A e do opozita reformën territoriale?
Nga Mentor Nazarko, botuar në Panorama Online, 30 prill 2014
Me fillimin e punës së komisionit të posaçëm parlamentar, shumica ka nisur procedurat kushtetuese për miratimin e reformës territoriale-administrative. Po shtohen pikëpyetjet për pasojat e skenarëve të ndryshëm të miratimit dhe qasjes së opozitës.
Nuk ka asnjë dyshim se në kushtet e konfliktualitetit kronik të politikës shqiptare, ideale do të ishte që kjo reformë të miratohej me konsensus. Nuk ka mëdyshje se në kushtet e shqyrtimit të performancës së shtetit shqiptar në Komisionin Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat, do të ishte mirë që politika shqiptare të miratonte konsensualisht një reformë kaq historike si kjo. Nuk ka asnjë diskutim – dhe këtu jemi në terrenin praktik të interesave vendore – që ky proces kërkon konsensus sa më maksimal dhe jo absolut, siç e përkufizoi dhe ambasadori britanik. Do duhen peshuar drejtësisht shumë interesa lokale, biznesore, politike, etnike, kombëtare, elektorale në arritjen e një harte të shtetit shqiptar për disa dhjetëvjeçarë. Por pikërisht për shkak se në realizimin e një harte të tillë duhen ponderuar kaq shumë interesa, është shumë e vështirë të pretendohet arritja e konsensusit tërësor politik dhe popullor. Me gjasë për këtë arsye Kushtetuta shqiptare dhe shumë kushtetuta të tjera parashikojnë vetëm dy leva kushtetuese: shumicën parlamentare prej tre të pestash dhe referendumin popullor. Shumica parlamentare prej tre të pestash e parashikuar shprehimisht është mekanizmi që bllokon shumica të dobëta të realizojnë ndërhyrje kaq të rëndësishme në një element thelbësor të shtetit – territorin. Nga ana tjetër, referendumi sipas nenit 108 të Kushtetutës lihet të kuptohet se parashikohet për ndryshime me karakter lokal, dhe jo për ato me karakter tërësor. Ngjan krejt e qartë megjithatë se edhe sikur shumica të mos kërkojë në fund miratimin popullor për të legjitimuar ndryshime kaq të rëndësishme të hartës shtetërore, opozita mund të arrijë të imponojë një referendum nëpërmjet mbledhjes së 50 mijë firmave për ta hedhur poshtë një ndarje të votuar nga tre të pestat e Parlamentit.
Me fjalë të tjera, kërkimi i konsensusit për miratimin e reformës territoriale-administrative ngjan se është një kërkesë që kapërcen Kushtetutën. Nuk është antikushtetuese, por e kapërcen atë.
Mjetet kushtetuese të opozitës
Kjo sprovë nuk synon të merret me dobinë e reformës territoriale-administrative, për të cilën kanë folur shumë ekspertë të ndryshëm dhe do të flasin akoma. Ajo synon të kuptojë më mirë qëndrimin e opozitës ndaj reformës në fjalë dhe mjetet që ajo posedon për ta imponuar vullnetin e saj. Kjo ngjan se është një reformë për të cilën ka interes jo thjesht vendor, por dhe ndërkombëtar, siç është dukur nga investimi në vetë të parë i ambasadorit amerikan dhe shumë diplomatëve apo organizatave ndërkombëtare. Cili është kuptimi i kërkesës së konsensusit prej opozitës në kushtet aktuale dhe a është ai guri i fundit që ajo ka në dorë?
Ka rrethana politike në të cilat kërkimi i konsensusit për një reformë kaq të rëndësishme si kjo, apo dhe më pak të rëndësishme, ngjan krejtësisht natyral. Kështu ka ndodhur në momentet e pajtimeve të mëdha politike si në vitin 2002, apo në vitin 2008 kur palët politike madje po bënin dhe emërime konsensuale në krye të institucioneve të caktuara kushtetuese. Periudha në të cilën kalojmë nuk u ngjan këtyre momenteve konsensuale që ato të shërbejnë si precedentë. Provimin para BE-së, të dyja palët nuk e ndiejnë njëlloj.
Ndërkohë e vërteta është se kjo reformë nuk ngjan si prioritet i opozitës, por vetëm i qeverisë, dhe ky është problemi themelor që e cenon konsensusin. Nëse do të ishte e vërtetë kjo, atëherë do të kishim sprova të mëhershme të arritjes së konsensusit për ndarjen territoriale. Do të kishim projekte të sponsorizuara nga qeverisja e mëparshme, dhe siç tregojnë rekordet, nuk ka gjurmë për ndërhyrje kaq themelore në territor. Por problemi nuk është vetëm i hershëm, por dhe aktual. Nuk kemi asnjë vendim të sotëm të opozitës, nuk kemi asnjë prononcim në nivel të lartë të saj për dobinë e kësaj reforme. Kemi vetëm kundërshtime të procedurës së miratimit dhe imponim të konsensusit parlamentar prej kreut të kësaj partie. Për hir të së vërtetës, kemi pasur prononcime individuale të ndonjë deputeti të PD-së (vetëm të PD-së ama, jo të PR dhe të PDIU-së) që thotë se Shqipëria nuk ka nevojë për reformë territoriale. Ka dhe një prononcim të hershëm të ish-kryeministrit Berisha apo zhurmë që qarkullon rreth bindjes sipas të cilës ai sheh me simpati modelin francez të ndarjes territoriale, që nënkupton njësi të vogla bazë. Pavarësisht dallimit të madh historik midis modelit francez dhe atij shqiptar që ngjan shumë i copëtuar bash për shkak të ndërtimit të rrugëve rurale me meritën e Berishës, ne nuk kemi sot një vizion publik të opozitës për këtë reformë.
Në këto kushte, ngjan i pakuptueshëm insistimi i opozitës për të kërkuar konsensusin parlamentar në miratimin e reformës territoriale-administrative. Shumica ka madje të drejtë të dyshojë se opozita nuk e do fare reformën, për pasojë nuk ka të drejtë ta kërkojë as dhe konsensusin. A mjafton argumenti i opozitës se nëpërmjet kësaj reforme qeveria kërkon të ndryshojë njësitë vendore në mënyrë që të favorizojë veten në zgjedhjet e ardhshme nëpërmjet hartimit të një salamandre elektorale, e cila mund të sakrifikojë interesat ekonomike, lokale, politike, etnike etj? Kjo duhet të jetë plotësisht e drejtë, por pse ne duhet të besojmë se dhe opozita nuk dëshiron nga ana e vet një salamandër alla demokratike, megjithëse rezultati i 2013-s tregoi se kjo llogari nuk ka më asnjë bazë të qëndrueshme?
Në kushte si janë këto të sotmet, si në çdo lojë demokratike, pavarësisht pabarazisë së numrave, opozita duhet të marrë pjesë në reformë që ta artikulojë vizionin e vet. Qoftë dhe pro statukuosë. Paragjykimi i qëllimeve të qeverisë ngjan i dobët, edhe duke e marrë për të mirëqenë se qeveria don të favorizojë veten e vet. Demokracia ka procedura dhe mjete institucionale që kufizojnë vullnetin e pafre të shumicave për të kontrolluar gjithçka. Para se të shkohet në bojkot apo në protesta, do duhet të shterohet tërësisht përdorimi i tyre. Janë dhe tri instrumente të tjera që mund të përdoren nëse vullneti i opozitës nuk do përfillej gjatë procedurës parlamentare, por dhe për to nevojitet vizion, i cili duhet të artikulohet publikisht.
a) atakimi i një ndarjeje që do rriste peshën elektorale të zonave tradicionalisht të majta në Gjykatën Kushtetuese, mbi bazën e parimit kushtetues të barazisë së votës;
b) bllokimi i vetë reformës zgjedhore të radhës, duke kërkuar një sistem tjetër zgjedhor, i cili mund të zhvleftësonte avantazhet e krijuara nga një ndarje territoriale e bërë nga e majta, sipas logjikës përfituese të pushtetit.
Dhe më fund, opozita mund të shfrytëzonte një referendum të mundshëm sipas nenit 108, të cilin ka plotësisht të drejtë ta imponojë, për ta hedhur poshtë reformën territoriale të realizuar vetëm nga një krah. Por për secilin prej këtyre hapave, opozita duhet të marrë pjesë në proces, dhe pjesëmarrja në proces është e barabartë me fushatën për këtë referendum, duke e qartësuar çfarë do, në mënyrë që ta rrëzojë projektin e qeverisë dhe eventualisht ta shndërrojë referendumin në një fitore morale.