Qëndrueshmëria e reformës në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor
Nga Artan Boriçi, botuar në Dita, 7 maj 2014
Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor i ka bazat insitucionale me Institutin e Shkencave dhe Institutin Pedagogjik në vitin 1946. Kjo nismë mbështetej në vizionin e Minsitrit të Arsimit “për krijimin e kuadrove të larta në fushën e teknologjisë dhe shkencës” (Nga fjala e mbajtur në Fakultetin e Shkencave të Natyrës më 20 dhjetor 1946; “Arsimi popullor”, 1947, nr. 1.). Vizioni i ministrit të shkolluar në vendet e zhvilluara të asaj kohe, por dhe të kohës së sotme, mbetet i njëjtë edhe për qeverisjet e sotme për arsyen e thjeshtë se arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor kanë objektiva afatgjatë dhe të pandryshueshëm. Si të tilla, ato nuk janë objekt diskutimi, por jetësimi. Qeverisjet e ndryshme dallojnë prej faktit se sa janë në gjendje të jetësojnë programin kombëtar të arsimit të inicuar prej Rilindjes Kombëtare, një program tashmë 150 vjeçar. “Raporti i parë për reformimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”, i publikuar së fundmi, është dokumenti i parë që qeverisja e sotme publikon për jetësimin e programit qeveritar në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shekncor. Ky dokument është në vazhdën e përpjekjeve të qeverive të tranzicionit për të jetësuar programin kombëtar të arsimit. Dokumenta të ngjashëm janë prodhuar edhe në vitet 2006 dhe 2010, i pari me më shumë fat se i dyti, meqenëse shtyllat themelore të tij u jetësuan në ligjin e arsimit të lartë që është sot në fuqi. Në dallim prej këtyre dokumentave, raporti i vitit 2014 është shumë më tepër teknik dhe shumë më pak transparent në deklarimin e objektivave. Megjithëse për specialistët e fushës nuk është e vëshirë të lexohen përfundimet e raportit, ai është vështirësisht i lexueshëm për specialistët e fushave të ndryshme dhe aq më pak për nxënësit shqiptarë e familjet e tyre. Dokumenti i këtij viti, ashtu si dhe dokumentet e viteve 2006 e 2010 janë përpjekje për realizimin e vizionit të një Shqipërie të zhvilluar ekonomikisht dhe të integruar në BE në kushtet e një kapitalizmi të zhvilluar dhe kostove të larta të arsimit dhe kërkimit shkencor. Në dallim prej njëri-tjetrit, disa prej raporteve të vitit 2006 propozojnë institucione të pavarur prej qeverisë që sigurojnë qëndrueshmërinë e reformimit të vazhdueshëm dhe afatgjatë të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor përballë ndryshimeve qeverisëse. Është me rëndësi jetike për zhvillimin e vendit që parlamenti shqiptar të krijojë institucione të tilla të qëndrueshme ashtu sikurse ka krijuar në fushën e drejtësisë dhe atë të politikës monetare me borde të emëruara dhe të rinovuara prej tij. Për të qenë më konkret, dokumenti i vitit 2014 parashikon institucione si ASCAL dhe AKKSH që duhet të jenë të këtij tipi, por që në dokument ASCAL qëndron në varësi të MAS dhe AKKSH qëndron i “pavarur”. Pavarësia institucionale e akreditimit, sigurimit të cilësisë dhe kërkimit shkencor prej qeverisë është thelbësore për një qëndrueshmëri të reformimit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Po kështu, dokumentet e vitit 2006 propozojnë që institucionet e pavarura të kenë edhe rol këshillues për politikat arsimore dhe shkencore mbi qeveritë, këshilla që bëhen publike, jo domosdoshmërisht të ndjekura prej qeverisë. Përsa i përket qeverisjes dhe administrimit të IAL të gjitha dokumentet historikisht mbështeten mbi të njëjtat parime si autonomia, përgjegjshmëria dhe llogaridhënia si dhe ndarja e përgjegjësive administruese me ato akademike, parime këto të sanksionuara në ligjin në fuqi. Por në dallim prej njëri-tjetrit një raport i vitit 2006 vëren shkallën e lartë të korrupsionit në zbatimin e ligjeve në Shqipëri, i cili edhe një ligj shumë të mirë e kthen në një dokument të pavlerë. Si për të vërtetuar këtë “profeci”, statutet dhe rregulloret e IAL që pasuan ligjin e vitit 2007 ishin shpesh në kundërshti të hapur me këtë ligj, por hynë në fuqi me miratimin e heshtur të MASH. Për të shmangur devijimet, pjesë e korrupsionit të përgjithshëm të jetës shqiptare, raporti i sotëm jep zgjidhje radikale siç janë përqendrimi në MAS i agjencive dhe i politikave arsimore afatgjata ose edhe i dokumentacionit shkollor me qëllim shmangien e falsifikimit. Zhvillimi i insitucioneve dhe lufta kundër korrupsionit janë pjesë e vazhdueshme e demokracive, ndërsa përqendrimi i pushteteve korrupton vetë demokracinë. Meqë parimi i delegimit, pavarësisë dhe kontrollit institucional horizontal nuk janë pjesë e raportit më të fundit, arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor vendosen në një pozitë të komanduar prej qeverisë, pavarësisht prej pavarësisë institucionale të IAL-ve. Është thelbësore që dokumenti në fjalë të përmirësohet në këtë drejtim duke këshilluar qeverinë për krijimin e institucioneve të pavarura nga qeveria si ASCAL dhe AKKSH, ndoshta nën një kulm të vetëm së bashku edhe me përbërësen këshilluese. Këto institucione duhet të jenë në varësi direkte prej parlamentit. Qeveria mund të zgjedhë të kundërtën, ashtu siç e ka bërë në të shkuarën për qëllime politike dhe populiste duke vepruar kështu në kundërshtim me programin e vet qeverisës dhe duke mos zgjidhur problemin por duke ia lënë atë kalendave greke. Raporti nuk duhet të jetë pjesë e lojës politike, por duhet të lartësohet mbi të. Por në qoftë se bëhet pjesë e saj në mënyrë të pandërgjegjshme, atëhere ai është historikisht i shfajësuar.
Anëtar i komisionit të reformimit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor 2006