Aktorët e organizimit administrativ të territorit dhe roli i gjeografit

Nga Sabri Laçi, Përgjegjës i Departamentit të Gjeografisë në Universitetin e Tiranës, botuar në Mapo, 2 maj 2014

Organizimi administrativ i territorit është një proces i gjatë dhe kompleks, për suksesin e të cilit janë të interesuar shteti, shoqëria, bashkësitë vendore dhe subjektet private. Qëllimi i tij është ndarja e vendit në njësi administrative (kryesore dhe dytësore) me përmasa hapësinore dhe demografike të ekuilibruara, për të mundësuar shfrytëzimin racional të resurseve natyrore, humane dhe ekonomike. Kjo veprimtari duhet të konsiderojë gjithë sektorët ekonomikë e socialë, si dhe të llogarisë dëshirat e nevojat e komuniteteve vendore. Popullsia dhe të gjithë aktorët duhet të ndërgjegjësohen për nevojën e ndërhyrjeve përmirësuese, në përputhje me stadin e arritur dhe perspektivën e zhvillimit demografik dhe social-ekonomik të vendit.

Aktori kryesor në organizimin administrativ të territorit është Këshilli i Ministrave. Në Republikën e Shqipërisë, kjo detyrë i përket ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, i cili bashkëvepron me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrinë e Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Këshillin Kombëtar të Territorit dhe aktorët e tjerë.

Që nisma për organizimin administrativ të territorit të jetë e bazuar dhe e argumentuar, Këshilli i Ministrave krijon një grup pune për studimin e hollësishëm të aspekteve natyrore (gjendja dhe shpërndarja gjeografike e pasurive natyrore); demografike (numri, shtimi natyror, karakteristikat strukturore, shpërndarja territoriale dhe migrimet e popullsisë); ekonomike (burimet ekonomike dhe financiare, niveli i zhvillimit të sektorëve të ekonomisë, infrastruktura); sociale (infrastruktura dhe strukturat sociale, punësimi, niveli i jetesës, arsimimi, niveli kulturor, situata shëndetësore, respektimi i të drejtave të njeriut dhe të pakicave, barazia gjinore, siguria dhe rendi, kriminaliteti, papunësia dhe varfëria), politike-administrative (funksionimi i organizimit administrativ dhe politik-elektoral, ecuria e procesit të decentralizimit të pushteteve) dhe mjedisore (ekuilibrat dhe çekuilibrat në ekosistemet natyrore, raportet hapësinore, ato njeri-natyrë etj.). Meqenëse përballimi i kësaj detyre kërkon njohuri nga shumë fusha, në përbërje të grupeve të punës duhet të ketë gjeografë, ekonomistë, sociologë, demografë, urbanistë, etnologë, juristë, specialistë të mjedisit etj. Ekspertët më të mirë për realizimin e studimeve të tilla gjenden në universitete dhe institucionet e tjera kërkimore-shkencore. Sa më larg ndikimit të politikës të jenë ata, aq më i pranueshëm do të jetë produkti i punës së tyre për spektrin e faktorëve politikë, administratorët rajonalë, institucionet ndërkombëtare dhe publikun e gjerë.

Arritjet e mëdha të vendeve të zhvilluara, ndër të tjera, i dedikohen edhe faktit se atje organizimi administrativ i territorit është bazuar në decentralizmin e pushtetit dhe të kompetencave. Po kështu, rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e gjithanshëm të atyre vendeve ka luajtur mbajtja mirë parasysh e efikasitetit ekonomik dhe social që duhet të sigurojë organizimi territorial. Pa dyshim, modelet e vendeve të zhvilluara janë gjithmonë të dobishme, por nuk mund të pretendohet që ato të jenë plotësisht të imitueshme, pasi Shqipëria, si çdo vend tjetër, ka specifika që lidhen me përmasat, veçoritë natyrore, sistemin politik, nivelin e zhvillimit ekonomik dhe social-kulturore, raportet midis grupeve të interesuara etj.

Në rastin e Shqipërisë, ku ende ndjehet roli autoritar dhe imponues i pushtetit qendror, është me rëndësi të veçantë decentralizimi i punëve dhe kompetencave edhe për sa i përket organizimit administrativ të territorit. Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë merr faktorizimi i rolit të aktorëve rajonalë. Zyrat Rajonale të Administrimit të Territorit kanë për detyrë të sigurojnë lidhjet midis bazës dhe institucioneve më të larta. Ato udhëheqin studimet që shërbejnë si burime informimi, sinteze dhe reflektimi mbi situatën dhe zhvillimin rajonal. Pikërisht atyre u përket të përgatisin Planet Rajonale të Organizimit Territorial, të cilat shoqërohen me dosjet me informacione dhe të dhëna të bollshme dhe të përditësuara, mbi bazën e të cilave mund të propozohen ndryshime në organizimin administrativ të territorit. Studimet rajonale u sigurojnë institucioneve qendrore materialin e nevojshëm për hartimin e politikave administrative-territoriale kombëtare, i cili përmban:

–          vlerësime për zhvillimet e mëparshme dhe situatën momentale të organizimit hapësinor, shkallën e zhvillimit social-ekonomik dhe të urbanizimit, diferencat në zhvillimin rajonal dhe sektorët më pak të zhvilluar etj;

–          argumente për riorganizimin administrativ të territorit, drejtimet kryesore të ndërhyrjes dhe objektivat, institucionet që duhet të angazhohen, koston e shpenzimeve dhe burimet financiare të mundshme, rezultatet e pritshme, disa sqarime udhëzuese etj.

Një tjetër aktor për t’u marrë në konsideratë është shoqëria civile. Organizatat joqeveritare dhe shoqatat profesionale, në shkallë vendi dhe rajoni, kanë rol të rëndësishëm, sidomos kur është fjala për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si dhe të hapësirave ekonomike dhe sociale të kategorive të ndryshme profesionale. Ndërkohë, rol akoma më të rëndësishëm luajnë sindikatat, të cilat duhet të mbrojnë interesat e kategorive sociale dhe profesionale që përfaqësojnë, duke u angazhuar drejtpërdrejt në veprimtarinë për riorganizimin administrativ të territorit.

Në vitet ’60 të shekullit të kaluar, organizimi territorial përfaqësonte një nga drejtimet kryesore të aplikimit të gjeografisë, pikërisht fushën ku kjo disiplinë shfaq më të mirën e saj, si nëpërmjet aftësisë për të ofruar sinteza ndërdisiplinore, ashtu edhe nëpërmjet sensit të orientimit në hapësirë. Kjo tendencë është theksuar më shumë gjatë periudhës që pason, kur gjeografia është bërë, gjithnjë e më shumë, një shkencë e aplikuar (M. Philipponneau, 2007). Edhe në Shqipëri, pas vitit 1990, gjeografia është zhvilluar pikërisht në këtë drejtim. Në këtë kontekst, është e drejtë të pretendohet se gjeografi ka një rol të veçantë për të luajtur në organizimin administrativ të territorit. Krahas të tjerave, ai ka formimin e duhur  profesional, që mbështetet në tri grupe disiplinash shkencore: natyrore, humane dhe rajonale. Ky formim i mundëson atij të marrë përsipër dhe të zgjidhë një sërë detyrash, të cilat konsistojnë në:

–          përkufizimin e konceptit “territor”, si një pjesë e pandërprerë e hapësirës gjeografike, me kufij të qartë, histori, kohezion social, kulturor dhe ekonomik, identitet të dallueshëm dhe perspektivë zhvillimi. Ky përkufizim është njëkohësisht sinteza e kritereve që duhet të merren në konsideratë në procesin e organizimit administrativ të territorit;

–          identifikimin e burimeve të informacionit dhe grumbullimin e të dhënave dhe studimeve ekzistuese;

–          organizimin e punës për vendosjen e kontakteve me specialistë të fushave të tjera, si dhe bashkëpunimin me ta për përgatitjen e studimit të mirëfilltë. Mbi bazën e njohjes së situatës konkrete dhe të interesave të popullsisë lokale dhe rajonale, ai kontribuon në përcaktimin e kritereve dhe të rrugëve të mundshme për realizimin e objektivave kryesorë të reformës administrative-territoriale;

–          sjelljen në vëmendje të studiuesve, drejtuesve dhe publikut të gjerë të formave të mëparshme të organizimit administrativ të vendit, si dhe të modeleve më të mira të vendeve të tjera;

–          interpretimin e materialit hartografik dhe të fotografive ajrore, si dhe përpilimin e hartave tematike, të nevojshme për përcaktimin saktë të njësive administrative;

–          shpjegimin qartë dhe saktë të konceptit të ekuilibrit midis natyrës, shoqërisë dhe ekonomisë në nivel lokal, rajonal dhe shtetëror, në stade të ndryshme të zhvillimit;

–          përshkrimin dhe shpjegimin e forcave konvergjente dhe divergjente që transformojnë rajonet dhe shtetet, në të gjitha aspektet. Ai mund të sjellë informacione të vyera mbi dinamikën e territoreve, të cilat u shërbejnë organeve dhe institucioneve vendimore në ndërhyrjet për riorganizimin e tyre dhe të gjithë hapësirës, pa rënë viktimë e skemave të vjetra të copëtimit të territoreve, por sipas modeleve të reja të ruajtjes së homogjenitetit dhe ekuilibrave;

–          argumentimin në mënyrë bindëse të faktit se, në varësi të situatave, ka forma të ndryshme të organizimit administrativ të territorit, të cilat evitojnë modelet shabllone të imponuara nga regjimet e kaluara;

–          përshkrimin e njësive administrative që përbëjnë objektin e studimit, duke evidentuar unitetin e brendshëm të tyre dhe diversitetin në shkallë vendi;

–          sintetizimin e rezultateve të studimeve të kryera nga specialistë të disiplinave të tjera dhe, mbi këtë bazë, përcaktimin e drejtimeve kryesore të veprimtarisë për një ndërhyrje shkencore dhe të suksesshme për riorganizimin administrativ të territorit;

–          aplikimin efikas të Sistemit të Informacionit Gjeografik në analizat hapësinore të dukurive social-ekonomike, politike-administrative dhe mjedisore, duke kontribuar në krijimin e bazës së të dhënave, integrimin, përpunimin dhe analizën e informacioneve të siguruara nga burime të ndryshme në kohë të shkurtër dhe me kosto të ulët.

Evidentimi i rolit të gjeografit, kurrsesi nuk ka për qëllim zbehjen e kontributit shumë të çmuar të studiuesve të fushave të tjera. Thjesht synohet informimi i aktorëve përgjegjës për reformën administrative-territoriale dhe i publikut të gjerë për punët që mund të marrin përsipër gjeografët e sotëm të Shqipërisë dhe për ndihmesën që ata mund dhe dëshirojnë të japin për zgjidhjen e problemeve madhore të vendit, të tilla si riorganizimi administrativ i territorit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi