Demokraci arrogante

Nga Mimoza Koçiu, botuar në Ballkanweb, 30 prill 2014

Debatet politike publike po shndërrohen përditë e më shumë në një lloj virusi kronik, që ka kapluar keqazi klasën tonë politike duke infektuar e sëmurur me agresivitetin e vet, edhe vetë shoqërinë shqiptare. Është dëmi më i madh e i pakthyeshëm që mund t’i bëhet një populli, e sidomos brezit më të ri, që rritet në këtë atmosferë që e përndjek deri në dyert e shkollës, falë disa arsimtarëve militantë të thekur, deri tek kafenetë, aty ku harxhojnë një pjesë të rëndësishme të ekzistencës, e mësojnë se si të zgjedhin rrugën më të shkurtër pa u lodhur, si të përfitojnë shumë më tepër nga sa u takon, a sa mund të përballojnë intelektualisht. Kjo mospërmbajtje verbale, politike e institucionale shoqërohet me një mungesë logjike e tolerance, si dhe një sjellje e vendimmarrje jotransparente. Akuza e kundërakuza të lëshuara pa pikë përgjegjësie, dhunojnë ditë pas dite intelektin e çdokujt që për detyrë, me hir a pahir gjendet përballë kësaj diarreje mendore e verbale.
Mënyra se si kjo klasë politike e prodhon debatin publik, gërryen ditë pas dite vetë legjitimitetin e saj, qofshin në pozitë e opozitë. Parlamenti, vendi i vetëm e i pashmangshëm ku palët përballin idetë e tyre, është shndërruar tashmë në mejdanin e diskreditimit reciprok.
Në këtë tango që kërcehet çdo ditë e javë, fokusi shkon tek kërcimtari, që jo gjithnjë udhëheq, por mban më së miri ritmin e kërcimit, shumica në qeverisje. Është ajo llogaridhënësja në fuqi, për veprimet e sjelljen e saj, sepse ndryshe nga opozita, aktet e shumicës përkthehen në vendime që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e secilit prej nesh. Prej tetë muajsh asistojmë në shfaqjen e një mazhorance që ende qaravitet (kujt i ankohet? ), se “fajin e ka opozita”, për çdo arsye të mundshme e të pamundshme, e thënë përmbledhtas: që premtimet nuk po i përkthen dot në punë të prekshme për qytetarët, më së paku, jo në nivelin e premtimeve, edhe pse ka një mandat të qartë për të qeverisur me një shumicë kushtetuese për t’u pasur zili, e mjaftueshme për çdo vendimmarrje. Kjo qaravitje e mungesë aksioni për të rregulluar çka pretendon se nuk shkon, shoqërohen me ekstremin tjetër, arrogancën ndaj çdo kritike a çdokujt mendon ndryshe, a përpiqet ta ulë paksa me këmbë në realitet. Së pari, sepse lideri i shumicës, kryeministri ynë duket se i ka zbuluar kamerat që kur ka marrë drejtimin e qeverisë, a ngase mendon se po të mbetet në ekrane televizive në transmetim të drejtpërdrejtë paradite, pasdite, në darkë, në “Twitter” e në “FB”, me ligjërata të zgjatura që pashmangshmërisht sjellin përsëritje të ideve, njerëzve mund t’u duket se po punon. E gjithë kjo omniprezencë i shkon paralel me një tipar po aq të dukshëm: vetëvendosjen në vendimmarrje, edhe për çështjet me ndjeshmëri të lartë publike, e sidomos refuzimin arrogant për të dhënë sqarime mbi ato vendime a reforma që pretendon se do shpalosen së shpejti, por pa thënë se me kë po i konsulton. Të varesh vetëm nga ekspertiza e huaj për qeverisjen, në rast konsulence me ta, nuk është aspak meritë. Më së paku do thotë të pranosh, se nuk ke kapacitete lokale, a më së shumti se thjesht nuk i beson askujt.
Nuk dihet si e ku e ka hasur, lexuar a kopjuar kjo shumicë modelin “demokratik” të vetëvendosjes pa konsultim, e akoma më keq pa denjuar të përgjigjet për veprimet e saj në një vend që pretendon se po punon përditë për të përmirësuar modelin demokratik, të përqafuar që në kapërcyell të viteve ‘90-të. Elementi bazë që i jep kuptim demokracisë është pjesëmarrja, pra përfshirja e qytetarëve dhe e grupeve të interesit, jo vetëm në jetën politike, por edhe në politikat e zhvillimit të vendit, si në aspektin social, ekonomik, kulturor etj. Duket debat i stërpërdorur, sepse të gjithë flasin për demokracinë, por kjo e jona ka nevojë për vëmendje të posaçme. E sigurt është se modelet e demokracisë si ky i yni, që hasen në disa vende e veçmas në Ballkan, i kanë shtyrë shkollarët e fushës që t’i bëjnë objekt studimi, me fokus sjelljen e shumicës në demokraci. Ia vlen të sjellim këndvështrimin e studiuesve që dallojnë tri modele shumicash qeverisëse në demokracitë hibride:
Shumicë fiktive: e ashtuquajtura shumicë e krijuar me vota të marra në kundërshtim me ligjin, si blerje apo trafikim i saj gjatë zgjedhjeve.
Shumicë e paaftë: d.m.th. një shumicë që mund të të bindë me idetë e saj, por që nuk ka aftësitë e duhura për t’i zhvilluar në terren ato ide.
Shumicë antidemokratike: pra një shumicë që përfiton nga pozicioni i saj për të dhunuar, pa u lagur, ligjet e normat e shtetit.
Rasti i Shqipërisë i reflekton të gjitha këto tipare dhe modeli i kryeministrit se “ne jemi zgjedhur të udhëheqim”, po shoqërohet me arrogancë në ushtrimin e pushtetit të shumicës, që tek interesi i pastër publik, siç është refuzimi për të sqaruar akuzat që i bëhen nga opozita, e deri tek modeli brendapartiak që ofron: shkelja me dy këmbë e statutit, kushtetutës së partisë për mandatin si kryetar partie, thjesht se kryeministri është i dashuruar me modelin laburist britanik. Minimalisht, kjo ndjenjë do duhej të përkthehej me reflektimin e kësaj “dashurie” në statut, pra korrigjimin e tij. E më tej, qasja kokëfortë se fituesit i lejohet gjithçka, edhe shkelja e rregullave brendapartiake, natyrshëm sjell pikëpyetje të mëdha për qasjen e këtij kryeministri kaq të fortë në numra, me normat e ligjet të cilat rregullojnë ushtrimin e “udhëheqësisë” së tij. Teksa ka hyrë në muajin e tetë të qeverisjes, jemi të gjithë dëshmitarë të provave flagrante se, edhe ligjin e sheh me të njëjtën bezdi si statutin e Partisë Socialiste.
Vërtet në demokraci është shumica që vendos, por rregulli i shumicës është vetëm njëri prej principeve të demokracisë, e madje nuk është as i vetmi, e as më i rëndësishmi. Përgjegjësia e përgjegjshmëria duhet të jenë në të njëjtin nivel me numrat e fituar, ashtu si respekti për pakicën e mendimin ndryshe. Këto janë modelet më të mira që frymëzojnë frazat që hedh në publik vetë kryeministri ynë. Një shembull konkret e patëm javën e kaluar. Presidenti i Zvicrës, një vend që merret si shembull për modelin e demokracisë direkte, vizitoi para pak ditësh Tiranën. Në një takim me të rinj nga disa rrethe të vendit, presidenti zviceran Didier Burkhalter tha se demokracia direkte është një gur themeli i kulturës së Zvicrës, që kërkon të pranohet mendimi i shumicës, edhe kur voton kundër asaj çfarë rekomandon qeveria. Modeli i demokracisë në Zvicër, nuk është aspak “fituesi i merr të gjitha”. Edhe në kushtet e dominancës së fortë të numrave, ne dimë të ndajmë rezultatet e fitores, tha Burkhalter, duke i mundësuar pakicës të ushtrojë funksionin e vet opozitar, sepse pa opozitën, demokracia nuk ka kuptim. Shumicë do të thotë mbi të gjitha përgjegjshmëri. Ishte një këndvështrim aq i natyrshëm, që garantonte paqen sociale e politike në një vend që ka katër gjuhë zyrtare për shkak të popullsisë heterogjene, të shpërndarë në 26 kantone e 2408 njësi të qeverisjes vendore.
Pra shumicë nuk do të thotë vetëm fuqi numrash. Në mungesë të principeve të tjera, demokracia do reduktohej në diktaturë, madje edhe në tirani. Natyrisht që është e ekzagjeruar të flasësh për dominim të këtyre tipareve në Shqipëri, pasi nga ky tranzicioni 24-vjeçar, nëse ka diçka që shqiptarët e kanë mësuar mirë, është të bëhen llogarikërkues. E këtë e ndiejnë çdo ditë në lëkurën e tyre deputetët e shumicës, që zgjedhin të përdorin hyrje-daljet periferike të kryesisë së Kuvendit, që të mos përballen me ata që u kanë premtuar “male e dete” për t’u marrë votën.
Kjo mënyrë vetëvendosëse nuk mund të imponohet gjatë me fjalë, spektakël e PR modern, e është naivitet të paramendohet se është më i drejti. Sidomos kur zërat ndryshe, me mendime konstruktive izolohen menjëherë, në mënyrë arrogante, tregon se sa e rrezikshme bëhet kjo lloj shumice, që nuk pranon as gabimin, që është tipar organik i njeriut të punës. E në këtë heshtje arrogante, po zbatohet pa zhurmë, modeli i vjetër i marrjes së të gjitha institucioneve. E pikëpyetjet veç shtohen, pikërisht për shkak të këtij lloj debati, që veç nxit e ushqen në mënyrë të papërgjegjshme polarizimin e agresivitetin, jo vetëm politik, por edhe shoqëror. Si shpjegohet që vendi më i varfër i Europës ka politikanët më të pasur, jo vetëm në Europë, por edhe më gjerë? Si mund të krijohen pasuri marramendëse vetëm në dy dekada demokraci, kur dihet që deri në vitin 1990, shqiptarët ishin pothuaj të barabartë në “pasurinë” e tyre, pikërisht për shkak të atij sistemi që impononte barazinë me çdo kusht? Si shpjegohet që 24 vite pasi qytetarët shprehën masivisht vullnetin për të qenë pjesë e Europës, Shqipëria ka ende një shpresë pesimiste nëse në qershor do jetë pjesë e saj? Dhe më e rëndësishmja, që i jep edhe fund akuzave boshe se cila palë është më e korruptuar se tjetra: Pse klasa jonë politike vazhdon të ketë të njëjtët protagonistë, që janë ndëshkuar me votë në nivele të ndryshme të qeverisjes, por që me rrotacion vetofrohen si zgjidhja për këtë popull?

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi