Kur logjika e tregut përfshin arësimin e lartë

Nga Klodiana Beshku, botuar në Shqip, 8 maj 2014

Pas disa shekujsh rrugëtimi e filozofimi, homo economicus, i cili dominonte teoritë bazë të merkantilizmit deri në periudhën përpara Luftës së Dytë Botërore, u arrit të shndërrohej në njëhomo politicus përgjatë gjithë shekullit të njëzetë, në sensin që, pas dështimit të liberalizmit të pastër pas Luftës së Dytë Botërore, shtetet perëndimore ndërtuan shtetin e mirëqenies apo welfare state që në vitet ’60. Më në fund, individi nuk do të mjaftohej me “lirinë e tij për të zgjedhur” në bazë të përllogaritjes së raportit kosto/përfitim, por do të shndërrohej në një qytetar të aftë për të qenë “i lirë për të formësuar vetveten” në bazë të një sistemi vlerash të qarta, në një shoqëri të emancipuar.

Çfarë ndodh nëse logjika e tregut përfshin marrëdhëniet njerëzore e sociale në çdo aspekt? Ndodh ai proces a fenomen në të cilin, thënë thjesht, mbijeton më “tërheqësi” në treg a në realitet, ai i cili “kërkohet” më shumë ose gjeneron më shumë të ardhura. E aplikuar kjo logjikë në sfera më të thella të marrëdhënieve njerëzore, do të ishte njësoj sikur një nënë në një familje me shumë fëmijë të shpallë se do të dojë më shumë atë fëmijë, i cili do të jetë më i suksesshëm në jetë, me qëllim vendosjen e fëmijëve të saj në pozita pune. Përfundimi do të ishte që ajo do të privilegjonte në familje atë fëmijë, i cili do të kishte një rrogë më të lartë në familje. Në rast se do të zhvillohej një konkurs mbi librin me më shumë vlera letrare dhe do të vendosej si kriter numri i librave të shitur, me qëllimin e mirë të nxitjes së blerjes së librit, do të ishte njësoj sikur ta fitonte këtë konkurs autobiografia e Zlatan Ibrahimoviçit, për efekt të numrit të lartë të shitjeve të tij.

E njëjta gjë do të ndodhte edhe në arsimin e lartë, nëse do të aplikohej logjika e tregut në emër të zhvillimit të arsimit të lartë apo të përputhjes së tij me kërkesat e tregut. Disa nga efektet në vite, dhe më duhet të përmend vetëm disa prej tyre për efekt hapësire, do të ishin: zhdukja e disa specializimeve të domosdoshme në shoqëri, por jo aq të kërkuara në treg, si për shembull degë specifike të filozofisë, letërsisë, albanologjisë apo edhe të arteve. Rendja pas kërkimeve shkencore, të cilat mbrojnë interesat e disa grupeve të fuqishme në shoqëri (siç ndodh dhe rëndom në realitetin anglosakson në fund të fundit), rendja e trurit pas atij institucioni të arsimit të lartë, i cili paguan më shumë (në skenarin kur ndryshimi publik/privat fillon e zbehet gjithnjë e më shumë) dhe njëkohësisht edhe vënia e pagesës së tarifës studentore në funksion të mekanizmit kërkesë/ofertë të tregut të universiteteve, që do të thotë, arritjen në pak vite të niveleve të tilla të tarifave, të cilat të rregulluara nga tregu tashmë, do të kapnin shifra stratosferike, si në vendet anglosaksone pa dyshim.

Por të gjitha këto efekte nuk janë asgjë në lidhje me atë që do t’i ndodhte sistemit të vlerave të shoqërisë shqiptare, atij sistemi të brishtë, të sprovuar, të rrakapjerdhur, të trembur e pothuajse inekzistent. Kjo lloj reforme “graduale”, e bazuar në “logjikën e tregut” që na është propozuar, do ta dobësonte më shumë këtë sistem dhe do ta çorientonte fare atë. Se nga mund të dihet që studenti do të zgjedhë diplomën më të mirë në treg e jo atë më të lehtë për t’u arritur? Nga mund të dihet se një pedagog “jo komod” nuk do të katapultohet gjetkë nga i ashtuquajturi “bordi drejtues” i fakulteteve, i përbërë praktikisht nga biznesmenë, menaxherë, drejtues të aftë të nuhasin tendencat e tregut apo në rastin më të mirë, nga përfaqësues të qeverisë. Dhe nëse këto tendenca nuk përkojnë me fakultete jo të preferueshme në treg, shoqëria jonë nuk do të ketë më drejtues shpirtërorë, idealistë e parimorë apo degë që i prodhojnë këta drejtues, pasi tregut nuk i “interesojnë” ato. Përfundimisht, në pak vite, edhe arsimi i lartë publik, i vetmi institucion ende i panënshtruar ndaj politikës dhe ekonomisë, do “të kapet” dyfish prej të dyjave.

Nuk dua të ndalem në këtë shkrim në elementet kontradiktore e në ato që nuk përputhen me realitetin shqiptar të këtij drafti, atë do ta bëj diku tjetër. Në fund të fundit, qëllimi i përmirësimit të arsimit të lartë dhe rritja e cilësisë së tij, pa dyshim që janë qëllime fisnike për nga natyra. Ajo që nuk shkon është mënyra se si kërkohet të arrihet qëllimi; afrimi i universitetit publik me atë privat, me qëllimin që këta të dy të balancohen, në emër të uljes së numrit të universiteteve joefikase dhe e gjitha kjo, në emër të përshtatjes me nevojat e tregut, pa marrë parasysh specifikat dhe karakterin unik të shoqërisë shqiptare. Shpresoj shumë që të jetë rastësor fakti që në hartimin e këtij drafti nuk ka marrë pjesë asnjë studiues i shoqërisë shqiptare, asnjë filozof, sociolog, ekspert i shkencave politike, psikolog apo punonjës social nga universiteti publik, i pari aktor i interesuar për këtë reformë. Të gjithë këta ekspertë janë ata, të cilët e studiojnë, e zbërthejnë shoqërinë dhe mundohen çdo ditë të vënë nga një gur të vockël në atë sistemin e vlerave të përçudnuar shqiptar, në mënyrë që të ndërtojnë një shoqëri vlerash me individë politicus dhe jo një shoqëri vetëm materialiste e individë economicus. Që këtu mendoj se duhet të fillojmë të reflektojmë ndryshe në lidhje me këtë draft-reformë dhe të kemi parasysh faktin se kemi më tepër përgjegjësi ndaj studentëve, fëmijëve tanë e brezave që do të vijnë, sesa përpara tendencave neoliberale të tregut.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi