SHBA mbështet fuqimisht projektin TAP
@4 prill 2014
Kriza e Ukrainës e ka vendosur gazsjellësin transadriatik në qendër të betejës gjeopolitike mes Rusisë dhe perëndimit, përkatësisht Shteteve të Bashkuara.
Revista “Politiko”, një nga mediat më të informuara për politikën e jashtme të Washingtonit raporton se administrata amerikane ka vendosur t’i japë mbështetje të fuqishme projektit me vlerë 45 miliardë dollarë, i cili transporton gazin azer në Europë duke anashkaluar Rusinë.
Lajmi është marrë edhe nga shumë media të vendeve europiane. Pjesë e të ashtuquajturit korridori jugor, gazsjellësi Tap, i cili kalon përmes Shqipërisë, jo vetëm që nuk furnizohet në Rusi, por anashkalon edhe Ukrainen, e cila është rruga kryesore e gazsjellësve ekzistuese që furnizojnë Europën. Kjo ka bërë që projekti së fundmi të tërheq vëmendjen e administratës amerikane, por edhe kongresit.
Pak ditë më parë, 56 kongresmenë amerikanë të të dy partive hartuan një rezolutë ku e quajnë realizimin e korridorit jugor si promovim të sigurisë energjetikë për aleatët europianë. Ndërsa zëvendësndihmës sekretari amerikan për politikën energjetik Amos Hokshtein deklaroi se SHBA ka bërë përpjekje të mëdha për të garantuar suksesin e projektit. TAP u përzgjodh si projekti fituese nga aksionerët e fushës së Shah Denizit disa muaj më parë.
Por rreshtimi fuqishëm i SHBA-ve në krah të gazsjellësit i japin një tjetër shtysë suksesit të tij dhe realizimit brenda afatit në 2018-ën. Elin Sulejmanov, ambasadori azer në Shtetet e Bashkuara deklaroi se ndonëse vendi i tij nuk po kërkon ndihmën e SHBA-ve për të ndërtuar projektin, mbështetja e adminsitratës amerikane për të është jetike. “Pa lidershipin dhe mbështetjen e Shteteve të Bshkuara gjërat shpesh nuk ndodhin” u shpreh ai.
Gazsjellësi transadriatik do të transportojë fillimisht 10 miliardë metër kub gaz nga azerbajxhani në tregun europian përmes shqipërisë. Por kapaciteti i tij është parashikuar të rritet deri në tre fish në fazat e mëvonshme duke qene një burim jo i parëndësishëm për europën e varur tërësisht nga Rusia. Në total Bashkimi Europian importon rreth 160 miliardë metër kub gaz në vit nga rusia, gjysma e të cilës kalon përmes Ukrainës. Konflikti i fundit dhe kërcënimet e presidentit Putin për të ndërprerë furnizimin kanë vënë në panik vendet europiane, të cilat i druhen një krizë energjetike nëse konflikti përshkallëzohet.