Dy reformat e banesave dhe gjendja e qyteteve shqiptare
Nga Gentian Kaprata, botuar në Mapo Online, 7 maj 2014
Qytetet shqiptare, për nga mënyra e zhvillimit të tyre dhe produkti konkret i kësaj mënyre, janë ndër qytetet më tëkeqjetueshme që unë njoh. Sikur ky perceptim të kufizohej vetëm tek unë, kjo nuk do ishte ndonjë problem apo çështje në diskutim. Por niveli i lartë i kritikës dhe përfshirja e gjerë e opinionit publik është i tillë që të bën të besosh, se nëse ka një gjë për të cilën shqiptarët bien dakord është gjendja e papranueshme e qendrave të banuara shqiptare. Arsyet që çuan në një realitet të tillë i përkasin një spektri shumë të gjerë. Ato fillojnë nga zhvillimi i paplanifikuar i qyteteve tona, te fragmentarizimi i zhvillimit. Nga administrimi i keq i zhvillimit ndërtimor tek atomizimi i interesave të komuniteteve. Nga vendimmarrjet preferenciale të administratave, te dëshira e madhe për t’u pasuruar brenda natës. Një listë të gjatë arsyesh mund të krijonim në këtë rast, për shumicën e të cilave është folur shpesh dhe gjatë. Por, nëse e observon më thellë problematikën e gjendjes ekzistuese dhe shkaqet që çuan te kjo pasojë, do të gjesh se ka dy argumente që duket se askush nuk i prek. Dy reformat liberale të pronësimit të banesave, të implementuar dhe në implementim e sipër nga qeverisjet shqiptare të viteve të tranzicionit. E kam fjalën për reformën e privatizimit të stokut socialist/të përbashkët të banesave, e bërë me një ligj të vitit 1992, dhe reformën e legalizimit të ndërtimeve informale që ka filluar me një ligj në vitin 2004 dhe vazhdon. Ndërsa pritet që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një ligj tjetër këtë muaj. Nga reforma e parë përfituan rreth 180 mijë familje shqiptare që banonin me qira simbolike në banesa shtetërore. Ndërsa nga reforma e dytë numri i familjeve përfituese ka ndryshuar në kohë, sepse edhe vetë reforma (ligji) ka evoluar duke përfshirë çdo herë ndërtimet e bëra gjatë episodit kohor midis dy ndryshimeve. Sidoqoftë, mendohet se ky numër shkon deri në 300 mijë familje. Ky, në fakt, është ndryshimi i dy reformave. Ndërsa për të parën u përcaktua një qëndrim politik, i cili u përkthye në ligj që u implementua me shpejtësi brenda një mandati, në të dytën qëndrimi politik ndryshon me mazhorancat dhe përfshin çdo herë e më shumë përfitues. Mirëpo, ndërsa të dyja reformat kanë dallueshmëri, ato kanë edhe ngjashmëri. Të dyja kanë të përbashkët një kuptim primitiv. Një kuptim që bota perëndimore e ka lënë pas 150 vjet më parë. Kuptimin sipas të cilit, struktura (objekti ndërtimor) e zhvilluar mbi një truall të caktuar është e pandashme nga trualli konkret mbi të cilën është ndërtuar. Bota perëndimore, e cila e njeh dhe e vlerëson prej shekujsh shenjtërinë e pronësisë private mbi tokën, i ka dhënë përgjigje të zgjuara dhe të moralshme ndarjes së vlerës së tokës nga zhvillimi potencial i saj. Po kështu, edhe konceptit të pronësive kolektive mbi të njëjtën pasuri të paluajtshme që ka formën e një agregati me një shumëllojshmëri komponentësh. Aplikimet janë të shumta. Të njëjtit shembuj mund të kishim ndjekur edhe ne. Në vend që të rishpronësonim pronarët e ligjshëm të trojeve ku këto ndërtesa ishin ndërtuar, duke i përjashtuar nga zhvillimi potencial i ardhshëm, duhet t’i përfshinim ata në bashkëpronësinë e një titulli të përbashkët pronësie. Përfitimet nga ky kuptim i moralshëm do të ishin të disafishta.
Për së pari, do t’i kursenim shoqërisë shqiptare një pështjellim të madh social të krijuar nga procese burokratike pafund për njohjen, kompensimin fizik apo monetar të këtyre pronësive. Procese dhe kosto që duket se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Për më tepër, pronarët do ta merrnin në mënyrë të drejtpërdrejtë pronën e tyre dhe do të përfitonin nga të drejtat e zhvillimit të kësaj prone në momentin kur kjo pronë të rizhvillohej. Por më e rëndësishmja, të paktën në kontekstin e këtij shkrimi, është se do kishim një shkak më pak për gjendjen e pajetueshme të qyteteve tona. Përjashtimi nga bashkëpronësia në zhvillimet ndërtimore ekzistuese dhe përfitimet potenciale nga zhvillimi i së ardhmes, drejtoi pronarët në aktivitete ndërtimore në pjesët e “lira” të pronësisë së tyre. Të cilat, nëse në dimensionin e pronësisë ishin troje të pazhvilluara me potencial të lartë zhvillimi, në dimensionin urbanistik ishin hapësira të hapura dhe sociale në shërbim të njësive të banimit dhe pjesë e pandashme e tyre. Hapësira që i mbanin këto njësi banimi në të jetueshme dhe pjesë të një qyteti me dimension human e social.