Iluzionet për monopolet

Nga Pajtim Melani, Drejtor i Mbikëqyrjes dhe Hetimit të Tregjeve, Autoriteti i Konkurrencës, botuar në Shqip, 28 prill 2014

Politika e ditës dhe media në përgjithësi e kanë me shumë dëshirë përdorimin e fjalës “monopol” si një magnet për të tërhequr vëmendjen e publikut respektivisht për sulme ndaj kundërshtarëve apo rritje të audiencës. Por përgjithësisht gabojnë ose spekulojnë. Kjo nuk do të thotë se tregjet shqiptare nuk njohin edhe format e monopoleve, por për produktet që paguajnë akcizë si kafeja, duhani, pijet alkoolike, energjike vera etj., strukturat e tregut janë shumë larg monopolit.

Kjo u provua nga një monitorim i publikuar të enjten nga Autoriteti i Konkurrencës, mbështetur në një metodologji të BE-së. Qëllimi i monitorimit të Autoritetit nuk ishte çmimi në vetvete, sepse të gjitha këto tregje kanë çmime të liberalizuara ku kërkesë-oferta përcaktojnë çmimin, por evidentimi i strukturave të tregut dhe më pas nëse kishte shenja do vendosej hapja e procedurave hetimore. Strukturat kryesore të tregut të njohura janë nga ekstremi monopol, duool, oligopol, konkurrencë monopolistike dhe deri në formën teorike të konkurrencës së plotë.

Tregu i kafesë është ndër më kryesorët, për shkak të kërkesës së fortë të konsumatorëve për këtë produkt që kryesisht përbën dhe “pijen” më të lirë të lokaleve dhe akciza për këtë produkt nuk ndryshoi në janar 2014. Më kot në një debat televiziv trumbetohej rritja e çmimit të kafesë, sepse me ligj nuk ishte ndryshuar akciza dhe për më tepër ky treg ka marzhe të larta fitimi në tregun e pakicës. Mesatarisht një kg kafe kushton 15-20 euro nga e cila nxirren 100-130 kafe dhe me çmimin minimal 50 lekë rezulton një e ardhur shtesë të paktën sa dyfish i çmimit të blerjes. Një merak tjetër ishte se mos ky treg është monopol, por të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Doganave treguan se janë rreth 180 ndërmarrje në këtë treg ku operatori më i madh ka rreth 20 për qind dhe 18 prej tyre zotërojnë 84% të tregut.

Edhe tregu i birrës ka qenë në qendër të diskutimeve dhe politikës kryesisht për barrën fiskale dhe diferencimin mes prodhimit vendas dhe importit. Nga monitorimi rezultoi se oferta për birrë në tregun shqiptar sigurohet nga 93% si prodhim vendas dhe vetëm 7% të tregut zënë importet. Edhe debatet për monopole në prodhimin e birrës duhet të marrin fund, sepse tregu është i hapur për konkurrencë dhe nuk ka më barriera për hyrjet e reja në treg. Prodhimi vendas i birrës përfaqësohet nga 16 ndërmarrje ku 5 ndërmarrjet kryesore tregtojnë markën e tyre në gjithë territorin e vendit, kurse pjesa tjetër e ndërmarrjeve prodhuese të birrës kanë karakter lokal, pra edhe shitjet e tyre janë të lokalizuara në qytetet prodhuese.

Në raport me BE-në, tregu më sensitiv është tregu i verës, për të cilin Shqipëria ka vështirësi të konkurrojë me eksport për shkak të çmimit të ulët dhe avantazheve në marketing që kanë verërat italiane dhe franceze. Në tregun e verëskërkesa për verë plotësohet nga importi dhe prodhimi vendas.Në tregun e prodhimit vendas dhe importit të verës operojnë një numër shumë i madh firmash. Edhe në tregun e pijeve energjike janë importuar 25 marka ku 9 marka janë më kryesore dhe zënë 97% të tregut. Edhe ky treg karakterizohet nga  konkurrenca dhe shumëllojshmëri çmimesh midis markave.

Në konkluzionet e monitorimit rezultoi se asnjë strukturë e tregut të produkteve të akcizës nuk rezultonte në kushtet e shenjave të kufizimit të konkurrencës si pasojë e ndonjë marrëveshjeje mes operatorëve apo abuzim me dominancën. Këto janë dhe dy format e shkeljes së ligjit shqiptar të konkurrencës, një ligj i përafruar plotësisht me legjislacionin europian.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi