Precedenti për pretendimet e Presidentit

Nga Ilir Dhima, botuar në Shqiptarja.com, 9 maj 2014

Pas një sherrnaje të vazhdueshme të opozitës, zërit të së cilës i është bashkuar edhe Presidenti i Republikës, veçanërisht për miratimin në Kuvend të ligjeve mbi disa institucione të pavarura dhe zgjedhjes së drejtuesve të tyre, si edhe për disa zgjidhje të dhëna nga Qeveria rreth ndonjë problemi të organizimit dhe dunksionimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani u duk se do t’i ulte ndjeshëm tonet e tij, duke shprehur kështu vullnetin për të kontribuar me gjithë autoritetin që i jep ligji mbështetje institucionale në mbarëvajtjen e çështjeve të sigurisë dhe të reformës së mbrojtjes.

Mirëpo shprehja e këtij vullneti rezultoi të mos ishte e qëndrueshme, apo të qe thjesht taktike, përderisa në një nga ditët e fundit ai u ankua edhe te ambasadorët e Shteteve Anëtare të NATO, të akredituar në Tiranë, kryesisht për tre projektligje të hartuar së fundmi nga Ekzekutivi në fushën e reformës së mbrojtjes. Ajo që vuri në dyshim motivet e këtij ankimi te përfaqësuesit diplomatikë, më së shumti kishte të bënte me faktin se pretendimet e veta Nishani nuk i kishte shprehur dhe diskutuar më parë në rrugë institucionale me organet shtetërore përgjegjëse, si Ministria e Mbrojtjes etj.

Pa iu kthyer këtu origjinës dhe rrethanave të zgjedhjes së Bujar Nishanit në postin e Kryetarit të Shtetit, duke mos u siguruar më parë konsensusi i partive parlamentare, çka mund të shpjegonte edhe aktualisht unisonin pothuajse të pandërprerë të Presidentit të Republikës me opozitën politike, këtu është vendi për t’u hedhur së paku një sy disa pretendimeve të tij për kufizim kompetencash nga ana e mazhorancës në varësi të precedentëve që u drejtohet kufizimi në fjalë. Pra, a mund të jenë të justifikueshme të gjitha pretendimet e Presidentit për të mos iu prekur kompetencat prej Ekzekutivit, dhe a janë kushtetuese të gjitha kompetenca e pretenduara prej tij?

Gjatë Legjislaturës së kaluar, mazhoranca dhe qeveria e formuar prej saj kanë marrë nisma për të kufizuar realisht kompetencat e Presidentit. Një të tillë mund të përmendim kufizimin e së drejtës së kreut të Shtetit për falje, e cila, sipas Kushtetutës (neni 92, pika ‘b’) përfshihet në kompetencat e tij. Por me ndryshimet ligjore që u bënë atëhere nga Kuvendi, e drejta për faljen nga ana e Kreut të Shtetit u kushtëzua tërësisht prej rekomandimeve të ministrit të Drejtësisë. Një kufizim tjetër iu bë atëhere një kompetence tjetër të Presidentit ndaj dekreteve presidenciale për emërime të gjyqtarëve të lartë dhe atyre kushtetues, shqyrtimi i të cilave në Kuvend mund të vazhdojë të bëhet vetëm pasi Presidenti shprehet për plotësimin e kritereve të kandidaturave përkatëse.

Marrëdhënie të tilla, sigurisht nuk mund të konsideroheshin normale dhe përkeqësuan gjithnjë e më tepër klimën politike në vend. Por, për shembull, nëse e drejta e faljes është kompetencë kushtetuese e presidentit, e shprehur në mënyrë eksplicite në Ligjin Themelor, kufizimi i saj përbënte realisht objekt legjitim të ankimit prej Presidentit.

Tashmë, Nishani e ngre zërin gjithnjë e më fort, për të kontestuar disa projektligje të miratuara edhe me dy të tretat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, me pretendimin se po i kufizohen kompetencat kushtetuese. Dhe për këtë ai fajëson, ashtu si edhe opozita, pikërisht mazhorancën parlamentare dhe Qeverinë e zgjedhur prej saj. Një shembull tipik në këtë drejtim përbën ligji i miratuar së fundi për disa ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontroillit të Pasurive dhe të Konfliktit të Interesave.

Një ligj që ka pështjelluar dhe vazhdon të pështjellojë marrëdhëniet politike brenda vendit. E gjithë kjo zamallahi rreth këtij ligji nisi në të vërtetë pas shkarkimit të ish kreut të këtij Inspektorati, një ish funksionare e lartë në vazhdimësi e qeverisjes së mëparshme të dalë tashmë në opozitë, në një kohë me emërimin në vend të saj të një personi tjetër, kandidaturë rivale e hershme për këtë post. Pas një reflektimi të menjëhershëm të mazhorancës lidhur me këtë emërim, ky i fundit u justifikua me ndryshime në ligjin përkatës, çka ia hoqi të drejtën e derivonshme Presidentit për të propozuar kandidaturat alternative rreth zgjedhjes së Kryeinspektorit të ILDKPKI dhe me kalimin Kuvendit edhe të kësaj të drejte.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nuk e dekretoi ligjin e ri të miratuar në Parlament, por ushtroi veton pezulluese, në arsyetimin e së cilës ngrinte edhe pretendimin se i kufizohej në këtë rast një prej kompetencave kushtetuese të tij. Madje, edhe duke “kërcënuar” që, nëse nuk do t’i bëheshin ligjit ndryshimet-sipas tij-të nevojshme, ai do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese me një ankim të veçantë.

Le të supozojmë se në Kuvend ligji do të rimiratohet në tekstin origjinal, pa reflektuar në drejtim të vërejtjeve të Presidentit. Le të supozojmë, gjithashtu, që Nishani do të veprojë ashtu siç ka parajmëruar. Pyetja që shtrohet hë për hë është: A do ta pranojë Gjykata Kushtetuese për shqyrtim ankesën e Presidentit dhe a do të vendosë në favor të tij?

Përpara se sa t’i jepet kësaj pyetjeje një përgjigje, qoftë edhe e supozuar, ndoshta është e nevojshme të kujtojmë që Inspektoriati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe i Konfliktit të Interesave nuk është organ i parashikuar nga Kushtetuta, siç e cilësojnë liderë të opozitës në disa deklarata të tyre. Përkundrazi, me institucione kushtetuese kuptohen ato organet shtetërore, për të cilat në Kushtetutë gjenden dispozita që përcaktojnë krijimin, organizimin, kompetencat dhe funksionimin e tyre. Ndërsa, ashtu sikurse është pëmendur shpesh herë në literaturën juridike dhe nëpër media të ndryshme, institucione të tjera të quajtura thjesht ‘të pavarura’ konsiderohen ato që nuk duhet të ndikohen nga faktorët politikë dhe nga presionet partiake gjatë veprimtarisë së tyre, pa injorojmë aspak parimin e njohur që pavarësia e tyre është një kusht për funksionimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Në këtë kuptim, për kufizim të kompetencës të Presidentit të Republikës shqyrtimi i ankimit të tij në Gjykatën Kushtetuese mund të kërkojë diskutim, që do të përfundojë me nxjerrjen e këtij ankimi jashtë juridiksionit të këtij organi të rishikimit kushtetues, duke u lënë shqyrtimi në bazë të shkeljes apo jo të ligjit. Duke u lënë kështu, sepse Kushtetuta rendit ushtrimin e një sërë kompetencash (ndër të cilat nuk renditet ajo që përbën objekt të ankimit të fundit të Bujar Nishanit) dhe se “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera, përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të tjera në pajtim me të”.

Madje, edhe nëse struktura e normës kushtetuese lë shteg për interpretime, për shembull, lidhur me përcaktimin e natyrës së ligjit, atëherë kjo krijon një hapësirë vlerësimi, duke iu drejtuar tek e fundit precedentëve, që sidoqofshin përbëjnë në raste të veçanta dhe në situata të tilla burime të së drejtës në marrjen e vendimeve. Për ta ilustruar këtë ide mjafton të përmendim që, për marrjen e Vendimit nr. 212, datë 29.10.2002, Gjykata Kushtetuese i referohet një Vendimi tjetër të saj, atij me nr. 34, datë 24.09.1996, në arsyetimin e të cilit është shprehur: “Kompetencat e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndryshohen, ngushtohen ose zgjerohen, përveçse me ligj kushtetues”.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi