Hartimi i strategjisë së re për decentralizimin
Nga Fatjona Mejdini, botuar në Shqip, 28 prill 2014
Mazhoranca ka hedhur piketat kryesore mbi të cilat do të zhvillojë strategjinë e re të decentralizimit në vend, e cila do të miratohet në muajin korrik, paralelisht me reformën administrativo-territoriale. Gazeta Shqip ka arritur të sigurojë draftin paraprak që po diskutohet nga grupet e nisura të punës në funksion të krijimit të kësaj strategjie, e cila do të shërbejë si busull për sa i përket krijimit dhe përmirësimit të legjislacionit për pushtetin vendor në Shqipëri. Një nga ndryshimet më të mëdha që do të imponoj kjo strategji ka të bëjë me përgjegjësitë e shtuara të njësive të qeverisjes vendore për sa i përket çështjeve fiskale dhe kryesisht atyre të taksave. Në strategji pritet të rekomandohen ndryshime në Ligjin Nr. 10117, 23.4.2009, “Për Sistemin e Taksave Vendore”, ku taksa e biznesit të vogël do të administrohet nga njësitë vendore, duke u bërë një nga burimet kryesore të të ardhurave të tyre. Gjithashtu, ndryshimet mësohet se do të prekin dhe ligjin e huamarrjes, duke caktuar për herë të parë një përqindje specifike për sa i përket borxhit publik që do t’ju lejohet të marrin vendorët, për të eliminuar si ekzagjerimet apo dhe mospërdorimin e këtij mekanizimi. Në strategjinë e cila pritet të marrë votën e mazhorancës në Parlament në muajin korrik pritet të sugjerohet hartimi i një ligji të ri mbi financat vendore dhe një tjetër ligji për autoritet rajonale. Kjo strategji pritet të kërkojë dhe rishikimin e ligjeve që kanë të bëjnë me funksionet e njësive vendore në Shqipëri, duke u siguruar atyre më shumë të drejta dhe përgjegjësi për sa i përket arsimit parauniveristar, shërbimit shëndetësor parësor, kujdesit social, administrimit të tokave dhe po kështu mjedisit. Ripërcaktimi i kufijve të njësive vendore në vend, do të sjellë bashki e komuna me një numër të madh sipërfaqeje dhe po kështu popullsie. Dhënia e më shumë të drejtave për sa i përket aspektit fiskal dhe shërbimeve vjen si një domosdoshmëri për këto njësi të reja, që pas muajit shtator do të jenë një realitet në vend. Një muaj më parë, ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi përmes një tryeze ku merrte pjesë dhe ambasadori i SHBA-së, në Tiranë, Aleksandër Arvizu, çeli punimet për procesin e hartimit të Strategjisë së re Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore. Ai e konsideroi këtë strategji si shtyllën kryesore në të cilën do të mbështetet një nga reformat më të rëndësishme për vendin, ajo administrativo-territoriale.
Rishikimi i ligjeve
Grupet e punës së ngritura për hartimin e strategjisë së re për decentralizimin, udhëhequr nga Ministria e Pushtetit Vendor pritet të propozojnë ndryshime të rëndësishme në dy ligje bazike për sa i përket pushtetit vendor. Ligji për sistemin e taksave vendore pritet të jetë i pari që do të amendohet. Ndryshimi i tij do të bëhen, pasi mendohet se në gjendjen aktuale ky ligj, kufizon së tepërmi nivelin e taksave dhe tarifave që njësitë e qeverisje vendore mund të vendosin për biznesin e vogël. Madje, ekspertët janë të qëndrimit se kufizimet mbi tatimet dhe taksat e tjera të përkohshme, bien në kundërshtim në ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore që i jep njësisë vendore të drejtën të vendosin tarifa në lidhje me koston e ofrimit të shërbimeve. Për këtë arsye, grupet e punës pritet të rekomandojnë ndryshimet në ligj, të cilat do ta vendosnin taksën e biznesit të vogël brenda kuadrit të përgjithshëm të burimeve të të ardhurave të njësisë vendore. Një tjetër ligj i rëndësishëm që pritet të ndryshojë është dhe ai i huamarrjes së qeverisjes vendore. Aktualisht, një ligj për këtë çështje është miratuar në vitin 2008, por ai pritet të rishikohet për të krijuar një raport më të drejtë për borxhin publik mes qeverisë qendrore dhe njësive të qeverisjes vendore. Thënë ndryshe, mazhoranca ka në plan të specifikojë qartë përqindjen e borxhit publik që i përket qeverisjes lokale ndaj totalit të borxhit publik. Kjo do të bëjë që vendorët të jenë më të qartë për sa i përket të drejtës së tyre për të përdorur instrumentin e borxhit për arsye publike.
Ligjet e reja
Në strategjinë e re për pushtetin vendor pritet të propozohet hartimi i disa ligjeve të reja, të cilat do të plotësojnë boshllëqet në disa fusha të veprimtarisë së pushtetit vendor. Burimet bëjnë të ditur se aktualisht po mendohet për hartimin e një ligji të ri për financat vendore dhe një tjetri për autoritetet rajonale. Këto ligje do të përpiqen të mbushin hapësirën e lënë bosh nga ripërcaktimi i kufijve të njësive vendore, si rezultat i reformës administrativo-territoriale.
Funksionet e reja
Strategjia e decentralizimit pritet të ripërcaktojë dhe funksionet që kanë njësitë vendore në disa fusha të rëndësishme të zhvillimit të vendit siç është shëndetësia dhe arsimi. Rritja e sipërfaqeve të këtyre njësive dhe po kështu shtimi i numrit të popullsisë do t’u sjellë këtyre njësive nevojën e marrjes përsipër të më shumë funksioneve. Në këtë kuadër, strategjia e re do të parashikoj amendime në disa ligje për t’u dhënë më shumë kompetenca vendorëve në fusha si ajo e arsimit parauniveristar, kujdesit shëndetësor parësor, kujdesit social, administrimit të pronave dhe po kështu çështjeve mjedisore. Kjo do të ndihmojë në më shumë autonomi nga ana e vendorëve të rinj, të cilët do të dalin nga zgjedhjet lokale të mesit të vitit tjetër.