Reforma në arsimin e lartë – ç’është modeli anglo-sakson i financimit?

Nga Engjëll Pere, botuar në Mapo Online, 1 maj 2014

Për domosdoshmërinë e reformës në arsimin e lartë besoj se sot bien dakord të gjithë, si ata që lidhen drejtpërdrejt me të, studentët, stafet akademike etj., ashtu edhe ata që në mënyrë indirekte ndikohen nga ky sektor i rëndësishëm i jetës së një vendi, duke filluar nga familjet, bizneset private, e shoqëria në tërësi.

Kjo reformë, sido që të konsiderohet, aktualisht duket se duhet të përfshijë dy komponentë themelorë: së pari, një vizion të ri për zhvillimin e arsimit të lartë dhe së dyti, rishikimin e mënyrës së financimit të tij.

Të dy këta komponentë janë padyshim të lidhur me njëri-tjetrin, por parësori sigurisht është ai që ka të bëjë me formimin e një vizioni dhe strategjie të re. Nuk dëshiroj të ndalem në këtë komponent, por sidoqoftë, në themel të kësaj strategjie mendoj se duhet të jetë një orientim apo objektiv i qartë e themelor. Mbështetur në përmbajtjen bazë të arsimit të lartë për përgatitjen e specialistëve në shërbim të punësimit dhe zhvillimit në tërësi, si dhe duke u nisur nga problematika që paraqet sot arsimi i lartë tek ne, objektivi apo çështja themelore e reformës do të ishte përgjigjja e pyetjes: do të vazhdojë arsimi ynë i lartë drejt masivizimit, (sikurse kemi aktualisht) apo orientimi duhet të jetë nga rritja e cilësisë? Më tej mund të lindin shumë pyetje të tjera; psh, si do të mund të realizohet rritja cilësore në kushtet e respektimit të së drejtës së secilit për arsim; a duhet të jetë arsimi i lartë i përqendruar në disa universitete të vendit, apo do të vazhdojë ai të jetë i shtrirë edhe në qytete ku ndoshta jo vetëm stafet akademike, por edhe numri i studentëve është i kufizuar; a duhet të jetë më e konsiderueshme ndërhyrja e shtetit për orientimin e studimeve në degë e profile të ndryshme, apo kjo ndërhyrje do të vazhdojë të bazohet vetëm tek mundësitë që ofrojnë këto degë, pavarësisht nga mundësitë e punësimit; a duhet që përzgjedhja e studentëve sipas fakulteteve t’u lihet më shumë në dorë vetë këtyre të fundit, apo duhet të vazhdojmë me praktikën e notës mesatare (pavarësisht si është arritur ajo); çfarë raportesh duhet të ketë në zhvillimin e arsimit të lartë dhe atij profesional dhe si mund të stimulohet ndjekja e tij në shkollat e mesme profesionale etj. Sigurisht, këto mund të jenë vetëm disa nga tërësia e problemeve për t’u diskutuar në lidhje me përmbajtjen e reformës në arsim.

Komponenti tjetër i rëndësishëm i reformës në arsim është ai i ristrukturimit të mënyrës së financimit. Në fakt duket sikur reforma do të përqendrohet pikërisht në këtë aspekt, (ajo duhet të jetë shumë më e gjerë).

Tiparet e financimit të arsimit të lartë në modelin anglo-sakson

Modeli i zgjedhur i financimit supozohet të jetë i bazuar në atë “anglo–sakson”. Atëherë, do të ishte me interes të diskutohej, çfarë paraqet ky model në thelbin e tij; çfarë ndryshimesh do të sjellë ai, jo vetëm në mënyrën e financimit, por edhe në konceptimin e shkollës së lartë në shoqëri; cili do të jetë raporti midis individit dhe shoqërisë, (shtetit) në këtë model; a mund të implementohet ai në kushtet e vendit tonë, a duhet modifikuar ky sistem tek ne, apo mund të zbatohet ai tërësisht?

Përgjigjja më e pranueshme e këtyre pyetjeve do të gjendej së pari në trajtimin e vetë modelit “anglo–sakson” të financimit. Në fakt, ky model nuk është se ka qenë shumë i qëndrueshëm, përkundrazi, historia e tij në 15-20 vitet e fundit, (periudhë e cila në arsim nuk konsiderohet e gjatë) paraqet një sërë reformimesh. Fillimisht në vitin 1990, në modelin anglez u fut një formë e re financimi e arsimit të lartë, e cila ishte ajo nëpërmjet kredive për student dhe shlyerjes së tyre kryesisht mbi bazën e të ardhurave të fituara nga punësimi i mëvonshëm (Education Students Loans Act). Më vonë, në 1998, në financim u përfshi një tarifë prej 1000£, pra studentët tashmë duhet të kontribuonin privatisht për financimin e arsimit të tyre (Teaching and Higher Education Act). Në 2004, ligji miratoi që kjo tarifë të ishte deri në 3000 £, (Higher Education Act, -hyri në fuqi në 2006), tarifa ishte variabël, por sidoqoftë të gjithë studentët, edhe ata me të ardhura të ulëta duhet të paguanin. Me këtë akt u hoq dorë nga trajtimi i njëjtë i studentëve, mënyra e mbështetjes së tyre financiare ishte më shumë diskrete (rast pas rastit) sesa e përgjithshme, dhe njëkohësisht trajtimi i tyre iu la universiteteve (jo shtetit).

Të gjitha këto ndryshime tregojnë një gjë themelore: raporti i kostove të financimit të arsimit të lartë midis atyre që mbante shoqëria (shteti) dhe atyre që përballonte individi (privati) kaloi gradualisht, por në mënyrë konsistente në “favor” të këtyre të fundit. Kështu duke filluar nga viti 1990, në Angli koncepti i “cost–sharing” (ndarjes së shpenzimeve) u përshtat në drejtim të rritjes së shpenzimeve të individit dhe sigurisht reduktimit të pjesës së financimit nga sektori publik. Ky ndryshim në aspektin financiar pati një domethënie të rëndësishme në konceptimin e arsimit të lartë si një e mirë e përbashkët publike dhe private: ndryshimet në financim do të thoshin se tashmë arsimi i lartë shikohej gjithnjë e më shumë si një e mirë private, dhe më pak si e mirë publike.

Ky ndryshim duhet theksuar se nuk është karakteristikë e financimit vetëm në sistemin anglez, por karakteristikë e përgjithshme e zhvillimit të këtij sektori në pothuaj të gjitha vendet perëndimore. Shkaku nuk ishte thjesht konceptual. Ai ishte kryesisht ekonomik. Sidomos pas viteve ’80, në mjaft vende u vu re nga njëra anë, një rritje e konsiderueshme e kërkesës për të kryer arsimin e lartë, e cila u shoqërua nga ana tjetër me rritjen e kostos së studimeve për një student. Të dy këta faktorë bënin gjithmonë e më të pamundur financimin e nevojave të arsimit të lartë nga shteti.

Reforma financiare në modelin anglo-sakson 2012

Në Angli, pikërisht aspektet ekonomike të financimit të arsimit të lartë dhe jo thjesht nevoja për reformim në përmbajtjen e tij, bënë që duke filluar nga fundi i vitit 2009 të rishikohej edhe politika e kostove/tarifave private, të cilat duhet të përballoheshin nga individët. Megjithëse niveli i këtyre kostove shpesh ka qenë fushë e debatit politik midis dy krahëve të saj, rishikimi i tyre fillimisht u iniciua nga qeveria laburiste (2009), por diskutimi vazhdoi më tej në kohën e qeverisjes së partisë konservatore. Në tetor të vitit 2010, inicimi i reformës ishte raporti i përgatitur për llogari të qeverisë angleze nga lordi Browne mbi financimin e arsimit të lartë (Independent Review of Higher Education Funding and Student Finance –IRHEFSF). Rekomandimet e këtij raporti synonin së pari zhvillimin e arsimit të lartë mbi baza “pothuaj” (quasi) tregu. Nisur nga kjo ide, duke u mbështetur në parimin se eficenca e tregut mund të realizohet vetëm nëse ai mbështetet në një konkurrencë reale, parimi bazë i ndërtimit të reformës ishte ai se “financimi duhet të ndjekë përdoruesit e shërbimeve”, domethënë në këtë rast studentin, dhe se nga ana tjetër, ky “konsumator” duhet të informohet siç duhet, në mënyrë tërësore, për zgjedhjen që do të bëjë. Kjo përmbajtje e reformës e vendoste studentin pikërisht ashtu sikurse u konsiderua nga vetë reforma në “zemër të sistemit të arsimit të lartë” (students at the heart of the system).

Në tërësi propozimet e raportit të lord Browne u pranuan nga qeveria angleze, e cila ndërmori një reformë të gjerë, e cila filloi të zbatohej duke filluar nga shtatori i vitit 2012. Karakteristika e përgjithshme e kësaj reforme ishte ndryshimi i përmbajtjes së arsimit të lartë, duke e konsideruar atë gjithmonë e më shumë si një e mirë private sesa publike. Në këtë vështrim, karakteristika kryesore e reformës ishte reduktimi i konsiderueshëm i shpenzimeve publike për arsimin e lartë, të cilat do të zëvendësoheshin nga rritja e taksës për shkollim; kështu shpenzimet publike për arsimin e lartë parashikoheshin të reduktoheshin rreth 40% gjatë periudhës 2010-‘11 dhe 2014-‘15. Për të kuptuar reformën në sistemin anglo-sakson, duhet të kemi parasysh një karakteristikë themelore të këtij sistemi. Kjo karakteristikë është taksa relativisht e lartë për ndjekjen e studimeve, por njëkohësisht edhe e drejta e studentëve për të marrë kredi, likuidimi i së cilës bëhet pas punësimit të tyre dhe bile pas arritjes së një niveli të caktuar të ardhurash vjetore. Më tej, nëse studentët e diplomuar nuk mund ta shlyejnë kredinë, ajo parashkruhet pas një afati të caktuar. Në këtë vështrim, reforma e vitit 2012 rriti kufirin e sipërm të taksës së shkollimit nga 3.375£ në 9.000£ në vit. Gjithashtu, pas mbarimit të shkollës së lartë, të diplomuarit duhet të likuidonin kredinë vetëm nëse ata përfitonin të ardhura vjetore mbi 21.000£, (nga 15.795£ që ishte ky kufi më parë); ndërsa periudha e parashkrimit të kredisë u bë 30 vjet, nga 25 që ishte përpara 2012-ës.

Nga ana tjetër, megjithë rritjen e kufirit të sipërm të taksës, reforma duke synuar ruajtjen e karakterit social të arsimit, parashikonte edhe një sërë masash mbështetëse për shtresat me të ardhura më të ulëta. Kështu studentët, familjet e të cilëve kishin të ardhura deri 25.000£ në vit, përfitonin një shumë shtesë 670-880£ në krahasim me situatën përpara reformës. Gjithashtu, universiteteve të cilat vendosnin tarifa mbi 6.000£, u kërkohej të bënin më shumë për të rritur pjesëmarrjen e studentëve me të ardhura më të pakta. Diferencimi i tarifave sipas të ardhurave familjare e bënte sistemin e ri më progresiv se ai i vjetri, duke i dhënë atij karakter më social.

Duke folur për rritjen e tarifës së studimit, në pamje të parë kjo duket sikur rrit pjesën e individit/privatit në financimin e shkollës së lartë. Por nuk është plotësisht kështu. Duhet të kemi parasysh se rritja e tarifës do të thotë në fakt rritje e shpenzimeve të taksapaguesve (pra fondeve publike) për financimin e arsimit të lartë. Kjo pasi kredia sigurohet nga fondet publike, por jo të gjithë të diplomuarit mund ta likuidonin atë. Pjesa e palikuiduar sigurisht përbën një shpenzim që mbetet ta mbajnë taksapaguesit. Nga ana tjetër, reforma shoqërohet me disa masa, të cilat ndikojnë në uljen e tarifës së shkollimit poshtë kufirit maksimal. Fillimisht u vu re se pjesa më e madhe e universiteteve kërkuan tarifa afër kufirit maksimal 9000£, por pikërisht për të ulur këto tarifa, qeveria i ftoi universitetet për të konkuruar për kuota shtesë të studentëve nëse ato do të ofronin tarifa deri në 7500£. Kjo gjë do të sillte uljen e numrit të studentëve në universitetet me tarifa të larta. Nga ana tjetër, megjithëse universitetet ishin të lira të caktonin tarifat e studimit (deri në 9000£), ato nuk ranë më shumë se 7000£, pasi universitetet duhet të siguronin fonde për të zëvendësuar reduktimin e financimeve të drejtpërdrejta publike.

Sikur nënvizova, reforma në arsimin e lartë në Angli filloi në vitin akademik 2012-2013, pra vetëm 1-2 vjet më parë, dhe si e tillë do të ishte ende shpejt të diskutohej rezultati apo problematika e saj. Por gjithsesi, duke u përpjekur të njohësh modelin anglo–sakson në financimin e arsimit të lartë, kupton se reforma në këtë fushë është shoqëruar jo vetëm me diskutime të gjera, por edhe me përllogaritje të detajuara, mbështetur në një punë me të vërtetë kërkimore. Kështu, duke mos mbetur në rrafshin konceptual të tregut apo karakterit social të reformës, nisur nga “parametrat” e saj përllogaritet që mesatarisht tarifat e studimit për student për një kurs studimi të rriten me rreth 15.000£, ndërsa gjatë gjithë ciklit të tyre të jetës mendohet që mesatarisht shpenzimet e një të diplomuari të rriten me 8850£. Megjithatë, si rezultat i mbështetjes më të mirë të studentëve, mendohet se ata do të “bëhen” më mirë me sistemin e ri të financimit dhe po kështu universitetet të cilat mund të sigurojnë më shumë fonde. Nga ana tjetër, taksapaguesit mendohet të paguajnë 33p për çdo 1£ kredi për studentët (nga 25p që ishte në sistemin e vjetër). Gjithashtu përllogaritet se rreth 29% e studentëve të shtresës më të varfër do të bëhen më mirë, ndërsa ata me të ardhura më të mëdha do të paguajnë në mënyrë të konsiderueshme më shumë, (p.sh. 15% e studentëve më të pasur do të paguajnë 2 herë më shumë se më përpara).

Duke paraqitur në vija të përgjithshme karakteristikat e financimit të arsimit të lartë në modelin britanik, lind pyetja e natyrshme: a mund të konsiderohet ky sistem si bazë e reformës financiare në arsimin e lartë në vendin tonë? Sigurisht mundësitë tona për të implementuar një sistem të tillë financimi nëpërmjet kredive për studentë, me kushte shumë të favorshme, janë mjaft larg asaj që mund të kërkohej. Por sidoqoftë, reforma financiare në Angli në vitin 2012 – 2013 është një “ushtrim” me mjaft vlerë. Ajo të mëson se si duhet të implementohen edhe në rastin e sektorëve publikë elementë të tregut të lirë, se si mund të orientojë e mbrojë shteti interesat e individit edhe në rastin e një investimi të tillë specifik sikurse është ai në kapitalin human; si mund të harmonizohet edhe në sektorë të tillë sikurse është arsimi, mekanizmi i tregut me aspektet e barazisë sociale etj. Në rrafshin konkret, kjo reformë tregon nevojën e argumentimit jo vetëm konceptual, por edhe ekonomik e financiar të kostove private dhe publike mbi të cilat ajo do të ngrihet, si dhe rezultate afatshkurtra e afatgjata që do të sjellë. Ajo tregon se nuk mjafton p.sh. të konceptosh që “fondet të ndjekin studentin”, por duhet edhe të sigurosh që shërbimet që burojnë nga këto fonde të kenë në epiqendër përgatitjen e studentit. Dhe këtu ndoshta kthehemi në atë që theksova në fillim, aspektin parësor të reformës: përmbajtjen dhe orientimin e ri të arsimit të lartë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi