7 pikat që e bëjnë të domosdoshme skemën e pensioneve

Nga Kosta Barjaba, botuar në Dita, 8 maj 2014

Reforma standarde, por edhe politika popullore

Gjendja në të cilën e mori në dorëzim vendin qeveria e majtë, bën të domosdoshme disa reforma standarde, jo domosdoshmërisht të majta. Jomajtizmi qeverisës është i domosdoshëm për katër arsye: i) për të gjeneruar më shumë burime financimi për politikat sociale dhe shëndetësore; ii) për t’i dhënë sipërmarrjes më shumë pronësi në zhvillimin e vendit; iii) për të korrigjuar politikat e ekzagjeruara rishpërndarëse, jo ideologjike, por elektorale dhe populiste; iv) për të vendosur një ekulibër midis të drejtave dhe detyrimeve në sistemin e mirëqenies i cili  deri tani anon kryesisht nga të drejtat e motivuara elektoralisht. Megjithatë, me projektimin e reformës në sistemin shëndetësor dhe në sistemin e pensioneve, qeverisja është në hullinë e premtimeve të saj programore, të cilat adresojnë me përparësi nevojat e shumicës së varfër të popullsisë. Në këtë shkrim, po fokusohem kryesisht në përmasën e majtë të dy paketave reformuese: sistemit shëndetësor dhe pensioneve.

Shërbime shëndetësore të përballueshme për të gjithë

Reforma në sistemin shëndetësor është bërë një çështje publikisht e debatueshme. Kjo, kryesisht për shkak të karakterit të saj inovativ dhe përmasës së theksuar popullore. Duket se ka një padurim për të parë efekte të menjëhershme në funksionimin e sistemit. Megjithatë, gjendja në sistemin shëndetësor nuk duhet të gjykohet nga rastet episodike, por nga trendi i reformave. Sepse në sistem janë po ata operatorë, po ata njerëz, po ajo teknologji, po ai mentalitet. Prandaj prej kësaj gjendjeje nuk mund të çlirohemi me shkop magjik! Nga kjo reformë po veçoj dy elemente: rolin e shtetit në sistem dhe kontrollin mjekësor falas për disa grupe të popullsisë.

Shteti si rregullator dhe blerës shërbimesh

Reformimi i sistemit shëndetësor ka trashëguar një prapambetje të dukshme krahasuar me sektorët e tjerë. Duke qenë një aspekt thelbësor i zhvillimit njerëzor, kjo prapambetje ka ndikuar te shërbimet dhe cilësia e jetës së popullatës. Për të cilën njeri prej shërbimeve bazë është problematik. Nevojat e popullatës për shërbime dhe zhvillimi i sistemit disa herë kanë ndjekur trajektore të ndryshme, madje janë dukur si drejtëza të kithta. Pacientët dhe institucionet ndiheshin përballë dhe jo për njeri-tjetrin. “Kultura” e ryshfetit dhe episodet e konflikteve në spitale janë inerci e kësaj vendosjeje në sistem, i cili ka qenë  ose indiferent, ose i paaftë për të vendosur paqe midis tyre. Prandaj rritja e rolit të shtetit jo vetëm si politikëbërës, por edhe blerës i disa shërbimeve që do të ofrohen falas për popullatën, nuk është vetëm një ngjyrë e Rilindjes në shëndetësi. Kjo është një ndërhyrje për ta bërë sistemin funksional. Shteti do të pajtojë ofruesit dhe përfituesit e shërbimit jo thjesht si negociator, por si pjesëmarrës në sistem. Duke respektuar, vlerësuar dhe trajtuar me dinjitetin që u takon mjekët dhe operatorët e sistemit, shteti merr haptaz anën e qytetarëve.

Sa më shumë klientë sot, aq më pak pacientë nesër!

Garantimi i kontrollit mjekësor falas për moshat 40-65 vjeç është ndër prioritet e reformës në sistemin shëndetësor. Ofrimi periodik i këtij shërbimi përmban disa avantazhe domethënëse. Duke garantuar kontrollin falas për këtë fashë moshore, mbështetet jo thjesht pjesa më dinamike e forcës së punës, por edhe moshat më të rrezikuara prej sëmundshmërisë. Ky është një hap konkret ndaj karakterit parandalues të politikave shëndetësore, sepse niset nga parimi i njohur: “Sa më shumë klientë sot, aq më pak pacientë nesër!” Përfituesit më të mëdhenj të kësaj pakete janë, padyshim, të dobtët, të varfërit dhe pakicat. Pra, ata që nuk kanë mundësi të paguajnë për këto shërbime. Premtimi programor për shërbimin shëndetësor falas nuk është “Llampa e Alaidinit”, por një set programesh publikë që do tu ofrojnë falas disa shërbime të  domosdoshme  dhe bazike të pamundurve.

Fundi i padrejtësive në skemën e pensioneve

Skema e pensioneve, në gjendjen aktuale, është e mbushur plot padrejtësi sociale ndaj të cilave paketa e propozuar së fundi është me të drejtë mjaft agresive. Shmangia e tyre shkon në favor të mbështetjes së popullsisë së varfër.

Kush paguan më shumë, përfiton më shumë

Heqja e tavanit të pensionit maksimal, pritet të ulë evazionin kontributiv. Sipërmarrësit nuk do të kenë arsye të fshehin pagat dhe të punojnë me praktikën e njohur të “dy borderove”. Duke derdhur më shumë kontribute për të punësuarit me paga të larta, sipërmarrja do të jetë më e ekspozuar ndaj punëtorëve dhe nevojës për rritjen e kontributeve për ta. Por edhe punëtorëve “do tu hapen sytë” dhe do të bëhen më aktivë për të drejtat e tyre në treg.  Kjo do të bëjë më funksional dialogun social dhe punëtorët do të nxiten tua kërkojnë të drejtat punëdhënësve,  jo thjesht qeverisë. Përveç kësaj, parimi “Kush paguan më shumë, përfiton më shumë” pritet të shëndoshë financiarisht skemën. Prej nga do të përfitojnë indirekt edhe pjesëmarrësit në të. Sepse një skemë e fuqishme financiarisht u shërben të gjithëve.  Gjithashtu,  kjo “manovër” në skemën e pensioneve pritet të luftojë informalitetin në punë i cili, nga ana e vet, mund të ngushtojë edhe ekonominë informale. Të dyja këto  zhvillime, krijojnë më shumë shanse dhe të drejta për punëtorët, të keqpaguarit dhe të diskriminuarit në treg.

Drejtësi paralele për minatorët dhe funksionarët 

Por skema parashikon edhe masa të tjera, që dëshmojnë qasjen propopullore, të majtë të paketës reformuese.  Ulja e përfitimeve dhe rritja e moshës së funksionarëve po realizohet në sinergji me uljen e moshës dhe rritjen e përfitimeve për minatorët dhe profesionet e vështira. Kjo dëshmon për drejtësi paralele të reformës së pensioneve. Skema i sfidon ligjvënësit, duke u hequr të drejtën spekulative për privilegjimin e vetes. Ky është një ushtrim i vështirë për klasën politike, të cilin deri sot nuk e ka zgjidhur asnjë trupë ligjvënëse. Por që në këtë qeverisje ka marrë rrugë.

Fundi i hipokrizisë me pensionet e fshatit

Njehsimi i pensioneve rurale me ato urbane është jo vetëm një çlirim për skemën e pensioneve, por edhe sfidë ndaj një padrejtësie. I ashtuquajturi sigurim i fermerëve ishte shndërruar në një “gjyle nëpër këmbë” për skemën, duke e rënduar atë. Praktikisht, furnizimin e skemës me kontributet e fermerëve e bën ende buxheti i shtetit. Kjo është më shumë sesa një hipokrizimi i sistemit. Por pavarësisht kësaj, më shumë se gjysma e fshatarëve shqiptarë janë treguar indiferentë ndaj detyrimit për të paguar kontribute.  Por kultura u ulët kontributive e fshatit rëndon mbi “vegjëlinë” e qyteteve, të cilët paguajnë detyrime, por marrin pensione të ulta. “Disiplinimi” i kontributeve të fermerëve do të sjellë natyrshëm rritjen e pensioneve minimale. Por pension minimal përfitojnë aktualisht mbi 65 përqind e pensionistëve.

Pensioni social: jo më “pensionistë pa pensione”!

Tipari kryesor i reformës së pensioneve është fuqizimi i dimensionit të saj kontributiv. Por reforma nuk ka mbyllur sytë para difektëve njëzetëvjeçare të skemës. Mungesa e grumbullimit të kontributeve ka prodhuar në mënyrë ciklike “pensionistë pa pensione”. Kjo gjendje nuk mund të tolerohej më sepse jemi pikërisht në kohën kur personat që gjatë tranzicionit kanë qëndruar, shumica jo për faj të tyre, jashtë skemës, nuk mund të lihen në mëshirë të fatit.  Për vitin 2015 janë llogaritur rreth 5 mijë, por ata shtohen me rreth 1 mijë në vit. Prandaj bashkëjetesa e pensionit social me rritjen e kontributeve në skemë është një politikë tipike propopullore e cila bashkon qëndrueshmërinë financiare të skemës me dimensionin e saj njerëzor.

Një skemë e fuqishme: e besueshme për njohjen e kontributeve të emigrantëve

Po afrojnë vitet kur vendi do të përballet me pasojat e daljes në pension të emigrantëve, të cilët gjatë viteve të fundit nuk kanë paguar kontribute në Shqipëri. Brezi i emigrantëve, të cilët emigruan në fashat moshore 35-45 vjeçare ka arritur ose po arrin moshën e pensionit. Për të qenë të sinqertë, vendet kryesore pritëse të emigrantëve shqiptarë, Greqia dhe Italia, nuk kanë shfaqur deri tani ndonjë vullnet të dukshëm politik për njohjen reciproke të kontributeve dhe përfitimeve të pensioneve.  Përveç të tjerash, ky ngurrim mund të lidhet edhe me dobësitë financiare të skemës së pensioneve në Shqipëri. Prandaj qëndrueshmëria financiare do ta bëjë skemën më të besueshme, të paktën për sistemin e sigurimeve shoqërore të vendve pritëse.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi