Ministrat Cani dhe Ahmetaj prezantuan përpara bizneseve projektligjin e ri të TVSH-së
26 prill 2014
Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe ai i ekonomisë Arben Ahmetaj prezantuan dje përpara bizneseve draftin e ri të TVSH-së. Projektligji, për të cilin po punohet prej më se dy vitesh synon harmonizimin e legjislacionit tonë tatimore me atë të BE-së dhe sjell një sërë risish. Drafti parashikohet të miratohet në parlament nga mesi i këtij vitit, në mënyrë që të lihet një periudhë përgatitore, përpara se të hyjë në fuqi nga 1 janari 2015. Ky projektligj do të shfuqizojë ligjin ekzistues për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.Institucioni që do të zbatojë këtë ligj është Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është përgjegjëse për të vlerësuar, për të ngarkuar, për të kërkuar dhe për të mbledhur TVSH-në në importe, eksporte dhe në lidhje me regjimet e tjera doganore sipas këtij ligji.
Ndryshimet thelbësore të ligjit
Ulja e TVSH-së së barnave, e cila ka hyrë tashmë në fuqi përmes një udhëzimi të qeverisë, do të përfshihet edhe në ligjin e ri për të këtë taksë. Furnizimi i barnave, shërbimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore, publike dhe private, është furnizim i përjashtuar nga TVSH. Për barnat e importuara dhe të prodhuara në vend, të pajisura me pullën e kontrollit me çmimin me TVSH 10%, me qëllim për t’u tregtuar (shitur) që rezultojnë gjendje në subjektet farmaceutike deri në datën 1 prill 2014, do të aplikohet TVSH-ja në shitje siç rezulton e shënuar në pullë. Operacionet e përjashtuara sipas këtij ligji janë: shërbimet shëndetësore dhe furnizimet e mallrave dhe shërbimeve të lidhura ngushtë me to, të kryera si nga institucionet shëndetësore publike dhe nga ato private, por këto të fundit duhet të kryejnë shërbimin në kushte sociale të krahasueshme me ato publike që të përfitojnë nga përjashtimi.
Reklamat në media, tashmë me TVSH
Reklamat që do të publikohen apo do të transmetohen në media tashmë do të paguajnë edhe Tatimin mbi Vlerën e Dhtuar. Kjo përbënte një shqetësim për agjencitë publicitare të cilat duhet të paguanin TVSH dhe prandaj i faturonin kompanitë me një çmim automatikisht 20% më të lartë, çka shtyu bizneset të lidheshin direkt me mediat duke shmangur këtë kosto. Rivendosja e TVSH-së për reklamat në media pritet të rregullojë edhe tregun e publicitetit në vend dhe ta formalizojë atë edhe më shumë. Vetë media do të vijojë të mbetet e përjashtuar nga TVSH.
Arsimi jashtë skemës së TVSH
Arsimi do të jetë vijojë të mbetet i përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Shkollat 9-vjeçare, të mesme dhe universitetet private do të vijojnë të mos paguajnë TVSH. Përfaqësuesit e sektorit kishin deklaruar se përfshirja e tij në TVSH ishte e padrejtë pasi arsimi ndryshon nga bizneset tipike, sepse shet një shërbim social që ndikon në zhvillimin e shoqërisë. Sipas relacionit të TVSH, ato që përjashtohen nga kjo taksë janë furnizimet e shërbimeve të mësimdhënies shkollore dhe universitare sipas ligjeve specifike si dhe furnizimi i mësimdhënies shkollore apo universitare nga mësuesit në emër personal.
TVSH për materialet e ndërtimit për HEC-et si dhe kërkimet për naftë
Gjithashtu është hequr përjashtimi për furnizimin e hekurit dhe çimentos ndaj subjekteve ndërtuese të hidrocentraleve, të cilat, në bazë të marrëveshjes respektive, i përdorin si lëndë të parë për ndërtimin e hidrocentraleve. Përjashtimi nga TVSH ishte një masë e ndërmarrë nga qeveria e mëparshme me qëllim nxitjen e investimeve në energjetikë dhe mbështetjen e sipërmarrësve, duke lehtësuar kostot. Ndërkohë edhe përjashtimi nga TVSH për furnizimet e shërbimeve të destinuara për realizimin e fazave të kërkimit dhe të zhvillimit të operacioneve hidrokarbure, të kryera nga kontraktorët ose nënkontraktorët që punojnë për realizimin e këtyre fazave, si dhe furnizimi i mallrave që bëjnë kontraktorët për njëri-tjetrin ose nënkontraktorët për kontraktorët e tyre është hequr. Të gjitha këto shërbime tashmë do të jenë pjesë e TVSH.
Rimbursim i TVSH-së në 30 ditë për eksportuesit
Për të përmbushur kërkesat e fasonistëve dhe të gjithë eksportuesve të tjerë, Ministria e Financave ka ndërmarrë iniciativën duke reflektuar për rimbursimin në një kohë të shkurtër të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), nëpërmjet sistemit të thesarit. Kjo tashmë është përfshirë edhe në projektligjin e ri të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Ky afat është sa gjysma e kohës që u jepet tatimpaguesve të tjerë, për të cilët koha e rimbursimit është 60 ditë. Eksportuesit kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim kur teprica e tyre tejkalon shumën 400.000 (katërqind mijë) lekë. Organet tatimore bëjnë rimbursimin e tepricës kreditore të TVSH-së për këtë kategori tatimpaguesish, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
Shqipëri-Kosovë, me terminal të përbashkët doganor
Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës ndërmarrin hapa konkretë për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, në aspektin infrastrukturor dhe procedurial. Në takimin e përbashkët mes përfaqësive të doganave të të dy vendeve, kryeministri Edi Rama tha se, puna nis me krijimin e terminalit dhe zyrave të përbashkëta doganore, që paraprakisht heqin virtualisht kufirin mes dy vendeve dhe lehtësojnë shkëmbimin e mallrave.
Paralelisht me unifikimin infrastrukturor, kryeministri Rama tha se, do të unifikohen edhe procedurat doganore me qëllim që shkëmbimi i produkteve bujqësore dhe blegtorale të mos njohë më problematikat e hasura aktualisht dhe në të shkuarën. Në vijim të kërkesës së sipërmarrësve të të dy vendeve, Rama njoftoi dakordësinë e tij për heqjen e çmimeve të referencës. Paralelisht me nismat e mësipërme, kryeministri i Shqipërisë tha se, vendimin për krijimin e Dhomës së përbashkët të Tregtisë do ta pasojë edhe vendimi për krijimin e një Këshilli Ekonomik Kombëtar të përbashkët Shqipëri-Kosovë.