Dhjetë vjet nga zgjerimi i madh i BE

Nga BERND RIEGERT, botuar në Shqip, 2 maj 2014

Çeku Stefan Fule është sot përgjegjës në Komisionin e BE-së për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë së Unionit. Vendi i tij para dhjetë vjetësh bënte pjesë në grupin e atyre vendeve që hynë njëherësh në BE. Për Fulen, i cili në 2004-n ka qenë ambasador i Çekisë në Britaninë e Madhe, kujtimi i anëtarësimit është një “moment i veçantë”, siç tha në Bruksel. “Mendoni: unë jam sot këtu në sajë të asaj që ka ndodhur dhjetë vjet më parë.”

Integrimi i ish-shteteve me qeverisje komuniste në Europën Lindore dhe i dy ishujve të Mesdheut, Maltës dhe Qipros në BE, në retrospektivë rezulton një sukses i plotë, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht, thotë Stefan Fule.

“Obligimi historik është përmbushur”

Ish-komisioneri për zgjerimin, Gunter Verheugen, i cili përgatiti pranimin e dhjetë vendeve njëherësh në BE, thotë sot se nuk ishte aspak e lehtë të bindeshin shtetet e vjetra anëtare për politikën e zgjerimit. Veçanërisht Franca kishte shumë rezerva, Parisi druante se bilanci i pushtetit brenda BE-së do të zhvendosej në favor të Gjermanisë, thotë Verheugen në bisedë me “Deutsche Welle”. Por pranimi i shpejtë i vendeve europianolindore ishte i domosdoshëm për kapërcimin e ndarjes së Europës. “Unë nuk e kam përjetuar si një lutje në dyert e BE-së të demokracive të reja nga Europa Lindore dhe Qendrore, por si një obligim që buronte nga historia. Nuk ishte fjala për një dobi ekonomike, por shumë saktësisht për një çështje të drejtësisë historike, pasi ato vende nuk kishin mbetur me dëshirë prapa perdes së hekurt, thotë Gunter Verheugen, i cili sot jep mësim në Universitetin e Viadrinës në Frankfurt Oder.

Polonia përfiton më shumë

Rumania dhe Bullgaria mundën të anëtarësoheshin vetëm në vitin 2007, pasi kishin probleme shumë të mëdha me zbatimin e reformave të shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit. Nëse bën një bilanc, të gjitha shtetet anëtare të BE-së kanë përfituar, si të rinjtë ashtu edhe më të vjetrit, beson Janis Emmanouilidis nga instituti “European Policy Centre” në Bruksel: “Por një vend ka përfituar në mënyrë të veçantë, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në pozicionin politik në BE, dhe ky është Polonia. Polonia është fuqia lider në rajon dhe me një peshë që po rritet vazhdimisht në Bashkimin Europian në përgjithësi.”

Natyrisht me njohuritë që disponon sot, disa gjëra ai do t’i kishte bërë ndryshe, thotë ish-komisioneri për zgjerimin, Gunter Verheugen (SPD). Do t’u ishte kushtuar më shumë rëndësi reformave të shtetit ligjor dhe një mbrojtjeje më të mirë për pakicat, si romët, thotë Verheugen për DW.

Dyshimet ruse nuk janë të reja

Që atëherë Rusia ishte e pakënaqur, thotë Verheugen, veçanërisht pasi me shtetet baltike, në BE hynë ish-republika sovjetike. Por në thelb Rusia atëherë kuptoi se kishte nevojë për fqinj me stabilitet dhe se një “zonë neutrale sigurie” mes BE-së dhe Rusisë nuk ishte më e mundur. Rusisë iu bënë edhe të gjitha ofertat e mundshme për bashkëpunim, thotë Verheugen. “Zgjerimi në vitin 2004 dhe 2007 nuk ka shkaktuar dëme në marrëdhëniet europiano-ruse. Këto probleme erdhën shumë më vonë, kur ishte fjala për qëndrimin ndaj vendeve fqinje në lindje të Europës dhe natyrisht, në veçanti ndaj Ukrainës.”

Radhë të gjata pritjeje për anëtarësim në BE

Rruga e mëtejshme e zgjerimit të BE-së është e paracaktuar. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në parim e kanë në xhep premtimin se do të pranohen në BE. Koha megjithatë është e paqartë.

Të mërkurën (30.04.2014) komisioneri Fule i dha shpresë Shqipërisë se këtë verë do të marrë statusin zyrtar të kandidatit. Me Serbinë negociohet tashmë për anëtarësimin. Turqia është që prej vitit 2005 kandidate për anëtarësim. Por negociatat prej vitesh kanë mbetur në vend. Islanda e ka tërhequr kandidaturën e saj. Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia synojnë gjithashtu një lidhje më të ngushtë me BE-në. Nëse këto shtete të “fqinjësisë lindore” do të bëhen ndonjëherë anëtare të plota, është e kontestuar. Politologu Janis Emmanouilidis nga “European Policy Centre”, mendon se popullsia në Ukrainë duhet të shprehet vetë me shumicë, nëse dëshiron të hyjë në BE apo jo. “Vendi është mjaft i përçarë nga brenda. Për shumë ukrainas, Europa është shpresa, për të tjerë më pak. Dhe krahas problemeve në vend ka edhe më të mëdha, pikërisht sjellja me fqinjin tonë të madh, me Rusinë. Këtu duhen sqaruar ende shumë gjëra, në mënyrë që të mund të vendosim se si të sillemi në një moment të caktuar.”

“BE-ja duhet të mbetet tërheqëse”

Pra, nga aktualisht 28 shtete anëtare, BE-ja mund të rritet vitet e ardhshme në 35 ose më shumë shtete. Kështu, ai nuk do të bëhet më i lehtë për t’u drejtuar. Marrja e vendimeve do të bëhet më e ndërlikuar, por jo e pamundur, beson komisionieri Stefan Fule. BE-ja vazhdon të jetë një kornizë orientimi për shtetet në tranzicion dhe demokracitë e reja. Ai është tërheqës. BE-ja duhet të fillojë të shqetësohet kur asnjë vend të mos dëshirojë më të anëtarësohet, thotë Fule. “Tani janë shtatë ose tetë vende që trokasin në dyert e BE-së. Ata trokasin në një kohë kur brenda Unionit disa kanë filluar të kenë dyshime. Unë mendoj se kjo trokitje është jashtëzakonisht e vyer. Nëse trokitja një ditë do të merrte fund, mund të ishte shumë vonë për t’u rënë kambanave të alarmit, që në BE diçka nuk po shkon si duhet.”

Forca të mëdha centrifugale

Ish-komisioneri Gunter Verheugen shqetësohet se BE-ja në gjendjen aktuale ndoshta nuk do të jetë në gjendje në të ardhmen të pranojë anëtarë të rinj. Para dhjetë vjetësh, thotë Verheugen, mbizotëronte mendimi se Europa është një projekt paqeje me një premtim për mirëqenie. Sot janë të shumtë ata që e shohin këtë përkufizim të vjetruar. “Për herë të parë jam i shqetësuar për të ardhmen e këtij projekti. Forcat centrifugale janë shumë, shumë të forta”, analizon Gunter Verheugen. Nuk ka më një mendim unanim për destinacionin e udhëtimit. Për fat të keq shtetet anëtare me zhvillimet kombëtare politike dhe ekonomike, po largohen gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri. “Deri tani, BE-ja qëndron e bashkuar, por dëgjohen e ndihen rënkimet”, thotë Verheugen.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi