Investimet publike dhe rritja ekonomike
Nga Ilir Kalemaj, botuar në Balkanweb, 10 maj 2014
Sipas planit buxhetor afatmesëm, nuk parashikohen investime të reja kapitale nga ana e qeverisë dhe investimet infrastrukturore do të reduktohen vetëm në mirëmbajtje të rrugëve dhe punëve publike ekzistuese. Madje dhe investime strategjike deri tani të vonuara, si Rruga e Arbrit etj., nuk ka plan të përfundojnë brenda afateve të parashikuara. Një nga përjashtimet e pakta, ku duket se do të kishte një rishikim, ishte stadiumi i ri, ku mendohet që qeveria të investojë deri në 20 për qind të investimit, kjo pas kërkesave të përsëritura nga FIFA dhe gjendjes aktuale të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Ndërkohë është hequr dorë nga ideja e parlamentit të ri dhe shumë projekteve të tjera në energjetikë, infrastrukturë rrugore e me radhë. Qeveria e justifikon këtë me deficitin në rritje buxhetor, që pritet të shkojë në 6.7 për qind në fund të këtij viti, nevojën për reduktim të borxhit, që është më i larti në rajon me 73 për qind në raport me PBB-në, dhe ruajtjen e një klime të stabilizuar makroekonomike, në kushtet kur rritja për 2013-ën ishte vetëm 0.4 për qind dhe ku projeksionet më optimiste për këtë vit fiskal e çojnë në 2.1 për qind, por kur gjasat janë për më poshtë.
Me të drejtë lind pyetja: A duhen dhe në ç’shkallë duhet të jenë investimet infrastrukturore, të cilat përgjithësisht në periudha recesioni apo stanjacioni kanë tendencën t’i japin një nxitje ekonomisë, duke ulur papunësinë, që tashmë shifrat zyrtare të INSTAT-it na e japin te 17 përqindëshi, ndërkohë që veçanërisht shqetësuese është papunësia te të rinjtë. Kjo e fundit, në vendet e Evropës Jugore, që përfshijnë vende të tilla si Spanja, Portugalia, Franca, Italia dhe Greqia, shkon diku te 40-50 për qind si mesatare dhe është kthyer në një nga problemet kryesore sot ndër vendet e BE-së, bashkë me rritjen e ulët ekonomike, që mesatarisht është vetëm 1 për qind. Në raste të veçanta është provuar që stimuli i fortë fiskal që vjen si rezultat i përfshirjes së qeverisë qendrore në projektet infrastrukturore, si mënyra për të vënë ekonominë në lëvizje, nxitur punësimin dhe ulur tensionet sociale, kanë dhënë rezultate vërtet mbresëlënëse.
I tillë është programi i “New Deal” i presidentit Frenklin Delano Ruzvelt, i zgjedhur katër herë president i SHBA-ve, i cili mori drejtimin e vendit në kulmin e krizës më të madhe financiare globale deri në ato momente dhe arriti të rigjallëronte shpresat e miliona amerikanëve, duke filluar nga shprehja tashmë lapidare që, “e vetmja gjë që duhet të kemi frikë, është frika vetë”. Programe të ngjashme por të fokusuara më tepër te nxitja e mirëqenies shoqërore ishte për shembull programi i Lindon Xhonsonit “Great Society” në vitet ‘70-të, apo programet e ngjashme të konservatorizmit social në Gjermani e gjetkë, apo programet ‘welfare’, që suksesin e tyre e kanë pasur veçanërisht te modeli i vendeve skandinave dhe ku shteti ka qenë burimi kryesor i rishpërndarjes, qoftë nëpërmjet politikave ‘takso dhe shpenzo’, qoftë nëpërmjet punësimit direkt në administratën publike, qoftë nëpërmjet punëve publike. Programe këto që në momente të tjera krizash ekonomike, ku shtetet ballafaqohen me papunësi të lartë, stanjacion, inflacion të lartë dhe të tjera probleme sistemike, kostoja e qeverive të tilla të mëdha dhe “zemërgjera” bëhet tejet e lartë për t’u mbajtur dhe, natyrisht, taksimi i rëndë nga ana tjetër dëmton shanset për zgjerim të sipërmarrjes dhe rritjes. Në këtë kuadër, shumë nga këto shtete i kanë rishikuar politikat e veta sociale duke kaluar në plane kursimi dhe disiplinë fiskale, të kombinuara me privatizime masive, derregullim, liberalizim të mëtejshëm të tregtisë, reformim të taksave, duke ulur barrën fiskale etj.
Natyrisht që, investimet publike, veçanërisht në periudha të caktuara dhe të adresuara aty ku duhet (p.sh. rrugët rurale etj.), kanë leverdinë e tyre dhe i japin një impuls të domosdoshëm ekonomisë. Sipas Bankës Botërore, 10 për qind rritje në investimet infrastrukturore shoqërohet me rritje 1 për qind të PBB-së. Investime të tilla krijojnë punësim dhe nevojë për materiale (ndërtimi etj.) në periudhë afatshkurtra dhe shërbimet të ndërlidhura në periudha afatgjatë. Për shembull, një studim i BB kalkulon që për çdo 100 milionë dollarë të investuara në mirëmbajtjen e rrugëve rurale, kjo përkthehet në rreth 25.000 deri në 50.000 vende pune. Tërheqja e kapitalit privat është natyrisht një ‘sine qua non’ në mënyrë që, jo vetëm të përfshihen aktorë shoqërorë joshtetërorë, por dhe t’i hiqet një barrë e konsiderueshme shtetit në investimet kapitale, duke garantuar nga ana tjetër më shumë efektshmëri dhe më pak nga problemet kronike që shoqërojnë investimet publike, të tilla si burokratizimi i tepërt, nepotizmi, korrupsioni etj.
Por duke qenë se ekonomia është ciklike, të tilla janë edhe sfidat e politikave përkatëse publike. Në periudha të tilla rritjeje të ulët ekonomike, papunësie të lartë, veçanërisht te të rinjtë, kredi të kufizuar dhe sektorë që nuk po gjenerojnë më rritje si vite më parë, ku mund të veçojmë kryesisht atë të ndërtimit, të lidhur nga ana tjetër me mjaft sektorë të tjerë të ekonomisë (shitje të materialeve të ndërtimit, hidrosanitaret etj.), theksi duhet vënë si të nxitet rritja dhe mandej të kalohet në politikat e zhvillimit të qëndrueshëm. Në këto kushte është kundërproduktive të mendohet për shtimin e hallkave burokratike në përpjekje për t’u bërë më rregullatorë nga ana e administratorëve publikë, apo projekte infrastrukturore të pastudiuara që mund të kushtojnë jashtëzakonisht shumë në terma afatgjatë. Përkundrazi, vazhdimi i investimeve për përmirësimin e rrugëve rurale, edhe nëpërmjet projektit të Bankës Botërore, apo përfundimi sa më i shpejtë i punëve publike dhe veprave infrastrukturore të iniciuara, duke shlyer natyrisht në kohë dhe kontraktorët, do të mundësonin kthimin e investimit në kohë reale, lidhjen më të mirë të tregjeve, veçanërisht ato bujqësore, jepnin një lloj avantazhi konkurrues në disa prodhime agroushqimore dhe blegtorale, ku vendi ofron një perspektivë krahasimore më të mirë dhe bashkë me prioritizimin e turizmit të ktheheshin në politikat kryesore zhvillimore. Për fat të mirë, politika e stabilizuar monetare, me inflacion të ulët dhe norma interesi të favorshme, nëse do të arrinin të kombinoheshin edhe me shtim të kredive, edhe me politikë më pak konservatore nga ana e bankave në këtë drejtim, do të garantohej një tejkalim më i shpejtë i situatës stanjative, në përpjekje për të kapur ritmet e rritjes të para disa viteve.