A po financohet arsimi si një prioritet kombëtar?

Nga Selami Xhepa, botuar në Panorama, 17 shtator 2019

Arsimi konsiderohet nga të gjitha qeveritë si një prioritet i padiskutueshëm, së bashku me shëndetësinë. Argumentet në mbështetje të këtij prioriteti janë të mirëthemeluara tashmë, qoftë në planin e zhvillimit ekonomik dhe social, ashtu edhe në këndvështrimin e perspektivave të ardhshme të diktuara nga zhvillimet e paprecedenta të teknikës dhe teknologjisë.Por, a ka qenë në të vërtetë një prioritet real apo vetëm një retorikë politike? Së pari, mbështetjen apo hedhjen poshtë të kësaj hipoteze e marrim nga mbështetja financiare për sektorin. Duke u ndalur në harkun kohor të një dekade, 2009-2019, shohim që mbështetja e arsimit ka shënuar rënie. Nuk po analizojmë shifrat e shpenzimeve për arsim në raport me GDP-në, sepse edhe të ardhurat tona buxhetore janë ndër më të ulëtat se të gjitha vendet europiane, për pasojë vendi ynë shpenzon më pak të ardhura në raport me GDP në secilin nga zërat e shpenzimeve buxhetore, si arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, zhvillim ekonomik, etj.

Një analizë më e saktë do të ishte duke parë mënyrën sesi ndahet pesha specifike e shpenzimeve buxhetore sipas zërave dhe nëse shpenzimet për arsim vijnë në rritje apo në rënie. Në vitin 2009, buxheti i shtetit kishte financuar arsimin me 38 miliardë lekë, në një total të shpenzimeve publike prej 401 miliardë lekë. Shpenzimet për arsim zinin 9.5% të totalit të shpenzimeve buxhetore. Ndërsa në vitin 2019, buxheti ka parashikuar një financim për arsimin në shumën 42 miliardë lekë, në një total shpenzimesh publike prej 519.6 miliardë. Arsimit, pra, i janë alokuar vetëm 8% e shpenzimeve publike, nga 9.5% një dekadë më parë. Është e dukshme se në terma relativë mbështetja për arsimin ka rënë, duke dëshmuar se arsimi nuk ka mbetur një prioritet për vendin tonë, përkundrazi rëndësia e tij ka ardhur në rënie. Akoma më keq, edhe në perspektivën e planit afatmesëm buxhetor, mbështetja për arsimin në terma relativë pritet të bjerë.

Si qëndron mbështetja për arsimin në vendet e tjera. Sipas të dhënave nga databazë e Bankës Botërore, rezulton se në vendete BE-së, shpenzimet për arsimin zënë mesatarisht 12% të totalit të shpenzimeve publike dhe në vendet e Europës Qendrore dhe vendet Baltike, mesatarisht 11.6%. Vendi me nivelin më të ulët në rajon rezulton Serbia, ku shpenzimet për arsim zënë 8.7% të totalit të shpenzimeve publike dhe vendin më të lartë e zë Kosova me 14% të shpenzimeve të buxhetit, ndërsa Shqipëria mbetet në vendin e fundit me 8%.

Shpenzimet për arsimin në nivelin e mesatares botërore për vitin 2014 ishin 14% të shpenzimeve qeveritare.

Në rast se Shqipëria do t’i përafrohet normës së shpenzimeve të vendeve të BE-së për arsimin (12% të shpenzimeve publike), do të duhej që buxheti të alokonte dhe një shumë shtesë prej 21 miliardë lekësh, duke e çuar financimin për arsimin në rreth 63 miliardë lekë.

Shpenzimet për arsimin privat janë të panjohura dhe është e nevojshme që Ministria e Arsimit/Drejtoria Përgjithshme e Tatimeve të nxjerrë një vlerësim çdo vit mbi këtë shifër. Të gjithë shkollat private, të çfarëdo niveli të edukimit, dorëzojnë bilancet financiare në Drejtorinë e Tatimeve. Duke qenë se të ardhurat janë pothuaj 100% me burim nga tarifat e nxënësve/studentëve, atëherë totali i të ardhurave të të gjithë subjekteve që veprojnë në fushën e arsimit, janë edhe shpenzimet totale që bëjnë familjet për arsimimin privat të fëmijëve. Ministria mund t’ia kërkojë këtë informacion Drejtorisë së Tatimeve, që ta agregojnë dhe botojnë këtë statistikë, duke ruajtur konfidencialitetin e të dhënave për çdo subjekt.

Rritja e mbështetjes buxhetore duhet shoqëruar dhe me reformimin e mënyrës së operimit të sistemit arsimor, duke futur më shumë konkurrencë në sistem dhe një metodë menaxhimi sipas performancës së shkollave. Thjesht rritja e financimit mund të mos u japë zgjidhje problemeve të cilësisë në arsim. Eksperienca e vendeve të zhvilluara na jep leksione të çmuara. SHBA, e cila brenda një periudhe njëzetvjeçare rriti me gati 68% financimin e sektorit të arsimit, nuk arriti të ndryshonte cilësinë: rezultatet e testeve të nxënësve ishin poshtë niveleve të vendeve të tjera të zhvilluara. Rritja e financimit, e shoqëruar me më shumë konkurrencë në sistem dhe vlerësim periodik të performancës, janë mënyra e vetme për ta bërë sistemin më eficient. Ndërsa në arsimin e lartë ka nevojë për të ndjekur rekomandimet e raportit të vlerësimit mbi gjendjen e arsimit të lartë në Ballkan, të financuar nga Komisioni Europian të kryer në vitin 2018. Një nga rekomandimet është aplikimi i politikës së bursave për të mbështetur degët me rëndësi për ekonominë dhe shoqërinë, si shkencat dhe inxhinieritë apo dhe disa kategori të caktuara të shkencave sociale dhe krijimi i më shumë konkurrence për programet e tjera studimore, për të cilat kërkesat e tregut janë shumë më pak nga oferta që prodhojnë çdo vit universitetet shqiptare publike dhe private.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi