Reforma administrative s’është çështje administrative

Nga Luan Rama, botuar në Panorama Online, 1 maj 2014

Reforma administrative dhe territoriale është sfida e radhës jo për qeverinë apo maxhorancën prej nga ajo ka dalë e as për opozitën që, siç ka dëshmuar, nuk ka vullnet e as guxim të marrë përgjegjësitë e një opozitë europiane, por për gjithë shoqërinë shqiptare, për qytetarët e saj gjithkund janë. Prandaj e gjej të pavend e të pakuptimtë heshtjen qytetare apo “indiferencën intelektuale” të shumë profesorëve, akademikëve, historianëve, etnologëve, gjeografëve, gjeologëve, urbanistëve etj. Sepse fjala është për një vendimmarrje me efekte apo rezonancë në jetën e gjithkujt prej nesh në atë që na pëlqen ta artikulojmë si “e ardhmja europiane e Shqipërisë”.

Ndaj, pjesëmarrja në këtë proces e gjithkujt që mendon se ka çfarë të ofrojë, e pakushtëzuar prej ndonjë ftese apo prej merakut se do t’i pëlqejë apo jo njërës apo tjetrës palë, në vlerësimin tim është shenjë qytetarie dhe përgjegjshmërie.

Edhe pse deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ende nuk di se çfarë ka në plan të bëjë komisioni i ngritur posaçërisht për çështjet e reformës territoriale dhe administrative, deri sa të mbërrijë në projektin me të cilin do të duhet të merret vetë Kuvendi më tej. E ma do mendja që kështu si unë janë në këtë pikë edhe shumica e deputetëve të tjerë. Por, pavarësisht kësaj, e çmoj një gabim të rëndë mospjesëmarrjen e opozitës në procesin përgatitës të kësaj reforme e cila, megjithëse administrative, nuk është një çështje administrative.

Duket sikur në pohimin e mësipërm ka një kundërthënie, por në të vërtetë nuk është ashtu. Rindarja administrative e Shqipërisë është një çështje e ndërlikuar, ku bashkohen faktorë gjeonatyrorë, historikë-kulturorë, fetarë, demografikë dhe pa dyshim edhe elektoralë e politikë, në mos me ndikim në fushatën më të afërme, doemos më tej.

Në hapësirën historike dhe shtetërore shqiptare ka pasur ndarje administrative përgjatë dy mijë vjetëve. Provincat kishtare me Justiniana Prima-n, Epirus Novus, Epirus Vetus, Prevalitania, Dioclea, kanë lënë gjurmën e tyre në kujtesën e popullit trashëguar ndër shekuj. Roli i lumenjve si kufi ka qenë me një rëndësi parësore për ndarjen etnografike të popullsisë shqiptare. Një studim i Rrok Zojsit, i botuar në vitin 1962, mbetet më i miri i botuar deri më sot. Nën Drin e mbi Drin, nën Mat e mbi Mat, nën Shkumbin e mbi Shkumbin, nën Vjosë e mbi Vjosë, nuk janë emërtime për orientim gjeografik. Mjafton të kujtojmë se çfarë roli ka pasur Shkumbini për ndarjen në dy makrokrahina shqiptare: Gegëri e Toskëri apo se çfarë roli ka pasur Vjosa për ndarjen e Shqipërisë Jugore në Labëri e Toskëri. Po sjell vetëm një shembull ndër disa dhjetëra të tillë; dy fshatra në dy anët e Vjosës: Tos-Martalloz dhe Lab-Martalloz, që provon se edhe Perandoria Osmane e njihte këtë ndarje.

Natyra shpesh ka diktuar edhe për dallimet etnografike ndërkrahinore. Por, bashkë me natyrën, ka vepruar edhe politika. Rasti i rrudhjes së Himarës në rrethanat detyruese të politikës otomane ndaj të krishterëve është më ilustruesi.

Sa janë përfillur kufijtë etnografikë prej ndarjes së Shqipërisë në katër vilajete e, më tej, të vilajeteve në sanxhaqe, të sanxhaqeve në njësi më të vogla, mbetet një çështje e pastudiuar, sepse gjeografia njerëzore në traditën shqiptare nuk është një dije e pavarësuar. Dhe kjo gjeografi njerëzore do të mundësonte edhe hetimin e rolit të faktorëve fetarë në theksimin apo zbutjen e këtyre ndryshimeve.

Familjet e mëdha patronimike kanë lënë gjithashtu gjurmën e tyre në ndarjet e mundshme krahinore të Shqipërisë. Myzeqeja është një prej këtyre rasteve, bartëse e emrit të Muzakajve.

Gjatë periudhës mbretërore u bë një ndarje administrative, që i lejonte Ahmet Zogut të sundonte i qetë, duke i bërë bajraktarët dhe shtëpitë e para ushtarake rezervë të pushtetit të tij. Pati në ndarjen administrative të Mbretit Zog edhe shumë demagogji: për shembull, me Hasin dhe Tropojën u krijua prefektura e Kosovës, për të aluduar mosnjohjen e sundimit të monarkisë serbo-kroato-sllovene në Kosova.

Është e padyshimtë të thuhet se ndarja administrative i ka shërbyer periudhës komuniste për të lehtësuar sundimin e vet. Ndarja veproi kryesisht mbi njësitë kompakte, si Mirdita e Kurveleshi, që u bënë pjesë e 4-5 rretheve.

Njerëzit janë shumë të ndjeshëm ndaj ndarjeve dhe rindarjeve administrative. Shumëkush mund të kujtojë se me çfarë entuziazmi u prit në fillim të viteve 1990 krijimi i disa rretheve më vete, si Kurbini, Bulqiza, Hasi, Delvina, Kavaja, Devolli, Malësia e Madhe e ndonjë tjetër, por ndërkaq, pas gati një çerekshekulli përvojë e këtij realiteti administrativ, problemet kanë mbetur më të shumta se zgjidhjet në dobi të qytetarëve.

Çështjet që prodhojnë emocione popullore, janë çështje me karakter të mirëfilltë politik. Ose, së paku, me efekte politike të pashmangshme, që duhen llogaritur mirë.

Ndarja administrative dhe territoriale është e domosdoshme për shkakun se qeverisja duhet lehtësuar. Shqipëria është e vogël për të mbajtur pushtet të paefektshëm apo të padobishëm. Dhe me të vërtetë, mbi këtë Shqipëri të vogël, kostoja e qeverisjes vendore është shumë e madhe. Por, edhe kundërkostoja, nëse nuk këshillohen specialistët: etnologë, historianë, demografë etj., mund të jetë shumë e madhe. Prandaj mendoj se këshillimi është jo më pak i rëndësishëm se konsensusi i opozitës, në mos qoftë edhe më i rëndësishëm.

Për rindarjen administrative është i domosdoshëm mirëkuptimi nga populli, jo thjesht që politika të shmangë ndëshkimin nga vota e nesërme, por mbi të gjitha për të evituar përplasjet e krenarive krahinore, që janë evidente në Shqipëri. Kujdesi në këtë rast është edhe një shenjë respekti për zgjedhësit vetë, që do të jenë subjekt i ndarjes.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi