Ndikimi i reformës territoriale në zgjedhjet lokale

Nga Roland Lami, botuar në Mapo Online, 2 maj 2014

Eksponentë të rëndësishëm të PS dhe LSI nuk lodhen së përsërituri frazën se reforma territoriale nuk ka efekte në zgjedhjet lokale të 2015. Sipas tyre, reforma synon të përmirësojë aspekte të mirëmenaxhimit të burimeve natyrore, burimeve njerëzore, zgjerim të kompetencave për një autonomi më të madhe vendore, por kurrsesi nuk paracakton rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Nga një anë, një arsyetim i tillë është i logjikshëm, pasi pesha elektorale nuk është një realitet “i ngrirë”, i cili prezantohet si i tillë në çdo palë zgjedhje dhe çdo cenim i tij afekton subjekte politike të caktuara, përkundrazi, është shumë dinamik. Zgjedhjet e 2013-ës e treguan këtë gjë. Aq më shumë, natyra e zgjedhjeve lokale nxjerr në pah disa karakteristika të ndryshme me ato parlamentare nga pikëpamja e sjelljes së votuesit. Tipike është roli që merr kandidati në raport me partinë në disa njësi zgjedhore. Mirëpo, ky fakt nuk përjashton mundësinë e mosparashikimit të sjelljes së votuesit, sigurisht me një marzh gabimi + -, pasi ka zona zgjedhore që ndryshe konsiderohen bastione ku përsëritet i njëjti rezultat në disa zgjedhje rresht. Për të mos thënë, që ka një numër jo të vogël kryetar komunash që kanë më shumë se një mandat.

Me këtë logjikë, partitë politike duke mos përjashtuar matjet e vazhdueshme në terren të humorit të votuesve, bëjnë parashikimet e tyre në çdo zgjedhje. Sidomos në zgjedhje vendore, ku një gjë e tillë është shumë më e mundshme sesa në zgjedhje parlamentare, pasi numri i banorëve është shumë më i vogël.

Nga kjo pikëpamje, ndryshimi i status quo-së nuk përjashton mundësinë e favorizimit apo penalizimit të një subjekti politik apo koalicioni në kurriz të një tjetri. Aq më shumë që Kodi Zgjedhor aktual shprehet në mënyrë taksative që ndarja e mandateve, si për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, bëhet mbi bazën e ndarjes administrative. Pra çdo ndarje e re administrative merret si bazë në përllogaritjet e mandateve për kryetar Bashkie dhe komune apo anëtari të këshillit bashkiak apo komunal. Mjafton vetëm kjo e dhënë për të kuptuar implikimet e mundshme që sjell ndryshimi territorial në rezultatet e zgjedhjeve lokale. Sigurisht, bie dakord në një pikë, që nuk mund të shprehesh me siguri që reduktimi i njësive vendore paracakton rezultatin e zgjedhjeve për x parti apo koalicion, por gjasat që të favorizohet një subjekt apo koalicion në kurriz të një tjetri janë të mëdha. Sidomos në rastet kur një subjekt apo koalicion ka dëshmuar në çdo palë zgjedhje që ka më shumë votues në rang vendi krahasuar me tjetrin. Dy janë arsyet kryesore.

Së pari, është i njohur fakti që pjesa më e madhe e qyteteve të vogla dhe komunave në disa zgjedhje lokale janë fituar nga e djathta, ndërsa qytetet kryesore dhe një pjesë e komunave janë fituar nga e majta. Përsëritja e të njëjtit rezultat në disa zgjedhje tek disa njësi vendore, ka stabilizuar sjelljen e votuesve duke krijuar dhe zona që ndryshe njihen si bastione. Kjo vlen si për të djathtën dhe të majtën. Kështu që, reduktimi i shumë njësive vendore në disa njësi vendore cenon këtë status quo të stabilizuar në vite. Subjekti politik që ka gjasa të cenohet më shumë me prishjen e status quo-së është e djathta në raport me të majtën, për shkak të numrit më të madh të njësive vendore që vazhdon të administrojë prej shumë vitesh. Sigurisht, bashkimi i disa njësive në një nuk përjashton mundësinë e bashkimit të disa njësive vendore të djathta apo të majta në një, duke mos e cenuar zonën bastion dhe si rrjedhim, thjesht zgjerohet në numër dhe në hapësirë territoriale. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia e bashkimit të disa njësive që votojnë disa për të djathtën dhe disa për të majtën, duke krijuar një realitet tjetër elektoral ku e majta ka më shumë shanse sesa e djathta. Kjo për faktin se e majta historikisht ka pasur më shumë votues në nivel kombëtar krahasuar me të djathtën, aq më shumë sot me përfshirjen e LSI në koalicion, kështu që çdo zgjerim numri votuesish rrit probabilitetin për maksimizimin e votave të majta në raport me të djathtën.

Së dyti, duke ditur se në zgjedhjet vendore aplikohet formula zgjedhore, mazhoritar për kryetar bashkie dhe komune dhe proporcional për anëtarët e këshillit bashkiak dhe komunar, çdo ndryshim territori, e thënë ndryshe çdo rritje numri banorësh, sjell implikime në parashikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Sidomos në garën për kryetar bashkie dhe komune, ku një votë plus përcakton fituesin. Shumë më ndryshe paraqitet situata për zgjedhjet e anëtarëve për këshillin bashkiak dhe atyre komunarë, të cilët zgjidhen me proporcional dhe diferencat e vogla në numër nuk ndikojnë në rezultat. Në garën për kryetar bashkie apo komune mjafton të kombinohen me kujdes disa njësi vendore që njihen si bastion, në një, ose t’u bashkëngjitësh atyre disa njësi vendore që historikisht votojnë për një subjekt apo koalicion politik kundërshtar dhe pesha elektorale të ndryshojë, njëkohësisht edhe mundësia për të përsëritur rezultatin e 2011 të minimizohen. Edhe në këtë rast vështirësohet shumë mundësia e kandidatëve të djathtë krahasuar me të majtët për siguruar mandatin për kreun e bashkisë apo komunës dhe zvogëlohen mundësitë akoma më shumë për të fituar lista e kandidatëve për anëtarë këshilli bashkiak dhe komunar, pasi pesha elektorale e së majtës në rang kombëtar është më e madhe se ajo e së djathtës. Çdo zgjerim territori dhe rritje numri banorësh ka probabilitet më të madh të zgjerojë peshën elektorale të së majtës krahasuar me të djathtën.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi