Reflektime mbi reformën e pensioneve
Nga Prof.Assoc.Dr.Merita Xhumari, botuar në Dita, 6 maj 2014
Ndonëse askush nuk e përmendi 29 Prillin si datën që Komisioni Evropian prej disa vitesh e ka shpallur Ditën e Solidaritetit Social, mund të quhet një koincidencë e mirë që qeveria në bashkëpunim me Bankën Botërore zgjodhën pikërisht këtë datë për të shpallur programin për reformën e pensioneve në Shqipëri. Në themel të kësaj reforme është përmirësimi i skemës aktuale të pensioneve mbështetur në modelin Pay-As-You-Go, që sundon prej mëse 100 vjetësh në Evropë dhe që ka si parim bazë solidaritetin social. Nuk është e rastësishme që edhe aktorët e shoqërisë civile si ASAG, Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat, me datë 25 prill organizuan një konferencë ndërkombëtare që gjeti mbështetjen nga organizata ndërkombëtare EURAG, Federata Evropiane e Moshimit dhe UNFPA në Shqipëri. Në të dy rastet mesazhi që përcillej ishte i qartë: thelbi i politikave mbi moshimin është forcimi i solidaritetit social që të dy brezat, si brezi i vjetër edhe brezi i ri të jenë në pozita “win-win” për të dy palët. Kjo nënkupton që rritja e standardeve të jetesës për të moshuarit, nuk do të thotë një barrë e kosto shtesë për kontribuesit e sotëm të sistemit që janë brezat e rinj aktivë. Reforma e pensioneve synon një rritje të jetëgjatësisë aktive për grupmoshat e larta, që të ndihen të përfshirë në zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë. Presidenti i EURAG, zoti Dirk Jarre, duke ju drejtuar të moshuarve në konferencë tha se “Ne jemi e ardhmja”, duke iu rritur besimin se misioni i tyre nuk lidhet vetëm me të shkuarën. Kjo ide manifestohet qartë sot në politikat aktive të tregut të punës dhe të pensioneve që nxisin e motivojnë individët të jenë aktivë, duke përcjellë tek brezi i ri përvojat e tyre të vyera, të ndjehen të respektuar për veten në radhë të parë dhe nga komuniteti ku jetojnë. BE Në strategjinë e BE (“Europa 2020”) përcaktohet si objektiv final rritja e qëndrimit aktiv ndaj punës deri në moshën 75 vjeç.
Ndryshimet në strukturën demografike, të shoqëruara me krizën globale ekonomike dhe problemet sociale të papunësisë e varfërisë, e kanë vendosur në axhendën politike reformën e pensioneve. Në Shqipëri, raporti i varësisë së moshës joaktive me moshën aktive të popullsisë është më i mirë se çdo vend evropian, ndërsa raporti i varësisë së sistemit të pensioneve është më i larti, ku 1 pensionist mbështetet nga 1 kontribuues. Ndërkohë që struktura demografike ishte e favorshme për vendosjen e skemës PAYG, emigrimi i gati 1/3 së forcave të punës në këto 20 vjet dhe lulëzimi i ekonomisë informale sollën një rritje të paparashikuar të shkallës së varësisë së sistemit të pensioneve, nga 5 kontribuues për 1 pensionist që ka qenë ky raport para viteve 1990. Kjo përmbysje e treguesit kryesor të sistemit të pensioneve reflekton gjithë problematikat politike, ekonomike e sociale të tranzicionit shqiptar. Prandaj edhe suksesi i reformës së pensioneve duhet kuptuar si pjesë e zhvillimit të integruar ekonomik e social të vendit. Kështu do të kuptohej edhe fjala e kryetarit të qeverisë Z. Edi RAMA në prezantimin e reformës së pensioneve, ku theksoi se “Ne po e adresojmë këtë çështje, por nuk e zgjidhim me urgjencë”.
Ndryshimi i formulës së llogaritjes së pensionit duke hequr kufirin maksimal të kontributeve dhe përfitimeve përbën ndryshimin kryesor të reformës. Përderisa sistemi i pensioneve është i lidhur me sistemin e pagave, liberalizimi i pagave në këto 20 vjet kërkonte domosdoshmërisht liberalizimin e pensioneve. Qeveria po përmbush një detyrim ligjor të së paku 10 viteve të fundit që buron nga Konventa nr. 102/1952 e Organizatës Ndërkombëtare të Punës mbi “Standardet Minimale të Mbrojtjes Shoqërore”, ratifikuar nga qeveria shqiptare që në vitin 2005. Më në fund do të përmbushet një nga detyrimet që masa e përfitimeve nga skemat e sigurimeve shoqërore duhet të jetë minimalisht sa 40 përqind e të ardhurave mesatare në vend. Ndërkohë që Maqedonia e ka sanksionuar masën e pensionit të pleqërisë sa 60 përqind e të ardhurave mesatare, që përbën kufirin e varfërisë të përcaktuar nga BE në Strategjinë Europa 2020.
Që të arrihet qëllimi për një pension dinjitoz të lidhur drejtpërdrejtë me kontributin, kjo kërkon mbi të gjitha rritjen e numrit të kontribuuesve dhe të masës së kontributit. Sigurisht që ndryshimi i formulës së llogaritjes së pensionit mbi parimin: “paguaj më shumë dhe fito më shumë” nuk sjell spontanisht rritje të burimeve të të ardhurave për pensionet, sikurse pritej edhe në rastin e uljes së masës së kontributit nga reformat e qeverisë së mëparshme. Kjo duhet shoqëruar me rritjen e rolit të shtetit si rregullator në ekonomi, ushtrimin e funksioneve të kontrollit të informalitetit, që ka arritur me shifra zyrtare në 40 përqind (INSTAT, AFP 2012). Sepse në mentalitetin e një shoqërie të varfër sundon mendimi të zgjidhë problemet e ditës, e jo të mendojë për risqet e së nesërmes. Prandaj shteti sot paguan haraçin e subvencionimit të skemës së pensioneve.
Krahas rolit si subvencionues, shteti del në rolin e kontribuuesit për të vetëpunësuarit në bujqësi, që përbëjnë rreth 50 përqind të forcave të punës në Shqipëri. Kjo politikë lehtësuese për gati 20 vjet nuk solli rezultatet e parashikuara. Popullsia rurale në vend që të vazhdonte sigurimin në skemën PAYG duke ruajtur të drejtat e fituara, e braktisi bujqësinë dhe fshatin drejt qytetit, madje edhe më larg drejt emigracionit, sepse e kishte të pamundur të investonte me bujqësi. Sot ka ardhur dita që kjo histori të mbyllet, duke zëvendësuar këto politika të mbështetjes pasive pa bereqet, me politika të mbështetjes së investimeve në bujqësinë e vendit. Një i vetëpunësuar në bujqësi do të vlerësonte më shumë mbështetjen e shtetit për t’i lehtësuar veprimtarinë e tij ekonomike, e cila do t’i siguronte të ardhura të mjaftueshme edhe për pagesat e kontributeve. Sot ata që kanë kontribuar në sistemin e sigurimeve shoqërore për 18 vjet e kanë fituar të drejtën e pensionit të njëjtë me atë të popullsisë së zonave urbane. Ndërsa kjo masë e përfitimit është unifikuar, masa e kontributit e një të vetëpunësuari në bujqësi është më e ulët. Ajo, sikurse dhe të gjithë të vetëpunësuarve të tjerë dhe punëdhënësve privatë llogaritet apriori mbi pagën minimale. Po t’i referohemi përsëri Maqedonisë fqinje, masa e kontributit për sigurimet shoqërore llogaritet mbi të ardhurat mesatare vjetore të të vetëpunësuarve. Përse tatimorët kërkojnë taksat mbi të ardhurat reale, kurse për kontributet e sigurimeve shoqërore nuk zbatohet e njëjta logjikë, duke transferuar në drejtim të ISSH subvencione, kontribute shtesë apo financime për kompensime.
Rivendosja e ISSh nën autoritetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë plotësoi sistemin e mbrojtjes shoqërore dhe na bën të besojmë se do të zbatohet integrimi i institucioneve në këtë sistem. Kjo filloi me garantimin e së drejtës për sigurimin e pensionit social, një përfitim që qëndron midis skemave të pensioneve dhe ndihmave sociale për grupet e varfra të shoqërisë, i cili do t’i garantohet çdo personi mbi 70 vjeç. Kjo kërkon qartësime edhe në të drejtat e përfitimit nga program i ndihmës ekonomike, që e përjashtonin nga e drejta e përfitimit familjen me pensionistë në përbërjen e saj. Kuptimi i këtij ndryshimi është se familja përfiton ndihmë ekonomike dhe i moshuari pension social me qëllim që të mos braktiset nga familjarët e tij.
Ndryshimet parametrike të rritjes me dy muaj në vit të moshës së daljes në pension të grave deri në vitin 2032 mund të krijojnë pakënaqësi në rastet kur ato janë jashtë tregut të punës ose kur presin me padurim arritjen e moshës për të kërkuar të drejtën e pensionit të pleqërisë. Deri tani përcaktimi i moshës së daljes në pension është kuptuar dhe zbatuar si një e drejtë e punëdhënësit, (në sektorin publik më shumë), për t’i nxjerrë të punësuarit nga puna sapo arrijnë këtë moshë, dhe jo si e drejtë e personit të punësuar për të kërkuar një përfitim social si pensioni, pavarësisht nëse zgjedh të punojë apo jo. Referuar moshave të daljes në pension, ato janë shumë afër moshës së përcaktuar nga sistemi i sigurimeve shoqërore, ndonëse aty ka hapësira zgjedhjeje për të qëndruar më gjatë apo për të dalë më herët në pension. Integrimi i skemës së sigurimit në rast papunësie me skemën e pensioneve për personat afër moshës së pensionit dhe me një historik kontributi prej 30 vjetësh, do t’u mundësonte atyre që janë jashtë tregut të punës të përfitonin deri në 5 vjet, sa të plotësonin moshën e daljes në pension, dhe jo vetëm 1 vit, sikurse është sot skema e sigurimit në rast papunësie. Ka mbetur ende për t’u realizuar edhe ndërthurja e skemës së pensioneve me sigurimin në rast papunësie, pasi jo rastësisht kjo degë iu shtua sistemit të sigurimeve shoqërore në vitin 1993. Ideja qëndron në nevojën e përmirësimeve edhe të skemës së sigurimit në rast papunësie për të zbatuar parimin: kush paguan më shumë, përfiton më shumë. Në këtë kontekst, duhet të rivlerësohet masa e përfitimit nga sigurimi në rast papunësie, e cila jo më kot u përcaktua fillimisht e barabartë me pensionin minimal të pleqërisë. Edhe Konventa nr. 102/1952 ka si standard minimal përfitimi për personin që del i papunë të njëjtën masë si pensioni i pleqërisë, minimalisht 40 përqind të të ardhurave mesatare. Obama kërkoi të trajtohej papunësia afatgjatë në SHBA, ndërkohë që papunësia afatgjatë përbën 70 përqind të të papunëve të regjistruar në Shqipëri (INSTAT, AFP 2012). Ky indikator social përbën një arsye më shumë që të reflektohet edhe për rishikimin e skemës së sigurimit në rast papunësie.
Historia e sistemit të parë të sigurimeve shoqërore të Bismarkut në Gjermani që ne kemi marrë si model shquhet për një tipar kryesor: kompromisin midis shtetit, sindikatave të punëtorëve dhe punëdhënësve të tyre. Nëse këta partnerë socialë nuk hyjnë në rolet sociale që në Shqipëri janë institucionalizuar me krijimin e Këshillit Administrativ të ISSH, të SHKP dhe Këshillit Kombëtar të Punës, vështirë se vetëm qeveria mund të përmbushë reformat e saj. Parashtrimi i politikës së pensioneve të bën optimist që kjo çështje u shtrua për zgjidhje, por që misioni i qeverisë këtu fillon për të diskutuar dhe zbërthyer deri në detaje çdo komponent të tij, për të ndarë përgjegjësitë mes aktorëve sociale dhe për të mobilizuar të gjitha burimet për përmbushjen e objektivave të saj. Grupet e interesit, si shoqatat e pensionistëve, invalidëve të punës, të punëdhënësve, sindikatat, të cilat janë nga organizatat më të fuqishme të shoqërisë civile në botë, ka ardhur momenti të bëhen pjesë e procesit të zbatimit me sukses të reformës së pensioneve.