Pesha e pushtetit…
Nga Aleksandra Bogdani, botuar në Mapo Online, 26 prill 2014
Në sprintin e shtatë muajve të parë, mazhoranca e gjerë në numra ka konfirmuar njëherazi edhe oreks të mirë. Për të hapur disa fronte reformash, por edhe për të mbledhur më shumë pushtet ndër duar. Aleatët Rama-Meta, drejtues të sinkronizuar të ekzekutivit dhe legjislativit kanë hedhur “litarët” drejt disa institucioneve kyçe, që statusi i bën të pavarur, por e kaluara i lidh me ish-kryeministrin Berisha. Kryetarja e Inspektoratit të Pasurive, Zana Xhuka ishte e para që u rrëzua përmes një procesi të diskutueshëm, që tashmë është goditur në Kushtetuese nga demokratët. Mazhoranca ka shprehur gjithashtu hapur pakënaqësi për kreun e shërbimeve sekrete, Visho Ajazi apo për drejtuesit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Beteja në publik luhet për më shumë mekanizma kontrollues mbi “xhepat” e elitës së kamur politike dhe jo vetëm, për një energji të re në luftën kundër krimit apo për një hendek më të ngushtë mes drejtësisë si emergjencë kombëtare dhe njerëzve që e përfaqësojnë sot atë në sistem. Në prapaskenë, mazhoranca po përpiqet spastrojë nga pozicionet kyçe ata që i quan njerëz të Berishës, e “të lajë” duart, përmes procedurave komplekse parlamentare. Shtatë muaj pas ngjitjes së mazhorancës së re, Shqipëria rikthehet sërish tek “thembra e Akilit”: do të bëjë shtet apo do të mbajë pushtet?! Rreth kësaj pikëpyetjeje kalendet sjellja e mazhorancës në 7 muajt e parë me institucionet e pavarura. E që duket se do ta shoqërojë edhe në muajt në vazhdim.
“Qerrja” ILDKP në aksion
Pas një letargjie të gjatë, Inspektorati i Kontrollit të Pasurive u zgjua me dosjen e një “peshku të madh” si gjyqtari Gjin Gjoni, njëherazi anëtar i KLD-së. Kryeinspektori i ri, Shkëlqim Ganaj kishte përgatitur terrenin e një institucioni në aksion më herët, madje ende pa u zgjedhur përmes një procedure të diskutueshme parlamentare. Me të marrë në dorë frerët e ILDKP-së, Ganaj kërkoi ashpërsimin e ligjit dhe më shumë hapësirë në kontrollin e pasurive. Ndërsa në Kuvend, do të deklaronte se zyrtarët e rinj ‘vlejnë” 50-60 milionë euro, para që ata rrezik se i kanë, por shpresojnë ama t’i bëjnë rrugës së pushtetit. “Është anormale që të thotë se në shtëpi ka 400 milionë nën jastëk. Të mbash 400 milionë në shtëpi në Shqipëri, për mua është anormale”,-shtoi Ganaj, ndërsa kërkoi një klauzolë në ligj, që paratë të kaloheshin në bankë. Por i zgjedhuri i mazhorancës Rama-Meta në krye të ILDKP, nuk është një fytyrë e re në institucionin e fjetur prej vitesh. Ai ka qenë në ILDKP që prej themelimit të institucionit e në vitin 2013, garoi dhe humbi përballë Zana Xhukës, që mori asokohe besimin e PD. Në drejtimin jetëshkurtër të ILDKP, Zana Xhuka, një ish-zv.ministre e kabinetit “Berisha” u gjykua pikërisht për mungesën e fuqisë, përballë të kamurve të politikës që e kishin emëruar. E njëjta pikëpyetje ngrihet sot edhe mbi Shkëlqim Ganajn! Pasi u kallëzua në Prokurori për fshehjen e 2 milionë eurove pasuri, gjyqtari Gjin Gjoni e krahasoi kryetarin e ri të ILDKP me një marionetë politike. Nga ana tjetër, sprova e të besuarit të mazhorancës në Inspektoratin e Pasurive sapo ka filluar. A do të mundet ai të skanojë pasuritë sa majtas, djathtas e të vërë në lëvizje një institucion që ka funksionuar më së shumti si dekor? Sfida e tij kalon përmes xhepave të mazhorancës që e ka votuar!
Në skutat e sekreteve
Visho Ajazi u gjend përballë mazhorancës në kohën e tritolit, por u rrethua edhe më keq me mosbesim këto ditë të ethshme të akuzave për avionët e bardhë të drogës. Shefi i shërbimit sekret, një zyrtar në varësinë e kryeministrit, por me një “siguresë” garancie në duart e Presidentit, është tashmë “de jure” nën survejimin e mazhorancës. Arsyet e këtij konflikti të hapur janë disa. Mazhoranca pretendon se kreu i SHISH nuk ka dhënë informacione të vlefshme për atentatet me tritol, ka urdhëruar përgjimin e kupolës së re drejtuese të Policisë, ka rikthyer ish-shikas të dyshimtë në institucion e mbi të gjitha: “shet” sekretet e shtetit në duart e Berishës. CV-ja e Visho Ajazit ushqen edhe më tej dyshimet dhe frikërat për lojëra me sekrete në paradhomat e pushtetit. Kreu i SHISH-it njihet si njeri i afërt i Bashkim Gazidedes, i cili me t’u rikthyer në atdhe pas ekzilit 12-vjeçar në Kanada, u emërua nga Berisha si zv.ministër i Teknologjisë dhe Informacionit. Ai u katapultua në krye të SHISH pas shkarkimit të Bahri Shaqirit, rreth dy vite të shkuara. Parlamenti ka ngritur tashmë grupin e kontrollit që do të kalojë në “sitë” urdhrat e Ajazit, por beteja më e ashpër pritet të jetë ajo për rolin e SHISH në historinë e trafikut të drogës. Një shkresë “sekrete”, e kthyer në mollë sherri mes mazhorancës dhe opozitës, prej tre javësh u publikua dy net më parë në media. Përmes saj, kreu i SHISH informonte ministren Mimi Kodheli për dyshime të përdorimit të pistës së Gjadrit në trafik lëndësh narkotike. Por para se të përfundonte në ekran, kjo shkresë konfidenciale qarkullonte në korridoret e politikës. Si mbërriti ky informacion në duart e PD, e më pas në emisionin e Artur Çanit në ‘News 24’? Pohimi i gazetarit se dikush e kishte ndalur në rrugë për t’i shtënë në dorë zarfin e mbyllur, nuk bind eksponentë të mazhorancës, që drejtojnë gishtin tek kreu i SHISH. Gjithsesi, një nismë për shkarkimin e Visho Ajazit do ta vendoste mazhorancën Rama-Meta përballë një beteje të re me opozitën dhe një dyshimi të shtuar, në sytë e aleatëve ndërkombëtarë. Që me institucione si shërbimi sekret, kërkojnë besueshmëri dhe stabilitet. Ndërsa qytetarët do të duhet të gëlltisin një tjetër “lojë luftash me spiunë” në aulat e politikës.
Lufta për pushtetin e tretë
Përplasjet në “kupolë” kanë trazuar disi ujërat në “Pallatin e Drejtësisë”, më të mbrojturin e tranzicionit shqiptar. Edhe aty ka tension: mes ministrit të Drejtësisë dhe KLD-së, mes gjyqtarëve vetë e njëherazi mes dilemës së kahershme për reformë apo pavarësi. Në këto 7 muaj, diç ka lëvizur edhe në drejtësi, por nismat dhe shembujt prekin vetëm majën e ajsbergut. Paralelisht me andrallat në ILDKP, gjyqtari Gjin Gjoni është akuzuar rëndë dhe publikisht nga kryetari i Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj. KLD ka tashmë mbi tavolinë këtë ankesë dhe një tufë procedimesh për gjyqtarët, ndërsa vazhdon me hapin e breshkës edhe procesin e vlerësimeve. Megjithatë, forca e “shembullit” u përshfaq fort në Pogradec, ku një gjyqtar dhe poet i qytetit u arrestua për korrupsion 40 mijë lekësh. Një rast ky që të çon tek proverbi “peshku i madh ha të voglin”. Në Shqipëri, dendur dhe lehtësisht! Sistemi i drejtësisë dhe shteti ligjor mbetet sfida më e madhe jo vetëm e mazhorancës aktuale, por e Shqipërisë, për të kapërcyer më anën tjetër të tranzicionin të tejzgjatur. E në këtë drejtim, mazhoranca i ka duart e lidhura. Përtej zhurmës dhe denoncimeve apo mundësisë për të miratuar ligje të mira, politika nuk mund të kapërcejë “vijën e kuqe” që e ndan nga pushteti i tretë. Vetë Rama, i ka mbështetur forcat tek partnerët ndërkombëtarë për drejtësinë në Shqipëri. “Për të mbrojtur këtë vijë të hollë, neve na nevojitet një koalicion i madh forcash, ku Bashkimi Europian dhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë thelbësorë”,-do të pohonte ai në një bisedë me një ekspert britanik. Tensioni megjithatë duket se do të vazhdojë edhe për drejtësinë. Më së shumti, si një raund brenda konfliktit të madh mazhorancë-President!