Gjermania paralajmëron masa për ndalimin e azilkërkuesve nga Shqipëria
Sipas DW, 24 prill 2014
Qeveria e Gjermanisë po planifikon masa për parandalimin e azilkërkuesve nga vendet e Evropës Juglindore, pasi sipas statistikave në tremujorin e parë të këtij viti është shtuar dukshëm numri i azilkërkuesve.
Ky shtet është duke përgatitur një projektligj me të cilin Bosnje-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia do të radhiten në grupin e “vendeve të sigurta”. Kjo do të thotë se kërkesat e shtetasve të këtyre vendeve për azil, do të shqyrëtohet me një procedurë të shkurtër dhe ata që marrin përgjigje negative do të kthehen shumë shpejt në vendet prej nga kanë ardhur.
Gjatë vitit të kaluar nga këto tre vende janë paraqitur 22.000 kërkesa për azil, ndërkohë që përgjigje pozitive kanë marrë vetëm 60.
Kohët e fundit janë shtuar zërat nga radhët e partive të Unionit, që mendojnë se në listën e vendeve të sigurta duhet të futen edhe Mali i Zi dhe Shqipëria. Të dhënat e gazetës “Der Spiegel” i ka konfirmuar një zëdhënës i ministrisë së Brendshme. Sipas tij, në grupin e vendeve të sigurta do të duhej të radhiten: Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.
Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë në Nyremberg kumtoi se në tre mujorin e parë kanë kërkuar strehim në Gjermani 37.820 persona, që do të thotë 75,7 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por 2600 më pak se në tremujorin e fundit të vitit 2013.
Numri më i madh i azilkërkuesve edhe më tej vjen nga Siria e kapluar me luftë (rreth 5.500). Por muajt e fundit është shtuar dukshëm edhe numri i azilkërkuesve nga Serbia, Maqedonia, Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina.