojë se një model i arsimit të lartë (por kjo vlen për çfarëdo modeli dhe në çdo fushë!) nuk mund të konsiderohet si i mirë në vetvete. Ai mund të jetë i tillë (domethënë, i mirë) vetëm në ato shoqëri që plotësojnë kushtet e nevojshme që ai të konsiderohet si një zgjidhje efikase e natyrshme e problemeve që ka sistemi i tyre arsimor. Nëse për këto arsye modeli në fjalë ka dalë i suksesshëm për një ose disa vende të zhvilluara si SHBA, Britania e Madhe etj., nuk ka arsye përse të pritet që ai të jetë i tillë edhe për vendet e tjera që nuk i plotësojnë kushtet përkatëse të nevojshme për suksesin e tij, të themi, si Shqipëria. Kështu, për shembull, nëse në universitet ku zbatohet ky model doktorantët janë të detyruar që zhvillojnë një sasi të caktuar orësh mësimore (kryesisht seminare, laboratorë ose mësime praktike), kërkesa që kjo të bëhet në universitetet shqiptare, ndonëse është joshëse në vetvete, nuk është realiste. Të kërkohet që atyre t’u jepet një gjysmë page pedagogu, do të thotë të rëndohet buxheti i shtetit për universitetet që kanë shkollat doktorale. Kush punon në universitet e di se sa e vështirë është të hapet qoftë edhe një vend pune edhe kur ky është i domosdoshëm dhe tepër i justifikuar nga pikëpamja e normave ligjore. Atëherë si do të sigurohet fondi i pagave për të gjithë doktorantët e universiteteve që kanë shkolla doktorature? Për më tepër, nuk është e moralshme që të kërkohet shtesë buxheti për pagat e doktorantëve kur pagesa e atyre që u japin mësim dhe i udhëheqin ata është më pak se gjysma e asaj që marrin homologët e tyre në Kosovë, Maqedoni dhe në Malin e Zi. Pra, nuk ka para që të paguhen ata që udhëheqin e u japin mësim doktorantëve në nivelin minimal dinjitoz, në atë që kanë edhe vendet fqinje jo të zhvilluara të zonës, kërkesë që lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e efikasitetin e përgatitjes së doktorëve të shkencës, atëherë si pretendohet që të gjenden fondet për pagat e doktorantëve??!! Sa për dijeni, vetëm në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, në të gjashtë shkollat doktorale ka mbi 60 doktorantë!

Nga ana tjetër, kushdo e kupton se nuk ka se si të funksionojë normalisht dhe të jetë i suksesshëm një model sistemi arsimor i vendeve anglosaksone në një vend si Shqipëria që ka tjetër shkallë zhvillimi ekonomik, social dhe politik, me një trashëgimi dhe të sotme kulturore dhe mendësi krejt të ndryshme nga ato vende. Mjafton këtu që të kufizohemi vetëm në një parametër sintetik të shkallës së zhvillimit social kulturor, siç është ai i sistemit vleror që karakterizon një shoqëri, për të kuptuar hendekun e thellë që ndan vendin tonë nga vendet anglosaksone. Sistemi i vlerave (ndryshe, “i pikave të referimit” për të zgjedhur atë që do, që vlerëson, për të përcaktuar qëndrimet dhe veprimet si aktor social në një shoqëri), po t’u referohemi studimeve të kryera nga Profesor Ronald Inglehart, për vendet e zhvilluara perëndimore që tashmë kanë disa dekada që kanë hyrë në stadin e zhvillimit postindustrial (ku hyjnë edhe vendet anglosaksone) është i tipit të “vlerave të vetafirmimit” (“postmaterialiste”). Ndërsa për vendin tonë (si një vend ish-komunist) Inglehart konsideron si pikënisje në rrugën e zhvillimit demokratik një sistem vleror, që ai e emërton “sistem i verave të mungesës”, i cili përbën në fakt antipodin e sistemit vleror të vetafirmimit, një farë sistemi të vlerave të mbijetesës të spikatur (apo, me termat e vjetra, tepër “materialist”). Studimet e shoqërisë shqiptare në tranzicion nga viti 1998 e këtej (të cilat, nga 2005-a e këtej kanë qenë të përvitshme nga Departamenti i Shkencave Politike në FSHS të UT), tregojnë se kundërtia midis tyre karakterizon jo vetëm pikënisjen, por edhe tendencat e dinamikës së ndryshimit të tyre. Ndërsa në vendet e zhvilluara perëndimore profili vleror i vetafirmimit të shoqërisë jo vetëm që është sundues, por sa vete dhe po përforcohet kundrejt vlerave të mbijetesës, në vendin tonë profili vleror jo vetëm që është i tipit të mbijetesës (“materialist”), por edhe po përforcohet gjithnjë e më shumë kundrejt vlerave të pakta të vetafirmimit. Me një fjalë, “treni i zhvillimit” të vendeve europiane në nivel postindustrial po “rend” në kahen e një shoqërie gjithnjë e më shumë me profil vleror vetafirmues, ndërsa “treni (më saktë, karroca)” i shoqërisë shqiptare po “rend” në drejtimin e kundërt, në atë të një shoqërie me profil gjithnjë e më shumë të mbijetesës!! Atëherë, a ka kuptim që të pritet se zbatimi i modeleve të huazuara nga këto shoqëri europiane do të jetë i suksesshëm në vendin tonë??!!! Madje, një kundërti e tillë në tendencat e zhvillimit social kulturor “hedh në erë” vetë pritmënitë për një integrim real (jo thjesht “politik”) të vendit tonë në BE.

*Lektor pranë Departamentit të Shkencave Politike, Fakulteti i Shkencave Sociale në UT

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi