Fullani akuza bankave të huaja: Kreditimi i shtrënguar, dëmton ekonominë
VIENE- 9 maj 2014
Politikat e shtrënguara të kreditimit, po dëmtojnë ekonominë shqiptare. Kjo ka qenë akuza që ka lëshuar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, për bankat e huaja që operojnë në vendin tonë. Pohimi i kreut të Bankës Qendrore ka ardhur gjatë një fjalimi të tijin në forumin e Vjenës.
Fullani listoi një nga një pasojat negative që ka sjell politika e gabuar e këtyre bankave për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Rregullat mbikëqyrëse të BE-së dhe kërkesat për grupet financiare në lidhje me rrezikun, së bashku me qasjen në të cilën ato zbatohen, po vendosin shtrëngesa domethënëse mbi ekonomitë tona dhe eficiencën e politikës monetare. Në mënyrë më të drejtpërdrejtë, kemi vërejtur një ulje të ndërmjetësimit financiar, që vjen për shkak të procedurave të shtrënguara të huadhënies, madje edhe për ekonomi apo sektorë që kanë patur ecuri të mirë gjatë krizës. Si rrjedhojë, kjo u reflektua në frenim të investimeve dhe ulje të dinamikës së ekonomisë shqiptare, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat”-kështu tha gjatë fjalës së tij Ardian Fullani.
Nga ana tjetër, kreu i Bankës së Shqipërisë ka paralajmëruar se këto pasoja negative mund të thellohen edhe më tej nga masat e reja që po ndërmerr BE.
“Nga kërkimet tona tregohet se shtrëngimi i mëtejshëm i kreditimit, për shkak të reformave ligjore që po ndërmerren, mund të sjellë një efekt të rëndësishëm jo vetëm mbi aktivitetin ekonomik, por edhe mbi cilësinë e aseteve të bankave tregtare, në veçanti në situatën e kredive me probleme. Përkeqësimi i aktivitetit ekonomik do të vijonte kryesisht në të njëjtën mënyrë, duke çuar në përkeqësimin e raportit të kredive me probleme, në fitime më të ulëta të bankave dhe kufizime më të mëdha të kapitalit, së bashku me rritje më të ngadaltë”-tha më tej Fullani.
Ndërkohë, në vitin 2013, kredia për sektorin privat ra me 2.2 për qind dhe në tre muajt e parë të këtij viti ritmet e rënies u thelluan. Në qershor, Bashkimi Europian pritet të publikojë vlerësimin e radhës mbi gjendjen e grupeve bankare të Eurozonës, përfshirë ato që janë në Shqipëri. Nëse rezultatet do të kërkojnë masa të tjera shtrënguese, shqetësimi i paralajmëruar edhe nga FMN është se bankat e huaja në vend mund të tkurrin me ritme më të thella kredinë duke fundosur më shumë ekonominë.