Prezantohet Reforma e Pensioneve

29 prill 2014

Dokumenti i plotë Politikës së Pensioneve

Qeveria ka prezantuar ditën e sotme publikisht reformën e re të pensioneve në një aktivitet  të organizuar në arkivën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore me prezencën ministrit të Mirëqenies dhe Çështjeve Sociale, Erjon, Veliaj, përfaqësueses së Bankës Botërore në vendin tonë, kryeministrit të vendit Edi Rama etj.

Në fjalën e tij me këtë rast kreu i qeverisë theksoi se skema e re e pensioneve është një skemë ku përfitimi varet nga kontributi dhe vjen si një nevojë emergjente për ta nxjerrë sistemin nga gropa ku e futi qeverisja e shkuar.

“Janë 5 mijë persona që kanë mbushur moshën dhe nuk mund të marrin pension në 2015, sepse nuk plotësojnë vitet e kontributeve. Këtu fillon reforma. Pensioni social vjen si ilaçi i parë për këtë gangrenizim të gjithë sistemit të pensioneve, që rrezikon të kolapsohet. Ky është nocioni i ri. 2014 është viti kur do mbyllim gropën e pensioneve, do të hapim një kapak të ri me sytë nga e ardhmja, efektet e menjëhershme kjo reformë do t’i ketë në vitin 2015”, – tha Rama.

Fjala e plotë e kryeministrit Rama

Nga ana e saj përfaqësuesja e BB në vendin tonë theksoi nevojën për një reformë në sistemin e pensioneve nën kushtet kur sipas saj ekziston një padrejtësi dhe diferencë thuajse e papërfillshme mes pensionit minimal dhe mesatar.

Skema e re e pensioneve do t’i referohet ose parimit kontributiv të sistemit aktual ose atij nocional: Pay As You Go, që imiton atë privat, pasi në thelb parashikon një pension, që varet nga masa e kontributit. Pra, sa më e lartë të jetë masa e kontributeve të derdhura, aq më i lartë do të jetë pensioni që do të përfitojë individi.

Në dokument paraqiten qartazi dy opsionet që po diskutohen për të nisur reformën, ku i pari fokusohet në parimin kontributiv, në përmirësimin e parametrave të sistemit aktual, ndërsa i dyti propozon një reformë paradigmatike, duke u zhvendosur drejt sistemit me llogari nocionale. Në thelb, të dyja opsionet fokusohen te forcimi i lidhjes mes kontributeve dhe benefiteve, duke i inkurajuar qytetarët që të bëhen pjesë e skemës dhe të kontribuojnë me pagën e tyre reale.

Referuar projektligjit, të dyja alternativat e propozuara sjellin një reduktim të deficitit, si edhe përfitime më të larta për qytetarët. Ndryshimi është se deri në vitin 2038, të dyja opsionet kanë një performancë thuajse të njëjtë në reduktimin e deficitit, ndërsa pas këtij viti, sistemi nocional, opsioni 2, rezulton më efektiv sesa i pari, në reduktimin e deficitit, duke dhënë një deficit, që është thuajse 1% të PPB-së më i ulët në fund të periudhës së parashikimit. “Një reformë e tillë forcon parimin kontributiv të sistemit aktual dhe eliminon shkallën e lartë të rishpërndarjes që e karakterizon atë, duke u dhënë individëve më shumë shtysa për të qenë pjesë e sistemit të sigurimeve shoqërore, si edhe për të kontribuar më shumë duke deklaruar pagën reale. Nga ana tjetër, ky opsion parashikon edhe ofrimin e një pensioni social për të gjithë ata të moshuar, përkatësisht mbi 70 vjeç, që nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e një pensioni dhe që kanë qenë rezident në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit”, thuhet në projektligj. Sipas tij, masa e këtij pensioni do të jetë jo më e madhe sesa masa e pensionit të pjesshëm që arrihet nga skema e kontributeve. Në skemën e reformuar, pensioni bazë do të zëvendësohet me pensionin social. Veç kësaj, do të hiqet kufizimi i pensionit maksimal deri në dyfishin e pensionit bazë, si edhe do të hiqet llogaritja me 75% e pagës neto. Gjithashtu, reforma synon të zhdukë diferencën mes pensioneve rurale e urbane dhe nuk ofron më privilegje për fermerët, por i përfshin ata në një skemë të vetme. Skemat profesionale për profesionet e vështira do të kthehen në detyrim ligjor dhe do të përfshijnë disa kategori si punonjësit e industrisë minerare, punonjësit e industrive të tjera, si nafta dhe metalurgjia, punonjësit e artit dhe kulturës etj. Këto skema do të kenë si synim garantimin e të ardhurave për individët që dalin në pension më herët sesa mosha zyrtare e daljes në pension. Ato do të jenë kontributive, ku masa e kontributit do të ndahet mes punëdhënësve e punëmarrësve dhe do të krijohen mbi bazën e marrëveshjeve kolektive”, thuhet në dokumentin e politikave të pensioneve.  

Dy skemat e pensioneve 

Skema e parë 

Ndryshimi i formulës së pensioneve në:

P=PS+Sh

P- është shuma e pensionit mujor

PS- është pensioni social, shuma e të cilit nuk është më i lartë se pensioni i pjesshëm që merret nga skema kontributive

Sh- është suplementari (shtesa), vlera e të cilit është 1 për qind e bazës së taksueshme për çdo vit sigurimi (me bazë taksimi përfaqësohet raporti i kontributit mesatar në vitin aktual me mesataren e kontributeve në vitet e mëparshme)

Rregullimet

Rregulla të qarta dhe strikte për indeksimin e pensionit vetëm me inflacionin

Heqja e tavanit të sipërm të pensionit maksimal

Rritja e pagës minimale për kontribute në nivelin e pagës minimale zyrtare për të gjithë kontribuuesit dhe indeksimi i pagës maksimale për kontribute me inflacionin

Rritja e viteve të punës me sigurime shoqërore të paguara nga 35 vjeç në 40 vjet deri në 2025

Rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj çdo vit, në mënyrë që të arrijë 63 vjeç deri në 2032. Nga ky vit mosha e daljes në pension për burrat do të rritet nga një muaj çdo vit, ndërkohë që për gratë do të vazhdojë të rritet me dy muaj në mënyrë që të arrijë 67 vjeç për të dyja gjinitë deri në vitin 2056.

Heqja e privilegjeve të njohjes si periudhë sigurimi, pa paguar kontribute për gratë, siç është edhe njohja e viteve të studimit si vite sigurimi.

Përmirësimi i formulës së llogaritjes së pensionit për nënat me shumë fëmijë dhe për pensionet e mbijetesës, duke rritur moshën e daljes në pension për këto pensione në nivelin e moshës zyrtare të daljes në pension.

Rritja e nivelit të kontributeve për zonat rurale, duke i barazuar ato me nivelin e kontributeve në zonat urbane dhe duke i shkrirë të dyja skemat në 2017.

Përmirësimi i formulës së pensioneve për skemën rurale. Sot një fermer që ka mbi 17 vjet dhe 6 muaj sigurim në shtet apo si i vetëpunësuar kualifikohet për një pension shteti. Kjo periudhë sigurimi do të rritet gradualisht (një vit çdo vit) deri në shuarjen e plotë të njohjes së viteve në kooperativë.

Vendosja e elementëve dekurajues për pension të hershëm dhe elementëve inkurajues për dalje në pension të vonuar.

Skema e dytë 

Ndryshimi i formulës së pensioneve: Një sistem i llogarive që merr shumat e kontributeve dhe u shton atyre një nivel interesi. Ky nivel interesi mund të jetë 1) niveli i rritjes së GDP-së 2) rritja e nivelit të pagës mesatare.

P=Ka+F

P- është shuma e pensionit

Ka- është shuma agregate e kapitalit të mbledhur ndër vite kur kontribuuesit kanë depozituar (Pra shuma e kontributeve të sigurimeve të paguar gjatë gjithë kohës së punës).

F- është shuma e akumuluar gjatë viteve si rezultat i aplikimit të interesit nacional (Pra interesi mbi shumën e kontributeve të paguara).

Jm- është mesatarja e jetëgjatësisë në moshën e daljes në pension (Pra mosha mesatare e jetës – mosha e daljes në pension).

Rregullimet

Përfshirje e detyrueshme në këtë skemë për të gjithë personat e lindur pas vitit 1978, apo që kanë dalë në tregun e punës për herë të parë pas vitit 1994.

Të gjithë personat që i janë bashkuar tregut të punës para kësaj date do të vijojnë të jenë pjesë e skemës aktuale, e cila do të reformohet sipas opsionit 1.

Vendosja e një pensioni social për të gjithë ata që nuk kanë kontribuar në mënyrë të mjaftueshme sa për të përfituar pension nga skema e sistemit nacional. Ky pension do të mundësohet për të gjithë personat mbi 70 vjeç që në 5 vitet e shkuara kanë jetuar në Shqipëri, me kushtin që të ardhurat t’i verifikohen dhe ky pension do financohet nga buxheti i shtetit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi