Efektet e pathëna të ndarjes territoriale
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 4 maj 2014
Prej muajsh vijojnë përpjekjet paralele të dy palëve politike lidhur me reformën territoriale: një palë që e mbështet, e kërkon dhe premton ta bëjë përmes kartonave parlamentarë dhe një palë që e refuzon, i frikësohet dhe kërcënon protesta nëse miratohet. Në fakt dy palët janë të ndërgjegjshme se duhet bërë reformë e re territoriale, dy palët e njohin detyrimin ligjor për reformën e re çdo 10 vjet, dy palët e kanë premtuar në fushatën elektorale dhe dy palët kanë interes afatgjatë për këtë reformë. Midis konsensusit parimor të dy palëve dhe ndarjes së thellë midis tyre ekzistojnë interesa të tjera për të cilat pakkush flet. Nuk janë kufijtë lokalë dhe as mandatet e kryetarëve të komunave, nuk janë ekzistenca e qarkut dhe as dallimet në projeksionin e ri. Janë argumente të tjera, të cilat i fshihen publikut dhe që përmenden, kryesisht vetëm në takime ndërkombëtare.
Interesi i parë është politik dhe elektoral. Sado që dikush ka kurajë të thotë se ndarja e re nuk ka lidhje me politikën dhe zgjedhjet 2015 është e qartë se mbi të gjitha ndarja është projekt politik dhe ka pasojë elektorale. Mbi bazën e këtij interesi afatshkurtër palët ndodhen në pikat ekstreme ndaj njëra tjetrës. Për shkak se mazhoranca e re është solide, opozita është në rënie dhe pritshmëria më 2015 është rezultati dominues i mazhorancës ndaj opozitës, pritet që në ndarjen e re kjo dominancë të jetë e shumëfishtë. Nëse deri sot PD dhe PS e ndanin pushtetin vendor 50 me 50 ose 60 me 40 dhe anasjelltas, me ndarjen e re do ketë vetëm 50 njësi, nga të cilat, sipas llogaritjeve paraprake, e majta mund të fitojë të paktën me një vonë më shumë në 80% të tyre. Teorikisht kjo mund të ndodhë edhe nëse mazhoranca fiton 40-42 njësi në zgjedhje direkte për kryetarin me vetëm një votë më shumë se kandidati tjetër, pra me 40-42 vota merr kontrollin e më shumë se 80% të territorit kombëtar. Në këtë rast një palë me 51% të votave në mazhoritar do kontrollonte 80% të territorit, kurse një tjetër me 49% do kishte më pak sesa 20% të tij. Një nonsens politik dhe në përfaqësimin qytetar. Dhe në politikë, çdo gjë me propabilitet teorik, ka shanse të jetë edhe praktike.
Për pasojë, nëse kjo ndodh, opozita do mbetet me përfaqësim minor, në qytete periferike duke humbur një bazë të mirë përfaqësimi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në variantin e sotëm opozita mund të humbë shumicën e zonave vendore, por gjithsesi, pjesa e mbetur e shpërndarë në gjithë vendin, përbën një bazë me rëndësi për zgjedhjet e tjera. Për shembull, mund të fitojë ca njësi bashkiake në Tiranë, ndonjë bashki ngjitur me të, disa komuna, etj, kurse në ndarjen e re territoriale me një kryetar të vetëm për Tiranën mund ti humbasë të gjitha, për shkak të ndarjes dhe sistemit që prodhon ajo. E njëjta logjikë vlen edhe për njësitë e tjera vendore. Ndëshkimi që jep ndarja e re është dyfish më e madhe sesa me ndarjen e vjetër, ndaj edhe opozita kërkon evitimin e saj, shtyrjen deri në zgjedhjet e vitit 2019.
E lidhur me këtë është edhe argumenti i frikës ndaj “oligarkisë”. Mazhoranca ndjehet solide sepse pakënaqësitë ndaj PS, sipas sondazheve, po shkojnë në preferencë pragmatiste tek LSI, jo tek opozita. Modeli i klientelizmit të pushtetit si sistem politik dhe qeverisës, modeli i kompromisit për vende pune dhe përfitime, i trafikut të votave, etj, mund të jetë bazë e sigurt votash për të majtën nëse del (siç pritet) me kandidatë të përbashkët në njësitë vendore. Pra, debati kryesor nuk do jetë se cili është kandidati i opozitës, por cili do jetë kandidati i mazhorancës në shumicën e njësive vendore. Kësaj skeme i frikësohet PD, e cila praktikisht e ndërtoi vetë gjatë katër viteve të fundit në koalicion me LSI. Tani ish aleati dhe modeli i saj politik po i kthehet në rrezik kryesor opozitës. Mbi këtë argument opozita flet për oligarki, dhe, pavarësisht se me këtë cilësim nuk fiton mbështetje brenda, të paktën tërheq vëmendjen jashtë, tek diplomatët dhe faktori ndërkombëtar i përfshirë në procesin e ndarjes territoriale.
Në gjuhën politike humbja dhe fitorja e zgjedhjeje janë proces normal, i paevitueshëm dhe nevojë për jetësimin e demokracisë. Në rastin shqiptar kjo ka edhe një lexim tjetër shumë më pragmatist: humbja e pushtetit dmth humbje e burimeve të financimit të partisë politike, humbje e shanseve për punësimin e mbështetësve politikë, humbje e shansit për pjesëmarrje në politikat e tenderimit të një pjese të madhe nga buxheti shtetëror e projektet e huaja, humbje e kontrollit mbi territorin, etj. Pra, kur një palë frikësohet për humbjen në tavolinë me ndarjen e re të një sërë njësive vendore që përbëjnë burim kapital, financiar e njerëzor për të, në fakt shqetësim nuk janë parimet e ndarjes territoriale, por sistemi i klientelizmit që mban, ushqen dhe drejton sistemin e partitokracisë në Shqipëri. Në këtë pikë të gjitha palët janë njësoj, por në rastin konkret, pala që nuk është në pushtet dëmtohet më shumë nga sistemi klientelist që vetë ajo aplikoi përpara 23 qershorit. Në këtë argument duhen kërkuar arsyet e retorikës kërcënuese dhe paralajmëruese kur flitet për kundërveprim nëse një palë, vendos të përdorë kartonat për një ndarje territoriale që mund të çojë në një ndarje të thellë politike, – pra në një krizë të re politike.
Cila është zgjidhja? Së pari që palët të flasin hapur dhe të jenë transparent me publikun. Ekspertët e qeverisë të tregojnë atë që praktikisht kanë treguar çdo fundjavë në selinë e PS/LSI, projektin elektoral 2015 dhe 2017 të tyre, ekspertët e opozitës të tregojnë se thembra e Akilit për ata nuk janë ndarjet e komunave, por pasoja zgjedhore më 2015 dhe 2017. Së dyti që palët të ofrojnë mekanizma garancie, kontrolli dhe verifikimi për njëra tjetrën, qoftë duke marrë në konsideratë p.sh, deri edhe referendumin ose shtyrjen e efektit të ndarjes së re përtej zgjedhjeve 2015, qoftë edhe duke gjetur mekanizma kompensimi për një përfaqësim më proporcional të votës kombëtare. Një zgjidhje e tretë do të ishte korrektimi i sistemit të përfaqësimit politik, duke kaluar në zgjedhje direkt të Presidentit, të deputetëve, dhe të rritjes së peshës së këshillave bashkiakë, në mënyrë që këta të fundit, si vullnet proporcional, të kenë më shumë të drejta dhe përgjegjësi. Ekzistojnë edhe praktika të tjera, të cilat mund të rishikohen dhe të merren në konsideratë, mjafton të ketë vullnet politik.
Secila alternativë ka risqet dhe kritikët e vet. Mazhoranca e sotme nuk duhet të harrojë se një ditë do të jetë opozitë dhe nëse krijon një sistem piramidal “jam shumicë, marr gjithçka”, ky sistem nesër mund ti kthehet bumerang, siç po ndodh sot me ish mazhorancën dhe siç ndodhi me ndryshimet kushtetuese 2008. Mazhoranca ka përgjegjësinë të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme dhe mbi të gjitha të besueshme që tejkalojnë interesat partiake të momentit. Pjesën e parë e ka bërë, të dytën më të rëndësishmen ende jo.
Nga ana tjetër opozita e sotme nuk duhet të harrojë se më shumë se interesat e saj afatshkurtra politike, reforma si kjo kanë të bëjnë me interesat e vendit dhe demokracisë. Ajo mund të provokojë një krizë të re politike, por rrezikon të humbasë kredon morale që ka nevojë për ri-ngritjen dhe besueshmërinë e saj, të cenuar ndjeshëm në vitet e fundit. Edhe ajo pjesën e parë po e bën, të dytën, më të rëndësishmen ende jo.
Palët po flasin me ndarjen territoriale, por de facto po mbajnë të fshehur projektin për ndarjen e re politike dhe ekonomike. Ato po mbajnë jashtë procesit qytetarët, të cilat do jenë përfituesit/viktimat kryesore të këtij procesi kompleks, – një sjellje tipike për praktikat konsensuale të oligarkisë së re që po ngrihet me alibinë e reformës apo të mbrojtjes së vlerave. Kjo sjellje konsensuale rrezikon ta bëjë ndarjen edhe më të trishtë, dhe pasojat e saj edhe më afatgjata. Një lajm që po e shohim të gjithë, por që askush nuk do ta besojë.