Me menaxhimin aktual të ISSH, reforma rrezikon të dështojë
Intervistë me Prof. Kosta Barjaba, botuar në Dita, 30 prill 2014
Kryeministri Rama prezantoi dje dokumentin e politikave të reformës së pensioneve. A është kjo reformë ajo që i duhet sistemit tonë të mirëqenies?
Padyshim. Sistemi i pensioneve është një ndër kolonat kryesore të sistemit të mirëqenies. Prandaj reformimi i skemës së pensioneve është një hap i sigurt drejt shëndoshjes së sistemit. Madje kjo paketë është paraprirë nga vizioni bashkëkohor i qeverisë për gjithë sistemin e mbrojtjes shoqërore. Konseguente në qëndrimet e saj programore, qeveria po hedh hapa të sigurt, të domosdoshëm për kalimin nga ekzagjerimi i politikave rishpërndarëse të mirëqenies, në politikat e programet kontributive. Hapi i parë në këtë drejtim ishte vendosja në krye te prioriteteve të sistemit e forcimit të dy kolonave kryesore: politikat e punësimit dhe politikat e pensioneve. Hapi i dytë është reformimi, mbi bazën e një vizioni bashkëkohor, i çdo kolone të sistemit. Para disa kohësh qeveria ka bërë publike dokumentin e politikave të punësimit dhe sot prezantoi dokumentin për politikat e pensioneve. Hapi i tretë do të jetë programimi i masave dhe planeve të veprimit për rritjen e performancës së agjencive të menaxhimit të skemës.
Përse ishte e domosdoshme reforma e pensioneve?
Për arsyen e thjeshtë se të gjithë treguesit e skemës vijnë duke u përkeqësuar në mënyrë dramatike. Le t’i referohemi skemës së sigurimit të detyrueshëm. Gjatë viteve 2010-2012 të ardhurat kontributive të kësaj skeme u rritën shumë, shumë ngadalë, vetëm 1 për qind, ose 0,5 për qind në vit. Ndërkohë, shpenzimet u rritën 15 herë më shpejt se të ardhurat, pra mbi 7 për qind. Kjo kontradiktë shpie drejt thellimit të diferencës midis të ardhurave dhe shpenzimeve, e cila thellohet me mbi 60 për qind në vit. Ja edhe një e dhënë tjetër: Numri i përfitueseve rritet me më pak se 1 për qind në vit, ndërsa numri i kontribuesve pakësohet me mbi 4 për qind në vit. Këto situata i kanë detyruar qeveritë e Shqipërisë të alokojnë burime të konsiderueshme për financimin dhe subvencionimin e skemës. Siç edhe mund ta kemi përmendur gjatë bashkëbisedimeve tona për këtë çështje, kontributet buxhetore për skemën e pensioneve gjatë periudhës 2006-2010 u rritën nga 18 milionë USD, në 340 milionë USD. E gjetur para kësaj situate alarmante, qeveria Rama ka qenë e detyruar që për vitin 2014 të alokojë për mbështetjen e skemës së pensioneve rreth 420 milionë USD. Nuk ka nevojë të jesh as ekonomist, as politikan, as politikbërës të kuptosh këtë situatë dramatike. Merita e kësaj qeverie është se ajo e pa të vërtetën në sy, i lexoi në të gjithë përmasat e tyre problemet e skemës së pensioneve, dhe e vetëdijshme se ndodhej para një gropë të madhe dhe të thellë, po e shpëton vendin nga rënia në të. Rrënimi i skemës së pensioneve do të ishte një tragjedi ekonomike, sociale dhe njerëzore dhe nesër kjo qeveri do të vlerësohet se e shpëtoi vendin prej saj.
Paketa e reformës përmban dy opsione. A janë këto opsione në përputhje me programin e qeverisë?
Paketa që është hartuar dhe që iu paraqit publikut është në koherencë të plotë me programin qeverisës. Të dy opsionet parashikojnë masa që në instancë të fundit do të shpien drejt rritjes së pensioneve, jo si thërrime elektorale, por mbështetur në burime të qëndrueshme kontributive. Pensionet do të rriten jo se qeveria do vota, por se pensionistët meritojnë një jetë më të mirë. Paketa u jep fund padrejtësive sociale të skemës, sidomos paradoksit midis kontributeve dhe përfitimeve minimale e maksimale, duke hequr tavanin e pensionit maksimal kundrejt pagesës së kontributeve maksimale. Ky paradoks u kishte hapur rrugë evazionit kontributiv, fshehjes së të ardhurave, mosdeklarimit të pagave, praktikës së dy borderove, punës së zezë dhe punës gri dhe një mijë e një të këqijave të tjera në tregun e punës. Reforma e pensioneve do të japë kontributin e saj që ekonomia dhe puna e shqiptarëve të mos mbetet e zhytur në informalitet. Paketa zhduk edhe padrejtësinë tjetër, privilegjet e palogjikshme për funksionarët e lartë dhe u merr në mbrojtje punëtorët e profesioneve të vështira. Duke qenë një skemë më e drejtë, do të krijojë mundësi të rritet edhe shkalla e mbulimit të popullsisë me kontribute, e cila aktualisht është shumë e ulët dhe e papranueshme për një sistem normal mirëqenieje. Aktualisht, vetëm 58 për qind e forcës së punës, pra 3 në 5 vetë, paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore.
Si do të zgjidhet problemi kronik i pensioneve të fshatit?
Të dy opsionet parashikojnë të njëjtën zgjidhje. Reforma do t’i japë fund hipokrizisë ose vetëgënjimit me kontributet e fermerëve, shumica e të cilëve përballohet nga buxheti i shtetit. Paketa parashikon barazimin e kontributit të fermerëve me ato të zonave urbane, duke hequr privilegjimin e ekzagjeruar dhe të palogjikshëm për të parët. Sepse atë pension që punonjësit e sektorëve të tjerë e përfitonin me 35 vjet kontribute, fermerët e përfitojnë me 17 vjet e gjashtë muaj! Në këtë mënyrë, subvencionimi i pensioneve të fshatit nuk do të jetë një barrë për skemën dhe as për buxhetin. Kështu merr fund edhe një padrejtësi tjetër e skemës.
Ku dallojnë dy opsionet nga njëri-tjetri?
Opsioni i parë synon përmirësimin e parametrave të skemës ekzistuese, ndërsa opsioni i dytë synon krijimin e llogarive kombëtare të pensioneve. Në këtë opsion masa e përfitimit të pensionit do të varet nga sasia e kontributeve të individit dhe norma e fitimit të tyre. Por këtë normë fitimi do ta përcaktojë qeveria. Të gjithë elementët e tjerë të të dy opsioneve janë të njëllojtë ose të ngjashëm, ndryshon vetëm thelbi që përmenda më sipër.
Çfarë do të sugjeroni për thellimin e reformës?
Unë do të kisha dy sugjerime. I pari lidhet me nevojën për zgjerimin e hapësirave të sektorit privat në menaxhimin e skemës së pensioneve, pra forcimi i partneritetit publik-privat, ç’ka përbën një element të reformës së pensioneve në shumicën e vendeve ku po realizohet ajo. Të dy opsionet përmendin vetëm lehtësi fiskale për fondet private të pensioneve dhe asgjë më tepër. Sugjerimi i dytë lidhet me nevojën e financimit të fondit të pensioneve. Në kushtet e situatës demografike të vendit (emigrimit masiv të popullsisë së re dhe aktive, numrit të kufizuar të të punësuarve, nivelit të lartë të papunësisë, papunësisë së fshehtë, nëpunësimit) është e pamundur shëndoshja e skemës vetëm nga kontributet, sado të rriten ato dhe të shtohet numri i kontribuuesve. Mbetet rekomandimi im i pandryshuar që fondi i pensioneve duhet të investohet për t’u shumëfishuar. Në të dy opsionet e paketës, defiçiti parashikohet të zhduket në vitin 2043, pra pas 30 vjetësh. Ndërkohë, investimi i fondit mund të mundësojë që skema të kalojë në sufiçit për një periudhe disavjeçare.
Ju përmendet në krye të kësaj bisede nevojën e rritjes së performancës së menaxhimit të skemës. A mund të menaxhohet skema e re me burimet, kapacitetet dhe menaxhimin ekzistues në ISSH?
Më vjen keq që i përgjigjem negativisht kësaj pyetjeje. Por kjo është e vërteta. Unë kam një respekt dhe nderim të thellë për punonjësit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe për vetë këtë institucion, me të cilët kam ndarë vite të tëra gjatë shërbimit tim publik. Por, që të jemi realistë, menaxhimi i skemës së pensioneve ka mbetur shumë prapa investimeve që janë bërë për këtë menaxhim. Kam parasysh investimet në teknologji, informatizim, burime njerëzore, kapacitete institucionale etj. Paketa e reformës së pensioneve u prezantua në arkivën e këtij institucioni, një mjedis bashkëkohor, madje luksoz. Por sa vlerë ka teknologjia, informatizimi dhe luksi, kur treguesit e performancës së skemës vijnë duke u përkeqësuar dhe e rrënojnë atë nga dita në ditë? Investimi politik, progresi teknologjik, burimet njerëzore, kapacitetet institucionale dhe performanca e agjencive zbatuese duhet të jenë në sinkron. Në rast të kundërt, reforma është në çdo moment e rrezikuar.