Shqipëria, BE dhe Euroskepticizmi
Nga ERMELINDA MEKSI, botuar në Shqip, 2 maj 2014
Në fund të majit, rreth 390 milionë europianë do të ftohen të votojnë për Parlamentin Europian. Këto zgjedhje zhvillohen në një kohë kur BE po kalon krizën më të rëndë ekonomike dhe institucionale në historinë e tij. Që nga zgjedhjet e fundit të 2009 edhe si pasojë e krizës ekonomike, euroskepticizmi është përhapur si një virus. Prandaj rezultati i këtyre zgjedhjeve ka një rëndësi të veçantë, sepse pritet të ndikojë në vetë rolin dhe të ardhmen e BE.
Perspektiva jonë europiane, tashmë e konfirmuar nga BE, nuk mund të lërë mënjanë njohjen e problematikave europiane të kohës. Euroskepticizmi po shfaqet edhe më shumë para zgjedhjeve në Parlamentin Europian, ku partitë e ekstremit të djathtë, janë rreshtuar së bashku me sloganet antieuropiane përkundrejt zgjerimit. Euroskepticizmi po shfaqet jo vetëm ndaj zgjerimit të BE-së, por edhe si përbuzje ndaj vetë BE-së, si një përbuzje ndaj të huajve, emigracionit në përgjithësi dhe kujtdo që konsiderohet “tjetër”, duke justifikuar me këtë qëndrim vështirësitë që hasen sot në kontinentin e vjetër. Ato, më shumë sesa probleme të natyrës ekonomike, shfaqen si probleme politike, ku partitë ekstremiste gjithmonë e më tepër anojnë nga populizmi dhe racizmi, duke treguar mosbesim ndaj partive tradicionale. Këto probleme politike të Europës së Bashkuar, fatmirësisht janë mirëmenaxhuar në shumë prej vendeve anëtare të saj.
Gjermania është shembulli më pozitiv, që edhe në kushtet e krizës, ia ka dalë në raport me vendet e tjera t’i mirëmenaxhojë fenomenet politike që nxisin antieuropianizmin, megjithëse edhe në këtë vend shfaqet skepticizëm për zgjerimin e BE-së. Historia e popullit gjerman ka qenë një lloj vaksine kundër qëndrimeve ekstremiste që po shfaqin partitë e ekstremit të djathtë në Europë, ku meritë të veçantë kanë pasur në këtë drejtim liderët e këtij vendi, si Angela Merkel apo paraardhësi i saj, Gerhard Shrëder. Ata kanë ditur ta orientojnë politikën gjermane në drejtimin e duhur në dobi të vlerave europiane, ku Gjermania është pjesë themeluese qysh me krijimin e Bashkimit Europian.
Sondazhet e opinionit lidhur me zgjedhjet për Parlamentin Europian në 25 maj 2014, në 28 vendet anëtare të BE, parashikojnë se ka të ngjarë që :a) partitë euroskeptike të jenë përcaktuese në vendosjen e ekuilibrit për mazhorancat pas zgjedhjeve në tri shtete të mëdha të BE, si në Francë, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar, b) të bëhen forcë kryesore politike në Greqi, Republikën Çeke dhe Holandë, c) të fitojnë terren më shumë në Danimarkë, Austri, Lituani, Hungari dhe Finlandë.
Sipas M.Leonard dhe J.I.Torreblanca, drejtues dhe studiues të Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, i pari think-tank paneuropian, “… me një prezencë më të madhe në një Parlament më të fuqishëm europian, këto parti mund të ngadalësojnë integrimin e mëtejshëm në eurozonë dhe të minojnë legjitimitetin e projektit europian. Por impakti më i madh i një fitoreje të euroskeptikëve mund të jetë lidhja e BE-së me frikën mbi emigracionin, si dhe kthimi i politikës në një betejë të ashpër dhe të padobishme për ‘më shumë’ apo ‘më pak’ Europë, në vend të sfidave madhore të saj për zhvillim”.
Autorët e sipërpërmendur përpiqen të adresojnë si i duhet përgjigjur euroskepticizmit në rritje. Sipas tyre, beteja e pro-europianëve nuk është thjesht pro dhe anti-Europë, por betejë mbi rëndësinë e ideve politike – si për shembull, dhënia përgjigje politikave me të cilat përballen shtetet anëtare të BE-së, të tilla si punësimi, migrimi, rritja ekonomike etj. Prandaj politikanët proeuropianë duhet të trajtojnë me prioritet çështjet reale, për t’i dhënë popullit zgjedhje reale për to.
Aktualisht, partitë proeuropiane gjenden para rrezikut që të perceptohen si parti elitare, që e duan BE në dëm të shumicës së europianëve. Prandaj në vend të konfliktit midis elitave dhe të popullit, që nxisin euroskeptikët, sfida e partive proeuropiane është vënia e theksit në problemet e njohura europiane, si ato të dobësisë institucionale të euros dhe të deficitit demokratik në BE, ku ky i fundit në vend të nacionalizmit dhe ksenofobisë kërkon zgjidhje konstruktive në nivel europian.
Ndërsa Europa ka nevojë për një veprim vendimtar për të zgjidhur krizën institucionalisht, euroskepticizmi mund të thellojë ndarjet që kanë lindur në Europë, midis Veriut dhe Jugut, kreditorëve dhe debitorëve, pro dhe kundër euros.
Në vend të reformimit të Parlamentit Europian për një angazhim më të madh qytetar në interes të rolit dhe politikave të BE, për një bashkim më të përgjegjshëm dhe më të fokusuar në kompetencat e veta thelbësore, rritja e euroskepticizmit mund të çojë deri në kërkesën paradoksale për abrogimin e tij, në emër të argumentit për më shumë demokraci.
Ndjeshmëria ndaj euroskepticizmit, si dhe lëvizjeve antieuropiane në disa vende të BE, duhet të na përgjegjësojë jo vetëm për të ndjekur me vëmendje lëvizjet globale e problematikat europiane, por edhe më shumë për ta kuptuar procesin e integrimit europian të vendit tonë në gjithë kompleksitetin e tij, që kërkon me prioritet angazhim konstruktiv në nivel kombëtar.